Ylli i Hollywoodit, këngëtarja me prejardhje latine, Jennifer Lopez, ka treguar se kishte dëshirë të jashtëzakonshme ta luante rolin e aktivistes e politikanes argjentinase, Eva Peron.
Ajo ka rrëfyer se një nga momentet më zhgënjyese në karrierën e saj ishte kur humbi rolin kryesor në filmin biografik për aktivisten në fjalë, “Evita” në vitin 1996, rol që iu dha Madonnas.
Madonna në rolin e Evitas
Këngëtarja dhe aktorja 56-vjeçe ka kujtuar audicionin që pati me regjisorin Alan Parker, ndërkohë që po fliste në një konferencë, ka raportuar Variety.
“Shkova të provoj për ‘Evitan’. Kisha javë të tëra që po praktikoja dhe këndova me gjithë shpirt. Ai më tha: ‘Je e mrekullueshme. Por e di që rolin e ka marrë Madonna, apo jo?’ Unë i thashë: ‘OK, mirupafshim. Ishte kënaqësi të të takoja’”, ka thënë këngëtarja.
Lopez është duke realizuar një ëndërr të kahershme, rolin në “Kiss of the Spider Woman”. Megjithatë, ajo ka pranuar se përvoja nuk ka qenë e lehtë, sidomos kur regjisori Bill Condon i kërkoi të interpretonte një nga këngët më të ndërlikuara të filmit me një xhirim të vetëm.
“I thashë: ‘Do të bëjmë disa prova, disa shkrepje të ndryshme?’ Ai më tha: ‘Jo, asnjë mbulim.’ Unë thashë: ‘Oh, duhet ta bëj perfekt atëherë.’ Pastaj, deri në gjysmë të rrugës, gjithçka po shkonte shkëlqyeshëm e ti shkel në fustan ose të ndodhë diçka tjetër, dhe mendon se duhet ta fillojmë nga e para. Ishte sfiduese. Sidomos për kohën dhe buxhetin, siç ndodh shpesh me filmat e pavarur”, ka thënë artistja.
Pavarësisht sfidave, Lopez është shprehur e lumtur dhe krenare për rrugëtimin e saj.
“Gjithçka më duket sikur e kam bërë dje. I kujtoj momentet. Kujtoj çfarë vishja. Kujtoj çfarë më thoshin njerëzit kur po dilnim në skenë. Janë kujtime të paharrueshme të jetës. Nuk mund të them që emocionohem shumë, por gjithsesi ndjej: ‘Wow’. Jam e lumtur. Kam arritur shumë dhe jam krenare për këtë”, tha ajo për revistën People pak para se ta prezantonte spektaklin “Video Music Awards”.