Lajmet

Ish-oficeri britanik: S’mund të ketë konflikt të drejtpërdrejtë derisa KFOR-i është në Kosovë

Published

on

KFOR-i e ka fuqinë ushtarake dhe politike për të penguar çdo agresion ndaj Kosovës, thotë ish-oficeri britanik, Ade Clewlow. Megjithatë, ai përjashton mundësinë për një konflikt të drejtpërdrejtë në vend përderisa trupat e këtij misioni qëndrojnë në Kosovë.

Ade Clewlow, i cili shërbeu 25 vjet në ushtrinë britanike, vlerëson se Ballkani Perëndimor nuk është rajon i qëndrueshëm.

Për këtë pasiguri, një kontribut të madh sipas tij, e kanë shtetet e Bashkimit Evropian të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Kosova u bë shtet më 17 shkurt të vitit 2008 dhe u pranua nga më shumë se 100 shtete të botës, por vazhdon të mos njihet nga Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qiproja – shtete këto që janë pjesë e bllokut.

“Ballkani Perëndimor nuk është një rajon i qëndrueshëm, dhe kjo në një masë të madhe vjen si pasojë e disa shteteve të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, duke kontribuar në pasiguri. Aleanca e Trumpit me Putinin është e qartë, ashtu siç është edhe marrëdhënia e Putinit me Beogradin. Po ashtu, e kuptojmë qëllimin e Serbisë për të krijuar jo-stabilitet në Ballkan sa herë që mundet. Besoj se nuk ka gjasa për një konflikt të drejtpërdrejtë për sa kohë që KFOR-i mbetet në Kosovë”, thotë ai.

Rolin e KFOR-it në Kosovë, Clewlow sheh si shumë të rëndësishëm, siç thotë ai, për parandalimin e çdo agresioni që shtetit mund t’i vijë nga jashtë.

Ky mision e pati shtuar praninë në Kosovë dy vjet më parë, kur në veri të vendit u rriten tensionet dhe pati sulme ndaj Policisë së Kosovës dhe infrastrukturës kritike të shtetit.

“KFOR-i është padyshim shumë më i vogël tani sesa kur isha këtu për herë të parë [më 2008], por ai luan një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm për të parandaluar çdo agresor të jashtëm që mund të ketë synime për të ndryshuar peizazhin politik të Kosovës. Edhe pse misioni i KFOR-it mbetet i njëjtë – garantimi i lëvizjes së lirë dhe një mjedis të sigurt – prania e tij është thelbësore. Në realitet, KFOR-i ka fuqinë ushtarake dhe politike për të penguar çdo agresion ndaj Kosovës”, thotë ai.

Misioni paqëruajtës i NATO-s është i vendosur në Kosovë që prej vitit 1999, kur përfundoi lufta. Janë 4.600 trupa që ndodhen në Kosovë aktualisht në kuadër të KFOR-it, nga 29 shtete.

Megjithatë, Policia e Kosovës është reaguesi i parë, me EULEX-in, misionin e Bashkimit Evropian për sundim të ligjit. KFOR-i, është reaguesi i tretë.

Kosova ka edhe Forcën e Sigurisë, e cila është në proces të transformimit në ushtri. Por, në vitin 2013, institucionet e Kosovës ishin zotuar se FSK-ja nuk do të shkojë në veri pa pëlqimin paraprak të KFOR-it.

Sipas ish-ushtarakut britanik, vendosja e FSK-së në veri mund të shihej si provokim dhe të nxiste veprime nga serbët që financohen prej Beogradit.

“Nga ajo që di për situatën në terren, vendosja e FSK-së në veri të Kosovës do të ishte, siç thuhet në anglisht, “A red rag to a bull” [një leckë e kuqe për demat]. Pavarësisht se veriu i Kosovës është pjesë e sovranitetit të Kosovës dhe se teorikisht FSK-ja duhet të jetë në gjendje të vendoset atje, realiteti në terren është se njerëzit do ta shihnin këtë si një provokim – gjë që mund të çonte në veprime hakmarrëse nga një grup i vogël serbësh etnikë që marrin urdhra nga Beogradi dhe synojnë të destabilizojnë marrëdhëniet mes serbëve etnikë dhe pjesës tjetër të Kosovës”, thotë Clewlow.

Britaniku thotë se nuk duhet injoruar zhvillimet e reja gjeopolitike, derisa përmend edhe presidentin Donald Trump, i cili mori detyrën në janar të këtij viti.

“Nëse Trump ndjek të njëjtën qasje në Ballkanin Perëndimor si në Ukrainë, atëherë stabiliteti në rajon do të jetë përgjegjësi e Evropës. Shtetet evropiane do të duhet të angazhohen më shumë për të garantuar një mjedis të sigurt këtu”, vlerëson Clewlow.

Clewlow flet edhe për aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO – proces ky sipas tij i cili pritet të marrë kohë.

“Kosova ka dëshiruar gjithmonë të jetë një kontribuese e sigurisë dhe jo një konsumuese e saj. Do të doja të thosha se e shoh Kosovën të anëtarësohet në NATO së shpejti, por e ardhmja e NATO-s si organizatë po vihet në pikëpyetje – veçanërisht në lidhje me rolin e SHBA-së. Fatkeqësisht, nuk besoj se Kosova do të anëtarësohet së shpejti në NATO. Megjithatë, sa më shumë që Kosova të afrohet me aleatët e saj evropianë, aq më e madhe është mundësia për një të ardhme të qëndrueshme”, thotë ish-oficeri britanik.

Ade Clowlow, i ngarkuar me misione në shumë vende të botës, u gjend në Kosovë si kolonel-lejtënant në vitin 2008 – pak pas shpalljes së pavarësisë.

Ai ishte i ngarkuar me detyra operacionale për gjashtë muaj dhe pa prej afër procesin e shpërbërjes së Trupave Mbrojtëse të Kosovës, si dhe krijimin e Forcës së Sigurisë së Kosovë që u bë në janar të vitit 2009.

Përvojën e tij në Kosovë e ruajti edhe të shkruar, të cilën më vonë do ta titullonte “Under a Feathered Sky: Role in the Newly Independent Kosovo” (Nën një qiell me pupla: Historia e parrëfyer e rolit të NATO-s në Kosovën e pavarësuar rishtas).

“Kur erdha në Kosovë në vitin 2008, nuk kisha ndonjë plan për të shkruar një libër. Por, në javët e para këtu, duke parë sjelljet e oficerëve të mi të lartë në KFOR, e kuptova se ajo që po shihja ishte e denjë për t’u shkruar në një libër”, thotë ndër të tjera ish-ushtaraku,

Kur flet për KFOR-in në atë kohë, Ade Clelow thotë se kishte dallime të mëdha për mënyrën se si duhej vepruar në Kosovë.

“Roli ishte shumë i politizuar kur bëhej fjalë për mbështetjen e TMK-së dhe kalimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës”, thotë ai.

“Një gjeneral brigade më tha të ulesha në një qoshe, të merrja shënime dhe të raportoja mbi atë që po ndodhte në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës (TMK). Por kjo nuk do të ishte kurrë qasja ime ndaj punës. Nuk ishte ashtu siç një oficer britanik do ta kuptonte atë rol. Isha oficeri i 19-të lidhës me TMK-në dhe ishte e qartë për mua se kisha detyrën të mbështesja dhe të këshilloja komandantët e TMK-së. Megjithatë, pas disa javësh në këtë rol, e kuptova sa politik ishte KFOR-i. Kishte dallime të mëdha në mënyrën se si duhej të veprohej në Kosovë – midis NATO-s në Bruksel dhe KFOR-it në Prishtinë. Roli ishte shumë i politizuar kur bëhej fjalë për mbështetjen e TMK-së dhe kalimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK). U gjenda mes kësaj situate dhe ishte një përvojë jashtëzakonisht frustruese. Kosova kishte vetëm gjashtë muaj që kishte shpallur pavarësinë, ndaj ndjeshmëritë kombëtare dhe pozicionet politike luanin një rol të madh në marrjen e vendimeve të rëndësishme, veçanërisht për mbylljen e TMK-së dhe krijimin e FSK-së”, thotë ish-oficeri britanik.

Clewlow thotë se kishte “vendosur të mos qëndrojë i heshtur”, ani pse në disa raste, kjo mund t’i kushtonte.

“Unë vendosa të mos rrija i heshtur. Përkundrazi, ndihmova dhe udhëzova gjeneralët e TMK-së, duke u përpjekur të sigurohesha që ta mbyllnim TMK-në dhe të ngrinim FSK-në siç duhej. Kishte momente kur e kuptova se mund të futesha në telashe për reputacionin tim. Megjithatë, gjithmonë besoja se zinxhiri britanik i komandës do të më mbështeste. Në Kosovë, kisha një gjeneral me dy yje që më mbante shpinën. Ai e dinte se çfarë po bëja dhe se po e bëja gjënë e duhur. Kjo më dha besim nga perspektiva britanike. Por me kalimin e kohës, u bë e qartë se disa më shihnin si pengesë për planet e tyre”, thotë ish-ushtaraku.

Këto dhe pjesë të tjera nga përvoja në Kosovë, Clewlow ka të shkruara në librin e tij i cili të enjten promovohet edhe në gjuhën shqipe, në Prishtinë.

“Një nga momentet më të veçanta për mua – dhe kam folur për këtë në librin tim – ishte festa për shënimin e mbylljes së Trupave të Mbrojtjes të Kosovës. U mbajt një paradë afër selisë së TMK-së, e cila tani përdoret nga një agjenci tjetër. Ngjarja kishte atmosferën e ditës së fundit të shkollës. FSK-ja ishte afër, gati për t’u krijuar. Të gjithë shkuam për të festuar mbylljen e kësaj organizate pas nëntë vjetësh, në verërinë StoneCastle dhe patëm një drekë atje…Realisht, ajo festë kapte ndjenjat e të gjithëve për të kaluarën, por gjithashtu kishte një element shumë të fortë shprese për të ardhmen”, thotë ai.

Libri në shqip e ktheu britanikun edhe një herë në Kosovë duke i dhënë mundësinë të takohet me miq si dhe të shoh vendet të cilat dikur për të ishin shumë të njohura.

“Pamja e Prishtinës ka ndryshuar. Sa herë që kthehem – gjë që nuk ndodh shpesh – shoh ndërtesa të reja kudo. Duke vozitur nga aeroporti sot, pata vështirësi të njoh vendet që dikur më ishin të afërta. Vetëm në qendër të qytetit, ku gjërat nuk kanë ndryshuar aq shumë, ndjeva me të vërtetë se isha përsëri në Prishtinë”, thotë Clewlow.

Vendi

LVV bojkoton seancën për çmimin e naftës, opozita kritikon mungesën e pushtetit në Kuvend

Published

on

By

Derisa në Kuvend po vazhdon seanca e jashtëzakonshme për çmimin e naftës, as kryeministri, asnjë ministër e asnjë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje nuk është paraqitur në sallë.

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, kritikoi ashpër këtë bojkot, duke thënë se për një çështje kaq të rëndësishme për qytetarët, pushteti ka zgjedhur të mos marrë pjesë. Ajo ironizoi me situatën duke u shprehur: “Mos kanë harru me zbrit prej xhipave të zi”.

Përmes një rezolute, LDK-ja po kërkon uljen e përkohshme të akcizës për naftën nga 36 centë për litër në 20 centë deri në stabilizimin e çmimeve, uljen e TVSH-së për karburantet nga 18 në 8 për qind, si dhe subvencionimin e naftës për sektorët më të ndjeshëm si bujqësia, transporti publik dhe prodhuesit vendorë.

Ermal Sadiku nga LDK-ja u shpreh i dëshpëruar me sallën e zbrazët, duke theksuar se deputetët e LVV-së dhe ata të Listës Serbe janë të vetmit që po mungojnë.

Ai sqaroi se kërkesa për uljen e TVSH-së është teknikisht e realizueshme dhe nuk e dëmton buxhetin, pasi rritja e çmimeve e ka rritur automatikisht edhe grumbullimin e taksave. Sadiku përfundoi duke ironizuar se, nëse pushteti zgjedh të flasë me popullin vetëm përmes Facebook-ut e televizionit, atëherë Parlamenti mund të mbyllet plotësisht.

Continue Reading

Kronikë e zezë

Arrestohet një 48-vjeçar në Gjakovë, Policia i sekuestron mbi 5 kilogramë marihuanë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për trafikim me narkotikë gjatë një aksioni të suksesshëm të realizuar këtë të premte në Gjakovë.

Operacioni është udhëhequr nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me njësitet kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, të cilët rreth orës 14:40 kanë ndaluar për kontroll një veturë me targa të huaja.

Sipas komunikatës zyrtare, automjeti drejtohej nga i dyshuari me inicialet A.B., i lindur në vitin 1978, tek i cili gjatë kontrollit në pjesën e ulëseve të pasme janë gjetur dhjetë paketime të mbushura me substancë narkotike të llojit marihuanë.

Pesha e përgjithshme e drogës së sekuestruar është 5 kilogramë e 413 gramë, ndërsa në cilësinë e provave materiale Policia ka konfiskuar edhe veturën dhe dy telefonat mobil që i përkisnin të dyshuarit.

Pas arrestimit, personi i dyshuar është shoqëruar për intervistim në stacionin policor, ku me vendim të prokurorit të shtetit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Ky aksion vjen si pjesë e planeve taktike të Policisë së Kosovës për luftimin e trafikut të drogës dhe krimit të organizuar në vend, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë nga drejtoritë përkatëse.

 

Continue Reading

Vendi

Dënohet me 24 vjet burgim Valon Aliu për vrasjen e ish-bashkëshortes në QPS-në e Ferizajt

Published

on

By

Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me 24 vjet burgim të akuzuarin Valon Aliu, duke e shpallur fajtor për vrasjen e rëndë të ish-bashkëjetueses së tij, E.C., ngjarje kjo që ndodhi në prill të vitit 2024 brenda Qendrës për Punë Sociale.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtarja Fitore Krivanjeva-Daci, Aliu u dënua për tri vepra penale: vrasje e rëndë, armëmbajtje pa leje dhe kanosje, ku në dënimin final do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 12 prilli 2024.

Ngjarja tragjike erdhi pas një fjalosjeje të shkurtër brenda zyrave të QPS-së, ku i akuzuari nxori armën dhe qëlloi viktimën fillimisht në kraharor, ndërsa plagosi në krah edhe vëllanë e saj.

Megjithëse viktima tentoi të largohej, Aliu e qëlloi përsëri në gjoks dhe në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme në vendin e ngjarjes.

Pas vrasjes, ai kishte kanosur edhe një zyrtare të institucionit duke ia vendosur pistoletën në ballë me kërcënimin se do ta qëllonte edhe atë.

Palët e përfshira në proces kanë afat prej 30 ditësh për ankesë në Gjykatën e Apelit, ndërsa Aliu do të qëndrojë në paraburgim deri në plotfuqishmërinë e këtij vendimi.

Continue Reading

Lajmet

Përplasje në Kuvend për naftën: LDK kërkon uljen e akcizës, LVV e cilëson propozim populist

Published

on

By

Seanca e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës këtë të premte është shoqëruar me një debate të ashpra mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) lidhur me çmimin e naftës. Përmes një rezolute, opozita ka kërkuar ndërhyrje emergjente në politika fiskale për të lehtësuar barrën e qytetarëve, ndërsa pushteti e ka refuzuar këtë nismë.

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka paralajmëruar se rritja e kostos së karburanteve po rrezikon të thellojë krizën sociale në vend. Ajo theksoi se nafta është çmim bazë që dikton zinxhirin e shtrenjtimeve në çdo sektor.

“Nafta është çmim bazë i ekonomisë dhe çdo rritje e saj përkthehet automatikisht në rritje të çmimeve të produkteve bazike, shërbimeve, transportit dhe ndërtimit. Qeveria nuk duhet të qëndrojë si spektatore në një kohë kur qytetarët përballen me rritje të kostos së jetesës,” deklaroi Lushaku-Sadriu.

Rezoluta e LDK-së propozon tri masa konkrete: Uljen e akcizës nga 36 në 20 centë për litër; Uljen e TVSH-së për karburante nga 18% në 8%; Subvencionimin e naftës për bujqit, transportin publik dhe prodhuesit vendorë.

Në anën tjetër, deputetja e LVV-së, Rozeta Hajdari, e ka kundërshtuar ashpër këtë kërkesë, duke argumentuar se ulja e të hyrave publike do të dëmtonte buxhetin e shtetit dhe financimin e sektorëve kyç si arsimi dhe shëndetësia.

“Ne si Grup Parlamentar me qeverisjen tonë kemi ndërhyrë aty ku duhet, kemi formalizuar tregun e naftës, kemi evituar kostot e panevojshme dhe kemi rritur transparencën. Këto masa janë efekt real dhe afatgjatë,” tha Hajdari, duke e quajtur propozimin e opozitës si ekonomikisht të papërgjegjshëm.

Hajdari shtoi se rritja e çmimeve është pasojë e krizave gjeopolitike globale dhe se masat e propozuara nga LDK-ja nuk garantojnë një ulje reale të çmimit në pompë për konsumatorët fundorë. Debati po vazhdon me akuza të ndërsjella, ku opozita kërkon veprim të menjëhershëm, ndërsa pozita mbron stabilitetin buxhetor.

 

Continue Reading

Të kërkuara