Lajmet
“Kjo nuk është drejtësi”, Rubin shpreh kritikat për procesin gjyqësor në Hagë
Published
10 months agoon
By
UBT NewsE përditësuar:
12:13 – Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin ka shprehur shqetësimin e tij për procesin gjyqësor në Hagë. “Kjo është mënyrë e pazakontë për të trajtuar një burrë-shteti i cili është dorëzuar vullnetarisht”, deklaroi Rubin në gjykatore, gjatë dëshmisë së tij në mbrojtje të ish-presidentit, Hashim Thaçi. Në ditën e dytë të dëshmisë, amerikani James Rubin ka treguar pikëpamjet për këto pesë vjet proces gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ku tha se e shqetëson fakti që katërshja e UÇK-së janë mbajtur kaq gjatë në paraburgim. “Kjo nuk është drejtësi”, theksoi Rubin derisa u shpreh se i ka ditur zhvillimet në UÇK, meqë i ka parë nga afër krerët e saj gjatë luftës.
Pikëpamjet e tij lidhur me këtë proces gjyqësor ai i ka treguar pas pyetjeve të prokurorit të specializuar, James Pace, i cili paraprakisht i tha se “mbrojtja e Thaçit më 25 gusht që ju nuk keni pranuar të merreni në pyetje nga ZPS”.
“Fakti që të akuzuarit janë në paraburgim në Hagë për më shumë se pesë vjet dhe fakti që ata janë dorëzuar vullnetarisht dhe fakti që janë mbajtur të ndaluar për kaq shumë gjatë më shqetëson. Mendoj që lidhet me politikën dhe me shtetin e së drejtës, dhe mua më shqetëson fakti që dikush të jetë i paraburgosur për pesë vjet përpara se të fillojë të ndiqet penalisht një cështje penale, ndërkohë që këta persona janë dorëzuar vullnetarisht dhe kanë qenë shumë bashkëpunues me gjykatën. Kështu që në rastin e të akuzuarit në fjalë, nuk e kuptoj fare se pse është dashur që të qëndrojë në burg për pesë vjet”, deklaroi Rubin në Hagë.
Ai tha se është përgatitur me qindra orë që të jetë dëshmitar i mbrojtjes dhe se “sekretarja e Albright nuk ka pasur këtë lloj drejtësie në mendje kur ka iniciuar Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë”.
“Sekretarja Albright nuk ka pasur këtë lloj drejtësie në mendje kur ka iniciuar krime në ish-Tribunalit të Hagës kundër Jugosllavisë. Kështu që mua kjo më është dukur thjesht si një fajësim kolektiv për shkak të faktit se i akuzuari ka qenë udhëheqës i UÇK-së. Duke qenë se i kam parë nga afër liderët e UÇK-së nëpër male dhe nëpër bjeshkë dhe mendoj që asnjë person tjetër jashtë UÇK-së e ka pasur këtë mundësi duke pasur një ide të mirë të funksionimit të UÇK-së. Unë për tri ditë me radhë kam parë nga afër se si janë sjellur ata, se kush ishte përgjegjës, kush ishte komandanti, kush ishte mbështetës, kam pasur këtë lloj njohurie dhe duke ditur se si kanë qenë zhvillimet, unë vërtetë mendoj që kjo ka qenë e gabuar. Kjo nuk është drejtësi. Unë nuk jam jurist me profesion, megjithatë kam të drejtë të shfaq dhe të them me zë të lartë opinionit tim”, shtoi ai.
“Për orë e orë të tëra”, siç tregoi Rubin ka menduar lidhur me këtë proces, për çka tha se ka folur edhe me juristë e avokatë ndërkombëtarë, të cilët i kishin thënë se “kjo është mënyrë e pazakontë për të trajtuar një burrë shteti i cili është dorëzuar vullnetarisht”.
“Pesë apo gjashtë vite më përpara kur kam filluar të dëgjojë për herë të parë për këtë gjykim, fillova që të shikoja formacionin, përbërjen e këtij tribunali, sepse është krijuar, kam folur me akademikë, kam folur me juristë, jam përpjekur gjithashtu që të rishikojë, shqyrtojë me aq sa di unë artikujt me shkrim, ose dokumente të cilat janë paraqitur në ekran, të cilat lehtësisht shfaqen këtu, dhe rilexova shumë nga materialet ose artikujt, jam takuar gjithashtu dhe me ekipin e mbrojtjes në Uashington, kam kaluar pesë vite duke folur, duke menduar për të, duke u përgatitur me të, mendoja nga viti në vit që do hapet gjykimi sot, do të hapet nesër, ndërkohë që vitet kalonin asgjë nuk ndodhi për shumë vite. Për shumë vite kam menduar për të, kam lexuar për të, kam vrarë mendjen sepse u deshën pesë vite për të krijuar një çështje të tillë, ndërkohë që aktakuza është ngritur pesë vite më përpara. Nuk e kuptoja gjithë këtë dhe kam pyetur njerëzit e kësaj fushe, kësaj lëmie, ju kam thënë nëse një gjë e tillë ishte normale apo jo. Kam folur me juristë dhe me avokatë me emër ndërkombëtarë që më kanë thënë që kjo është mënyrë e pazakontë për të trajtuar një burrë shteti i cili është dorëzuar vullnetarisht. Dhe në juridiksionin e një gjykate që e ka krijuar vet kur ishte kryeministër dhe për të treguar liderëve evropianë që kishte dëshirë vendi që të bëhej pjesë e BE-së, ndërkohë që ky burrë shteti mbahet i ndaluar për pesë vite përpara se sa çështja të ishte gati”, u shpreh ai nga banka e dëshmitarit.
Këto deklarata James Rubin i ka bërë gjatë ditës së dytë të dëshmisë në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku ka treguar se fillimisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kishin përshkruar UÇK-në si terroriste, por që kjo ka ndryshuar “derisa e kuptuam situatën më mirë”.
“Ndoshta ne shkelëm dëshirën që të ishim në anën e engjëjve gjithmonë, sepse për një periudhë të caktuar kohore derisa e kuptuam më mirë situatën, ne fillimisht e përshkruam UÇK-në si organizatë që zhvillonte aktivitete terroriste dhe ne sigurisht me gjithë dëshirën që kishim të ishim në anën e engjëjve, ne nuk donim që të vidheshim apo të mbështesnim që zhvillojnë apo bëjnë aktivitete terroriste. Ky qëndrim pastaj ndryshoi me kalimin e kohës, veçanërisht pasi UÇK u pajtua me marrëveshjen e Rambujesë, dhe pastaj e konsideruam atë që ishin në anën e engjëjve sepse nënshkruan marrëveshjen e paqes”, u shpreh ai.
Në ditën e dytë të dëshmisë, James Rubin po shoqërohet nga një përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë pyetjeve të prokurorit të specializuar, James Pace, Rubin tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë arritur të vërtetojnë pretendimet për krime lufte të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në Dhomat e Specializuara në Hagë, Rubin u pyet edhe për një raport të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) të vitit 1998, ku thuhej se “fati i shumë serbëve, shqiptarëve të Kosovës, romëve si dhe oficerëve të policisë serbe që janë rrëmbyer nga shqiptarë të Kosovës, që besohet se i përkasin UÇK-së është i panjohur”.
“Kam lexuar një raport të OKB-së për Kosovën, por kam qenë shumë skeptik për atë raport sepse organet e OKB-së nuk e kanë përshkruar shumë mirë situatën shumë shpesh. Kam qenë në dijeni të raportimit prej OKB-së, por jo domosdoshmërisht ka qenë i besueshëm raporti. Raporti i Kryqit të Kuq ndërkombëtar zakonisht në fakt i konsideroja si më të besueshme”, deklaroi ai.
Amerikani James Rubin tha se ka pasur njohuri për diskutimet në UÇK, por jo edhe para Rambujesë. Gjatë pyetjeve të prokurorit Pace, dëshmitari i mbrojtjes ka treguar nëse ka qenë pjesë e takimeve të mbyllura që mbaheshin mes komandantëve të UÇK-së.
Pace: Gjatë bisedimeve për marrëveshje ka patur takime ndonjëherë të gjata në mes të udhëheqësve të UÇK-së, komandantëve, në mungesë tuajën, pa praninë tuaj?
Rubin: Po.
Pace: Dhe gjatë këtyre bisedimeve ju nuk keni marrë pjesë në këto takime të mbyllura që mbaheshin mes komandantëve të UÇK-së?
Rubin: Nuk jam i sigurt që nuk kam qenë në atë zonë, por nuk flisja shqip, ata mund të kenë biseduar gjëra që nuk i kam kuptuar. Por, nuk është që më kanë ndaluar që unë të isha në këtë dhomë, në këtë sallë ku mbaheshin mbledhje apo takime. Ka qenë një sallë e madhe në këtë ndërtesë dhe gjërat kanë ndodhur në forma të ndryshme. Është e mundur që mund të kem qenë në afërsi të dhomës, ndërkohë që janë diskutuar gjëra”, u përgjigj Rubin.
Në ditën e dytë të dëshmisë, dëshmitari i mbrojtjes tregoi nëse gjatë kohës së luftës kishte takuar Jakup Krasniqin, e Kadri Veselin si pjesë të delegacionit të Rambujesë.
Pace: A e keni takuar apo patur një kontakt me Kadri Veselin përpara shkurtit 1999?
Rubin: Për të qenë i sinqert, nuk më kujtohet ky individ, nuk mund t’i përgjigjem pyetjes.
Pace: Kadri Veseli ka qenë pjesë e delegacionit të UÇK-së në Rambuje, nuk ka qenë pjesë por ka qenë i pranishëm aty, a është saktë?
Rubin: Nuk e di.
Pace: Deklarata juaj nuk përmend në mënyrë specifike Rexhep Selimin, a është kështu?
Rubin: Kështu është, nuk mendoj që e përmend.
Pace: A e keni takuar apo keni pasur një kontakt me Rexhep Selimin?
Rubin: Është shumë e mundur që po, kam takuar shumë shumë komandantë të UÇK-së gjatë viteve, por nuk më kujtohen gjithmonë emrat sepse kjo ka ndodhur para 25 vitesh”, ka shtuar Rubin.
Prokurori i specializuar, James Pace ka thënë se i duhen një orë e gjysmë kohë për të përfunduar pyetjet për James Rubin.
Në dëshminë e tij, James Rubin të hënën kujtoi takimet me ish-presidentin e Kosovës, derisa hodhi poshtë pretendimet se Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi e drejtues të tjerë të UÇK-së kanë ekzekutuar apo vrarë njerëz.
Paraprakisht, në pyetjet e avokates së Jakup Krasniqit, Venketasëari Alagenda, Rubin tha se serbët janë përpjekur të fajësojnë gjithmonë UÇK-në.
James Rubin është dëshmitari i parë i mbrojtjes së Thaçit e cila ka paraparë që në gjykatore t’i sjell rreth 11 dëshmitarë. Më pas, procesi gjyqësor do të vazhdojë me dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi./D.B/KP
11:04 – Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon dëshmia e James Rubin, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte ndihmëssekretar amerikan i Shtetit. Dëshmia e tij është në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Dëshmia e tij po vazhdon me pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Në ditën e dytë të dëshmisë, James Rubin po shoqërohet nga një përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Dëshmitari i mbrojtjes, James Rubin tha se “derisa e kuptuan situatën më mirë”, Shtetet e Bashkaura të Amerikës e përshklruanin UÇK-në si “organizatë që zhvillonte aktivitete terroriste”.
“Ndoshta ne shkelëm dëshirën që të ishim në anën e engjëjve gjithmonë, sepse për një periudhë të caktuar kohore derisa e kuptuam më mirë situatën, ne fillimisht e përshkruam UÇK-në si organizatë që zhvillonte aktivitete terroriste dhe ne sigurisht me gjithë dëshirën që kishim të ishim në anën e engjëjve, ne nuk donim që të vidheshim apo të mbështesnim që zhvillojnë apo bëjnë aktivitete terroriste. Ky qëndrim pastaj ndryshoj me kalimin e kohës, veçanërisht pasi UÇK u pajtua me marrëveshjen e Rambujesë, dhe pastaj e konsideruam atë që ishin në anën e engjëjve sepse nënshkruan marrëveshjen e paqes”, u shpreh ai.
Dëshmia e tij po vazhdon me pyetjet e prokurorit të specializuar, James Pace.
Në dëshminë e tij, James Rubin të hënën kujtoi takimet me ish-presidentin e Kosovës, derisa hodhi poshtë pretendimet se Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi e drejtues të tjerë të UÇK-së kanë ekzekutuar apo vrarë njerëz.
Paraprakisht, në pyetjet e avokates së Jakup Krasniqit, Venketasëari Alagenda, Rubin tha se serbët janë përpjekur të fajësojnë gjithmonë UÇK-në.
James Rubin është dëshmitari i parë i mbrojtjes së Thaçit e cila ka paraparë që në gjykatore t’i sjell rreth 11 dëshmitarë. Më pas, procesi gjyqësor do të vazhdojë me dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.D.B/KP
10:45
Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, po vazhdon dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, si dëshmitar i ftuar nga ekipi i mbrojtjes së Hashim Thaçit, ish-udhëheqës politik i UÇK-së.
Rubin u pyet nga ekipi i Prokurorisë rreth pretendimeve se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte përfshirë në veprimtari kriminale dhe vrasje.
Në përgjigjen e tij, ai theksoi se Shtetet e Bashkuara kishin shqyrtuar këto akuza, por nuk kishin arritur t’i vërtetonin
“Ka patur pretendime dhe akuza për një vit, ne shikuam ato nuk arritëm t’i vërtetonim. Mendoj që po ata ishin një forcë qe duhej të merreshin parasysh dhe në konsideratë në terren dhe ne donim të krijonim një Kosovë më afatgjate, të kishim shkëmbime dhe të punonim me z. Thaçi”, deklaroi Rubin.
Në vijim, prokurori i çështjes e pyeti nëse është e saktë që në vitet 1998 dhe 1999 mediat ndërkombëtare dhe organizatat tjera kishin publikuar raporte me pretendime të besueshme për krimet e kryera nga pjesëtarë të UÇK-së.
Rubin iu përgjigj shkurt: “Po.”
Më tej, prokurori iu referua një dokumentari të transmetuar nga BBC, duke e pyetur Rubin nëse aty ai kishte pranuar që anëtarë të UÇK-së kishin vrarë civilë serbë me gjakftohtësi.
Në përgjigje, Rubin deklaroi:
“Më kujtohet se i dënuam veprimtaritë e UÇK-së në fazën fillestare, pasi po vriteshin civilë dhe jo ushtarë, prandaj dhe ne i dënuam këto veprimtari terroriste të UÇK-së, por me kalimin e viteve njohëm më mirë organizatën”, u shpreh Rubin./S/K/EO/
10:20
Në ditën e dytë të dëshmisë së tij në Gjykatën Speciale, James Rubin iu përgjigj pyetjeve të Prokurorisë në lidhje me një dokument ku thuhej se Adem Demaçi përshkruante Hashim Thaçin si zëdhënës të UÇK-së.
Rubin tha se nuk kishte informacione për këto dallime të vogla brenda UÇK-së.
I pyetur nëse kishte takuar Jakup Krasniqin në kohën e luftës, Rubin tha se nuk mendoj që po, teksa shtoi se nuk i kujtohet nëse Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli ishin pjesë e delegacionit shqiptar në Rambuje.
“Nuk më kujtohen të gjithë emrat, sepse kjo ka ndodhur para 25 vjetësh”, tha Rubin.
09:15
James Rubin, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, vazhdon sot dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në Hagë. Dje mbrojtja nisi paraqitjen e provave në gjykimin Thaçi dhe të tjerët duke thirrur dëshmitarin e parë, në këtë rast James Rubin.
Sipas përmbledhjes së Mbrojtjes të lexuar në gjykatë, dëshmitari James Rubin ka shërbyer si Ndihmës Sekretar i Shtetit i SHBA-së për Çështjet Publike dhe Zëdhënës kryesor nga viti 1997 deri në vitin 2000.
Përfaqësues të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara dje ishin të pranishëm në sallën e gjyqit për të shoqëruar dëshmitarin.
Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, James Rubin tha se forcat serbe janë munduar që të mbulojnë krimet e tyre dhe janë përpjekur që ta fajësojnë UÇK-në.
“Qeveria serbe gjithmonë është përpjekur të fajësojë UÇK-në dhe kjo është në përputhje me mënyrën e veprimit të regjimit serb, mënyrë se si ka vepruar në atë kohë, kjo është mënyra se si ata janë përpjekur të justifikonin fajin tek të tjerët”, tha ai.
“Hashim Thaçi nuk ka pasur autoritet dhe as mundësi për të diktuar ndonjë gjë”, ka deklaruar në dëshminë e tij James Rubin, i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë ka qenë ndihmëssekretar amerikan i Shtetit.
Rubin, dëshmitari i parë i mbrojtjes së Hashim Thaçit, dëshmoi për disa orë në Hagë mbi njohjen, takimet dhe komunikimet me Thaçin dhe pjesëtarë të tjerë të UÇK-së.
Sipas Rubinit, Thaçi nuk kishte as dijen, as aftësinë dhe as pushtetin për të marrë vendime, duke hedhur dyshime mbi pretendimet e prokurorisë për një strukturë të centralizuar të UÇK-së. Ai e përshkroi Thaçin si figurë politike dhe jo ushtarake.
Ish-ndihmëssekretari amerikan i shtetit, James Rubin, gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka mohuar se arsyeja pse Hashim Thaçi nuk e nënshkroi marrëveshjen e parë të Rambujesë lidhej me hezitimin për çarmatosjen e UÇK-së.
Rubin theksoi se pala shqiptare kërkonte garanci nga NATO për përdorimin e forcës në rast se Serbia do të vazhdonte represionin. Ai tha se Thaçi kërkonte edhe aprovimin e Adem Demaçit, i cili sipas tij kishte kundërshtuar nënshkrimin.
Në dëshminë e tij, Rubin akuzoi diplomatin amerikan Christopher Hill përanshmëri kundër UÇK-së dhe tentativë për ta dëmtuar figurën e tij dhe të sekretares Madeleine Albright.
Po ashtu, dëshmitari theksoi se nuk ka gjetur asnjë provë që Thaçi apo Jakup Krasniqi të jenë përfshirë në vrasje apo ekzekutime dhe se akuzat e tilla shpesh ishin të fabrikuara për të cenuar marrëdhënien mes Kosovës dhe ShBA-së.
Dëshmia e tij është cilësuar nga analistët në Kosovë si një sfidë ndaj akuzave të prokurorisë, duke e paraqitur UÇK-në si një strukturë të decentralizuar dhe jo si organizatë të aftë për të planifikuar krime sistematike./S.K/EO/
You may like
lajme
UBT forcon bashkëpunimin ndërkombëtar me Institutin Politeknik të Tomarit në kuadër të programit Erasmus+
Published
31 minutes agoon
July 26, 2026By
ubtnews
Në kuadër të strategjisë së UBT-së për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë dhe zgjerimin e partneriteteve strategjike me institucionet prestigjioze evropiane, një delegacion i UBT-së, i udhëhequr nga Rektori, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, dhe i përbërë nga Prof. Dr. Artan Tahiri, Prof. Dr. Fisnete Hajrizi, Prof. Dr. Shqipe Agushi dhe Prof. Dr. Murat Retkoceri, zhvilloi një vizitë zyrtare në Institutin Politeknik të Tomarit (Instituto Politécnico de Tomar), në Portugali, në kuadër të programit Erasmus+.

Delegacioni u mirëprit nga Presidenti i Institutit Politeknik të Tomarit, Prof. João Freitas Coroado, me të cilin zhvilloi një takim të nivelit të lartë, si dhe realizoi takime pune me nënpresidentët Prof. Natércia Santos dhe Prof. Célio Gonçalo Marques, prorektorët, dekanët, drejtuesen e Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar MSc. Maria Catroga dhe përfaqësuesit e qendrave të hulumtimit dhe inovacionit.
Gjatë takimeve, palët diskutuan mundësitë për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, me fokus në zhvillimin e programeve të përbashkëta dhe diplomave të dyfishta, rritjen e mobilitetit të studentëve dhe stafit akademik, pjesëmarrjen në projekte dhe iniciativa ndërkombëtare, si dhe angazhimin aktiv në kuadër të Aleancës Evropiane të Universiteteve KreativEU. Një rëndësi e veçantë iu kushtua edhe shkëmbimit të përvojave në zhvillimin e metodologjive inovative të mësimdhënies, transformimit digjital të arsimit, hulumtimit shkencor dhe inovacionit.
Gjatë vizitës, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, prezantoi para drejtuesve të institucionit partner rrugëtimin 25-vjeçar të UBT-së, duke theksuar zhvillimin e tij si një nga institucionet lider të arsimit të lartë në rajon. Ai prezantoi modelin unik UBT Smart City, i cili integron arsimin, teknologjinë, inovacionin dhe sipërmarrjen në një ekosistem modern universitar, si dhe Qendrën e Ekselencës për Edukim, e cila promovon praktika bashkëkohore të mësimdhënies, zhvillimit profesional dhe kërkimit shkencor.
Nga ana tjetër, drejtuesit e Institutit Politeknik të Tomarit prezantuan organizimin akademik të institucionit, kapacitetet kërkimore, laboratorët modernë dhe projektet që zhvillohen në bashkëpunim me partnerë evropianë, duke shprehur gatishmërinë për zgjerimin e bashkëpunimit me UBT-në në fusha me interes të përbashkët.
Delegacioni i UBT-së pati gjithashtu mundësinë të vizitojë infrastrukturën moderne të institucionit, laboratorët, qendrat e hulumtimit dhe inovacionit, si dhe të njihet nga afër me praktikat më të mira që aplikohen në fushën e arsimit të lartë, teknologjisë dhe transferimit të njohurive.
Në kuadër të programit të vizitës, delegacioni vizitoi edhe disa prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe historike të Portugalisë, përfshirë Convento de Cristo në Tomar, monument i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, si dhe qytetin historik universitar të Coimbra-s, i njohur për traditën e tij shekullore akademike dhe vlerat e jashtëzakonshme kulturore.
Në përfundim të vizitës, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i adresoi një ftesë zyrtare Presidentit të Institutit Politeknik të Tomarit, Prof. João Freitas Coroado, dhe bashkëpunëtorëve të tij për të zhvilluar një vizitë kthyese në Kosovë, gjatë organizimit të aktiviteteve dhe ngjarjeve ndërkombëtare akademike që UBT do të organizojë gjatë këtij viti. Vizita pritet të shërbejë si një hap i rëndësishëm drejt konkretizimit të iniciativave të përbashkëta dhe zgjerimit të bashkëpunimit në arsim, hulumtim, inovacion dhe zhvillim ndërkombëtar.
Kjo vizitë konfirmon përkushtimin e UBT-së për të ndërtuar dhe fuqizuar partneritete të qëndrueshme me institucione prestigjioze evropiane, duke krijuar mundësi të reja për studentët, stafin akademik dhe komunitetin shkencor, si dhe duke forcuar më tej pozicionin e UBT-së në hapësirën evropiane të arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe inovacionit.


Vendi
Kriza e zjarreve në Francë e Spanjë: Ushtria në terren, mbi 300 mijë banorë lënë shtëpitë
Published
3 hours agoon
July 26, 2026By
UBTNews
Zjarret masive vazhdojnë të shkaktojnë kërdi në Evropën Jugore, ku mbi 300,000 banorë në Francë dhe Spanjë janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre. Kushtet e vështira atmosferike, me temperatura të larta dhe erëra të forta, po pengojnë ndjeshëm punën e ekipeve të emergjencës.
Në jugperëndim të Francës, situata mbetet kritike teksa flakët po i afrohen qytetit të Bordosë. Vetëm të shtunën mbrëma u urdhërua evakuimi i 55,000 personave të tjerë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të zhvendosurve në rreth 250,000 në rajonet Gironde dhe Landes. Për të përballuar krizën, autoritetet franceze kanë mobilizuar ushtrinë, e cila po ndihmon zjarrfikësit në hapjen e brezave mbrojtës dhe pastrimin e shkurreve për të ndaluar përparimin e zjarrit.
Presidenti Emmanuel Macron premtoi se shteti do të qëndrojë pranë qytetarëve dhe se çdo zonë e dëmtuar do të rindërtohet, ndërsa pushuesit e larguar nga zona e Bordosë i kanë përshkruar përmasat e flakëve si “të frikshme”.
Në Spanjë, ku është shpallur gjendja e jashtëzakonshme, zjarret vazhdojnë të kërcënojnë zonat përreth Madridit. Ndonëse një përmirësim i lehtë i motit ndihmoi përkohësisht zjarrfikësit, Ministri i Brendshëm, Fernando Grande-Marlaska, e cilësoi situatën si “komplekse” dhe u shpreh më pesimist për shkak të erërave që pritet t’i shtyjnë flakët drejt jugut. Kryeministri Pedro Sanchez paralajmëroi se vendin e presin “ditë të vështira”. Ndërkohë, në Valencia është konfirmuar viktima e parë: një burrë i moshuar u gjet i pajetë brenda makinës së tij në Manises, teksa po i ikte zjarrit.
Alarmante paraqitet situata edhe në Itali, ku në ishullin e Sicilisë janë regjistruar më shumë se 350 vatra zjarri — 10 prej të cilave masive — duke detyruar Mbrojtjen Civile të ndërmarrë evakuime të menjëhershme.
Foto: Associated Press
Lajmet
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 26 korrik 1993-1998?
Published
4 hours agoon
July 26, 2026By
UBTNews
Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
Foto: Riçard Holbruk
26 korrik 1993
Dhunë e policisë serbe në komunën e Podujevës
Forca të mëdha të policisë serbe rrethuan sot në orët e hershme të mëngjesit disa lagje të fshatrave Gllamnik e Polanicë, 3 – 4 km larg Podujevës. Ndaj banorëve të lagjeve Breznicë e Lushak të Polanicës dhe të lagjes Sekiraqë të Gllamnikut policia ka ndërmarrë një fushatë të egër dhune.
Nga Podujeva njoftohet për shumë të arrestuar dhe të rrahur.
Në lagjen e Lushakëve u arrestuan: Rrahim, Bedri, Bujar, Shaip dhe Ilmi Lushaku; në lagjen Breznicë u arrestuan Raif, Izet, Gani dhe Idriz Breznica; në lagjen Sekiraqë janë arrestuar Nezir, Gazmend dhe Sami Ejupi. Janë arrestuar edhe Artan Topanica, Hasim Tërnava dhe Faton Boshnjaku, që të tretë ishin mysafirë në një familje të Lushakëve.
Në mesin e shumë familjeve të bastisura e të keqtrajtuara ishte edhe familja e Maliq Ejupit, baba i Mehmet Ejupit, të vrarë në demonstratat e vitit 1989 në Podujevë.
Nga Podujeva bëhet me dije se reth orës 11 policia serbe u tërhoq nga këto fshatra, por vazhduan bastisjet dhe keqtrajtimet e shqiptarëve në Podujevë.
Rruga Prishtinë-Podujevë është nën kontroll të rreptë të policisë. Nga orët e hershme të mëngjesit janë rrahur shumë udhëtarë, sidomos ata që udhëtonin prej Podujevës për në Prishtinë. Hasan Bahtiri, Hilmi Bahtiri dhe Lulzim Mahmuti, që po udhëtonin nga Podujeva për në Prishtinë, u rrahën nga policët serbë në orën 6,30 min.
Në bazë të dëshmive të të rrahurve, nuk përjashtohet mundësia që në këtë ekspeditë ndëshkuese, të jenë inkuadruar edhe policë nga Leskovci.
Policia po arreston qytetarë dhe veprimtarë politikë edhe në brendësi të qytetit të Podujevës. Njoftohet për arrestimin e disa veprimtarëve të UNIKOMB-it në Podujevë.
Kjo fushatë e egër represive po bëhet nën pretekst se pak pas mesnate nga persona të paidentifikuar u shti me armë në një patrollë të policisë serbe, në rrugën Prishtinë-Podujevë, në lagjen Sekiraqë të Gllamnikut.
Ndërkohë forca të mëdha të policisë serbe rrethuan fshatin Batllavë. Bëhet me dije se kjo ekspeditë e policisë vazhdoi me arrestime e ketrajtime të shqiptarëve. Sipas njoftimeve nede të paverifikuiara, dhuna serbe ka mundësi të ketë shkatuar edhe viktima ndër civilët shqiptarë.
…
Ngjarja në afërsi të Podujevës është incidenti i katërt i pa ndriçuar ende gjatë dy mujëve të fundit në Kosovë, të cilin policia serbe e shfrytëzon për fushatë të ashpër të represionit dhe dhunës kundër shqiptarëve, siç i shfrytëzoi ato më parë në Gllogovc, Pejë e Prizren.
Më 23 maj 1993, në afërsi të Gllogovcit, dy policë serb u vranë, kurse pesë të tjerë u plagosën – sipas policisë serbe në një pusi të organizuar nga një grup i armatosur. Sipas autoriteteve serbe dhe mjeteve serbe të informimit, ky incident u cilësua si akt terrorist, kurse kryesit e këtij akti ishin “terroristët shqiptarë.” Pasuan ekspedita të ashpra të policisë serbe, ku qindra shqiptarë të këtyre rajoneve u burgosën, u rrahën, ndërsa dhjetra prej tyre iu shkaktuan lëndime të rënda trupore.
“Borba” e 25 majit të këtij viti, shkruante se lideri i partisë opozitare serbe, Lëvizja e Ripërtritjes Serbe, Vuk Drashkoviq ka deklaruar se “Shesheli me muaj të tërë është duke bërë përgatitjet për luftë në Kosovë. Njerëzve të tij u janë dhënë urdhëra të kidnapojnë njerëz, të ndërmarrin akte terroriste dhe të ndërmarrin aksione kundër vetë serbve, policisë dhe ushtrisë serbe në mënyrë që ta ndezin barotin”.
Në fillim të këtij muaji, në natën mes tre e katër korrikut, në Vitomiricë afër Pejës, u plagosën dy policë serbë në rrethana që ende nuk janë ndriçuar. Mirëpo, sërish ky rast u përdorë si shkas që policia të ndërmarrë një aksion të ashpër kundër shqiptarëve të kësaj ane. Policia serbe bastisi dhjetëra shtëpi, shumë banorë u rrahën dhe u maltretuan. Posaçërisht në shënjestër të policisë serbe ishin ish-punëtorët shqiptarë të policisë.
Javën e kaluar, më 23 korrik, në rrethana ende të pandriçuara u plagosën tre policë serbë në Prizren. Autoritete serbe dhe mjetet e informimit nxituan që këtë rast ta cilësojnë si “akt terrorist”. “Jednstvo” (24 korrik) citon hetuesin e Gjykatës së Qarkut në Prizren, Jugosllav Skënderin, i cili thotë, se “akti terrorist” është kryer nga afërsia dhe policia shtiu me zjarrë në sulmues, të cilët arritën të ikin.
Me këtë rast dhjetëra shqiptarë u rrahën dhe u keqtrajtuan.
26 korrik 1994
KMDLNJ (Ferizaj): Për gjashtë muaj – 257 “testime” policore
Sipas një analize të KMDLNJ-së, Dega në Ferizaj, gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti në qendrën e sigurimit të këtij qyteti në “biseda informative” ishin 257 qytetarë, policia ka arrestuar 229 veta, fizikisht janë keqtrajtuar 217 prej tyre, janë bastisur 132 shtëpi të pjesëtarëve të këtij kombi, për kundërvajtje janë dënuar gjashtë veta, kurse pesë edhe për vepër penale. Penalisht me 8 vjet burg është dënuar edhe Bajrush Xhemaili, kryetar i Nënkëshillit të KMDLNJ-së në Ferizaj e deputet, kurse me 6 vjet burg është dënuar Adem Salihaj, kryetar i Degës së LDK-së e deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës. Ismet Mehmeti e Sylejman Hasani janë dënuar me nga 5 vjet burg, thuhet në këtë analizë.
Në shënjestër të policisë ishin veçanërisht veprimtarët partiakë, sidomos ata të LDK-së. Në “testim policor”, u morën edhe afër 70 aktivistë të tjerë, të cilët, pos për aktivitetin partiak, inspektorët i pyetën edhe për opcionet personale të tyre për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Ndaj disave janë kërkuar edhe armë, e mdje 90 për qind të bsatisjeve të shtëpive janë bërë me po këtë pretekst. Në shumicën e rasteve policia nuk ka gjetur armë, e megjithatë i ka keqtrajtuar kryefamiljarët. Ndaj disa qytetarëve të keqtrajtuar është përdorur edhe elektroshkopi, kurse Ajvaz Feratin e rrahën në SPB edhe pas plagosjes policore në qytet.
Nga banesa janë dëbuar katër familje shqiptare.
26 korrik 1995
R.Holbruk e çmoi të rëndësishëm parandalimin e konfliktit në Kosovë
Ndihmëssekretari i Shtetit, Riçard Holbruk tha se pas rreshtimit më të ri të aleatëve perëndimorë nuk beson që serbët do të vazhdojnë fushatën e tyre në përpjekje për t’i marrë zonat nën mbrojtje.
“Nuk besoj se serbët janë aq të marrë”, tha Holbruk duke nënvizuar se po vazhduan agresionin, mbi ta do të sulmonte e gjithë forca ajrore e NATO-s.
I pyetur nga udhëheqësi i kanalit televizv CBS, se cilat ishin deri tash sukseset e kësaj administrate në konfliktin ballkanik, nënsekretari Holbruk tha se SHBA-të kanë arritur me sukses ta pengojnë zgjerimin e mëtejmë të konfliktit në Ballkan.
Mendoj se sukses ka qenë parandalimi i shtrirjes së luftës në Shqipëri, në Kosovë dhe në ish-republikën jugosllave të Maqedonisë”, tha mes tjerash ndihmësskretari Holburk, njofton bashkëpunëtori i “Bujkut” nga Nju Jorku Sylejman Gashi.
26 korrik 1997
U shpall përbërja e qeverisë së re të Shqipërisë
Qeveria e re e Shqipërisë, e përbërë nga 21 ministra, në krye të të cilëve është Fatos Nano, kryetar i Partisë Socialiste, dha dje betimin.
Në qeverinë e re, të përbërë nga përfaqësues të subjekteve të koalicionit të majtë, që doi fitues në zgjedhjet e parakohshme të 29 qershorit, Partia Socialiste do të ketë 13 ministra, Aleanca Demokratike 3, Socialdemokratët 2,, Partia për të Drejtat e Njeriut 1 dhe ajo agrare 1, ndërsa në radhën e ministrave njëri është kandidat i pavarur.
Zëvendës i kryeministrit do të jetë ish-kryeministri i Qeverisë së Pajtimit Komëtar, Bashkim Fino, i cili parmbrëmë dha dorëheqjen në postin e tij të deritashëm. Nga postet e rëndësishme vlen të përmendet se arkeologu Neritan Ceka është ministër i Punëve të Brendshme, i Mbrojtjes Sabit Brojka, i Punëve të Jashtme Paskal Milo, i Drejtësisë Thimo Kondi, ndërsa i Transporteve Gaço Apostoli.
Ministër i Ekonomisë u emërua Ylli Bufi, që ishte kryeministër i Qeverisë së Unitetit Kombëtar më 1991-1992.
Ministër i Shtetit është Kastriot Islami, ndërsa ministër për Reforma dhe Marrëdhënie me Kuvendin Popullor Arben Imami.
Në Qeveri gjenden dy femra socialiste: Arta Dade, ministreshë e Kulturës, dhe Emelinda Meksi, ministreshë për Zhvillim e Bashkëpunim Ekonomik.
Ministër për Arsim e Shkencë u caktua Etem Ruka, për Tregti e Turizëm Shaqir Vuka, për Shëndetësi Leonard Sudis, për Bujqësi Lufter Gjuveli, për Pushtetin Lokal Lush Përpali, Sekretar Shteti për Mbrojtje Perikli Teta etj.
Të hënën qeveria e re shqiptare pritet të marrë votëbesimin nga parlamenti.
26 korrik 1998
Së pakut tre të vrarë dhe pesë të plagosur gjatë sulmit të djeshëm në fshatrat e Klinës
Në Klinë e rrethinë sot situata është diç më e qetë se dje, ndërkohë që nga drejtimi i Kijevës vazhdojnë të dëgjohen granatime.
KI i Degës së LDK-së në Klinë njofton se nga granatimet e djeshme në fshatin Cerovik u vranë Azem Daut Bashota (55), gruaja e tij Zelfije Bashota (50) dhe e reja e tij, emrin e së cilës nuk mundëm ta mësojmë, ndërsa u plagos rëndë djali i tij 20 vjeç.
Në Çabiç është plagosur në oborrin e shtëpisë së tij Sokol Jupë Gashi (52), si dhe fëmijët Fortesa Musë Gashi (8) dhe Puhie Musë Gashi (6), ndërsa në Gllarevë është plagosur Hajdin Musli Morina.
lajme
United Hospital: Teknologji moderne dhe ekspertizë mjekësore për diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve të tiroides
Published
19 hours agoon
July 25, 2026By
ubtnews
Prishtinë – Në një kohë kur diagnostikimi i hershëm po konsiderohet një nga shtyllat kryesore të mjekësisë moderne, United Hospital vazhdon të investojë në teknologji bashkëkohore diagnostikuese dhe në një ekip profesionistësh me përvojë, duke ofruar shërbime të standardeve të larta për pacientët. Kombinimi i pajisjeve të avancuara me ekspertizën klinike synon të sigurojë vlerësim të saktë, trajtim të personalizuar dhe kujdes të vazhdueshëm për çdo pacient.
Një nga fushat që kërkon vëmendje të veçantë është shëndeti i gjëndrës tiroide. Çrregullimet e saj mund të ndikojnë në metabolizëm, energji, ritmin e zemrës dhe mirëqenien e përgjithshme, ndërsa simptomat shpesh mbeten të nënvlerësuara. Lodhja e vazhdueshme, ndryshimet e pashpjegueshme në peshë, nervozizmi, rrahjet e shpejta të zemrës apo ndjeshmëria ndaj temperaturave mund të jenë sinjale që kërkojnë vlerësim profesional.
Me fokus në parandalimin dhe diagnostikimin në kohë, United Hospital ofron kontroll profesional të funksionit të tiroides në kuadër të një oferte të veçantë: nga 65.00 € në vetëm 30.00 €.
Për informata dhe rezervime:
📞 038 60 70 70 | 046 60 70 70
📍 M2 Prishtinë–Ferizaj, Km 7, Prishtinë, Kosovë
Kujdesi për tiroiden është investim për shëndetin tuaj. Diagnostikimi në kohë mbetet çelësi për parandalim dhe trajtim më efikas./rajonipress/

UBT forcon bashkëpunimin ndërkombëtar me Institutin Politeknik të Tomarit në kuadër të programit Erasmus+
Kriza e zjarreve në Francë e Spanjë: Ushtria në terren, mbi 300 mijë banorë lënë shtëpitë
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 26 korrik 1993-1998?
United Hospital: Teknologji moderne dhe ekspertizë mjekësore për diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve të tiroides
Kur sulmohet gazetaria, rrezikohet demokracia, të vërtetën nuk e hesht as pushteti, as linçimi
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 25 korrik 1993-1998?
REL: Përtej Pediatrisë: Me çfarë kushtesh përballen pacientët në QKUK?
Marc van Bommel emërohet përzgjedhës i Belgjikës
Jurgen Klopp emërohet përzgjedhës i Gjermanisë
Të kërkuara
-
Lajmet1 month agoYll Limani falënderon fansat pas dy netëve koncert në Tiranë
-
Lajmet2 days agoSHBA vendos tarifa ndaj 60 vendeve për punën e detyruar
-
Lajmet nga UBT2 months agoStudentët e vitit të tretë në UBT prezantojnë ekspozitën përfundimtare “The Graduets”
-
Aktualitet3 days agoTrumpi paralajmëron Houthit pas sulmit ndaj anijeve saudite

