Lajmet

Isa Mustafa: LDK ka potencial për t’u ringritur, problemet nuk zgjidhen me tifozllëk

Published

on

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit brenda LDK-së, duke bërë thirrje që debatet rreth përgjegjësisë për rezultatin zgjedhor dhe drejtimit të partisë të zhvillohen ekskluzivisht në organet vendimmarrëse të saj.

Përmes një postimi në Facebook, Mustafa ka theksuar se ka shmangur deri më tani deklarimet publike për çështjet e brendshme të LDK-së, duke vlerësuar se përgjegjësia për rezultatin zgjedhor është çështje etike dhe nuk zgjidhet përmes presioneve publike apo deklarimeve të individëve dhe degëve të ndryshme.

Sipas tij, format e propagandës dhe “tifozllëkut politik” vetëm sa e dëmtojnë demokracinë e brendshme të partisë dhe rrezikojnë që Kuvendi i LDK-së të shndërrohet në arenë përçarjesh, diçka që, siç kujton ai, ka lënë pasoja të rënda edhe në të kaluarën.

“LDK nuk meriton epitafe”, ka shkruar Mustafa, duke shtuar se ata që e duan këtë parti duhet të besojnë në potencialin dhe forcën e saj vetërregulluese për t’u ringritur si subjekt i fuqishëm politik dhe si faktor balancues në ndërtimin demokratik të shtetit të Kosovës.

Ai ka nënvizuar se LDK qëndron mbi çdo emër individual dhe se, përjashtuar presidentin historik Ibrahim Rugova, partia nuk duhet të identifikohet me asnjë figurë të veçantë. Sipas Mustafës, Kuvendi i LDK-së, si organi më i lartë i saj, duhet të garantojë vazhdimësinë e parimeve themelore mbi të cilat është ndërtuar partia që nga themelimi i saj 36 vjet më parë, si një parti konservatore e qendrës së djathtë me orientim të qartë euroatlantik.

Mustafa ka theksuar se beteja politike e LDK-së nuk duhet të shndërrohet në “ankand” interesash, por në një ofertë serioze për ndërtimin e një shteti të fortë, të qëndrueshëm dhe me perspektivë. Ai ka paralajmëruar se LDK nuk duhet të përdoret si platformë për projekte apo subjekte të tjera politike.

Duke folur për reformat e brendshme, ish-kryetari i LDK-së ka vlerësuar se ato duhet të udhëhiqen nga njerëz besnikë ndaj partisë, por njëkohësisht të hapur për anëtarësime dhe prurje të reja. Ai ka kundërshtuar ndarjet brenda partisë mes të vjetërve dhe të rinjve, duke theksuar se LDK ka nevojë për mekanizma që rrisin numrin e anëtarëve, simpatizantëve dhe votuesve.

Në fund, Mustafa ka nënvizuar se përgjegjësia duhet të trajtohet si standard normal i etikës demokratike dhe se rezultati politik duhet të ketë pasoja, ndërsa Kuvendi i LDK-së, sipas tij, mund të gjejë zgjidhjen më të mirë duke u fokusuar në unitetin, rritjen dhe progresin e partisë.

“Asnjë njeri në LDK nuk është i tepërt”, ka përfunduar Mustafa.

Continue Reading

Lajmet

Ariana Grande dhe Ethan Slater i japin fund lidhjes pas tre vitesh, ndahen në mënyrë miqësore

Published

on

Ariana Grande dhe Ethan Slater i kanë dhënë fund lidhjes së tyre pas tre vitesh së bashku.

Sipas burimeve pranë çiftit, ndarja ka ndodhur disa muaj më parë dhe ka qenë tërësisht miqësore, me të dy që vazhdojnë të ruajnë marrëdhënie të mira. Vendimi raportohet se ka ardhur pas një periudhe të gjatë reflektimi.

Këngëtarja 32-vjeçare, sipas të njëjtave burime, po e përballon mirë këtë fazë të re në jetën e saj dhe aktualisht është e fokusuar në turneun “Eternal Sunshine”, i cili nisi më 6 qershor në Kaliforni dhe pritet të përfundojë në shtator në Londër. Ajo po punon gjithashtu edhe për albumin e ri “Petal”, që pritet të publikohet më 31 korrik.

Romanca mes saj dhe Slater nisi gjatë xhirimeve të filmit “Wicked”, ku Grande luajti rolin e Galindës, ndërsa Slater interpretoi Boq. Lidhja e tyre u bë publike në korrik të vitit 2023, pak kohë pas ndarjeve të tyre nga partnerët e mëparshëm.

Megjithëse marrëdhënia ka përfunduar, burimet theksojnë se mes tyre nuk ka konflikte dhe se ata vazhdojnë të mbështesin njëri-tjetrin në aspektin profesional.

Continue Reading

Lajmet

Trump: Marrëveshje me Iranin mund të arrihet brenda pak ditësh

Published

on

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se një marrëveshje që synon t’i japë fund konfliktit me Iranin mund të arrihet brenda dy deri në tre ditësh.

Duke folur për gazetarët pas pjesëmarrjes në finalet e NBA-së në Madison Square Garden, Trump tha se marrëveshja eventuale do të ndalonte Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore dhe do të çonte në rihapjen e menjëhershme të Ngushticës së Hormuzit.

Sipas tij, Irani dhe Izraeli kanë rënë dakord të ndalin sulmet ndaj njëri-tjetrit pas përshkallëzimit të fundit të tensioneve.

“Ata po bënin lëvizje para dhe mbrapa, dhe tani të dy ranë dakord, nëpërmjet meje, të ndalen,” tha Trump para se të nisej me Air Force One.

Ai shtoi se marrëveshja është në fazat përfundimtare dhe se nuk do të lejojë në asnjë formë që Irani të pajiset me armë bërthamore.

“Ngushtica do të hapet menjëherë pas nënshkrimit, që mund të ndodhë brenda dy ose tre ditësh,” theksoi ai.

Trump u shpreh gjithashtu se nuk sheh ndonjë pengesë serioze në negociata dhe se palët janë shumë afër arritjes së një marrëveshjeje. Megjithatë, ai njihet për deklarata optimiste edhe në të kaluarën, gjatë negociatave që më pas kanë dështuar.

Situata mbetet e tensionuar mes Iranit dhe Izraelit, të cilët kanë ndalur përkohësisht sulmet ndaj njëri-tjetrit pas shkëmbimeve të fundit, ndërsa Teherani ka paralajmëruar reagim nëse sulmet vazhdojnë.

Continue Reading

Lajmet

KQZ proceson 20% të votave: VV pritet të marrë 48 deputetë

Published

on

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka procesuar të dhënat nga numërimi i rreth 20 për qind të votave për kandidatët për deputetë, ku sipas përllogaritjeve me formulën D’Hondt janë dhënë edhe projeksionet e para për ulëset në Kuvend.

Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje me rreth 43 për qind të votave pritet të sigurojë 48 ulëse në Kuvend. Në krye të listës së kandidatëve më të votuar janë Albin Kurti, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Hekuran Murati, Donika Gërvalla, Xhelal Sveçla, Avni Dehari, Mimoza Kusari-Lila, Hajrulla Çeku dhe Ejup Maqedonci.

Ndërkohë, jashtë dhjetëshes së parë deri më tani kanë mbetur disa nga emrat e njohur të ish-deputetëve dhe kandidatëve të mëparshëm, si Agim Bahtiri, Agon Batusha, Fitim Haziri, Bylbyl Sokoli, Salih Zyba, Artan Abrashi dhe Rozeta Hajdari.

Në Partinë Demokratike të Kosovës, dhjetë kandidatët më të votuar përfshijnë Bedri Hamzën, Përparim Grudën, Arian Tahirin, Uran Ismailin, Sala Jasharin, Vlora Çitakun, Ganimete Musliun, Arben Mustafën, Mërgim Lushtakun dhe Enver Hoxhajn. Sipas projeksioneve, PDK pritet të sigurojë 24 ulëse në Kuvend, ndërsa jashtë listës së parë kanë mbetur Rrustem Mustafa, Xhavit Haliti dhe Nait Hasani.

Lidhja Demokratike e Kosovës, sipas të dhënave aktuale, pritet të ketë 20 deputetë. Më të votuarit e saj janë Vjosa Osmani, Lumir Abdixhiku, Doarsa Kica-Xhelili, Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Ukë Rugova, Kujtim Shala, Anton Quni, Lutfi Haziri dhe Armend Zemaj.

Në anën tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pritet të sigurojë 8 ulëse, ku më të votuarit janë Ardian Gjini, Ramush Haradinaj, Daut Haradinaj, Besnik Tahiri, Bekë Berisha, Burim Ramadani, Time Kadrijaj, Agim Çeku, Arbër Tolaj dhe Albana Bytyqi.

Në rezultatet preliminare, pas numërimit të pjesshëm, Vetëvendosje prin me rreth 43 për qind, PDK është e dyta me rreth 21 për qind, LDK e treta me nën 18 për qind, ndërsa AAK e katërta me rreth 7 për qind. Votat e diasporës ende nuk janë përfshirë në numërim.

Continue Reading

Lajmet

Studentët e UBT-së njihen nga afër me institucionet kyçe të planifikimit hapësinor, ndërtimit dhe mbrojtjes së mjedisit

Published

on

By

Përgatitja e profesionistëve të ardhshëm në fushën e ndërtimit dhe infrastrukturës kërkon më shumë sesa njohuri teorike. Ajo kërkon përballje të drejtpërdrejtë me proceset reale të planifikimit, menaxhimit dhe zhvillimit të projekteve që ndikojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Pikërisht me këtë qasje, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturë në UBT vazhdon të organizojë aktivitete praktike që i lidhin studentët me institucionet dhe profesionistët e sektorit.

Në kuadër të lëndës “Rregullativa Ndërtimore”, studentët e vitit të parë të nivelit Master, të specializimit Menaxhim Inxhinierik, nën udhëheqjen e profesorit Ramë Hamzaj, realizuan një vizitë studimore në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ku u njohën nga afër me funksionimin e departamenteve dhe agjencive që luajnë rol kyç në zhvillimin urban, menaxhimin e resurseve natyrore dhe mbrojtjen e mjedisit në Kosovë.

Vizita u realizua në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm që UBT ka ndërtuar ndër vite me institucionet publike të Republikës së Kosovës, duke krijuar mundësi që studentët të përjetojnë nga afër proceset profesionale dhe administrative me të cilat do të përballen në karrierën e tyre.

Gjatë vizitës, studentët u pritën nga përfaqësues të Departamentit për Planifikim Hapësinor, Ndërtim dhe Banim, ku u informuan për hartimin dhe zbatimin e politikave zhvillimore në fushën e planifikimit hapësinor, ndërtimit, legalizimit, banimit social dhe eficiencës energjetike në ndërtesa. Një vëmendje e veçantë iu kushtua programit të banimit të përballueshëm dhe social në Kosovë, si një prej projekteve më të rëndësishme aktuale në sektorin e ndërtimit dhe zhvillimit urban.

Studentët patën mundësi të mësojnë gjithashtu mbi proceset e shqyrtimit të lejeve ndërtimore, vlerësimin e planeve zhvillimore komunale dhe koordinimin institucional që realizohet në nivel kombëtar për planifikimin e qëndrueshëm të territorit.

Një pjesë e rëndësishme e vizitës iu kushtua edhe Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore dhe Resurseve Ujore, ku studentët u njohën me politikat e menaxhimit të ujërave, planifikimin e pellgjeve lumore, investimet në sektorin e ujit dhe harmonizimin e legjislacionit me standardet evropiane. Përmes prezantimeve profesionale, ata kuptuan rëndësinë strategjike të resurseve ujore në zhvillimin ekonomik dhe mbrojtjen e mjedisit.

Në vazhdim, studentët vizituan Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), ku u prezantuan aktivitetet që lidhen me monitorimin e cilësisë së ajrit, ujit dhe tokës, raportimin mjedisor, menaxhimin e të dhënave mjedisore dhe bashkëpunimin me institucionet evropiane për mbrojtjen e mjedisit.

Po ashtu, ata u njohën me funksionimin e Departamentit për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ujërave, si dhe me rolin e Inspektoratit të Mjedisit, Natyrës, Ujërave, Ndërtimit dhe Planifikimit Hapësinor, ku u diskutua mbi mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit, kontrollin e aktiviteteve ndërtimore dhe mbrojtjen e resurseve natyrore.

Përmes bashkëbisedimeve me ekspertë, drejtorë dhe zyrtarë institucionalë, studentët patën mundësinë të shtrojnë pyetje konkrete dhe të marrin informacione të drejtpërdrejta lidhur me sfidat aktuale të sektorit të ndërtimit, planifikimit urban dhe menaxhimit mjedisor në Kosovë.

Aktivitete të tilla dëshmojnë angazhimin e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturë në UBT për të ofruar një arsimim bashkëkohor, të orientuar drejt praktikës dhe kërkesave të tregut të punës. Përmes vizitave studimore, bashkëpunimeve institucionale dhe përfshirjes së studentëve në procese reale profesionale, UBT vazhdon të krijojë një mjedis ku teoria dhe praktika ndërthuren për të formuar inxhinierë dhe menaxherë të aftë për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe rajonit.

Continue Reading

Të kërkuara