Gjykata Kushtetuese ka marrë sot vendim rreth kërkesës së Institucionit të Avokatit të Popullit për statutin e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK).
Avokati i Popullit kishte dërguar vitin e kaluar kërkesë në Kushtetuese pasi dyshonte se përmes këtij statuti, pikërisht paragrafit 1 të nenit 11, ishte paraparë mbyllja e shërbimeve shëndetësore në sektorit publik për ta favorizuar sektorin privat.
Kushtetuesja konsideron se paragrafi 1 i nenit 11, i miratuar përmes vendimit të Qeverisë më 27 dhjetor 2023, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 51, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 7 dhe paragrafin 4.
Gjykata njëzëri ka vendosur që kërkesa e Avokatit të Popullit është e pranueshme.
Avokati i Popullit kontestoi kushtetutshmërinë e paragrafit 1 të nenit 11 (Organizimi i shërbimeve shëndetësore në spitalet e përgjithshme) të Statutit (QRK) nr. 01/2023 të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, i cili përcakton që spitalet e përgjithshme ofrojnë shërbimet shëndetësore: kirurgji e përgjithshme; interno; pediatri; gjinekologji dhe obstetrikë; dhe emergjenca mjekësore.
Avokati i Popullit pretendoi se kjo dispozitë e Aktit të kontestuar, pasi që nuk përcakton “kujdesin mendor” si shërbim dytësor shëndetësor që ofrohet nga spitalet e përgjithshme, “redukton” shërbimet shëndetësore për kujdes mendor për qytetarët; dhe stafin shëndetësor dhe administrativ në këto spitale, në kundërshtim me frymën e Ligjit për Shëndetësi, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjet Nr. 08/L-043 dhe Nr. 08/L-176 dhe Ligjin Nr. 05/L-025 për Shëndet Mendor; dhe se rrjedhimisht si akt i miratuar nga Qeveria kufizon të drejtat kushtetuese të përcaktuara në nenet 7, 24, 51 dhe 55 të Kushtetutës.
Pretendimet e Avokatit të Popullit u mbështetën nga deputeti i Kuvendit, Armend Zemaj, kryetarja e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës dhe kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, ndërsa u kundërargumentuan nga kryeministri Albin Kurti.
Aktgjykimi i Gjykatës fillimisht sqaron që bazuar në nënparagrafin 1 të paragrafit 2 të nenit 113të Kushtetutës, Avokati i Popullit është i autorizuar të kontestojë kushtetutshmërinë e ligjeve, të dekreteve të Presidentit e të Kryeministrit dhe të rregulloreve të Qeverisë.
Gjykata në vlerësimin e pretendimeve të Avokatit të Popullit, iu referua parimeve të përgjithshme kushtetuese dhe atyre të Komisionit të Venecias për parimin e sundimit të ligjit dhe kufizimit të të drejtave dhe përcaktimit të detyrimeve me “ligj”.
Në kontekst të kompetencave të Qeverisë, si organ që ushtron pushtetin ekzekutiv, Aktgjykimi sqaron se kompetenca e saj për “nxjerrjen e akteve juridike ose rregulloreve” kufizohet në përcaktimet kushtetuese: “pajtueshmërinë me Kushtetutën dhe ligjet”, të përcaktuar në paragrafin 4 të nenit 92 të Kushtetutës; dhe “të nevojshme për zbatimin e ligjeve”, të përcaktuar në paragrafin 4 të nenit 93 të Kushtetutës.
Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se paragrafi 1 i nenit 11 Organizimi i shërbimeve shëndetësore në spitalet e përgjithshme të Aktit të kontestuar është në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 51 Mbrojtja Shëndetësore dhe Sociale, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 7 Vlerat dhe paragrafin 4 të nenit 92 Parimet e Përgjithshme të Kushtetutës.