Lajmet

​IPK: Rriten ankesat e qytetarëve ndaj zyrtarëve policorë

Published

on

Inspektorati Policor i Kosovës ka pranuar rreth 21% më shumë ankesa nga qytetarët për zyrtarët policorë, krahasuar me vitin e kaluar. Sipas këtij institucioni, ankesat vinë kryesisht si rezultat i “keqkomunikimit në mes të zyrtarëve policorë dhe qytetarëve e që në disa raste përfundon me përdorim të forcës”. Nga këto raste, IPK-ja ka rekomanduar suspendimin e rreth 85 zyrtarëve policorë.

Gjatë këtij viti, IKP-ja ka pranuar rreth 1.900 ankesa për punën e policëve, thotë për KosovaPress, kryeshefi i këtij institucioni, Kushtrim Hodaj.

“Edhe këtë vit kemi pasur një rritje të numrit të ankesave të qytetarëve që adresojnë ndaj punës së Policisë, i kemi diku mbi 20%, rreth 21% ankesa më shumë këtë vit sesa vitin e kaluar. Deri më tani, prej janarit kemi pranuar rreth 1.900 ankesa, dhe jemi në trendin që ndoshta deri në fund të vitit do të kalojë numrin 2 mijë të ankesave të qytetarëve ndaj Policisë për çështje dhe aspekte të ndryshme që ata mendojnë që të drejtat e tyre janë shkelur apo cenuar nga zyrtarët policor”, thotë ai.

Gjatë vitit 2024, IPK-ja ka rekomanduar suspendimin e 85 zyrtarëve policorë, ndërkaq 21 të tjerë janë arrestuar.

Hodaj thotë se gjatë kësaj periudhe, kanë ngritur edhe 83 kallëzime penale.

“Një prej ankesave më të shpeshta, pikërisht kjo që ka tejkalim të përdorimit të forcës, ka komunikim jo të duhur në mes të policëve dhe qytetarëve. Pastaj, ka ankesa për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ka ankesa që lidhen me marrjen e ryshfetit dhe raste tjera të natyrave të ndryshme duke përfshirë aksidente ku përfshihen zyrtarët policorë, mënyrën e trajtimit të rasteve, vonesat e trajtimit të rasteve. Ne kemi rekomanduar suspendimin e rreth 85 zyrtarëve policorë në raste të ndryshme të cilat ne kemi zhvilluar hetime penale, janë arrestuar 21 zyrtarë policor dhe disa qytetarë që kanë qenë në raste të përbashkëta të dyshuarve me zyrtarët policorë. Kemi ngritur 83 kallëzime penale, dhjetëra raporte të veçanta dhe raporte informuese i kemi dorëzuar në prokuroritë kompetente”, thekson kryeshefi i IPK-së.

Regjioni i Prishtinës mbetet parashtruesi më i madh i ankesave, sipas Hodajt.

Për uljen e rasteve të incidenteve, Hodaj thotë se duhet të rriten kriteret në trajnimet bazike dhe pastaj të ketë ricertifikimit për çdo vit.

“Ne konsiderojmë që është një pjesë e rëndësishme të fuqizohen, të rriten kriteret qysh prej trajnimit bazik dhe pastaj ricertifikimet duhet të bëhen çdo vit që të kujdesemi që zyrtarët policor autorizimet e tyre i zbatojnë konform rregullave dhe procedurave që janë të autorizuar dhe gjithçka që është e rëndësishme, është mënyra e komunikimit të qytetarëve duhet t’i jepet rëndësi dhe Policia duhet ta fuqizojë këtë pjesë në kurrikulat e trajnimit, për shkak se shumë prej incidenteve që ndodhin, shumë prej ankesave që vinë tek ne, vinë si rezultat i një keqkomunikimi në mes të zyrtarëve policorë dhe qytetarëve, dhe pastaj përfundon qoftë në akuza për pengim në detyrën e Policisë, qoftë në përdorim të forcës ndaj qytetarëve dhe përfundojnë me akuza dhe kundër akuza. Dhe kjo në të shumtën e rasteve fillon për shkak të një komunikimi jo të duhur dhe besojmë që Policia duhet t’i jap rëndësi shumë kësaj pjese në trajnimet bazike, në rekrutët që pranojnë për fillim për punën në Polici, por pastaj edhe në trajnimet e avancuara dhe të vazhdueshme”, thekson Hodaj.

Kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës tha se për Policinë kanë rekomanduar rritje të kapaciteteve në mënyrë “që të zvogëlohet koha e reagimit nga momenti i njoftimit për ndonjë rast”.

Vendi

PDK kërkon seancë urgjente të Kuvendit sot për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar që sot, më 3 tetor, të mbahet seancë e Kuvendit të Kosovës për të votuar në dy lexime ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë për të përcjellë në Kuvend plotësim-ndryshimin e këtij ligji është një hap i rëndësishëm dhe se procedurat parlamentare duhet të nisin pa vonesë.

“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve“, ka thënë Musliu.

Ajo ka theksuar se Kosovës i nevojitet edhe një strategji e koordinuar juridike e diplomatike me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe mbrojtjen e luftës së UÇK-së. Sipas saj, çështja është mbi kalkulimet politike dhe përfaqëson interes shtetëror, posaçërisht para se vendi të shkojë në zgjedhje./E.A/

Continue Reading

lajme

Qeveria miraton ndryshimet për Dhomat e Specializuara

Published

on

By

Qeveria e Kosovës ka konstatuar se nuk ka asnjë shkelje apo pengesë ligjore në nismën legjislative të ndërmarrë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes një mbledhjeje elektronike të mbajtur të premten në mbrëmje, Ekzekutivi ka miratuar vendimin me të cilin i ka përcjellë Kuvendit të Kosovës vlerësimin dhe përgjigjet e nevojshme zyrtare lidhur me këtë nismë.

Sipas njoftimit zyrtar, përgjigja e Qeverisë përfshin opinionin ligjor të përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së , vlerësimin e ndikimit buxhetor, si dhe opinionin ligjor mbi përmbajtjen e projektligjit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Nismën legjislative për ‘Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializua”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Me këtë vendim, procedura i kalon tashmë Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe procedim tëmëtejshëm ligjvënës. /E.A/

Continue Reading

lajme

Shkarkohet Blerim Isufaj nga posti i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Published

on

By

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.

Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.

Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.

Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.

Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Nis takimi mes Kurtit dhe Hamzës

Published

on

By

Ka nisur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.

Në takim pritet të diskutohen çështja e zgjedhjes së presidentit të ri dhe ndryshimet e mundshme në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Hamza është parë duke hyrë në objektin e Qeverisë i shoqëruar nga deputeti i PDK-së, Rrahman Rama.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara