Policia e Kosovës ka përdorur sprej ndaj banorëve të fshatit Shipashnicë të Poshtme të Kamenicës sepse kanë bllokuar derën e hyrjes së çerdhes për të mos e lejuar futjen e zyrtarëve komunalë të cilët aty kanë shkuar për të dërguar inventarë për nxënësit parashkollorë.
Nga policia kanë konfirmuar se kanë qenë rreht 50 banorë që kanë penguar hyrjen në objekt të punëtorëve komunalë.
“Në vendin e ngjarjes janë tri patrolla policore, mirëpo situata paraqitet e tensionuar. Aty janë mbledhur rreth 50 banorë të fshatit në shenjë pakënaqësie ku me këtë rast janë sulmuar zyrtarët komunalë ku është përdorur edhe spreji nga ana e zyrtarëve policorë”, ka thënë për KlanKosova.tv, Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
Për rastin Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka thënë që është vërtetë për keqardhje deri në ç’masë është duke u manipuluar komuniteti nga disa badihavaxhinj, siç i ka quajtur ai.
“Ne sot dërguam pajisjet dhe inventarin për çerdhen e Shipashnicës së Poshtme e cila do t’u shërbente fshatrave përreth. Nuk do ta besoja kurrë që në shekullin XXI një prind më përpara e dëgjon një manipulues sesa zemrën e tij për fëmijën e vet. Për më shumë, Ministrja Nagavci me qasjen e saj po hedhë benzin në zjarr. Kjo është e turpshme dhe e pafalshme” shkroi Kastrati në një postim në Facebook.
“Në Kamenicë vetëm 3.99% e fëmijëve shkojnë në kopsht. 96% të tjerë apo rreth 1400 fëmijë qëndrojnë në shtëpi. Edhe pse edukimi parashkollor është kusht i domosdoshëm për zhvillimin e secilit fëmijë, në Kamenicë jo të gjithë e kanë këtë mundësi”.
“Ashtu siç e kemi stërthënë, objektet e shkollave të fuzionuara do të përdoren për qëllimet më të mira për komunitetin. Dhe kështu, ne sot dërguam pajisjet dhe inventarin për çerdhen e Shipashnicës së Poshtme e cila do t’u shërbente fshatrave përreth”.
Policia e Kosovës ka raportuar për dy raste të ndara të armëmbajtjes pa leje në Pejë dhe Deçan.
Në Pejë, gjatë kontrollit të një lokacioni më 23 shtator, janë gjetur një armë AK-47, dy mitralozë të lehtë, një pushkë përsëritëse, pesë granata dore, shtatë karikatorë dhe rreth 510 fishekë. Armët dhe municioni janë tërhequr nga njësiti i FSK-së për shkatërrim.
Ndërsa në Deçan, një person është identifikuar pasi në një video-incizim shihet duke shtënë me armë zjarri në ajër. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij është sekuestruar një armë AK-47 me një karikator të zbrazët.
Të dyja rastet janë iniciuar në konsultim me prokurorin dhe mbeten në procedurë hetimore./A.K/
Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti trafiku mes një veture dhe një motoçiklete në Prizren.
Aksidenti ka ndodhur më 23 shtator rreth orës 18:20. Vdekja e drejtuesit të motoçikletës është konstatuar nga ekipi mjekësor në Spitalin e Prizrenit.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa drejtuesja e dyshuar e veturës është arrestuar dhe dërguar në mbajtje./A.K/