Një zyrtar egjiptian i inteligjencës thotë se Egjipti, i cili shpesh shërben si ndërmjetës midis Izraelit dhe Hamasit, kishte folur vazhdimisht me izraelitët për “diçka të madhe”, pa elaboruar. Ai thotë se zyrtarët izraelitë ishin të fokusuar në Bregun Perëndimor dhe minimizuan kërcënimin nga Gaza. Lajmi u bë i ditur nga agjencia Associated Press.
Qeveria e Netanyahut përbëhet nga mbështetës të kolonëve hebrenj të Bregut Perëndimor, të cilët kanë kërkuar një goditje të sigurisë përballë një valë në rritje të dhunës atje gjatë 18 muajve të fundit.
“Ne i kemi paralajmëruar se një shpërthim i situatës po vjen, dhe shumë shpejt, dhe do të ishte i madh. Por ata i nënvlerësuan paralajmërimet e tilla”, thotë zyrtari, i cili flet në kushte anonimiteti, sepse nuk është i autorizuar të diskutojë përmbajtjen e diskutimeve të ndjeshme të inteligjencës me mediat.
Gjermania ka miratuar eksporte të pajisjeve ushtarake në Izrael me vlerë prej gati 800 milionë eurosh gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, në kohën kur lufta në Rripin e Gazës vazhdon.
Sipas të dhënave të Ministrisë gjermane të Ekonomisë dhe Energjisë, të publikuara pas një kërkese parlamentare nga Partia e Majtë, vlera e licencave të eksportit të miratuara nga janari deri në qershor ka tejkaluar katër herë shumën e miratuar për Izraelin gjatë gjithë vitit 2025.
Rritja e eksporteve erdhi pasi qeveria e kancelarit Friedrich Merz hoqi kufizimet e pjesshme për eksportet e armëve drejt Izraelit më 24 nëntor 2025.
Nga 735.8 milionë euro në licencat e miratuara vetëm gjatë tremujorit të dytë, rreth 67 për qind ishin të lidhura me një projekt detar.
Mes tyre përmendet edhe INS Drakon, një nëndetëse me shtytje të pavarur nga ajri, e ndërtuar nga kompania gjermane ThyssenKrupp Marine Systems, e cila së fundmi është nisur nga kantieri në Kiel drejt Izraelit.
Rreth 21 për qind e licencave lidhen me projekte të përbashkëta mes kompanive gjermane dhe izraelite, të cilat konsiderohen të rëndësishme për interesat strategjike të Bundeswehr-it.
Pjesa tjetër e eksporteve përfshin pajisje të ndryshme ushtarake, mes tyre armë të vogla, municion, eksplozivë dhe mjete ajrore pa pilot.
Në vitet e fundit, Gjermania kishte miratuar eksporte ushtarake në Izrael në vlerë prej 327 milionë euro në vitin 2023, 161.1 milionë euro në 2024 dhe 260 milionë euro në 2025.
Ndërkohë, sipas raportimeve, eksportet e armëve gjermane drejt Izraelit ishin rritur rreth dhjetëfish në vitin 2023 krahasuar me vitin paraprak./A.K/
Një qen në Alberta të Kanadasë ka hyrë në historinë e Guinness pasi arriti të kërcejë mbi shpinat e 56 personave në vetëm 16 sekonda.
Chardonnay, një qen i racës Australian Shepherd, realizoi sfidën më 14 qershor.
56 persona u rreshtuan në një vijë në fushën e bejsbollit, ndërsa Chardonnay kërceu nga njëri te tjetri, duke përfunduar të gjithë distancën në vetëm 16 sekonda.
Rregullat e rekordit lejonin deri në një minutë, por Chardonnay e përfundoi sfidën shumë më shpejt.
Trajnerja e saj, Jennifer Fraser, ka thënë se qeni ishte stërvitur për të kërcyer mbi shpinën e saj dhe se ky është vetëm një prej shumë aftësive që ka. Ajo ka paralajmëruar se synon ta thyejë sërish rekordin./A.K/
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në procesin e rigjykimit lidhur me rastin e njohur si “53-milionëshi”, të akuzuarit Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, të cilët ngarkohen për keqpërdorim të detyrës lidhur me autostradën “Arbën Xhaferi”, u mbrojtën në heshtje duke deklaruar se mbështesin deklarimet e dhëna gjatë fazave të mëhershme të gjykimit të parë.
Në këtë rast, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, në cilësinë e këshilltarit të lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri dhe Besim Tahiri, si drejtor i Prokurimit Publik në MI, ngarkohen nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Paraprakisht, trupi gjykues që po gjykon rastin me përbërje të gjyqtarëve Violeta Namani-Hajra- kryetare, Rrahman Beqiri dhe Donikë Shala-Abdyli- anëtarë, administruan sipas detyrës zyrtare provat materiale.
Provat që u administruan janë: Marrëveshja e Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë ndërtuese të autostradës “Arbën Xhaferi”- “Bechtel and Enka”, përgjigjen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, informatat nga Zyra e Kryeministrit, dhe rendin e ditës së mbledhjes së Qeverisë.
Pas administrimit të këtyre provave, prokurori special Valdet Gashi paraqiti vërejtje, duke thënë se këto prova janë jorelevante për rastin pasi që si Prokurori kanë theksuar se kontestuese është baza ligjore për pagesën prej 53 milionë eurosh për punët në autostradën “Arbën Xhaferi”.
Ndërkaq mbrojtja e Lekajt, avokati Artan Qerkini tha se kjo provë pikërisht vërteton se Lekaj nuk kishte dashje në kryerje të veprës penale dhe se vetëm ka zbatuar vendimin e Qeverisë për realizimin e pagesës shtesë për kompaninë ndërtuese “Bechtel and Enka”.
Deklarimet e avokatit Qerkini u përkrahën nga mbrojtja e Shatriti, avokati Driton Musliut, e Tahirit, avokati Urim Vokshi dhe e Berishës, avokatja Teuta Xhema.
Gjithashtu, para deklarimit lidhur me mbrojtjen në heshtje të të akuzuarve, me propozim të avokatit Vokshi u administruan 5 vendime të Qeverisë së Republikës së Kosovës të viteve 2017 dhe 2018 që lidhen me shpronësimet e pronave.
Këto propozime u mbështetën nga avokatët tjerë, ndërkaq u kundërshtuan nga prokurori Gashi me arsyetimin se nuk është kontestuese shtyrja e afatit të punimeve si rezultat i shpronësimeve, mirëpo fakti se si është vlerësuar çështja e kompensimit për shtyrje të afatit të punimeve.
Pasi të akuzuarit u mbrojtën në heshtje, seanca u ndërpre për të vazhduar në të radhës me dhënien e fjalës përfundimtare nga palët në procedurë.
Ndryshe, ish-kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama kishte refuzuar kërkesën për përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra nga gjykimi i rastit të njohur si “53-milionëshi”, kërkesë kjo e parashtruar nga i akuzuari Eset Berisha.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 31 janar 2024 i shpalli fajtorë dhe i dënoi me 10 vjet e 3 muaj burigm (së bashku): Pal Lekajn, Eset Berishën, Nebih Shatrin dhe Besim Tahirin për rastin e njohur si “53-milionëshi”.
Sipas aktgjykimit të Themelores, Pal Lekaj ishte dënua me 3 vite e 8 muaj burgim efektiv. Ndaj tij, gjykata kishte shpall edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj.
Nebih Shatri ishte dënua me 1 vit e 8 muaj burgim, kurse Besim Tahiri ishte dënua me 1 vit e 8 muaj burgim. Ndaj tyre ishte shpall edhe dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh. Ndërsa, Eset Berisha ishte dënua me 3 vite e 3 muaj burgim.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se ekziston një mundësi për arritjen e një marrëveshjeje paqeje me Ukrainën, por ka akuzuar Kievin se po i ndërlikon bisedimet përmes sulmeve ndaj anijeve tregtare dhe paralajmërimeve për hapësirën ajrore ruse.
Gjatë fjalës së tij në një forum ekonomik në Lindjen e Largët të Rusisë, Putin ka theksuar se vende si SHBA-ja dhe Kina janë të gatshme të mbështesin procesin, mirëpo zgjidhja përfundimtare u takon dy vendeve në konflikt. Ai i cilësoi veprimet e fundit të Ukrainës si “akte të terrorizmit shtetëror”, duke iu referuar sulmeve ndaj anijeve dhe thirrjeve të Kievit drejtuar agjencisë së OKB-së për aviacionin që të ndalohen fluturimet civile mbi territorin rus.
Pavarësisht ngecjes së bisedimeve që nga shkurti, kreu i Kremlinit bëri të ditur se Rusia po mban kontakte me administratën e presidentit amerikan Donald Trump përmes shërbimeve të inteligjencës dhe të dërguarve të posaçëm, duke shprehur gatishmërinë për rivendosjen e plotë të marrëdhënieve me Uashingtonin.