Lajmet

​INPO reagon ndaj Qeverisë: Rritja e pagës minimale pa konsultim publik gjithëpërfshirës

Published

on

Iniciativa për Progres (INPO) ka analizuar ndikimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për rritjen e pagës minimale në kontekstin e zbatimit të kontratave të prokurimit publik.

“Megjithëse INPO përkrah rritjen e pagës minimale dhe çdo politikë tjetër e cila i kontribuon përmirësimit të kushteve të jetesës së qytetarëve, shikuar nga një perspektivë tjetër, ky vendim mund të ketë një ndikim të theksuar në veprimtarinë e operatorëve ekonomik të cilët kanë të lidhura kontrata për shërbime me autoritetet kontraktuese”, thuhet në reagim.

Sipas INPO, në këtë kuadër, ndryshimi i pagës minimale ka gjasa të prodhoj efekte të rëndësishme për subjektet ekonomike të cilët kanë paraqitur oferta në tenderë, duke u bazuar në pagën minimale të mëparshme në përllogaritjet e tyre financiare. Në kontekstin e tanishëm, ndryshimi i papritur i pagës minimale mund të sjellë një diferencë të konsiderueshme të kostos operative dhe të rris barrën financiare në ekzekutimin e kontratave, duke e bërë më të vështirë përmbushjen e detyrimeve kontraktuale.

“Nga analiza një numri kontratash kornizë për shërbime për të parë nëse politikat e reja të Qeverisë mund të implikojnë detyrime financiare shtesë për bizneset që janë në marrëdhënie kontraktuale me autoritetet kontraktuese, INPO ka kuptuar për efektet e këtyre ndryshimeve në zbatimin e kontratave. Shembujt e analizuar nga kontratat për shërbime tregojnë se pagat e planifikuara në shumën ekuivalente të pagës minimale të mëparshme, në rrethanat e tanishme të rritjes së përcaktuar nga qeveria do të rezultojnë me kosto shtesë për operatorët ekonomik të cilët kanë kontrata aktive”, thuhet në reagimin e INPO-s.

Më tej thuhet se nga këndvështrimi i operatorëve ekonomik me të cilët INPO ka zhvilluar diskutime, ky ndryshim i pagës minimale do të reflektoj ndjeshëm në zbatimin e kontratave aktive dhe mund të ndikojë negativisht në operacionet e biznesit. Për më tepër, operatorët ekonomik theksojnë për mungesë të dispozitave të qarta në legjislacionin aktual të prokurimit publik për situata të tilla, për çfarë një pjesë e tyre kanë paraqitur kërkesat në autoritete kontraktuese për ndryshim të kontratave. Deri tani, nuk ka një qëndrim juridik të Qeverisë rreth këtij ndikimi e as udhëzime për efektet e mundshme të ndryshimeve pas nënshkrimit të kontratave.

Për këtë, INPO apelon që autoritetet përgjegjëse të shqyrtojnë këto pasoja të mundshme dhe të ndërmarrin masa për adresimin e ndikimeve negative në qëndrueshmërinë e kontratave.

“Gjithashtu, vlerësojmë për nevojën e një dialogu të hapur dhe për mundësinë e rishikimit të politikave të prokurimit për evituar ndikimet e paparashikueshme në menaxhimin efektiv të punëve publike, si dhe do të garantohet që operatorët ekonomikë të kenë kapacitete të mjaftueshme në përmbushjen e angazhimeve të kontraktuara”, thuhet në fund të reagimit.

Lajmet

Vdes një 85-vjeçar shqiptar nga një arrest kardiak gjatë uljes së avionit në Bolonjë

Published

on

By

Një shtetas shqiptar 85-vjeçar ka ndërruar jetë si pasojë e një arresti kardiak, teksa avioni me të cilin po udhëtonte po kryente fazën e uljes në aeroportin “Guglielmo Marconi” të Bolonjës.

Sipas të dhënave paraprake, i moshuari po udhëtonte së bashku me familjen e tij dhe për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore kishte kërkuar ndihmë mjekësore gjatë fluturimit. Pavarësisht përpjekjeve, ai pësoi një goditje fatale pikërisht gjatë manovrës së uljes së mjetit fluturues.

Me të prekur token avioni, në vendngjarje mbërritën menjëherë ekipet e emergjencës mjekësore dhe njësitë e Policisë që shërbejnë në ambientet e aeroportit për kryerjen e procedurave të nevojshme. /Abcnews/

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 17 gusht 1993-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

Foto: Cen Dugolli

17 gusht 1993

Forca të mëdha të policisë dhe ushtrisë serbe në Prishtinë

Që nga orët e hershme të mëngjesit, njësi të shumta të policisë serbe, po kontrollojnë të gjitha hyrje-daljet e Prishtinës. Grupe policësh kanë zënë pozicionet në pikat kryesore brenda në qytet.

Patrulla të policisë kanë zënë pozicione edhe në rrugët margjinale.

Nëpër qytet vërehen lëvizje të shtuara të policisë. Ndërsa, në udhëkryqin para ndërtesës së Komandës së ushtrisë serbe në Prishtinë, kanë dalë automjete përplot ushtarë. Lëvizje të ushtrisë gjatë ditës pati edhe në pjesë të tjera të qytetit.

Qytetarët e Prishtinës dhe njerëzit që ishin nisur për Prishtinë, pasi sot është ditë tregu, i janë nënshtruar një kontrolli të rreptë të policisë. Për këtë arsye shumë fshatarë nuk mundën të hyjnë në qytet.

Nuk dihen shkaqet e pranisë kaq të madhe të policisë në Prishtinë. Rreth orës 10 policë të armatosur ndërhynë në mënyrë brutale në tregun e devizave dhe arrestuan disa qytetarë.

Policët serbë plaçkitën mallëra të ndryshme në tregun e Prishtinës.

Forca të shtuara të policisë, siç njoftojnë degët e LDK-së, vërehen sot edhe në Prizren e në Gjilan.

 

 

17 gusht 1995

Në Gjakovë u instaluan rreth 350 refugjatë serbë

Mbrëmë në Gjakovë, arritën 7 autobusë me rreth 350 refugjatë serbë, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Gjakovë.

I ashtuquajturi “shtab i krizës”, 110 refugjatë i vendosi në konviktin e nxënësve dhe të studentëve “Sadik Stavileci”, të tjerët në hotelin “Pashtriku” dhe në lokalet e shkollës fillore “Hysni Zajmi” të qytetit.

Në njoftim bëhet me dije se refugjatët serbë, menjëherë pasi u vendosën në ndërtesën e konviktit thyen bustin e Sadik Stavilecit, i cili ishte i vendosur në kopshtin e konviktit.

 

 

 

17 gusht 1998

Gjakovë: Bastisje në Osek Hylë, mbi 10 mijë veta ende nën qiellin e hapur

Sot paradite, një ekspeditë policore serbe ka bllokuar hyrje-daljet në fshatin Osek-Hylë dhe ka ndërhyrë në disa familje me pretekst të kërkimit të armëve, njofton KI i Degës së LDK-së në Gjakovë.

Edhe sot, në Gjakovë kanë vazhduar të vijnë banorë të ikur nga fshatrat e goditura në ofensivën e fundit të forcave serbe.

Njoftohet se një pjesë e popullatës, rreth 10 mijë veta, kryesisht gra, pleqë dhe fëmijë, vazhdojnë të qëndrojnë të pastrehuar, pa ushqim dhe pa kujdes mjekësor, në malet e anës së Dushkajës, Anësdrinit dhe në malet e Rekës së Keqe. Gjendja e tyre është mjaft e keqësuar dhe përveç urisë janë të kërcënuar nga sëmundjet e ndryshme. Ndërsa brenda në qytet dhe në paralegjet e qytetit janë rreth 50. 000 të ikur nga vatrat e tyre.

Edhe më tutje nuk dihet për fatin e shumë qytetarëve. Sot është bërë me dije se nuk dihet për Pjetër Tal Krasniqin dhe Zef Gjon Krasniqin nga fshati Meqë, që të dytë rreth moshës 62-63 vjeç, si dhe për Jusuf Ahmetin nga fshati Stubëll.

 

 

Prishtinë: Nga torturat në burg vdiq Cen Dugolli nga Ferizaji

Cen Dugolli, veprimtar i LDK-së nga Ferizaj, vdiq sot në klinikën e kirurgjisë në Prishtinë, ku u dërgua dje mha policia serbe.

Ai u arrestua më 21 qershor nga policia serbe, ndërsa dje u dërgua në spital, në një gjendje shumë të rëndë shëndetësore për shkak të torturave të rënda në burg. Mësohet se në spital ai iu nënshtrua intervenimit kirurgjik, por për trupin e tij të dërmuar nga rrahjet gjithçka ishte vonë.

Të përkujtojmë se në fund të qershorit dhe në fillim të korrikut policia serbe ndërmorri një fushatë të gjerë të arrestimit të veprimtarëve politikë e humanitarë të komunës së Ferizajt, të cilët më vonë u torturuan në mënyrën më mizore nga sigurimi serbe. Për shkak të torturave, më 22 korrik, pasi qëndroi disa ditë në gjendje kome në spital, vdiq veprimtari humanitar nga Ferizaj Rexhep Bislimi, i cili u arrestua nga policia më 6 korrik. Ndërsa, më 30 qershor, veprimtari i LDK-së Ylber Topalli, u plagos nga policia para gjykatës serbe në Prishtinë, kur tentoi të ikte derisa në gjendje të rëndë shëndetësore e i dërmuar nga të rrahurat po dërgohej për t’u marrë në pyetje.

Me rastin e Cen Dugolli lidhet edhe fati i avokatit të tij, Destan Rukiqi. Më 23 korrik ai shkoi për të marrë leje për ta vizituar në burg klientin e tij, por të njëjtën ditë u arrstua e u dërgua në burg, ku pas disa ditësh u keqtrajtua rëndë fizikisht dhe tash në gjendje të rëndë shëndetësore ndodhet i shtrirë në spitalin e burgut të Beogradit.

Continue Reading

Lajmet

PDK i dërgon letër Avni Deharit, kërkon vazhdimin e seancës konstituive të martën

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës i është drejtuar sërish me letër zyrtare kryesuesit të seancës, Avni Dehari, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të martën, më 18 gusht, në orën 11:00.

Sipas letrës së siguruar nga mediat, grupi parlamentar i PDK-së ka theksuar se vonesat në këtë proces përbëjnë shkelje të aktit më të lartë juridik të vendit.

Në letrën drejtuar Deharit thuhet se “Moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar tashmë ka krijuar një situatë të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe të mosrespektimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Mosrespektimi i afateve dhe procedurave të përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit vetëm sa e thellon më tej këtë situatë”. /Ekonomia Online/

Continue Reading

Lajmet

21 armë zjarri të sekuestruara dhe mbi 4 mijë gjoba në Rajonin e Prishtinës

Published

on

Policia e Kosovës në Rajonin e Prishtinës ka realizuar gjatë javës së kaluar një sërë aktivitetesh në kuadër të sigurisë dhe zbatimit të urdhëresave gjyqësore.

Sipas Policisë, janë realizuar 125 urdhëresa të gjykatës, prej të cilave 45 kanë qenë për vepra penale, ndërsa pjesa tjetër për kundërvajtje, seanca dhe verifikime të ndryshme.

Gjatë kësaj periudhe janë sekuestruar 21 armë zjarri, ndërsa 8 prej tyre janë konfiskuar gjatë ahengjeve familjare.

Policia ka shqiptuar gjithashtu 4,179 masa administrative me gjobë për kundërvajtje dhe shkelje të rregullave të trafikut. Prej tyre, 566 janë evidentuar përmes veturave inteligjente dhe radarëve mobilë.

Personat e dënuar me burgim, pas përfundimit të procedurave policore, janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa personat e dënuar me gjobë janë liruar pas përmbushjes së obligimeve të përcaktuara në urdhëresat gjyqësore./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara