Lajmet

Indeksi Botëror i Lirisë së Shtypit, Gazetarët pa Kufij: Shqipëria dhe Kosova mes vendeve problematike

Shqiperia dhe Kosova kanë shënuar rritje në krahasim me një vit më parë.

Published

on

Organizata Gazetarët Pa Kufij shpreh shqetësimin për gjendjen e lirisë së medias, duke përmendur si arsye kryesore për keqësimin e situatës, luftën, shtypjen dhe persekutimin e gazetarëve, kërcënimin nga përmbajtja e rreme dhe propaganda, që sipas organizatës minojnë gazetarinë e mirëfilltë dhe profesionale.

Indeksi Botëror i Lirisë së Shtypit i organizatës Gazetarët Pa Kufij, i bërë publik të mërkurën në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, arrin në përfundimin se situata është “shumë e keqe” në 31 vende, “e keqe” në 42 vende, “problematike” në 55 dhe e “mirë” ose “mjaft mirë” në 52 vende. Kjo do të thotë se mjedisi për gazetarinë është i keq në shtatë nga dhjetë vende, dhe i kënaqshëm vetëm në tri nga dhjetë vende.

Indeksi i klasifikon vendet në mjedise “të mira”, “pak a shumë të mira”, “problematike”, “të vështira” ose “shumë të vështira”, për lirinë e shtypit.

Norvegjia renditet e para për të shtatin vit radhazi, ndërsa tre vendet e fundit, me gjendjen më të keqe të shtypit në botë janë në Azi: Vietnami, Kina dhe Koreja e Veriut.

Liria e shtypit në Evropë është eklipsuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Kremlini ka krijuar një arsenal të ri mediatik kushtuar përhapjes së mesazhit të Moskës në territoret që ka marrë nën kontroll në jug të Ukrainës dhe ka marrë masa të pashembullta për të goditur median brenda Rusisë.

Shqipëria, Kosova shënojnë rritje, por vazhdojnë të jenë mes vendeve problematike

Organizata Gazetarët pa Kufij, në Treguesin Botëror të Lirisë së Shtypit, radhiti Shqipërinë dhe Kosovën në mesin e vendeve problematike. Megjithatë sipas indeksit që u publikua të martën, edhe Shqipëria, edhe Kosova kanë shënuar rritje në krahasim me një vit më parë.

Në treguesin që përfshin 180 vende, Shqipëria radhitet në vendin e 96-të, duke shënuar një rritje prej 7 vendesh krahasuar me një vit më parë kur radhitej e 103-a. Në vitin 2021, Shqipëria radhitej në vendin e 83-të.

Në raport thuhet se Prokuroria vendosi kufizime disproporcionale për mbulimin e sulmit kibernetik nga Irani.

Kosova radhitet në vendin e 56-të, një rritje prej 5 vendesh në krahasim me vitin e kaluar kur radhitej në vendin e 61-të, ndërsa një vit më herët ishte në vendin e 78-të.

Serbia, ku sipas raportit mediat pro-qeveritare përhapin propagandën ruse, radhitet këtë vit në vendin e 91-të, duke pësuar rënien më të thellë (me 12 vende) në rajonin që përfshin Bashkimin Evropian dhe Ballkanin.

Maqedonia e Veriut (e radhitur në vendin e 38-të) dhe Mali i Zi (në vendin e 39) janë në grupin e vendeve me gjendje “pak a shumë të mirë”, ose të kënaqshme. Maqedonia e Veriut ka pasur një rritje me 19 vende nga viti i kaluar, ndërsa Mali i Zi një përmirësim me 24 vende.

Bosnja, e radhitur në vendin e 64 ka një rritje prej tre vendesh në krahasim me një vit më parë.

Hija e Luftës

Liria e shtypit në Evropë është eklipsuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Kremlini ka krijuar një arsenal të ri mediatik kushtuar përhapjes së mesazhit të Moskës në territoret që ka marrë nën kontroll në jug të Ukrainës dhe ka marrë masa të pashembullta për të goditur median brenda Rusisë.

Censura sistematike dhe eksodi i detyruar i mediave të pavarura ruse dhe të huaja kanë krijuar hapësirë për shpërndarjen e propagandës së koordinuar nga media pro-qeveritare.

Terreni është bëri i favorshëm për një rritje të propagandës nga Rusia (164), e cila ka rënë edhe nëntë vende të tjera në Indeksin e vitit 2023, krahasuar me vendin e 155 para një viti.

Në një kohë rekord, Moska ka krijuar një arsenal të ri mediatik kushtuar përhapjes së mesazhit të Kremlinit në territoret që ka marrë nën kontroll në jug të Ukrainës, duke goditur ndërkohë më fort se kurrë më mediat e fundit të pavarura ruse, të cilat janë ndaluar, bllokuar ose shpallur “agjentë të huaj”.

Krimet e luftës në Ukrainë (e cila radhitet në vend të 79) kontribuan për t’i dhënë Rusisë një nga rezultatet më të ulëta.

Agresioni rus ekslipson gjithë rajonin, veçanërisht Bjellorusinë (në vendin e 157-të), që është tani nën ndikimin e plotë të Rusisë. Indeksi është ndikuar edhe nga një përkeqësim i ndjeshëm në situatën e lirisë së shtypit në Azinë Qendrore.

Lufta në Ukrainë ka prekur edhe Evropën Perëndimore, e cila shpesh përpiqet të gjejë një ekuilibër mes sigurisë dhe lirive. Disa vende kanë vendosur kufizime ndaj aktivitetit të gazetarisë me argumentin e “sigurisë kombëtare”.

Në Greqi (vendi i 107-të), përgjimi i gazetarëve nga agjencitë e zbulimit solli në shkeljen më të rëndë të lirisë së shtypit në Bashkimin Evropian në vitin 2022 dhe është kjo arsyeja që Greqia ka renditjen më të ulët të mes vendeve të BE-së në Indeksin e vitit 2023.

Gjithsesi Evropa, veçanërisht Bashkimi Evropian, është rajoni i botës ku është më e lehtë të jesh gazetar.

Gjendja e Lirisë së Shtypit në Botë

Indeksi Botëror i Lirisë së Shtypit i organizatës Gazetarët Pa Kufij, arrin në përfundimin se situata është “shumë e keqe” në 31 vende, “e keqe” në 42 vende, “problematike” në 55 dhe e “mirë” ose “mjaft mirë” në 52 vende. Kjo do të thotë se mjedisi për gazetarinë është i keq në shtatë nga dhjetë vende, dhe i kënaqshëm vetëm në tre nga dhjetë vende.

Norvegjia renditet e para për të shtatin vit radhazi. Por – në një zhvillim të pazakontë – Irlanda, një vend jo-nordik renditet i dyti, (me një rritje prej 4 vendesh), duke dalë para Danimarkës (që pasuar një rënie me një vend duke dalë në vendin e 3-të). Holanda (e 6-ta) është ngritur me 22 vende, duke u rikthyer në pozicionin që kishte në vitin 2021, përpara se të vritej gazetari i kronikës, Peter R. de Vries.

Ndryshime ka edhe mes vendeve me gjendjen më të rëndë për lirinë e shtypit. Tre vendet e fundit këtë vit janë të gjitha aziatike aziatike: Vietnami (178), për shkak të vënies në shënjestër të gazetarëve dhe komentuesve të pavarur; Kina (4 vende më poshtë, duke u radhitur e 179-ta), vendi që që ka burgosur numrin më të madh të gazetarëve dhe një nga eksportuesit më të mëdhenj të përmbajtjes propagandistike; dhe në vend të fundit (180) është Koreja e Veriut.

“Indeksi Botëror i Lirisë së Shtypit tregon një paqëndrueshmëri të madhe, me ngritje dhe rënie të mëdha dhe ndryshime të pashembullta , si rritja e Brazilit me 18 vende dhe rënia e Senegalit me 31 vende. Kjo paqëndrueshmëri është rezultat i një rritjeje të agresivitetit nga ana e autoriteteve në shumë vende dhe rritjes së sulmeve ndaj gazetarëve në mediat sociale dhe fizikisht. Paqëndrueshmëria është gjithashtu pasojë e shtimit të rritjes në industrinë e përhapjes së përmbajtjes së rreme, e cila prodhon dhe shpërndan dezinformata dhe ofron instrumentat për t’i prodhuar ato”, shprehet Sekretari i Përgjithshëm i Gazetarëve Pa Kufij, Christophe Deloire.

Shtetet e Bashkuara (të radhitura në vendin e 45-të) kanë rënë tre vende. Të anketuarit shprehën shqetësim për mjedisin për gazetarët (veçanërisht për kuadrin ligjor në nivel lokal dhe dhunën e përhapur) pavarësisht nga vullneti i mirë i administratës së presidentit Biden, sipas raportit. Vrasjet e dy gazetarëve Jeff German në shtator 2022 dhe Dylan Lyons, shkakuan rënien në renditje.

Brazili (92) u ngrit me 18 vende si rezultat i largimit të ish-presidentin Jair dhe zgjedhja e Lula da Silvës, duke paralajmëruar një përmirësim të situatës.

Turqia është mes tre vendeve ku situata është bërë nga “problematike” në “shumë e keqe”. Ajo është në vendin e 165, duke humbur 16 vende në krahasim me vitin e kaluar pasi sipas raportit administrata e presidentit Recep Tayyip Erdogan ka përshkallëzuar masat ndaj gazetarëve në prag të zgjedhjeve të planifikuara për 14 maj.

Irani është në vendin e 177-të për shkak të shtypjes së ashpër të protestave të shkaktuara nga vdekja e studentes Mahsa Amini në paraburgim nga policia. Disa nga rëniet më të thella të Indeksit 2023 kanë qenë në Afrikë.

Efektet e industrisë së përmbajtjes së rreme

Indeksi i vitit 2023 nxjerr në pah efektet e shpejta që ka pasur në lirinë e shtypit, industria e përmbajtjes së rreme në ekosistemin digjital. Në 118 vende (dy të tretat e 180 vendet e përfshira në Indeks), shumica e të anketuarve pohon se aktorët politikë në vendet e tyre ishin përfshirë shpesh ose sistematikisht në fushata masive dezinformuese ose propaganduese.

Raporti i organizatës Gazetarët Pa Kufij vë në dukjes se zbehja e dallimit mes së vërtetës dhe të rremes, reales apo artificiales, fakteve dhe të pavërtetave, po rrezikon të drejtën e informimit, duke dobësuar gazetarinë cilësore.

Sipas raportit, zhvillimi i jashtëzakonshëm i inteligjencës artificiale po shkakton edhe më shumë kaos në botën mediatike./VOA

Vendi

Vdes ish-kongresisti Eliot Engel, zë i fuqishëm në mbështetje të Kosovës

Published

on

By

Ish-kongresisti amerikan Eliot Engel ka vdekur në moshën 79-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi si një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës. Ai u largua nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara në janar 2021, pas mbi 30 vjetësh shërbim.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e cilësoi vdekjen e tij si humbje të një miku të dëshmuar dhe përkrahësi të palëkundur të lirisë dhe shtetësisë së Kosovës. Ajo theksoi se Engel, gjatë dekadave në Kongres, ishte në anën e drejtë të historisë – nga mbështetja për ndërhyrjen e NATO më 1999 kundër regjimit të Slobodan Milošević, deri te përkrahja për pavarësinë e Kosovës më 2008.

Edhe kongresisti Ritchie Torres e vlerësoi Engelin si një zë të fortë për Kosovën dhe komunitetin shqiptar në kohë kur pak të tjerë i kushtonin vëmendje.

Engel, pjesë e Partisë Demokratike, përfaqësoi që nga viti 1989 një zonë të Bronksit në New York City me komunitet të madh shqiptar. Ai ishte ndër figurat kyçe në sigurimin e mbështetjes së Kongresit për njohjen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Për kontributin e tij, Kosova ka emërtuar rrugë dhe autostradë me emrin e tij, si dhe ka lëshuar pullë postare me portretin e Engelit. Ndërkohë, qëndrimet e tij pro Kosovës e bënë figurë të diskutueshme në Serbi, e cila vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e saj.

Gjatë një seance dëgjimore në vitin 2020, Engel kishte shprehur lidhjen e veçantë me rajonin, duke theksuar se asnjë vend në Ballkan nuk e kishte prekur më shumë se Kosova.

Ai hyri në Kongres në periudhën e shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë dhe u angazhua në çështjet e rajonit përmes Komitetit për Punë të Jashtme, duke u bërë një nga njohësit më të mirë të Ballkanit në politikën amerikane.

Continue Reading

Lajmet

Kalon në parim ligji për sigurime shëndetësore dhe çmimet tavan

Published

on

By

Në vazhdimin e seancës së dytë të jashtëzakonshme të pasdites, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor dhe atë për çmimet tavan.

Projektligji për sigurimet shëndetësore u miratua me 65 vota për, duke marrë mbështetje edhe nga një pjesë e opozitës, e cila e cilësoi atë si të domosdoshëm. Ky projektligj parasheh krijimin e një pakete bazike shëndetësore që do të përditësohet çdo vit, ndërsa kontributet do të jenë 3.5 për qind nga paga e të punësuarit dhe 3.5 për qind nga punëdhënësi, për financimin e fondit të sigurimit.

Megjithatë, u theksua se funksionalizimi i Sistemit Informativ Shëndetësor mbetet parakusht për zbatimin e tij, ndërkohë që digjitalizimi i këtij sistemi ende nuk është përmbyllur. Një ligj i ngjashëm ishte miratuar edhe në vitin 2014, por nuk kishte gjetur zbatim praktik. Ndërkaq, ky projektligj ishte rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese në janar për shkak të miratimit jokushtetues. Shqyrtimi i dytë i tij pritet të bëhet më 23 prill.

Në të njëjtën seancë, Kuvendi miratoi në parim edhe projektligjin për çmimet tavan me 63 vota për, pa mbështetjen e opozitës. Sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, ligji synon mbrojtjen e qytetarëve dhe do të përdoret si masë e jashtëzakonshme në raste të destabilizimit të tregut, duke theksuar se nuk është kundër tregut të lirë, por kundër abuzimeve me çmimet.

Nga ana tjetër, deputetët opozitarë e kundërshtuan projektligjin, duke vlerësuar se ai rrezikon ndërhyrjen në tregun e lirë dhe i jep Qeverisë kompetenca të drejtpërdrejta për kontrollin e çmimeve. Ata ngritën shqetësime edhe për mënyrën e funksionimit të bordit të paraparë në projektligj, duke e cilësuar atë si jopavarur dhe me mungesë të metodologjisë së qartë për vendimmarrje.

Continue Reading

Vendi

Kuvendi i Kosovës ratifikon katër marrëveshje ndërkombëtare të kredisë

Published

on

By

Në seancën e mbajtur të premten, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar disa projektligje që mundësojnë ratifikimin e marrëveshjeve të kredisë me institucione të rëndësishme ndërkombëtare.

Projektligjet e miratuara, të cilat u përfaqësuan nga Ministria e Financave, përfshijnë:

Zhvillimi i Sektorit Financiar: Marrëveshja me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA) për mbështetjen e projektit të sektorit financiar në vend.

Energjia dhe Klima: Marrëveshja me bankën gjermane KfW për programin e kredisë që synon reformat në sektorin e energjisë dhe mbrojtjen e klimës.

Politika Publike: Marrëveshja me Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD) për programin e kredisë të bazuar në politikat e përgjithshme shtetërore.

Tregtia dhe Transporti: Marrëveshja me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Lehtësimi i Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor 2.0”.

Këto marrëveshje synojnë të forcojnë infrastrukturën ekonomike dhe të lehtësojnë integrimin rajonal përmes investimeve në sektorë strategjikë për Kosovën.

 

Continue Reading

Lajmet

Miratohet rezoluta për mbrojtjen e të vërtetës së luftës

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 90 vota pro dhe asnjë kundër- Rezolutën për mbrojtjen e historisë dhe të vërtetës së luftës në Kosovë.

Ky propozim i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) bëri bashkë pozitën dhe opozitën, të cilat votuan unanimisht për të mbrojtur vlerat e luftës çlirimtare dhe për të parandaluar tentativat për rishikimin e historisë.

Përmes këtij votimi, deputetët treguan unanimitet, duke vlerësuar se mbrojtja e sakrificës së popullit dhe e të vërtetës historike është një obligim kombëtar që qëndron mbi dallimet politike.

Continue Reading

Të kërkuara