Lajmet

​Ikja e mjekëve, problem rajonal

Published

on

Numri i profesionistëve shëndetësorë që po synojnë punësim në vendet evropiane nuk ka shënuar rënie, sipas përfaqësuesve të mjekëve në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut. Kushtet e papërshtatshme të punës dhe pagat e ulëta po konsiderohen prej arsyeve kryesore që mantelbardhët po e braktisin rajonin.

Bedri Ramadani me prejardhje nga Kosova, ka 25 vjet që jeton dhe punon në Gjermani.

Ai është zëvendësdrejtor i Klinikës së Kardiokirurgjisë në Duseldorf dhe thotë se kushtet e punës atje janë shumë të mira.

Ramadani nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen të shërbejë edhe në Kosovë por thotë se politika e këtij vendi duhet të mbështesë institucionet shëndetësore, në mënyrë që mjekëve tu krijohen kushte më të përshtatshme të punës.

“Me siguri janë faktorë të ndryshëm që ndikojnë [në largimin e mjekëve] por unë mendoj se perspektiva të cilën të rinjtë këtu [në rajon] nuk e shohin dhe ndërrimi i politikave të ndryshme që nuk u japin të rinjve perspektivë, vendosin të dalin jashtë për një përparim profesional më të mirë… Ne duhet të rinjtë t’i motivojmë, natyrisht edhe politika duhet ta mbështesë shëndetësinë shumë, duhet të krijohen kushte. Ne kemi mjekë shumë të talentuar këtu dhe besoj që mundemi të bëjmë edhe me të arritura edhe më të mëdha në mjekësi”, thotë Ramadani.

Numri i saktë i profesionistëve shëndetësorë që largohen nga Kosova, nuk dihet. Por një tregues është numri i atyre që e kërkojnë certifikatën e etikës dhe profesionit – dokument që shërben për t’u punësuar jashtë vendit.

Deri në fund të këtij viti pritet që numri i profesionistëve shëndetësorë që e kërkojnë këtë certifikatë të tejkalojë njëqindëshin, thotë kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu.

“Deri më sot (17 tetor) kemi 93, gjithmonë parashohim që deri në fund të vitit do të jenë mbi 100 apo 110…Nuk qëndron fakti që ka rënë numri. Kur deklarohet se ka rënë numri, bie për 30 apo 40 për qind. Lëvizja e tillë nuk ndodhë, lëvizjet 10-15 për qind nuk janë ato të cilat janë të prekshme. Ministria e Shëndetësisë apo kushdo tjetër nuk kanë të dhëna. Ne i kemi ato të dhëna të vet-deklarimit përmes kësaj certifikate, por nuk duhet harrur se një pjesë e mirë e shteteve, sidomos Zvicra, Britania e Madhe, skandinavët nuk e kërkojnë këtë dokument. Përveçse, pas aplikimit atje për licencim i verifikojnë tek ne, nëse janë këto dokumente valide. Prandaj, ky numër mund të jetë edhe më i madh, më i vogël assesi. Nuk ka rënie që mund ta deklarojmë”,thotë Sejdiu.

Edhe nga Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë (KKUMSH) përmes një përgjigje me shkrim për KosovaPress thonë se gjatë vitit të kaluar, numri i mjekëve që kanë kërkuar certifikatën që shërben për të punuar jashtë vendit, është rreth 150.

Sipas KKUMSH-së shumica prej tyre janë mjekë të përgjithshëm.

“Në vitin 2022 janë lëshuar 191 certifikata të sjelljes së mirë, ndërsa në vitin 2023 këtë dokument e kanë kërkuar 147 mjekë. Kjo certifikatë tërhiqet nga mjekë që kërkojnë të punojnë jashtë vendit. Nga mjekë që aplikojnë për master apo specializim jashtë vendit. Nga ata që shkoj nëpër trajnime apo shkolla verore apo për kualifikime të ndryshme. Për mjekë që punojnë vullnetarisht në organizata humanitare dhe nga ata që punojnë me organizata ndërkombëtare për projekte brenda Shqipërisë. Shumica janë mjekë të përgjithshëm që kanë tërhequr këtë certifikatë”, thuhet në përgjigjen e KKUMSH-së.

Sipas këtij këshilli, disa nga vendet ku aplikojnë mjekët shqiptarë janë janë Italia, Gjermania, Anglia, Shtetet e Bashkuara, Kanada, Franca, Zvicra e Austria.

Përafërsisht shifër të njëjtë me Kosovën, përmend edhe kryetari i Shoqatës së Mjekëve në Maqedoninë e Veriut, Nevzat Elezi.

“Është fakt se në Maqedoni kemi një numër bukur të mirë nga ajo që marrim nga të dhënat e Odës së Mjekëve të Maqedonisë, shohim se një numër i madh i doktorëve marrin licenca për jashtë…Është mirë që ne të bëjmë përmirësimin e kushteve, qofshin kushtet e punës ku ata duhet të tregojnë dijeninë e tyre ose në anën tjetër në aspektin financiar të mund të rrisim rrogat sa më shumë t’i mbajmë të rinjtë këtu. Fatkeqësisht më të mirët ndoshta neve na largohen nga vendi për arsye se ata ndjejnë veten edhe më të sigurt[në vendet evropiane]…Nga Maqedonia nuk kemi numër të largimit mbi 100 këtë vit. Është diku afër 100 të larguar në Evropë nga ajo që ne kemi marrë nga të dhënat e Odës së Mjekëve”, thotë Elezi.

Kosova po përballet problemin e largimit të personelit shëndetësor tash e disa vjet.

Numri më i madh i atyre që largohen janë infermierë.

Paga e infermierëve në Kosovë sillet rreth 500 euro, ndërkaq për mjekët shkon deri mbi 1.000 euro.

Vendi

Protestat kundër vrasjes së grave vazhdojnë për të dytën ditë, kërkohet dorëheqja e dy ministrave

Published

on

Protestat kundër vrasjes së grave në Kosovë kanë vazhduar edhe sot, për të dytën ditë radhazi, me pankarta që kërkojnë drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.

Protestuesit kanë mbajtur pankarta me mbishkrimet “Gjumi s’ka me ju marrë, flaka ka me ju dalë” dhe “Heshtja mbron dhunuesin, jo viktimën”, duke reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt, më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.

Ata po kërkojnë dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe ndjekjen penale të personave që, sipas protestuesve, kanë neglizhuar rastin e Zekajt.

Liridona Sijarina nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, gjatë fjalimit para ndërtesës së Qeverisë, ka deklaruar se protestat do të vazhdojnë çdo ditë deri në përmbushjen e kërkesave të organizatorëve.

Ndërkohë, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka suspenduar nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren e rastit të Arlinda Zekajt, Arlinda Nallbani Gacaferrin. Ndaj tyre është hapur procedurë disiplinore dhe është themeluar një panel hetimor për trajtimin e rastit.

Edhe Policia e Kosovës ka pezulluar nga puna 11 zyrtarë policorë për mënyrën e trajtimit të rastit të Zekajt, e cila u vra nga ish-kunati i saj.

Protestë kundër vrasjes së grave dhe për kërkimin e përgjegjësisë institucionale ishte mbajtur edhe një ditë më parë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Mundësi mobiliteti Erasmus+ KA171 në Sapienza University of Rome – Itali

Published

on

By

UBT hap thirrjen për studentët e nivelit Bachelor nga programet Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, Juridik, Psikologji, Inxhinieri e Mekatronikës, Studime të Sigurisë, Shkenca Politike, Shkenca Kompjuterike, Arkitekturë, si dhe Media dhe Komunikim, për mobilitet studentor në Sapienza University of Rome, Itali, në kuadër të programit Erasmus+ KA171, për semestrin pranveror të vitit akademik 2026/2027.

Sapienza University of Rome është një nga universitetet më të mëdha dhe më të njohura publike në Itali, me traditë të gjatë akademike dhe një gamë të gjerë programesh studimore dhe kërkimore.

Linku për aplikim

Afati i fundit për aplikim: 02.11.2026

Kujdes: Thirrja do të qëndrojë e hapur vetëm për 4 ditë!

Pas përfundimit të afatit, aplikimet do të shqyrtohen sipas kritereve të përcaktuara. Kandidatët që kalojnë fazën e parë të vlerësimit do të ftohen për intervistë, ndërsa studentët e përzgjedhur do të nominohen zyrtarisht nga UBT për mobilitet në Sapienza University of Rome.

Ftojmë të gjithë studentët nga programet përkatëse që të shfrytëzojnë këtë mundësi për të studiuar në një nga universitetet më prestigjioze të Italisë, për të fituar përvojë ndërkombëtare dhe për të zhvilluar më tej kompetencat e tyre akademike dhe profesionale.

Për informacione shtesë, mund të kontaktoni Zyrën për Marrëdhënie Ndërkombëtare në: [email protected].

Continue Reading

lajme

Një dashuri e shkruar në letra dhe e ruajtur nga historia

Published

on

By

Në Reporting House, në Prishtinë, ekspozita “Një mur na ndan ” sjell para vizitorëve një histori të veçantë dashurie, përkushtimi dhe idealizmi përmes mbi 50 letrave të shkëmbyera ndërmjet çiftit të UÇK-së, Xhevë Krasniqi-Lladrovci dhe Fehmi Lladrovci, si dhe eksponateve të tjera që dokumentojnë rrugëtimin e tyre. Letrat u shkruan kryesisht gjatë kohës kur Fehmiu vuante dënimin si i burgosur politik në burgun e Stara Gradishkës në Kroaci.

Përmes fjalëve të shkruara, Xheva dhe Fehmiu ndanin mallin, emocionet dhe ëndrrat për një jetë të përbashkët, pavarësisht largësisë që i ndante. Letrat, të zbukuruara me lule të vizatuara, shkronja të shkruara me ngjyra kuqezi, poezi dhe prozë, dëshmojnë jo vetëm dashurinë e tyre të thellë, por edhe formimin intelektual, bindjet dhe përkushtimin ndaj Kosovës.

Ato pasqyrojnë dy njerëz që, krahas lidhjes personale, i bashkonte edhe ideali për lirinë e vendit. Një element i veçantë i ekspozitës është edhe kostumi i kuq i Xhevës, të cilin ajo e veshi kur u vendos në familjen Lladrovci në Gllanasellë të Drenasit, pas vendimit për ta pritur Fehmiun gjatë viteve të burgimit.

Kjo veshje shënon një moment të rëndësishëm të jetës së tyre dhe e lidh historinë personale të çiftit me rrugëtimin e tyre atdhetar. Përveç letrave dhe veshjes, ekspozita përfshin edhe eksponate të tjera, ndër to intervistën e Fehmi Lladrovcit të vitit 1998 dhe pamje të burgut ku ai kaloi pesë vjet. Së bashku, këto materiale sjellin një dimension më njerëzor të historisë, duke zbuluar ndjenjat, mendimet dhe përvojat e dy figurave që shpesh kujtohen vetëm përmes rolit të tyre në luftën çlirimtare.

Xhevë Krasniqi-Lladrovci dhe Fehmi Lladrovci u vranë më 22 shtator 1998, gjatë luftës në Kosovë. Sot, përmes letrave të tyre të ruajtura dhe të ekspozuara në Reporting House, historia e tyre vazhdon të rrëfehet, duke ndërthurur dashurinë personale me idealet dhe përkushtimin ndaj vendit.

Ekspozita “Një mur na ndan” na kujton se pas figurave historike qëndrojnë njerëz me ndjenja, shpresa dhe ëndrra.

Letërkëmbimi i Xhevës dhe Fehmiut mbetet një dëshmi e rrallë e një dashurie që i rezistoi ndarjes, kohës dhe rrethanave të vështira, si dhe e një lidhjeje të ndërtuar mbi barazinë, besimin dhe idealet e përbashkëta.

(Autore: Adile Muli, studente e vitit të dytë në Fakultetin Media dhe Komunikim në UBT)

Continue Reading

Lajmet

Policia e Kosovës suspendon 11 zyrtarë policorë pas vrasjes së Arlinda Zekajt

Published

on

By

Policia e Kosovës ka marrë vendim për suspendimin e 11 zyrtarëve policorë lidhur me trajtimin e rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës. Vendimi është mbështetur në Ligjin për Policinë, Udhëzimin Administrativ për procedurat disiplinore dhe rekomandimin e drejtpërdrejtë të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).

Masa e suspendimit përfshin të gjithë zinxhirin komandues dhe hetimor në rajonin e Pejës, përfshirë ushtruesin e detyrës së Drejtorit Rajonal, Shefin e Hetimeve Rajonale, Komandantin dhe Zëvendëskomandantin e Stacionit Policor në Pejë, Shefin e Hetimeve, ushtruesin e detyrës së Shefit të Operativës, Komandantin e Nënstacionit në Vitomiricë, si dhe katër hetues policorë.

Nga Policia e Kosovës bëhet e ditur se ky hap është ndërmarrë në interes të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përcaktimit të përgjegjësive individuale lidhur me veprimet apo mosveprimet e zyrtarëve në këtë rast.

“Suspendimet janë bërë në interes të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përgjegjësive individuale, në trajtimin e rastit. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e vlerave, integritetit dhe shërbimit në mënyrë të drejtë e të paanshme”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara