Lajmet
IKD: Qeveria në kundërshtim me aktgjykimin e Kushtetueses për pensionet kontributdhënëse
Sipas IKD-së, në këtë mënyrë rrezikohen të drejtat e mijëra pensionistëve.
Published
3 years agoon
By
UBT newsInstituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) vlerëson se Qeveria në kundërshtim me afatet e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ka vendosur për Projektligjin për Skemat Pensionale. Sipas IKD-së, në këtë mënyrë rrezikohen të drejtat e mijëra pensionistëve.
IKD ka shkruar se Gjykata ka urdhëruar Kuvendin dhe Qeverinë, që jo më larg se data 15 korrik 2023, të ndërmarrin veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e këtij ligji.
“Në të njëjtën kohë, këto dispozita do të shfuqizohen me 15 korrik 2023. Në rastin kur Qeveria nuk respekton këtë datë, do të jenë qytetarët ata që do të pësojnë më së shumti. Ata do të detyrohen të paguajnë avokatë për të ngritur padi në Gjykatat Themelore për të gëzuar të drejtën e pensionit kontributdhënës sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Për shkak se do të gjenerohen shpenzime procedurale, kjo situatë mund të dëmtojë edhe buxhetin e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e IKD-së.
Sipas IKD-së, Qeveria po tregohet e papërgjegjshme duke mos zbatuar kërkesat e plota që dalin nga aktgjykimi.
“Por, Qeveria ka planifikuar që projektligjin që synon të adresojë kërkesat e Gjykatës Kushtetuese, vetëm në Qeveri, ta miratoj me 30 korrik 2023. Afati i përcaktuar nga Qeveria është në kundërshtim me kërkesat e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Në sistemin kushtetues të Kosovës, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese janë ekuivalente me normën kushtetuese. Kështu, ky veprim i Qeverisë është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thuhet nga IKD.
IKD ka shkruar se veprimet e nevojshme për adresimin e kërkesave në bazë të aktgjykimit nënkuptojnë hyrjen në fuqi të projektligjit të ri për skemat pensionale me 15 korrik 2023 dhe jo miratimin e projektligjit në Qeveri me 15 ditë vonesë.
Instituti ka theksuar se Kuvendi i Kosovës shkon në pushim në fund të muajit korrik dhe fillimi i punës së Kuvendit nis të hënën e dytë të muajit shtator, që sipas tyre, miratimi final i projektligjit do të bëhet me vonesë prej disa muajve.
“IKD shpreh shqetësimin e thellë për papërgjegjshmërinë e Qeverisë së Kosovës në lidhje me mos zbatimin e kërkesave të plota që dalin nga Aktgjykimi në rastin nr. KO190/19. Vonesat në miratimin e këtij projektligji nga Qeveria shkelin të drejtat e mijëra pensionistëve të Kosovës dhe paraqesin mos zbatim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në komunikatë.
IKD kërkon që me rastin e miratimit të projektligjit në Qeveri, të respektohen standardet minimale të pjesëmarrjes së publikut në konsultime publike me qytetarë dhe grupeve të interesit dhe më pas një projektligj i tillë të miratohet me procedurë të përshpejtuar në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që ky ligj të hyj në fuqi jo më vonë se data 15 korrik 2023.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar paragrafin 2 të nenit 8 te Ligjit për skemat pensionale, sepse është përfunduar që në mënyrë diskriminuese përmes këtij neni mijëra qytetarë duke mos e përmbushur kriterin e përvojës prej 15 viteve pune para janarit të viti 1999, nuk e kanë gëzuar pensionin kontributdhënës, por vetëm atë të moshës.
You may like
Lajmet
KQZ pritet që sot ta përmbyllë rinumërimin e votave
Published
1 day agoon
January 30, 2026By
UBTnews
Sot pritet të përmbyllet procesi i rinumërimit të gjithsej 2 mijë e 557 vendvotimeve nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
Ai bëri me dije se deri më tani janë rinumëruar rreth 95% e tyre.
“Nga fillimi i këtij procesi (13 janar) dhe deri në përfundimin e ditës së enjte (29 janar) janë rinumëruar rreth 95% apo 2,414 nga 2,557 vendvotime. Pra, kanë mbetur për t’u rinumëruar edhe 143 vendvotime që i takojnë 4 komuave të fundit nga ky proces, si Prishtinë, Podujevë, Suharekë dhe Shtërpcë”, deklaroi ai.
Lajmet
Gjenden mbetje eshtërore në Skenderaj, dyshohet se u përkasin personave të zhdukur gjatë luftës
Published
1 day agoon
January 30, 2026By
UBTnews
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se njësiti për hetimin e personave të zhdukur gjatë luftës në bashkëpunim me IML-në ja në bërë gërmime në fshatin Marinë të Skenderajt, ku janë hasur mbetje eshtërore.
Sipas policisë këto mbetje dyshohet se i përkasin personave të zhdukur në vitin 1998/1999.
“Nga njësiti për hetimin e personave të zhdukur gjatë luftës në bashkëpunim me IML-në janë bërë gërmime në fshatin Marinë, ku janë hasur mbetje të eshtrave që dyshohet se i përkasin njeriut. Mbetjet e eshtrave janë marrë nga njësia e IML-së për ekzaminim”, thuhet në raportin policor.
Lajmet
Përmbyllet me sukses punëtoria ndërkombëtare “Journalism for Juniors”, me ndarjen e certifikatave për pjesëmarrësit
Published
2 days agoon
January 29, 2026By
ubtnews
Punëtoria ndërkombëtare “Journalism for Juniors (J4J) – Mobile Journalism Workshop”, e organizuar nga UBT në bashkëpunim me TRT dhe Institutin Yunus Emre, u përmbyll me sukses, duke ofruar një përvojë të vlefshme profesionale për studentët e Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, si dhe për nxënësit e UBT International Smart Schools.

Kjo punëtori shërbeu si një platformë edukative dhe praktike për fuqizimin e të rinjve me aftësi bashkëkohore në gazetarinë mobile, tregimin kreativ të storieve dhe prodhimin e përmbajtjes digjitale me ndikim social.
Gjatë ditëve të punëtorisë, pjesëmarrësit u angazhuan në sesione intensive që përfshinë bazat e gazetarisë, etikën profesionale, storytelling digjital dhe përdorimin e mjeteve mobile për xhirim, editim dhe shpërndarje të përmbajtjes mediatike.
Përmes punës praktike në terren, studentët dhe nxënësit patën mundësinë të krijojnë video-storie autentike, të ndërtuara nga perspektiva të ndryshme dhe të përshtatura për platformat digjitale.
Një moment i veçantë i kësaj ngjarjeje ishte Digital Video Competition, ku u realizua shfaqja në grup e video-storieve të përgatitura nga pjesëmarrësit. Këto punime u vlerësuan nga një juri profesionale e përbërë nga gazetarë dhe ekspertë të TRT-së, të cilët ofruan feedback konstruktiv dhe këshilla profesionale, duke vlerësuar kreativitetin, qasjen vizuale dhe mesazhin shoqëror të videove të realizuara.
Punimet e të rinjve u vlerësuan si dëshmi e potencialit të madh krijues dhe e përgatitjes së tyre për t’u përballur me sfidat e gazetarisë moderne, duke treguar se gazetaria mobile është një mjet i fuqishëm për të rrëfyer histori reale dhe me ndikim.
Punëtoria u përmbyll me ndarjen e certifikatave si vlerësim për angazhimin dhe punën e tyre gjatë gjithë procesit trajnues. Në këtë ceremoni u theksua rëndësia e bashkëpunimeve ndërkombëtare në edukimin e brezit të ri të gazetarëve dhe roli i UBT-së si institucion që promovon arsimin praktik, inovacionin dhe lidhjen e drejtpërdrejtë me industrinë e medias.



Lajmet
UBT dhe Universiteti “Eqrem Çabej” bashkojnë vizionet për arsimin dhe inovacionin
Published
2 days agoon
January 29, 2026By
ubtnews
UBT dhe Universiteti “Eqrem Çabej” në Gjirokastër kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi akademik, me qëllim forcimin e lidhjeve institucionale dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën e arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe inovacionit.

Marrëveshja u nënshkrua gjatë një vizite zyrtare të delegacionit të Universitetit “Eqrem Çabej”, të prirë nga Rektori i këtij universiteti, Prof. Dr. Jaho Cana, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Prishtinë. Delegacioni u mirëprit nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, së bashku me stafin akademik të UBT-së.
Gjatë takimit, rektorët e dy institucioneve theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndëruniversitar në hapësirën shqiptare, duke vënë theksin në shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve, zhvillimin e programeve të përbashkëta studimore, si dhe realizimin e projekteve kërkimore dhe shkencore me interes të ndërsjellë.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, prezantoi modelin unik të UBT-së, veçanërisht rolin e Parkut Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik si një urë lidhëse ndërmjet akademisë, industrisë dhe inovacionit, duke theksuar se UBT mbetet i përkushtuar në ndërtimin e partneriteteve strategjike rajonale dhe ndërkombëtare.
“Ne kemi menduar të krijojmë një ekosistem transdisiplinar, ku bashkëpunimi është në zemër të strategjisë sonë dhe ku universiteti ka ndikim të drejtpërdrejtë në shoqëri”, theksoi Hajrizi.
Nga ana e tij, Rektori i Universitetit “Eqrem Çabej”, Prof. Dr. Jaho Cana, vlerësoi lart filozofinë dhe misionin e UBT-së, duke e cilësuar këtë institucion si një universitet që ka lindur për t’i shërbyer shoqërisë dhe për të krijuar vlera konkrete për të.
“Ju keni lindur si një universitet për t’i ofruar të mira kësaj shoqërie. Jeni një universitet për t’i dhënë shoqërisë dhe sinqerisht ndihem i befasuar pozitivisht nga ajo që pashë këtu”, u shpreh Rektori Cana.
Ai shtoi se bashkëpunimi me një universitet si UBT-ja është prioritet për Universitetin “Eqrem Çabej”, duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të urave të qëndrueshme akademike ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë në rajon.
“Bashkëpunimi me një universitet si ju është prioritet i yni dhe jemi të bindur se kjo marrëveshje do të prodhojë rezultate konkrete për të dy institucionet”, tha Cana.
Vizita përfshiu edhe një tur në ambientet e Parkut Shkencor të UBT-së, ku delegacioni u njoh nga afër me laboratorët, qendrat e inovacionit dhe infrastrukturën moderne që mbështet arsimin, kërkimin dhe zhvillimin teknologjik.





KQZ pritet që sot ta përmbyllë rinumërimin e votave
Gjenden mbetje eshtërore në Skenderaj, dyshohet se u përkasin personave të zhdukur gjatë luftës
Përmbyllet me sukses punëtoria ndërkombëtare “Journalism for Juniors”, me ndarjen e certifikatave për pjesëmarrësit
UBT dhe Universiteti “Eqrem Çabej” bashkojnë vizionet për arsimin dhe inovacionin
Koncerti i Fakultetit të Muzikës Moderne dhe Produksionit Digjital sjell kreativitetin e studentëve
PDK kërkon hetim ndaj Kurtit për “mashtrim publik” në rastin e dronëve kamikaz
Isa Mustafa: LDK ka potencial për t’u ringritur, problemet nuk zgjidhen me tifozllëk
Gjykata refuzon propozimet e mbrojtjes për prova shtesë në rastin e Liridona Ademajt
Dogana në aksion, kontrolle në barnatoret e Pejës dhe Gjakovës
Të kërkuara
-
Lajmet3 months agoU mbajt Mbledhje Komemorative në nder të Prof. Dr. Faton Kabashit në UBT Prizren
-
Rajoni2 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor mbi cilësinë e ujërave nëntokësore në Komunën e Suharekës
-
Rajoni2 months agoMe shumicë votash, Vesa Shatri zgjidhet Kryetare e re e Këshillit Studentor të UBT-së
-
Rajoni3 months agoNjë kontribut shkencor për ruajtjen e trashëgimisë inxhinierike në Kosovë – Publikohet artikulli i profesorëve të UBT-së, Naser Morina dhe Hazir Çadraku
