Lajmet

I hodhën acid në fytyrë, Vilma Dule vuajtjen e madhe e solli nëpermjet një ekspozite

Pavarësisht peripecive që është dashur të kalojë, Vilma rrëfen se me forcë dhe vullnet ka ecur përpara.

Published

on

Vilma Dule ka dhënë një intervistë ekskluzive për emisionin “ABC-ja e mëngjesit” për ngjarjen e rëndë që i ndodhi në gusht të vitit 2013, ku u sulmua me acid në fytyrë. Sulmi ndodhi poshtë pallatit ku banonte Vilma, ku agresori e kishte pritur derisa të dilte. Megjithatë, pavarësisht peripecive që është dashur të kalojë, Vilma rrëfen se me forcë dhe vullnet ka ecur përpara.

Pas largimit nga Shqipëria, ajo kreu 25 ndërhyrje kirurgjikale gjatë kohës që qëndronte në Francë. Ajo thotë se nuk do të kthehet në Shqipëri pasi autori nuk është arrestuar dhe kjo e bën të ndihet e kërcënuar. Tani, ajo është kthyer në një shembull frymëzues. Ka hapur një ekspozitë të titulluar “Persona”, përmes së cilës dëshiron të përcjellë një mesazh shprese për të gjithë njerëzit që kanë vuajtur dhe kanë përballur dhunën.

“Është e lehtë të flasësh në këtë pikë, jam kuruar dhe fizikisht, nuk është aq e lehtë, duhet të jemi të ndërgjegjshëm që kur sulmojmë një femër shkatërrojmë një botë. Sulmi me acid është tradicion i kulturave indiane, kundër identiteti sepse ai që sulmon nuk do ti bëjë keq. Nuk donin të shkatërronin lëkurën time për identitetin tim, kjo është ajo që nuk kam lejuar të ndodhë sepse pasi dola nga spitali i premtova veten tre gjëra.

E para të mos viktimizohem, nuk kam bërë asgjë për të qenë një viktimë. I kam premtuar që të mos shikoj asnjëherë pas. Kush e ka lënë Shqipërinë pa dëshirë më kupton se çfarë do të thotë kjo gjë. I ngjava pak gjyshes time dhe ajo u çrrënjësua, ironike se si fati u përsërit tek mua, u largova nga Shqipëria, personat nuk u dënuan nuk kthehem dot më në Shqipëri.”, rrëfeu ajo.

“Mëshirë sepse falja ia jep një njeriu që ta kërkon kurse mëshirën ia jep të gjithave, një person që arrin të sulmojë, në atë formë si ma bënë mua, kam mëshirë për ata sepse duhet të jesh një njeri me shpirt të vogël të planifikosh në detaje agresionin e një femre, të arrish të bësh në dritën e diellit në mes të Tiranës. Kam mëshirë për botën e tyre të vogël për njerëzit që i rrethojnë, për ato nëna dhe gra që i rrethojnë.”, shtoi më tej ajo.

Duke folur për ekspozitën ajo tha: “Jam kuruar në Francë dhe ka një sistem kurimi shumë special, ti nëse digjesh ke një qendër rehabilitimi ku shkon dhe kurohesh. Prodhohen maska, të cilat një i djegur t’i mbajë 24 orë, i kam veshur për 5 vite. Gjatë kësaj periudhe që e mbaja maskën punoja dhe jetoja, ndodhi që shikoja reagimet e njerëzve që më shikonin me çudi, kuriozitet, mëshirë dhe lindi në mua nevoja për të transferuar sensin e kësaj maske nga një objekt mjekësor në art.

Çdo njeriu mund ta gjente veten ne këtë projekt dhe fillova të pikturoja maskat, e ndava me 24 të tjerë të djegur dhe nga ky projekt lindi projekti “Persona” që ka si moto se pas çdo maske ka një person, qëllimi është të sensibilizojë empatinë, të vihemi në vendin e tjetrit dhe të mos gjykojmë.” /abcnews/

Continue Reading

Lajmet

Një i vdekur nga një aksident komunikacioni në Vranidoll të Prishtinës

Published

on

By

Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë komunikacioni që ka ndodhur në fshatin Vranidoll të Prishtinës.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana për Kosova Press.

Sipas njoftimit, në aksident kanë qenë të përfshira dy automjete. Si pasojë e lëndimeve të marra nga përplasja, një person ka ndërruar jetë në vendngjarje, ku vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor emergjent.

Policia ka bërë të ditur se janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet që çuan deri te ky aksident fatal. /Kosova Press/ /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Franca regjistron natën më të nxehtë në histori, 40 viktima nga vala e të nxehtit

Published

on

Franca ka përjetuar natën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë që nga fillimi i matjeve meteorologjike në vitin 1947, ka njoftuar agjencia kombëtare e motit.

Sipas të dhënave zyrtare, mes natës së të hënës dhe mëngjesit të së martës, temperatura mesatare e regjistruar nga 30 stacione meteorologjike në vend arriti në 21.6 gradë Celsius, duke thyer rekordin e mëparshëm prej 21.4 gradësh të shënuar më 25 korrik 2019.

Ndërkohë, kryeministri francez Sebastien Lecornu ka bërë të ditur se që nga e enjtja, 40 persona kanë humbur jetën si pasojë e valës së të nxehtit që ka përfshirë vendin.

Temperaturat ekstreme po prekin edhe vende të tjera evropiane. Në Spanjë, në disa rajone temperaturat kanë kaluar 40 gradë Celsius, ndërsa në Itali është shpallur alarmi i kuq në 15 qytete.

Edhe Gjermania po përballet me vapë të madhe, ku temperaturat kanë arritur deri në 40 gradë Celsius./A.K/

Continue Reading

Lajmet

REL: Termocentralet e vjetruara në Ballkanin Perëndimor ndotin 6.6 herë mbi limitin e lejuar

Published

on

By

Tetë vjet pas hyrjes në fuqi të standardeve për kontrollin e ndotjes së ajrit sipas Traktatit të Komunitetit të Energjisë, emetimet e ndotjes në Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Maqedoni të Veriut dhe Serbi janë 6.6 herë më të larta se niveli i lejuar, thuhet në raportin e ri të Bankwatch-it.

Bankwatch është rrjeti më i madh i organizatave mjedisore dhe shoqatave për të drejtat e njeriut në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Raporti, i titulluar “Përputhu ose mbyll”, u publikua më 23 qershor dhe trajton moszbatimin e ligjeve për emetimet e dioksidit të squfurit (SO₂) nga termocentralet e vjetruara me qymyr në Ballkanin Perëndimor, të cilat, vitin e kaluar, i kanë tejkaluar kufijtë ligjorë.

Në të njëjtën kohë është rritur edhe ndotja nga pluhuri, duke arritur nivelin më të lartë që nga hyrja në fuqi e rregullave aktuale në vitin 2018.

Termocentralet me qymyr në Bosnje dhe Hercegovinë kanë qenë emetuesit më të mëdhenj të SO₂, me 196.940 tonë, që është 12.7 herë mbi kufirin e lejuar.

Pas saj renditet Serbia me 177.756 tonë, ose 5.1 herë mbi nivelin e lejuar.

Në të gjithë rajonin, emetimet e SO₂ janë ulur vetëm në mënyrë të lehtë që nga viti 2018.

Kufijtë e emetimeve në vitin 2025 janë bërë edhe më të rreptë se në vitet e mëparshme – gjë që ka çuar në shkelje edhe më të mëdha, thuhet në raportin e Bankwatch-it.

Ndotësi më i madh i SO₂ në vlera absolute mbetet termocentrali Uglevik në Bosnje dhe Hercegovinë, edhe pse ai ka pajisje për desulfurizim.

Emetimet në vitin 2025, me 115.079 tonë, kanë qenë më të lartat që nga hyrja në fuqi e rregullave për kontrollin e ndotjes në vitin 2018.

Ndotja nga pluhuri ka qenë 2.9 herë më e lartë se niveli i lejuar në vitin 2025, duke arritur nivelin më të lartë absolut dhe relativ që nga fillimi i zbatimit të rregullave më 2018.

Kjo është nxitur kryesisht nga një rritje e madhe në termocentralin e Manastirit në Maqedoninë e Veriut, i cili ka dyfishuar emetimet krahasuar me vitin 2024.

Vetëm ai ka emetuar më shumë se 7.094 tonë mbi kufirin e lejuar për të gjithë rajonin.

Qytetarët e Prishtinës në hall me ndotjen e ajrit

Gacko në Bosnje dhe Hercegovinë mbetet gjithashtu emetuesi më i madh relativ i pluhurit. Pavarësisht një rënieje të lehtë krahasuar me vitin 2024, ai ka emetuar 15.1 herë më shumë se niveli i lejuar.

Ashtu si në vitin 2024, emetimet totale të oksideve të azotit nga termocentralet në vitin 2025 kanë qenë 1.4 herë mbi kufirin e lejuar.

Kosova, Bosnje dhe Hercegovina dhe Serbia kanë tejkaluar kufijtë ligjorë, ndërsa emetimin më të madh e ka pasur Nikolla Teslla B në Serbi – 11.247 tonë.

Termocentrali në Plevle në Mal të Zi ka kaluar nëpër një rikonstruksion në vitet e fundit dhe pjesën më të madhe të vitit 2025 nuk ka funksionuar.

Megjithatë, nuk ka prova se ai është në përputhje me standardet e ndotjes që do t’i lejonin vazhdimin e operimit.

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka hapur disa raste shkeljesh kundër vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke konfirmuar funksionimin e paligjshëm të termocentraleve të tyre me qymyr.

Megjithatë, asnjë qeveri nuk ka vendosur gjoba ndaj këtyre termocentraleve dhe nuk ka plane të qarta, të përditësuara dhe realiste për përputhje me rregullat apo mbyllje të tyre.

Nga janari i këtij viti ka hyrë në fuqi edhe Mekanizmi i BE-së për Rregullimin e Emisioneve të Karbonit (CBAM), i cili rrit koston e eksportit të energjisë elektrike dhe e bën edhe më pak fitimprurës prodhimin nga termocentralet me qymyr. /REL/ /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Hapet festivali “Të Festojmë Ngjashmëritë Tona”, në fokus diversiteti kulturor

Published

on

Në Prishtinë është hapur festivali multikulturor “Të Festojmë Ngjashmëritë Tona”, një ngjarje që promovon kulturën, historitë dhe kontributin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në shoqëri.

Në kuadër të festivalit u prezantua edhe Muzeu Mobil KRAH, i cili përmes rrëfimeve dhe përvojave të ndryshme krijon një hapësirë reflektimi mbi respektin, mirëkuptimin dhe bashkëjetesën.

Në aktivitet morën pjesë kryeministri në detyrë Albin Kurti, ministrja e Kulturës Saranda Bogujevci, si dhe përfaqësues institucionalë dhe të komuniteteve.

Organizatorët theksuan se diversiteti kulturor mbetet një nga vlerat kryesore që e pasuron dhe e forcon shoqërinë, duke promovuar përfshirjen dhe respektin e ndërsjellë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara