Lajmet

Hyseni: Kemi bërë të gjitha përgatitjet për vitin e ri shkollor

Hyseni thotë se çështja e grevave është çështje në të cilën nuk mund të ndikojnë si komunë.

Published

on

Kur po bëhen gati një javë prej kur ka nisur greva në sektorin publik, ku janë të përfshirë edhe mësimdhënësit, në komunën e Gjilanit thonë se kanë bërë të gjitha përgatitjet për të nisur vitin e ri shkollor.

Kryetari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni thotë se çështja e grevave është çështje në të cilën nuk mund të ndikojnë si komunë. Derisa thekson se janë duke bërë disa investime infrastrukturore në disa shkolla të kësaj komune.

“Çështja e grevës është çështje tjetër. Përgatitjet tona si komunë për pjesën tonë si obligim i kemi bërë të gjitha. Tash kemi filluar me investime në disa prej shkollave në kuptimin e nyejve sanitare, ose kemi edhe dy shkolla të tjera që janë duke u punuar në programin e efiçiencës, ku po bëhen ndryshime në infrastrukturë. Ndërkohë, që pjesa tjetër, ne jemi absolutisht të gatshëm që të fillojmë vitin, ndërsa pjesa e grevës është edhe nivel tjetër i diskutimit dhe punë që nuk mund të ndikojmë ne si komunë”, thotë Hyseni.

Lidhur me investimet kapitale në këtë komunë, i pari i Gjilanit tha se tashmë kanë nisur disa projekte infrastrukturore në vlerë prej 7.5 milionë eurosh.

“Tash kemi filluar me disa prej projekteve në investime kapitale në kuptimin e infrastrukturës. Koha dhe periudha e pushimeve verore të bashkatdhetarëve na ka gjetur në një periudhë të vështirë për shkak se kemi qenë në një kohë kur nuk kemi dashur t’i fillojmë punimet për shkak të ngarkesës së madhe, të fluksit të madh, ndërkohë dje kemi filluar me projektin e parë që e kemi nënshkruar së fundmi dhe do të presim edhe projekte të tjera, diku 7.5 milionë investime në infrastrukturë… Zona ekonomike, sheshi i qytetit, objekti i ri i administratës komunale, qarkorja e dytë e qytetit janë disa prej projekteve kryesore, ndërkaq ka edhe projekte tjera, investime kapitale në turizëm në shkolla objekte etj., që janë projekte që po rrjedhin paralelisht”, tregon ai.

Si problem kryesor kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni përmend borxhet e mëdha të trashëguara nga qeverisja e kaluar. Sipas tij, prej 26 milionë eurove kanë arritur t’i shlyejnë 3 milionë.

“Problemi kryesor dhe kapital që po përballemi sot e kësaj dite janë borxhet e mëdha të trashëguara. 26 milionë euro borxhe prej të cilat në 6 muajt e parë të qeverisjes janë paguar mbi 3 milionë euro, ndërkaq të tjerat po presim që t’i paguajmë ndërkohë”, theksoi ai.

Banorët e komunës së Gjilanit ballafaqohen me mungesë të ujit të pijes, por udhëheqësi i kësaj komune thotë se pa një investim kapital problemi i ujit nuk mund të zgjidhet.

“(Uji)Është problem i kamotshëm. Në dy dekadat e fundit kemi pasur mungesa ekstreme të ujit të pijes në 4-5 raste. Tash për tash gjendja e ujit në liqenin e Perlepnicës prej nga e marrim ujin e pijes është deri diku stabile dhe ka edhe burime të tjera alternative që po punojmë t’i funksionalizojmë. Ka shpime individuale, puse që po mundohemi t’i inkuadrojmë në rrjetin e ujësjellësit, mirëpo pa një zgjidhje kapitale, pa një investim kapital problemi i ujit nuk zgjidhet. Kjo mund të jetë qoftë digë apo liqe akumulues mund të jetë edhe alternativë tjetër e furnizimit e cila tash është duke u punuar për momentin, por nuk janë zgjidhje të shpejta që mund të zgjidhen brenda vitit të parë ose vitit të dytë tonë”, thotë kryetari i Gjilanit.

Sa i takon sektorit shëndetësor, Hyseni thotë se përgjithësisht nuk qëndrojnë keq me staf shëndetësor, por konsideron se duhet të bëjnë një organizim të brendshëm.

“Nuk është që jemi keq për numrin e banorëve që i kemi në raport me mjekësinë dhe standardet që kërkojnë jemi thuajse mirë dhe në rregull. Ndërkohë, kërkohet dhe ne po mundohemi që të sigurojmë edhe mjekë tjerë shtesë besoj që brenda këtij muaji ose muajit të ardhshëm do të shpallim një konkurs të ri përmes blerjes së shërbimeve me një organizatë të huaj në mënyrë që t’i mbulojmë edhe fshatrat e mëdha me shërbime shëndetësore në orar të plotë. Besoj që jemi mirë në këtë drejtim, na duhet vetëm një organizim i brendshëm”, thotë ai.

Edhe gjilanasit po përballen me reduktime të energjisë elektrike, por kryetari i kësaj komune, Alban Hyseni thotë se si komunë po angazhohen që të sigurojnë rrymë për institucionet vitale.

lajme

Kurti takon në Paris emisarin Sorensen: Diskutohet për normalizimin dhe dialogun me Serbinë

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron në Paris, është takuar me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, në margjinat e Forumit të Paqes.

Gjatë takimit u diskutua për perspektivat e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve me fokus njohjen reciproke, stabilitetin institucional të paszgjedhjeve në Kosovë, si dhe rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE.

“Diskutuam për stabilitetin e plotë institucional që gëzon tashmë Kosova pas zgjedhjes së presidentit, rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE, si dhe perspektivat për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, me fokus njohjen reciproke”, u shpreh kryeministri Kurti.

Edhe emisari evropian Sorensen konfirmoi takimin përmes një njoftimi, duke vlerësuar bisedën si të frytshme për përcaktimin e hapave të mëtejshëm në dialog dhe procesin e normalizimit në dobi të qytetarëve dhe rajonit. Gjatë qëndrimit në kryeqytetin francez, Kurti gjithashtu zhvilloi një bashkëbisedim me studentë, ku theksoi pritjet e tij që udhëheqja e re e Serbisë të njohë Republikën e Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kosova U19 mposhtet nga Belgjika në raundin e dytë kualifikues

Published

on

By

Përfaqësuesja U19 e Kosovës në futboll e ka nisur me humbje raundin e dytë kualifikues për Kampionatin Evropian Euro 2027, pasi u mposht nga Belgjika me rezultat 2:0.

Në ndeshjen e zhvilluar në Skoci, pjesa e parë përfundoi pa gola, mirëpo belgët zgjidhën sfidën me dy goditje të shpejta me të filluar pjesa e dytë. Naim Amengai realizoi për 1:0 në minutën e 47-të, ndërsa Jessie Da Silva dyfishoi epërsinë dy minuta më vonë.

Sfida e radhës për futbollistët e rinj të Kosovës në kuadër të Grupit A2 do të jetë të shtunën kundër nikoqires së turneut, Skocisë.

Në anën tjetër, edhe Përfaqësuesja U17 e Kosovës ka pësuar humbje në sfidën ndaj Bjellorusisë, ndërsa ndeshjen e ardhshme do ta zhvillojë më 17 nëntor përballë Kazakistanit. Tri ekipet e para të secilit grup do të sigurojnë kalimin në raundin e tretë, me shortin që pritet të tërhiqet më 10 dhjetor. /E.A/

Continue Reading

lajme

Murati prezanton buxhetin për 2027-ën, opozita kritikon investimet kapitale

Published

on

By

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar në shqyrtimin e parë para Komisionit për Buxhet Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2027, i cili parasheh shpenzime në vlerë prej 4 miliardë e 268.7 milionë eurosh, të mbështetura nga të hyra prej 4 miliardë e 2 milionë eurosh dhe një deficit fiskal prej 2 për qind.

Gjatë raportimit, ministri Murati theksoi se buxheti reflekton rritjen ekonomike dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së financave publike, ndërsa arsyetoi rritjen e kostos së jetesës me faktorë dhe tronditje të jashtme gjeopolitike.

“Sa i përket inflacionit, patjetër që është problem rritja e kostos së jetesës edhe në Kosovë, sikurse në të gjitha vendet tjera të botës. Kjo ka dy shkaktarë, fillimisht ishte lufta në Ukrainë, e cila ndikoi në tronditjen globale të çmimeve të energjisë, por edhe të ushqimeve, dhe tash së fundi kemi edhe valën e re që vjen si rezultat i konfliktit në Gjirin Persik”, deklaroi Murati.

Prezantimi u pasua me kritika të ashpra nga anëtarët e opozitës. Deputeti nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, ngriti shqetësimin për ngecjen e investimeve kapitale dhe ndikimin e inflacionit në mirëqenien e qytetarëve, duke iu referuar edhe raporteve që tregojnë se mbi një miliard euro investime të planifikuara kanë mbetur të pashpenzuara gjatë viteve të kaluara.

Seanca u karakterizua edhe nga debati i tensionuar mes ministrit Murati dhe deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili kritikoi mungesën e një orientimi të qartë strategjik në infrastrukturë, shëndetësi dhe energji, duke vënë në dyshim pasqyrimin e premtimeve qeverisëse në kornizën trevjeçare buxhetore.

“S’je i interesuar sepse je mashtruesi më i madh që ka pasur ky vend… Buxheti nuk është një plan kontabël, është një dokument strategjik”, u shpreh Hoti gjatë përplasjes direkte me ministrin e Financave.

Sipas planifikimit të ndarjeve buxhetore sipas kategorive ekonomike, për paga janë paraparë 1 miliard e 84.9 milionë euro, për subvencione dhe transfere 1 miliard e 446 milionë euro, ndërsa për investime kapitale është alokuar shuma prej 1 miliard e 70 milionë eurosh. Projektligji pritet të vazhdojë procedimin në komisionet e linjës për shqyrtim të mëtejshëm. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Foda rindërton mbrojtjen pas largimit të Dellovës

Published

on

By

Kombëtarja e Kosovës në futboll është përballur me ndryshime të papritura në repartin defensiv në prag të ndeshjeve ndaj Izraelit dhe Irlandës.

Mbrojtësi Lumbardh Dellova është larguar nga grumbullimi i “Dardanëve”, ndërsa përzgjedhësi Franco Foda ka ftuar në vend të tij Betim Fazlijin. Kjo mungesë e ndërlikon edhe më shumë situatën në prapavijë, meqë jashtë fushave vazhdon të jetë edhe Albian Hajdari për shkak të një lëndimi afatgjatë.

Në skemën e tij të zakonshme 3-4-3, tekniku gjerman do të duhet të rindërtojë treshen e mbrojtjes. Lajm pozitiv për skuadrën është rikthimi i Kreshnik Hajrizit pas lëndimit, i cili pritet të jetë nga minutat e para pranë Ilir Krasniqit dhe Ron Raçit. Si opsione të reja në dispozicion janë edhe dy debutuesit nga Zvicra dhe Suedia, Lindrit Kamberi e Bleon Kurtulus, si dhe Betim Fazliji i cili mbulon disa pozicione në mbrojtje e mesfushë.

“Është e rëndësishme të kemi disa mundësi, jo vetëm për ndeshjet e radhës, por edhe për të ardhmen. Është e rëndësishme ta kemi parasysh të ardhmen e Kombëtares dhe ta ruajmë cilësinë, në mënyrë që të përgatitemi edhe për kualifikimet e Kampionatit Evropian”, u shpreh përzgjedhësi Foda lidhur me zgjedhjet e reja në mbrojtje. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara