Lajmet

Hyjnë në fuqi masat e reja antiCOVID

Published

on

Qeveria e Kosovës të hënën mori masa të reja kundër përhapjes së COVID-19. Prej sot do të ketë orë policore nga ora 22:00 deri në 05:00 të mëngjesit.

Po ashtu gastronomia do të jetë e mbyllur për 11 ditë duke filluar nga sot deri më 18 prill 20121, ato do të lejohen të punojnë vetëm me shërbimin “Take away”.

Institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar do të kalojnë në online nga 12 deri më 18 prill, ndërsa ato universitare nga 7 deri më 18 prill.

Të gjithë qytetarët e Kosovës, gjatë hyrjes në Kosovë duhet të paraqesin vërtetimin për test RT-PCR negativ, të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në Kosovë.

Këto janë masat e reja antiCOVID:

1. Ky vendim zbatohet në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

2. Qytetarët e huaj që hyjnë në Kosovë, përfshirë edhe ata me leje qëndrim të përkohshëm ose përhershëm në Kosovë, që vijnë nga vendet me risk të lartë sipas listës zyrtare të ECDC-së, duhet të kenë test RT-PCR negativ për COVID-19 të bërë në 72 orët e fundit, në bazë të parimit të reciprocitetit.

3. Përjashtim nga pika 2 bëjnë:

3.1. Nëse qytetari i huaj hynë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohet nga Kosova brenda 3 ore përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruajnë deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda 3 ore;

3.2. Qytetarët e huaj që punojnë si transportues profesionistë (vozitësit), me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtar për mbrojtje nga COVID-19;

3.3. Qytetarët e huaj që kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e Kosovës brenda 5 orësh;

3.4. Diplomatët e huaj të akredituar në Kosovë si dhe familjarët e tyre.

4. Të gjithë qytetarët e Kosovës, gjatë hyrjes në Kosovë duhet të paraqesin vërtetim për test RT-PCR negativ të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në Kosovë, në të kundërtën duhet të vetë-izolohen për 7 ditë.

5. Përjashtim nga pika 4 e këtij vendimi, bëjnë qytetarët e Kosovës që kanë dalë jashtë Kosovës në 24 orët e fundit.

6. Në institucionet publike dhe private obligohen që të paraqitet në punë vetëm stafi i cili kryen shërbime esenciale. Përgjegjësit e institucioneve publike dhe private obligohen të definojnë stafin esencial për nevojat e institucionit me hyrjen në fuqi të këtij vendimi.

7. Punëdhënësit publik apo privat udhëzohen të krijojnë kushtet për kryerjen e detyrave të punës nga shtëpia për punëtorët e tjerë që nuk janë staf esencial për nevojat e punëdhënësit. Obligohet punëdhënësi që në bashkëpunim me punëtorët të definojnë pozitat e punës që mund të kryhen nga shtëpia.

8. Në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, në ministri, agjenci ekzekutive, një agjenci rregullatore duke përfshirë degët lokale të tyre, nëpunësi i kategorisë së lartë drejtuese duhet të siguroj që për aq sa është e mundshme zyrtarët publik të kryejnë punën në distancë.

9. Në lidhje me pikën 8, varësisht sipas natyrës së punës, prania fizike e zyrtarit në vendin e punës mund të kërkohet vetëm për aq kohë sa është e nevojshme për kryerjen e detyrës që kërkon prezencën fizike. Ky rregull nuk vlen nëse natyra e punës së zyrtarit kërkon që të jenë prezent fizikisht gjatë tërë orarit të punës (sidomos kur natyra e punës ka të bëjë me sektorin e shëndetësisë, sektorin e sigurisë, shërbimet direkte ndaj qytetarit, organizimit të mbledhjes së qeverisë, arkivën apo rasteve të tjera varësisht sipas specifikave të institucionit).

10. Në lidhje me pikat 8 dhe 9, nëpunësi i kategorisë së lartë drejtuese dhe drejtorët e departamenteve duhet të jenë në vendin e punës gjatë tërë orarit të punës. Në pamundësi drejtori i departamentit zëvendësohet nga një udhëheqës i divizionit.

11. Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative, në të gjitha rastet përveç:

11.1.Gjatë ngasjes së automjetit vetëm apo me anëtarët e ngushtë të familjes;

11.2. Gjatë vrapit dhe çiklimit;

11.3. Gjatë ecjeve jashtë zonave të banuara dhe jo në grupe me më shumë se 4 persona të të njëjtës familje.

12. Obligohen institucionet publike dhe private të mbajnë dezinfektues për duar dhe maska për fytyrë në vende të qasshme në hyrje të objektit dhe në ambiente të brendshme.

13. Obligohen institucionet publike dhe private që në hyrje të çdo objekti të vendosin shenja të dukshme të rregullave të sjelljes për mbrojtje nga COVID-19 (përfshirë shenjën e ndalimit të hyrjes në objekt pa maska, respektimin e distancës, etj.)

14. Obligohen përgjegjësit e institucioneve publike, ndërmarrjeve private dhe të çfarëdo subjekti tjetër që të kryejnë dezinfektimin dhe ajrosjet e hapësirave të mbyllura.

15. Nga data 7 prill deri më 18 prill ndalohet qarkullimi i qytetarëve nga ora 22:00 deri në 05:00, përveç:

15.1. Rasteve të natyrës urgjente (për të kërkuar ndihmë mjekësore, blerje të barnave, për të ofruar kujdes ose ndihmë mjekësore, për të shmangur dëmtimin ose për t’i shpëtuar një rreziku lëndimi).

15.2. Qarkullimi për personelin shëndetësor, të sigurisë dhe operatorët që kryejnë punë dhe shërbime publike;

15.3. Operatorëve ekonomik që sigurojnë funksionimin e zinxhirit të furnizimit (përfshirë transportin e mallrave/ shërbimeve), por me kusht që të pajisen me leje të veçantë nga sistemi EDI i Administratës Tatimore të Kosovës.

16. Të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar (nga data 12 prill deri me 18 prill), dhe të gjitha institucionet publike dhe private universitare nga data (7 prill deri me datë 18 prill) obligohen që të organizojnë formën e mbajtjes së aktivitetit mësimor sipas udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Institucionet parashkollore dhe fillore vazhdojnë aktivitetin normalisht, duke i respektuar masat dhe rekomandimet kundër COVID-19.

17. Përjashtim nga pika 16, bën mbarëvajtja e provimeve të cilat mund të mbahen fizikisht në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, publik dhe privat, por duke respektuar masat dhe distancën fizike dhe duke u bërë ndarja në grupe nga 10 persona.

18. Konviktet dhe menzat pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 7 prill deri me datë 18 prill 2021.

19. Të gjitha institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit, iu ndalohet organizimi i aktiviteteve jashtë mësimore, siç janë ekskursionet, shëtitjet grupore, ahengjet e ndryshme të stafit mësimor apo të nxënësve – studentëve.

20. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve udhëzohet të lirojë të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale që menaxhohen nga MFPT-ja nga paraqitja e rregullt në zyrat përkatëse për qëllime të evidentimit siç kërkohet me ligjet përkatëse.

21. Ndalohen të gjitha grumbullimet me rrezikshmëri të lartë të shpërndarjes së infeksionit, me më shumë se 10 persona, (mbledhjet, seminaret, trajnimet, homazhet). Përjashtimisht, pavarësisht numrit të personave mbajtja e të pames dhe dasmave ndalohet.

22. Përjashtim nga pika 21, bëjnë mbledhjet e Kuvendit të Kosovës, mbledhjet e Qeverisë, apo mbledhjet me interes të veçantë publik.

23. Lejohen funeralet vetëm me pjesëmarrje të familjes së ngushtë.

24. Ndalohet veprimtaria e qendrave të mbyllura tregtare përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre siç janë marketet ushqimore dhe farmacitë nga data 7 prill deri më datë 18 prill, ndërsa në qendrat e hapura tregtare lejohet aktiviteti duke i respektuar masat dhe rekomandimet për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID – 19.

25. Obligohen marketet e mbyllura ushqimore që të kufizojnë numrin maksimal të konsumatorëve në të njëjtën kohë sipas rregullit, 1 person për 8m2. Marketet obligohen të shënojnë në hyrje numrin maksimal të konsumatorëve të lejuar në të njëjtën kohë.

26. Konsumatorët janë të obliguar të respektojnë distancën fizike prej 2 metrave.

27. Shërbimet e gastronomisë obligohen të pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 7 prill deri me datë 18 prill. Të njëjtat ndalohen edhe në hapësirat e brendshme të shërbimeve gastronomike të marketeve, furrave të bukës, burektoreve, qebaptoreve, pikat e shitjes së karburanteve.

28. Shërbimet e gastronomisë lejohen të punojnë vetëm me shërbim “merr me vete”, “dërgesë me porosi” dhe “drive-through”. Shërbimi “dërgesë me porosi” lejohet të funksionojë edhe pas orës 22:00, pas pajisjes me leje të veçantë nga sistemi EDI (ATK).

29. Në hotele dhe akomodime të ngjashme, shërbimi i pijeve dhe ushqimeve lejohet vetëm në dhoma.

30. Ndalohet veprimtaria e tregjeve publike të automjeteve dhe kafshëve.

31. Therja e kafshëve lejohet vetëm në ambientet e autorizuara për këtë qëllim.

32.Transporti publik lejohet të punojë duke shfrytëzuar deri 50% kapaciteteve.

33. Taksitë lejohen të punojnë me një (1) pasagjer prapa ose (3) nëse janë anëtarë të së njëjtës familje.

34. Institucionet vartëse të MKRS dhe komunave (siç janë teatrot, bibliotekat, filarmonitë, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe dhe të ngjashme), lejohet të punojnë nga ora 5:00 deri në orën 21:00, duke shfrytëzuar deri në maksimum 20% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitetet (si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime).

35. Lejohen aktivitetet sportive vetëm për qëllime profesionale në hapësira të mbyllura dhe të hapura pa prezencë të publikut, dhe të cilat duhet të realizohen në përputhje me protokollet vendore dhe ndërkombëtare sportive.

36. Përjashtimisht pikës 35, ndalohet aktiviteti në hapësira të mbyllura të fitneseve dhe palestrave.

37. Lejohet shfrytëzimi i fitneseve, palestrave për aktivitete individuale rekreative vetëm në hapësira të hapura.

38. Obligohet Ministria e Shëndetësisë që në rast nevoje të nxjerrë udhëzime për sqarimin e pikave të këtij vendimi.

39. Obligohet Ministri i Shëndetësisë, AUVK dhe Policia e Kosovës, që në bashkëpunim me shtabet emergjente komunave, të mbikëqyrë zbatimin e këtij vendimi dhe të dorëzojnë në Zyrën e Kryeministrit raport javor (çdo të premte deri në orën l6:00).

40. Obligohet Ministri i Shëndetësisë, SHSKUK dhe IKSHP të dorëzojnë në Zyrën e Kryeministrit raportin javor (çdo të premte deri në orën 16:00) për zbatimin e masave, gjendjen në institucionet shëndetësore, gjendjen epidemiologjike si dhe parashikimet për dy javët në vijim.

41. Obligohet Ministri i Shëndetësisë që, bazuar në Ligjin Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19, në territorin e Republikës së Kosovës të nxjerrë vendime operacionale varësisht prej situatës epidemiologjike dhe rekomandimeve të IKSHP-së.

42. Obligohet Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse të mbikëqyrin zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në zbatim të Ligjit Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës.

43. Për shkelësit e masave, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore sipas Ligjit Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës dhe ligjeve të tjera në fuqi.

44. I vetmi autoritet që mund të interpretojë këtë vendim është Ministria e Shëndetësisë, ndërkaq çdo institucion tjetër mund të ofrojë sqarime për kategoritë respektive për të cilat aplikohet ky vendim, vetëm pas miratimit të atij sqarimi nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

45. Shfuqizohet Vendimi i Qeverisë Nr. 01/63 i datës 11.02.2021.

46. Vendimi hyn në fuqi ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe vlen deri në një vendim tjetër.

Vendi

Arrestohen pesë persona pas një përleshjeje fizike në Ferizaj, një i lënduar dërgohet në QKUK

Published

on

By

Pesë persona janë arrestuar dhe janë ndaluar për 48 orë pas një përleshjeje fizike që ka ndodhur pas mesnatës në rrugën “12 Qershori” në Ferizaj, në afërsi të dy lokaleve.

Si pasojë e incidentit, tre persona kanë pësuar lëndime trupore. Njëri prej tyre, 33-vjeçari me inicialet SH.A., për shkak të natyrës së lëndimeve është transferuar për trajtim të mëtejmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, ku do të intervistohet nga policia posa t’i stabilizohet gjendja shëndetësore.

Sipas Policisë së Kosovës, gjatë intervistimit njëri nga të dyshuarit ka pranuar se ka përdorur një kaçavidë gjatë përleshjes, me të cilën dyshohet se e ka goditur viktimën. Policia ka sekuestruar kaçavidën në cilësinë e provës materiale, si dhe ka siguruar një incizim të ngjarjes që do t’i dorëzohet prokurorisë.

Të arrestuarit për këtë rast janë: D.A. (21 vjeç), E.A. (22 vjeç), A.N. (39 vjeç), O.A. (18 vjeç), A.A. (22 vjeç)

Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarve janë iniciuar raste për veprat penale “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Pjesëmarrje në rrahje”. Hetimet po vazhdojnë për të identifikuar persona të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë incident. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Përfshihet nga zjarri një deponi me goma të vjetra në Sllatinë

Published

on

By

Një deponi për grumbullimin e gomave të vjetra në Sllatinë është përfshirë nga zjarri, duke shkaktuar tym të zi dhe të dendur që është përhapur në zonën përreth. Deponia ndodhet në afërsi të rrugës kryesore.

Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve për zonën e Prishtinës, Abdusamed Shkodra, ka konfirmuar për mediat se ekipet janë nisur menjëherë drejt vendit të ngjarjes për të lokalizuar dhe shuar flakët.

Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme të tjera materiale, ndërsa zjarrfikësit po vazhdojnë punën në terren. /Ekonomia online/

Continue Reading

Rajoni

Ministri i Shqipërisë Hoxha i përgjigjet Gjuriqit: Lumenjtë duhet të bartin ujë, jo kërcënime

Published

on

By

Pas reagimit të kryeministrit Edi Rama, nuk ka munguar as ai i Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha. Kryediploti shqiptar i është përgjigjur deklaratave të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, duke theksuar se e ardhmja e rajonit qëndron te dialogu, besimi dhe bashkëpunimi pragmatik, e jo te kërcënimet apo akuzat.

Përmes një reagimi lidhur me debatin për lumin Ibër, kryediploti shqiptar bëri të ditur se uji nuk duhet të përdoret si instrument ndëshkimi. Ndonëse Ibri nuk rrjedh përmes Shqipërisë, Hoxha nënvizoi se çfarëdo kërcënimi për ndërprerjen e ujit dëmton bashkëjetesën paqësore në të gjithë rajonin.

“Lumenjtë duhet të bartin ujë, jo kërcënime, ndërsa kufijtë duhet të përcaktojnë juridiksione, jo të ndajnë përgjegjësinë tonë për paqen”, ka deklaruar Hoxha.

Më tej, ai hodhi poshtë pretendimet për projekte të mëdha territoriale, duke potencuar se i vetmi projekt që e intereson Shqipërinë është një “Bashkim Evropian më i Madh”, që përfshin Kosovën, Serbinë, Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit.

Kryediploti i Shqipërisë shprehu gatishmërinë e plotë për dialog dhe bashkëpunim konkret mes shqiptarëve dhe serbëve, duke bërë thirrje për më shumë fokus drejt së ardhmes evropiane dhe më pak drejt mitologjive të së kaluarës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

BE-ja: Deklaratat për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit duhet të shmangen

Published

on

By

Bashkimi Evropian ka thënë se deklaratat për ndryshimin e mundshëm të rrjedhës së lumit Ibër, si dhe veprimet që nuk i shërbejnë normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të shmangen.

“Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm përmes dialogut”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian më 11 gusht.

“Deklaratat, përfshirë ato për ndryshime të mundshme të rrjedhës së lumit, dhe veprimet që nuk e mbështesin këtë synim duhet të shmangen”, thuhet në përgjigjen e Komisionit Evropian për Radion Evropa e Lirë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 9 gusht se autoritetet serbe po shqyrtojnë me ekspertë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit, duke e lidhur këtë me rrënimin e shtëpive dhe vilave të serbëve pranë Liqenit të Ujmanit, në veri të Kosovës.

Deklarata e tij nxiti reagime të ashpra nga zyrtarët në Kosovë dhe u pasua edhe nga një përplasje publike ndërmjet zyrtarëve të Shqipërisë dhe Serbisë.

Komisioni Evropian rikujtoi gjithashtu se përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është parakusht që të dyja palët të avancojnë në rrugën e tyre evropiane.

BE-ja komentoi edhe rrënimet e fundit në zonën e Liqenit të Ujmanit, me të cilat presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kishte lidhur deklaratën e tij për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit.

“Sa i përket situatës në liqenin e Gazivodës/Ujmanit, ne tashmë kemi shprehur shqetësimet tona lidhur me rrënimet e fundit”, thuhet në përgjigje.

Sipas Komisionit Evropian, çdo masë zbatuese me pasoja të pakthyeshme duhet të respektojë procesin e rregullt ligjor.

“Personave të prekur duhet t’u jepet mundësi efektive për të kërkuar mbrojtje ligjore dhe, kur është e zbatueshme, mbrojtje të përkohshme gjyqësore para se masa të zbatohet”, thuhet në përgjigje.

Lumi Ibër, rreth 270 kilometra i gjatë, buron në Mal të Zi, kalon nëpër Serbi dhe më pas hyn në Kosovë, ku furnizon liqenin artificial të Ujmanit.

Rreth dy të tretat e këtij liqeni ndodhen në territorin e Kosovës.

Uji nga sistemi i Ujmanit dhe Ibër-Lepencit furnizon shtatë komuna, përdoret për ujitje dhe për ftohjen e termocentraleve në Obiliq, të cilat prodhojnë pjesën më të madhe të energjisë elektrike në Kosovë.

Ekspertët që kanë folur më herët për Radion Evropa e Lirë kanë thënë se devijimi i rrjedhës së Ibrit është teknikisht i mundshëm, por do të ishte jashtëzakonisht i kushtueshëm dhe, nëse do t’i shkaktonte dëme Kosovës, do të binte ndesh me parimet e së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare.

Serbia është nënshkruese e Konventës së Kombeve të Bashkuara të vitit 1997 për përdorimin e rrjedhave ujore ndërkombëtare për qëllime të tjera përveç lundrimit.

Kjo konventë përcakton, mes të tjerash, parimin e shfrytëzimit të drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare, si dhe detyrimin për të mos u shkaktuar dëme të konsiderueshme shteteve të tjera.

Kosova nuk është palë në këtë konventë, pasi nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara. /REL/

 

 

Continue Reading

Të kërkuara