Lajmet

Hulumtimi: TikTok ndan të dhënat tuaja më shumë se çdo aplikacion tjetër nga mediat sociale

Sipas tij, është e mundur të gjurmohet aktiviteti juaj në sajte të tjera edhe pasi të dilni nga aplikacioni.

Publikuar

Sipas një hulumtimi të fundit, të publikuar muajin e kaluar nga kompania e marketingut celular URL Genius, YouTube dhe TikTok gjurmojnë të dhënat personale të përdoruesve më shumë se çdo aplikacion tjetër i mediave sociale.

Hulumtimi zbuloi se YouTube, e cila është në pronësi të Google, kryesisht mbledh të dhënat tuaja personale për qëllimet e veta – si përshembull gjurmimin e historisë suaj të kërkimit në internet, apo edhe vendndodhjen suaj, për t’ju shërbyer reklama përkatëse.

Por TikTok – i cili është në pronësi të gjigantit kinez të teknologjisë ByteDance – sipas hulumtimit, kryesisht lejon gjurmuesit e palëve të treta të mbledhin të dhënat tuaja dhe prej andej, është e vështirë të thuhet se çfarë ndodh me to.

Me gjurmimin e palëve të treta, është në thelb e pamundur të dihet se kush po gjurmon të dhënat tuaja ose çfarë informacioni ata po mbledhin, duke nisur nga cilat postime ju ndërveproni – dhe sa kohë shpenzoni për secilin – deri tek vendndodhja juaj fizike dhe çdo informacion tjetër personal që ndani me aplikacionin.

Siç vuri në dukje studimi, gjurmuesit e palëve të treta mund të gjurmojnë aktivitetin tuaj në sajte të tjera edhe pasi të dilni nga aplikacioni, përcjell UBT News.

Për të bërë studimin, URL Genius përdori funksionin Record App Activity nga iOS i Apple për të numëruar se sa domene të ndryshme ndjekin aktivitetin e një përdoruesi në 10 aplikacione të ndryshme të mediave sociale – YouTube, TikTok, Twitter, Telegram, LinkedIn, Instagram, Facebook, Snapchat, Messenger dhe Whatsapp – gjatë një vizite, para se ju madje të hyni në llogarinë tuaj.

YouTube dhe TikTok kryesuan aplikacionet e tjera me 14 kontakte rrjeti secili, shifër dukshëm më e lartë se numri mesatar i studimit prej gjashtë kontaktesh rrjeti për aplikacion.

“Konsumatorët aktualisht nuk janë në gjendje të shohin se çfarë të dhënash ndahen me rrjetet e palëve të treta, ose se si do të përdoren të dhënat e tyre”, shkruajnë autorët e raportit.

Në tetor, Wired publikoi një udhëzues se si TikTok gjurmon të dhënat e përdoruesve, duke përfshirë vendndodhjen tuaj, historikun e kërkimit, adresën IP, videot që shikoni dhe sa kohë kaloni duke i parë ato. Sipas tij, TikTok mund të “nxjerr në përfundim” karakteristikat personale nga mosha juaj deri në gjininë tuaj bazuar në informacionet e tjera që mbledh. Google dhe faqet e tjera bëjnë të njëjtën gjë, një praktikë e quajtur “inferred demographics.”

TikTok ka qenë subjekt i kritikave në të kaluarën për mënyrën se si kompania mbledh dhe përdor të dhëna, veçanërisht nga përdoruesit më të rinj, duke përfshirë pretendimet se kompania ka transferuar disa të dhëna private të përdoruesve në serverët kinezë.

Siç vuri në dukje CNBC vitin e kaluar, politikat e privatësisë së TikTok thotë se aplikacioni mund të ndajë të dhënat e përdoruesit me kompaninë e tij mëmë kineze, megjithëse pretendon se përdor masa sigurie për të “mbrojtur të dhënat e ndjeshme të përdoruesit”.

Në vitin 2020, ish-presidenti amerikan Donald Trump u përpoq të ndalonte TikTok-un në SHBA për shkak të shqetësimeve në lidhje me politikat e sigurisë së të dhënave të aplikacionit, po presidenti aktual Joe Biden u tërhoq nga kjo dhe urdhëroi një rishikim të kërcënimeve të mundshme të sigurisë të paraqitura nga aplikacionet në pronësi të huaj./UBTNews/

Lajmet

​BE: Rezultatet në procesin e dialogut nuk janë dështim i Lajçakut, por i palëve

Publikuar

nga

Përfaqësues të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme e Siguri, kanë deklaruar të hënën se progresi i vogël në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, nuk është dështim i përfaqësuesit special për dialogun, në këtë rast i Miroslav Lajçak, por është dështim i palëve.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në një konferencë për media theksoi se emisari Lajçak dhe përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, kanë përkrahjen e plotë të shteteve anëtare sa i përket dialogut Kosovë – Serbi.

Ai tha se nëse palët nuk duan të lëvizin në rrugën drejt BE-s, atëherë askush nuk mund t’i detyrojë ata.

Çfarë gjëra kemi mësuar? Ka një mësim shumë të qartë, se nëse palët nuk janë të gatshme të lëvizin, sigurisht që askush nuk do të jetë në gjendje t’i detyrojë ato. Roli ynë si lehtësues i BE-së në dialogun e Beogradi-Prishtinë është t’i lehtësojmë, t’i ndihmojmë ata të bëhen evropianë, t’i ndihmojmë ata të fillojnë të sillen në mënyrë evropiane dhe të gjejnë zgjidhje kompromisi për çështje të rëndësishme për qytetarët e tyre. Fakti që ata nuk ishin në gjendje ta bënin deri më tani dhe të ecnin përpara në procesin e normalizimit nuk është për shkak të dështimeve të perceptuara apo të supozuara të BE-së si lehtësues, është për shkak të dështimit të tyre për bërë pjesën e tyre”, theksoi ai.

Më tej Stano shtoi se nuk është e saktë të thuhet se ka dështim për faktin se palët nuk e kanë nënshkruar Marrëveshjen e Ohrit.

Pra, sigurisht që nuk është e vërtetë të paraqesim rezultatet e pakta të deritanishme si një dështim të zotrit Lajçak. Ai bëri më të mirën në emër të Përfaqësuesit të Lartë, në emër të Bashkimit Evropian, me mbështetjen e plotë të 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Nuk është faktikisht e saktë të thuhet se ka dështuar për të arritur diçka sepse ishin të dyja palët që nuk e kanë caktuar marrëveshjen e Ohrit. Sërish, me herë të panumërta e kemi shpjeguar se asnjëherë nuk ka qenë çështje nënshkrimi për ne, kjo marrëveshje është ligjërisht e detyrueshme dhe nuk ka shprehje më të mirë të faktit se meqë është ligjërisht e detyrueshme ajo u bë pjesë integrale e pjesës së anëtarësimit të të dyjave, të Serbisë dhe Kosovës, kështu që nëse nuk ka lëvizje në zbatimi, palët po dëmtojnë veten, të ardhmen e tyre evropiane dhe përfitimet nga të cilat qytetarët e tyre do të mund të korrin nga ecja përpara dhe avancimi i dialogut. Kështu që ne do të vazhdojmë, BE-ja ka një rol të mandatuar ndërkombëtarisht në këtë. Përfaqësuesi i Lartë është lehtësuesi dhe ai do të vazhdojë, qoftë nëse do të quhet Joseph Borel apo kushdo tjetër që do të vijë”, theksoi Stano.

Vazhdo të lexosh

Lajmet

Vrasja e Marigona Osmanit, në maj nis rigjykimi ndaj Krivaqës e Sejdiut

Publikuar

nga

Më 16 maj të këtij viti do të mbahet rigjykimi për vrasjen e Marigona Osmanit në Ferizaj. Gjykata Themelore në Ferizaj njofton se më 16 maj nis seanca gjyqësore në çështjen penale kundër të pandehurit Dardan Krivaqa.

Sipas njoftimit, për vrasjen e Marigona Osmanit akuzohen Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu.

Ju njoftojmë se më 16 maj 2024, duke filluar nga ora 10:00, është planifikuar të mbahet seanca gjyqësore në çështjen penale kundër të pandehurit D.K., i akuzuar për shkak të veprave penale dhunimi nga neni 227 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe veprës penale në bashkëkryejre vrasja e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3, 1.4 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, si dhe të pandehurit A.S., i akuzuar për shkak të veprave penale në bashkëkryejre vrasja e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3, 1.4 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe veprën penale ndihma në kryerjen e veprës penale të dhunimit nga neni 227 paragrafi 4 nën paragrafi 4.1 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 28 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Seanca do të mbahet në sallën e gjykimit I, në objektin të Gjykatës Themelore në Ferizaj dhe është e hapur për publikun.

Marigona Osmani është vrarë më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa në Ferizaj.

Tetë muaj më parë, për vrasjen e Marigona Osmanit, Gjykata Themelore në Ferizaj ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën, për veprën penale “vrasje e rëndë”. Ndërkaq, Arbër Sejdiu është dënuar me 15 vjet burgim, për veprën penale “ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë”. Ndërsa, Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim.

Vazhdo të lexosh

Lajmet

Sfidat e bizneseve diskutohen në takimin e zëvendësministrit Sallahu dhe Dhomën e Tregtisë

Publikuar

nga

Problemet e bizneseve me procedurat e përmbarimit, numri i ulët i gjykatësve si dhe vonesat në trajtim të rasteve në Gjykatën Komerciale ishin disa nga çështjet e diskutuara në takimin e realizuar ndërmjet përfaqësuesve të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë me Zëvendësministrin e Drejtësisë, Blerim Sallahu.

Problemet e bizneseve me procedurat e përmbarimit, numri i ulët i gjykatësve si dhe vonesat në trajtim të rasteve në Gjykatën Komerciale ishin disa nga çështjet e diskutuara në takimin e realizuar ndërmjet përfaqësuesve të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë me Zëvendësministrin e Drejtësisë, Blerim Sallahu.

Zana Beqiri, Drejtore e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë falënderoi Zëvendësministrin Sallahu për takimin dhe theksoi që një ndër ankesat e cila ka të bëjë me mos funksionimin e përmbaruesve si rrjedhojë e mundësisë së ankesës në Gjykatë nga ana e bizneseve, ani pse ekziston si dëshmi kontrata dhe fatura e rregullt e nënshkruar nga po ata.

Ndërsa sipas Mazllum Baraliu, Konsulent në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, vlerë e shtuar për DHTIK është komuniteti i bizneseve që ajo përfaqëson.

Prandaj është mëse e nevojshme që të përfshihet në grupet punuese për Projektligjin për Përmbarim, ashtu që në draftin final të merren në konsideratë dhe të përfshihen edhe komentet e bizneseve vendore. Ai tutje shtoi që Dhoma e Tregtisë që në fazën e hartimit të Ligjit për Gjykatën Komerciale ka rekomanduar që duhet të parashihet numër më i madh i gjykatësve, mungesa e të cilëve sot po ndikon që lëndët e kësaj Gjykate të kenë dinamikë të ulët të trajtimit”, thuhet në komunikatë.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, theksoi që bashkëpunimi me komunitetin e bizneseve është i domosdoshëm, sepse vetëm në këtë mënyrë sipas tij do të sigurohet që draftet finale të ligjeve të jenë gjithë përfshirëse.

Sipas Zëvendësministrit Sallahu, Ministria e Drejtësisë është duke trajtuar këto çështje, me theks të veçantë problemin e përmbaruesve, ndërsa për rastet e shumta dhe të pa trajtuara në Gjykatën Komerciale shtoi që aktualisht është duke u finalizuar Ligji për Gjykatën Administrative e që në mënyrë direkte do të ndikoj në uljen e rasteve të Gjykatës Komerciale.

Vazhdo të lexosh

Lajmet

​Kurti bisedë tefelonike me kancelarin Scholz, i kërkon mbështetje për anëtarësim në KiE

Publikuar

nga

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz. Në njoftim thuhet se marrëdhëniet ndërshtetërore dhe integrimi evropian i Kosovës, përkatësisht anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës ishin temat kryesore të bisedës.

Në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit thuhet se kryeministri Kurti e ka njoftuar kancelarin gjerman për progresin e arritur socio-ekonomik në këto tri vjet qeverisje në Kosovë: për zhvillimin e ekonomisë dhe përmirësimin në indikatorët e demokracisë e të sundimit të ligjit.

Me kornizën më të avancuar në Evropë për të drejtat dhe mbrojtjen e komuniteteve joshumicë, të theksuara edhe nga raporti i Juristëve Eminent të Këshillit të Evropës, rezultatet në demokraci, sundim të ligjit dhe të drejtave të njeriut, pranimi i Kosovës në Këshill të Evropës është veprimi i drejtë dhe vendimi i duhur në promovimin e vlerave të vetë Këshillit dhe avancimin e demokracisë, theksoi kryeministri gjatë diskutimit mbi procesin e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, teksa kërkoi nga kancelari mbështetjen e Gjermanisë deri në anëtarësim e plotë të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Më tej thuhet se Këshilli i Evropës, mbi bazën e raportit të raportueses, Dora Bakoyannis, i cili brenda kishte edhe rekomandimet e Juristëve Eminent të Këshillit të Evropës, u votua me 82% të votave nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës.

Opinioni i Asamblesë së Këshillit të Evropës kërkon nga Komiteti i Ministrave që pa parakushte e kushte shtesë të pranojë Kosovën si anëtaren më të re të saj e që njëherësh është shteti i vetëm demokratik evropian që ende nuk është pjesë e kësaj organizate të rëndësishme. Pranimi i Kosovës në Këshill të Evropës forcon të drejtat e njeriut dhe të drejtat e komuniteteve joshumicë pasi ju garanton qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet më tutje në komunikatë.

Vazhdo të lexosh

Të kërkuara