Gjinia e një foshnjeje nuk përcaktohet vetëm rastësisht, por është rezultat i një sërë faktorësh biologjikë dhe gjenetikë, të cilët mund të shpjegojnë pse disa familje kanë kryesisht djem, ndërsa të tjera vetëm vajza.
Kjo u konfirmua nga një studim i ri i publikuar në revistën Science Advances.
Studiuesit nga Universiteti i Harvardit analizuan të dhëna nga më shumë se 146,000 shtatzëni, të mbledhura nga 58,000 infermiere në SHBA midis viteve 1956 dhe 2015.
Ata zbuluan se familjet që kishin tre ose më shumë fëmijë të të njëjtës gjini kanë më shumë gjasa që fëmija i ardhshëm të ishte i njëjti seks.
Sipas studiuesit kryesor, Jorge Chavarro, “Nëse tashmë keni dy ose tre vajza dhe po përpiqeni për një djalë, gjasat nuk janë 50-50. Ka më shumë mundësi të keni edhe një vajzë tjetër.”
Rezultatet specifike treguan se: Familjet me tre vajza kishin 58% gjasa që fëmija i katërt të ishte gjithashtu vajzë dhe familjet me tre djem kishin 61% gjasa që të lindte një djalë tjetër.
Faktorët që ndikojnë në gjininë e foshnjës
Një nga faktorët ishte mosha e gruas. Gratë që fillonin të kishin fëmijë pas moshës 28 vjeç kishin pak më shumë gjasa të lindnin fëmijë të së njëjtës gjini, çka mund të lidhet me ndryshime biologjike si rritja e aciditetit në mjedisin vaginal, që mund të favorizojë lindjen e djemve.
Astudimi zbuloi dy gjene të lidhura me gjininë e foshnjës, edhe pse mekanizmi i lidhjes nuk është ende i qartë. Sidoqoftë, sipas Iain Mathieson, profesor i gjenetikës në Universitetin e Pensilvanisë, rezultatet mbi faktorët gjenetikë duhet interpretuar me kujdes, pasi mostra ishte e kufizuar dhe mund të ndikoheshin nga faktorë të tjerë jo të përfshirë.
Edhe pasi u përjashtuan faktorë si abortet apo foshnjat e humbura gjatë lindjes, modeli mbeti i njëjtë, gjinia e foshnjës nuk është çështje fati.
Në të ardhmen, studiuesit synojnë të hetojnë më tej ndikimin e faktorëve të tjerë, si:
Stili i jetesës
Dieta
Ekspozimi ndaj kimikateve në mjedis
Ndërkohë, faktorë tjerë si raca, grupi i gjakut, BMI-ja apo gjatësia nuk duket të kenë ndikim të drejtpërdrejtë. Vlen të theksohet se mostra e studimit nuk përfaqëson popullsinë e përgjithshme, pasi përbëhej vetëm nga infermiere.
Ky studim sfidon idenë se gjinia e një foshnjeje është rastësore dhe sugjeron se biologjia dhe faktorët gjenetikë mund të luajnë një rol të rëndësishëm në këtë proces. /A.Z/UBT News/