Lajmet

Hoxhaj i reagon Bislimit: T’ia ndërrojmë literaturën, nuk po e di çfarë po lexon

Hoxhaj ka kritikuar deklaratën e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimit.

Published

on

Ish-ministri i jashtëm Enver Hoxhaj ka kritikuar deklaratën e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimit, i cili mbrëmë tha se qeveria ka një qëllim tjetër në dialog, e ajo është të negociojë marrëveshje që Kosova dhe Serbia të zotohen se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën.

Hoxhaj, përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka thënë se ishin të qarta mesazhet që i dha sekretari i Shtetit, Antony Blinken, ambasadori amerikan në Kosovë, Hovenier dhe i Dërguari i Posaçëm Eskobar, për marrëveshje që çon në njohje të ndërsjellët midis Kosovës dhe Serbisë.

“Sekretari i Shtetit Blinken tha në fillim të janarit që politika e SHBA-së është njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, e Ambasadori amerikan Hovenier e përsëriti pardje dhe i Dërguari i Posaçëm Eskobar dje, por befas, mbrëmë, Besnik Bislimi tha se qeveria ka një qëllim tjetër në dialog: ajo po negocion marrëveshje që Kosova dhe Serbia të zotohen se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën!”, ka shkruar Hoxhaj.

Tutje, ai ka treguar një fakt historik, për një marrëveshje të ngjashme të bërë nga Gjermania e Hitlerit dhe Bashkimi Sovjetik në vitin 1939.

“Dija dhe imagjinata jonë është e varfër për ta kuptuar këtë politikë. Andaj, ja vetem një fakt historik: Pakti i Mossulmit në mesi të Molotov-Ribbentrop, që ishte nënshkruar mes Reichut gjerman të Hitlerit dhe Bashkimit Sovjetik të Stalinit, me 23 gusht të vitit 1939 nga ministrat e jashtëm Joachim von Ribbentrop dhe Vyacheslav Molotov. Por, kjo marrëveshje nuk e parandaloi Luftën e Dytë Botërore, me pasoja katastrofale për njerëzimin”, ka shkruar Hoxhaj.

Hoxhaj, ka thënë se nëse BE-ja nuk di si të veprojë me de-eskalimin e krizës mes Ukrainës dhe Rusisë, mund ta merr Besnik Bislimin si kryenegociator.

“Sot, Kosova duhet të presë nga ky proces vetëm njohje të ndërsjellë! Por, nëse BE s’di çfarë të bëjë, do i sugjeroja që ta ofrojnë këtë skenar për deeskalimin e krizës mes Ukrainës dhe Rusisë dhe z. Bislimi të jetë Kryenegociator! Ose, z. Bislimi duhet t’ia ndërrojmë literaturën, se nuk po e di se çka po lexon kështu!”, ka shkruar Hoxhaj.

Në fund të shkrimit të tij, ai tha se më e drejtë e duhur është të paraqitet platformë për dialog në Kuvend, dhe siç u shpreh ai, jo Qeveria të shkojnë pa plane, pa ide, pa afat kohor dhe pa asnjë qëllim.

Lajmet

OKB paralajmëron se konflikti në Lindjen e Mesme paraqet rreziqe të mëdha globale

Published

on

By

Shefi i të drejtave të njeriut i OKB-së, Volker Turk, ka paralajmëruar se lufta ka krijuar një situatë “jashtëzakonisht të rrezikshme dhe të paparashikueshme”.

“Ky konflikt ka një fuqi të paparë për të zënë në grackë vendet përtej kufijve dhe në të gjithë botën”, tha ai.

Turk tha se shtetet në Lindjen e Mesme ishin pranë një “katastrofe të plotë”, ndërsa luftimet po i afrohen muajit të fundit, duke vrarë më shumë se 2,000 njerëz në të gjithë rajonin dhe duke shkaktuar çrregullime të mëdha globale në tregjet e energjisë.

“E vetmja mënyrë e garantuar për ta parandaluar këtë është t’i jepet fund konfliktit, dhe unë i bëj thirrje të gjitha shteteve, dhe veçanërisht atyre me ndikim, të bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre për ta arritur këtë.” /Euronews/

Continue Reading

Lajmet

Shiten të gjitha biletat për tifozët shqiptarë për ndeshjen në Poloni

Published

on

By

Biletat e ndara për tifozët shqiptarë për ndeshjen Poloni – Shqipëri janë shitur të gjitha.

Këtë e ka bërë të ditur Federata Shqiptare e Futbollit.

Ndeshja luhet të enjten mbrëma nga ora 20:45 dhe i takon gjysmëfinales së plejofit për kualifikim në Botëror.

“FSHF-ja falënderon të gjithë tifozët për interesin dhe mbështetjen e jashtëzakonshme ndaj Kombëtares në këtë përballje historike, duke i ftuar njëkohësisht të respektojnë dhe ndjekin të gjitha udhëzimet e përcaktuara nga Federata Polake”, shkruan në njoftim FSHF.

 

Continue Reading

Lajmet

Krusha e Madhe: 26 vite pritje, 26 vite qëndresë mbi hirin e krimeve serbe

Published

on

By

Sot mbushen plot 26 vite nga nisja e njërës prej masakrave më tronditëse të luftës së fundit në Kosovë, ajo e Krushës së Madhe, ku makineria vrastare serbe la gjurmë të pashlyeshme dhimbjeje dhe tmerri.

Më 25 mars të vitit 1999, vetëm një ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, forcat policore dhe ushtarake rrethuan fshatin dhe për tri ditë me radhë ushtruan terror dhe vrasje mbi popullatën civile të pambrojtur.

Gjatë kësaj periudhe të përgjakshme, u vranë dhe u masakruan mizorisht 241 banorë, në mesin e të cilëve shtatë fëmijë dhe pesë gra, ku njëra prej tyre ishte shtatzënë.

Nga ky ferr i vërtetë arritën të mbijetojnë me lëndime të rënda vetëm 25 persona, ndërsa fati i 64 të tjerëve vazhdon të mbetet i pazbardhur edhe sot e kësaj dite, duke e mbajtur hapur plagën e ankthit për familjarët që ende presin një përgjigje.

Ndonëse ngjarjet tragjike në Krushë të Madhe ishin pjesë qendrore e aktakuzës në Tribunalin e Hagës kundër Sllobodan Millosheviqit dhe krerëve të tjerë serbë, drejtësia për banorët ka mbetur në gjysmë të rrugës, pasi deri më tani asnjë proces gjyqësor nuk ka dënuar drejtpërdrejt ekzekutorët që kryen këto krime në terren.

Për këtë fshat të Rahovecit, i cili pas luftës u bë simbol botëror i qëndresës përmes forcës së grave të tij, dhimbja mbetet po aq e freskët sa në marsin e vitit 1999, ndërsa kërkesa për llogaridhënie dhe zbardhjen e fatit të të pagjeturve mbetet thirrja kryesore që ushton në çdo përvjetor mbi varret e martirëve.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Sllovakia në ankth para Kosovës

Published

on

By

Ballafaqimi i kësaj të enjteje mes Kosovës dhe Sllovakisë po merr vëmendje të madhe nga mediat në Sllovaki, të cilat po e konsiderojnë këtë përballje si tejet të vështirë dhe një “pagëzim me zjarr”.

Sipas analizave të fundit në shtypin sllovak, kjo është një ndeshje ku luhet gjithçka: ose do të shuhet shpresa për kampionatin veror të futbollit, ose ajo do të jetë gjallë edhe për pesë ditë të tjera deri në finalen e madhe kundër fituesit të çiftit Turqi – Rumani.

Të besuarit e Francesco Calzonas nuk konsiderohen favoritë para kësaj faze vendimtare të kualifikimeve, megjithëse në favor të tyre flet fusha vendase që ua caktoi shorti.

Pengesa e parë, Kosova, vlerësohet si jashtëzakonisht e vështirë pasi futbollistët nga Ballkani shënuan rezultate të jashtëzakonshme në grup, përfshirë fitoren në Suedi, ndaj nuk kanë asnjë arsye të ndihen si autsajderë në Bratislavë, shkruan gazeta sllovake Pravda.

Mediat sllovake theksojnë se Kosova do të jetë veçanërisht e fortë në sulm, duke pasur në përbërje dy emra të mëdhenj nga ligat kryesore si Vedat Muriqin e Mallorcës, golashënuesin e dytë më të mirë në La Liga, dhe Fisnik Asllanin, për të cilin po interesohen klube si Barcelona e Chelsea.

Ndërkohë që cilësia në sulm anon nga Kosova, Sllovakia shpresat i mban te mbrojtja e udhëhequr nga Milan Škriniar, nëse ky i fundit rikuperohet në kohë. Me një rekord prej vetëm gjashtë golash të shënuar në gjashtë ndeshje, formacioni i Calzonas do të kërkojë forcën te mbrojtja e organizuar dhe shfrytëzimi efikas i rasteve, duke tentuar të përsërisë sukseset historike si ai i vitit 2010.

Për Kosovën ky mbetet momenti më i rëndësishëm sportiv që nga pavarësia në vitin 2008, dhe duke qenë se skuadrat nuk janë ndeshur kurrë më parë, gjithçka mbetet e hapur deri në sekondën e fundit, ku nuk përjashtohet as mundësia e shtesave apo goditjes së penalltive.

Continue Reading

Të kërkuara