Në Romë kanë nisur xhirimet e filmit “Raffaella 2000”, i cili sjell historinë e një të reje me origjinë shqiptare, kujtimet e diktaturës komuniste në Shqipëri dhe ëndrrat për liri të frymëzuara nga televizioni italian.
Filmi shënon debutimin në metrazh të gjatë të regjisores Andree Lucini, ndërsa në kastin e aktorëve është edhe aktori shqiptar Edmond Budina, krahas Chiara Ferrara, Laura Adriani, Antonio Bannò, Astrid Meloni dhe Jenny De Nucci.
Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, xhirimet kanë nisur më 2 nëntor në Romë dhe pritet të zgjasin pesë javë.
Ngjarja zhvillohet në ditën e vdekjes së këngëtares dhe prezantueses italiane Raffaella Carrà. Personazhi kryesor, Maru, një e re me origjinë shqiptare që jeton në periferi të Romës, vendos të ndajë në rrjetet sociale historinë e nënës së saj.
Gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri, nëna e Marusë ndiqte programet televizive të Raffaella Carràs, duke ëndërruar për lirinë që në atë kohë i mungonte.
Videoja e Marusë bëhet virale dhe i krijon asaj përshtypjen se më në fund ka ndryshuar jetën. Megjithatë, fama e përkohshme e vë përballë zgjedhjeve të vështira, duke e shtyrë të përballet me presionin për t’iu përshtatur kërkesave të algoritmit dhe për të ruajtur vëmendjen e publikut.
Para këtij projekti, regjisorja Andree Lucini ishte angazhuar në realizimin e filmave të shkurtër dhe dokumentarëve. Ndër punët e saj janë “For an Hour of Love”, i prezantuar në Alice nella Città në vitin 2022, “Full of Grace”, i prezantuar në Festivalin e Filmit në Romë në vitin 2024, dhe “The Girl from Prague”, i nominuar për çmimin David di Donatello në vitin 2025.
“Raffaella 2000” është prodhuar nga Pier Giorgio Bellocchio, Manetti Bros. dhe Désirée Manetti për kompaninë Mompracem, si dhe Laura Catalano për 8 Production. Filmi është bashkëprodhim i Mompracem dhe 8 Production, në bashkëpunim me Rai Cinema, dhe është zhvilluar në kuadër të programit Biennale College Cinema 11 të Bienales së Venedikut.
Realizimi i filmit është mbështetur nga Fondi i Ministrisë së Kulturës për Zhvillimin e Investimeve në Kinema dhe Industrinë Audiovizuale./A.K/