Pas përmbylljes së afatit zyrtar për dorëzimin e listave në KQZ, subjektet kryesore politike në vend kanë zbuluar emrat e kandidatëve me të cilët do të kërkojnë votën e qytetarëve në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Gara pritet të jetë e fortë, me ndryshime interesante në renditje dhe prurje të reja në listat zgjedhore.
Listës së Lëvizjes Vetëvendosje i prin kryeministri aktual, Albin Kurti. Në dhjetëshen e parë radhiten emrat kryesorë të partisë si Glauk Konjufca, Donika Gërvalla, Avni Dehari, Albulena Haxhiu dhe Xhelal Sveçla. Një detaj që ka rënë në sy është mungesa e Besnik Bislimit dhe Hysen Durmishit, me këtë të fundit që deklaroi se ishte vendim i tij personal. Ndërkohë, në listë është përfshirë Arton Konushevci, vëllai i heroit Ilir Konushevci, me numrin 15.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) këtë herë garon me një listë ku bartëse është ish-presidentja Vjosa Osmani, e ndjekur nga kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku. Pjesë e dhjetëshes janë edhe Kujtim Shala, Lutfi Haziri e Anton Quni. Megjithatë, befasi mbetet renditja e Avdullah Hotit dhe Hykmete Bajramit jashtë top-dhjetëshes, përkatësisht me numrat 11 dhe 12. Në listë është rikthyer edhe Ukë Rugova, djali i presidentit historik Ibrahim Rugova.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ishte subjekti i fundit që e bëri publike listën e saj, së cilës i prin kandidati për kryeministër, Bedri Hamza. Pas tij renditen Uran Ismaili e Vlora Çitaku, ndërsa bie në sy ngjitja e Arian Tahirit në dhjetëshen e parë. Një emër që ka nxitur debate është ai i Nait Hasanit, i përfolur për dyshime rreth manipulimeve me vota në zgjedhjet e kaluara, gjë që ka nxitur edhe reagimin e kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj, i cili u distancua nga ky propozim.

Te Aleanca për Ardhmëri të Kosovës, përgjegjësinë e bartësit të listës e ka marrë Ardian Gjini. Ndërkohë, lideri i partisë, Ramush Haradinaj, ka zgjedhur të garojë me numrin 11. Nga ana tjetër, partitë si AKR kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë fare në këto zgjedhje, ndërsa PSD-ja do të jetë e pranishme me një listë të shkurtër prej vetëm gjashtë kandidatësh.
