Lajmet

Historia e trishtë që çoi në krijimin e serialit vizatimor ‘Peppa Pig’

Vajza që inspiroi serialin e njohur vizatimor “Peppa Pig” ka jetuar një jetë të trishtë.

Published

on

Vajza që inspiroi serialin e njohur vizatimor “Peppa Pig” ka jetuar një jetë të trishtë. Ajo banonte në një nga pyjet e Tennessee bashkë me vëllanë dhe prindërit e saj, të cilët vuanin nga skizofrenia.

Prindërit, duke qenë të paqëndrueshëm mendërisht, çdo herë e quanin atë një “Derrkuce” ose me emrin e ndonjë kafshe tjetër, sepse hante shumë ushqim. Kjo e bëri Pepën të imagjinonte se ishte në të vërtetë një kafshë dhe filloi të mendonte se ishte normale të krijonte miqësi me kafshë të tjera.

Një ditë Pepa e rrahu për vdekje vëllanë e saj, George. Me këtë rast, mund të kuptojmë edhe se Pepa nuk dinte ta kontrollonte inatin e saj. Ajo kishte kuptuar se prindërit e lëndonin vetëm atë, por jo vëllanë e saj, ndaj në nerva e sipër, e rrahu keq George duke i dhënë goditje të vazhdueshme në kokë. Prindërit, për ta larguar nga djali, e mbyllën Pepën në bodrumin e shtëpisë dhe e lanë aty për ditë të tëra të uritur.

Përpara se Pepa të vdiste, një burrë kishte humbur në pyllin ku jetonte familja e saj dhe u kërkoi atyre ndihmë për t’u strehuar të paktën për një natë. Prindërit, duke harruar që në bodrum kishin lënë Pepën, e pritën të panjohurin në shtëpi dhe i thanë të strehohej edhe ai në bodrum. I dhanë atij një batanijë, një jastëk, ushqimin e darkës dhe i thanë të zbriste në bodrum për të fjetur. Rastësisht, burri në fjalë takoi aty Pepën dhe i premtoi asaj se do e ndihmonte për ta nxjerrë nga ajo shtëpi, por vetëm nëse Pepa do t’i tregonte historinë e saj.

Pepa i rrëfeu gjithçka mbi jetën e saj të trishtë dhe i panjohuri vendosi të përfitonte prej saj. Ai e strukturoi gjithë historinë e rrëfyer nga Pepa, u dha emra kafshëve dhe ia shiti atë histori një kompanie televizive për të realizuar një serial televiziv për fëmijë.

Ai e ndihmoi atë natë Pepën të mbulohej me batanijen e tij, të konsumonte gjithashtu gjysmën e ushqimit që prindërit e saj i dhanë, por vetëm kaq. Më vonë ai u largua nga ajo shtëpi, i pushtuar nga lakmia dhe me dëshirën për të përfituar prej asaj historie.

Kompanisë televizive iu duk tepër interesante kjo histori dhe vendosi të krijonte filmin vizatimor “Peppa Pig”.

Thuhet se Pepa vdiq disa javë pas transmetimit të serialit. Këtu përfundon edhe historia e saj e trishtë, e cila krahas suksesit televiziv që pati si histori, lë pas një mesazh shumë të rëndësishëm për secilin nga ne. Asnjëherë nuk duhet të përfitohet nga fëmijët, aq më tepër nga fëmijët e sëmurë e të lënë pas dore./Bota.al/

Vendi

Qeveria “Kurti 4” merr dritën e gjelbër në Kuvend, opozita do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës ka votuar formimin e Qeverisë së re të udhëhequr nga Albin Kurti me 62 vota për, tetë kundër dhe asnjë abstenim, duke i siguruar atij mandatin e katërt si kryeministër. Kabineti qeveritar “Kurti 4” mbetet i pandryshuar nga përbërja e mëparshme, pasi Kurti deklaroi se nuk do të prezantojë agjendë të re, pasi zgjedhjet e përsëritura thjesht ndërprenë një qeverisje që do të vazhdojë me fokus te mirëqenia dhe siguria e qytetarëve. Qeveria e re mori mbështetjen e 53 deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe nëntë deputetëve nga komunitetet joshumicë, përfshirë Nenad Rashiqin, ndërsa deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së e bojkotuan votimin, kurse tetë deputetë të Listës Serbe votuan kundër.

Formimit të Qeverisë i parapriu konstituimi i kontestuar i Kuvendit nën drejtimin e Albulena Haxhiut. Pas zgjedhjes së Kujtim Shalës nga LDK-ja, Emilija Rexhepit nga komunitetet joserbe dhe Tanja Vujoviqit nga pakica serbe, Kuvendi u shpall i konstituuar. Megjithatë, procesi u zhvillua pa zgjedhjen e një nënkryetari nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. PDK-ja kishte tërhequr kandidaturën e Vlora Çitakut dhe e ka kundërshtuar fuqishëm këtë vendimmarrje. Nëpërmjet deputetit Përparim Gruda, PDK-ja sqaroi se nuk e ka refuzuar të drejtën e saj, por është tërhequr përkohësisht, duke paralajmëruar dërgimin e çështjes së konstituimit dhe formimit të Qeverisë në Gjykatën Kushtetuese. Në përgjigje, Kurti u shpreh i gatshëm që LVV-ja ta votojë kandidatin e PDK-së sapo ajo ta propozojë atë.

Sfidë kryesore për stabilitetin politik mbetet zgjedhja e presidentit të ri, për të cilën tashmë ka nisur afati kushtetues prej 60 ditësh. Edhe pse LVV-ja dhe LDK-ja kishin arritur dëgjueshmëri për mbështetjen e kandidatit Bekim Sejdiu, përçarjet e brendshme në LDK, ku gjashtë nga 18 deputetë refuzojnë ta votojnë atë, e bëjnë të pamjaftueshëm numrin prej 62 votash që ka Qeveria.

Përfaqësues të opozitës e shohin këtë situatë si një skenar të kalkuluar që çon vendin në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme rreth datës 27 dhjetor. Kjo periudhë përkon me ardhjen e diasporës, një baze elektorale ku LVV-ja gëzon mbështetje masive, duke e bërë dështimin potencial të zgjedhjes së presidentit një pikë kthese strategjike për të ardhmen politike të vendit. /E.A/

Continue Reading

Aktualitet

Konstituohet Legjislatura e XI-të e Kuvendit të Kosovës, pozita e PDK-së mbetet e zbrazët

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka konstatuar zyrtarisht të konstituuar Legjislaturën e XI-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ky vendim erdhi pas zgjedhjes së nënkryetarëve nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), komunitetit serb dhe komuniteteve joshumicë joserbe.

Gjatë seancës plenare, Haxhiu bëri të ditur se, përkundër thirrjeve të përsëritura drejtuar Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), deputetët e këtij subjekti nuk ishin të pranishëm në sallë për të tretën herë me radhë, duke mos e ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese për të propozuar kandidatin për nënkryetar.

Ajo nënvizoi se, mbështetur në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, asnjë subjekt politik nuk mund ta mbajë të bllokuar procesin e konstituimit të institucioneve.

Përmes një reagimi pasues në rrjetet sociale, Haxhiu sqaroi se pozita e nënkryetarit mbetet e rezervuar për PDK-në dhe se Kuvendi do të kalojë menjëherë në votim sapo kjo parti ta paraqesë propozimin e saj.

Me përmbylljen e këtij procesi u hapet rrugë procedurave për formimin e Qeverisë së re. Kryetarja e Kuvendit uroi nënkryetarët e zgjedhur dhe falënderoi deputetët pjesëmarrës për ushtrimin e përgjegjësisë institucionale, duke bërë thirrje që funksionalizimi i plotë i shtetit të vazhdojë pa vonesa të panevojshme./E.A/

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 13 shtator 1993-1998

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 

13 shtator 1993

 

U dogjën disa lokale në Qendrën zejtare në Skënderaj

 

Dje herët në mëngjes, rreth orës 01 pas mesnate, në Qendrën zejtare të Skënderajt shpërtheu një zjarr i fuqishëm. Zjarri përfshiu në tërësi Qendrën zejtare dhe me këtë rast u dogjën në tërësi ose pjesërisht lokalet e Aziz Lushtakut nga Prekazi dhe Halil Zenunit nga Llausha, çajtorja e Sejdi Sejdiut nga Klina e Ulët, lokali i “Zhitoprometit” dhe çajtorja e Xhemë Kodrës nga Prekazi i Ulët. Po ashtu u dogj edhe ëmbëltorja e një pronari nga Tetova, kurse u dëmtua çajtorja e Ukshin Lushtakut nga Prekazi i Ulët.

Burimet e LDK-së në Skënderaj njoftojnë se zjarrfikësit mbërrinë me kohë, por megjithatë intervenimi i tyre nuk ishte efikas.

Shkaqet e shpërthimit të këtij zjarri nuk dihen, por dyshohet se ai mund të jetë shkaktuar me qëllim.

Merret vesh se Qendra zejtare në Skënderaj ka qenë e ndërtuar me material të fortë nga një punëmarrës serb.

 

 

 

13 shtator 1994

 

 

Pas krimit të policisë serbe në Deçan gjendje e tensionuar edhe në Junik

 

Pas vrasjes së Violetë Dervishajt para pak ditësh në Deçan dhe keqtrajtimit të shumë qytetarëve shqiptarë, bëhet me dije se nga dita në ditë gjendja po merr përmasa gjithnjë e më shqetësuese edhe në Junik, Njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Junik.

Kështu më 9 shtator, policia thirri që të paraqitet për herë të pestë në polici, Gani H.Shehun, ish-polic dhe kryetar i Sindikatës së Pavarur të SPB-së.

Gjatë tërë kohës sa u mbajt Gani H.Shehu në stacionin e policisë në Deçan, ai u keqtrajtua fizikisht, si dhe u kërcënua që të heqë dorë nga aktiviteti i mëtejmë sindikal.

Ndërsa më 10 shtator, policia mori Muhamet Zukajn, kryetar i Aktivit të LDK-së në fshatin Beleg. Të njëjtën ditë, dy orë më vonë (14:30 minuta), policia ishte në shtëpinë e tij dhe keqtrajtoi rëndë babain e tij, Rrustem Zukaj 80-të vjeçar dhe axhën e tij, Adem Zukaj (65).

Bëhet me dije se Muhamet Zukaj është dërguar në spitalin e Pejës, ngase gjendja e tij shëndetësore nga torturat e njëpasnjëshme të policisë serbe është e rëndë.

 

 

13 shtator 1995

 

 

Reagim i Institutit të Historisë për vendosjen e kolonëve serbë në kompleksin memorial të Lidhjes së Prizrenit

 

Punëtorët e Institutit të Historisë në Prishtinë, përmes një komunikate për opinion, reagojnë ashpër lidhur me vendosjen e kolonëve serbë në kompleksin memorial të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Në reagim thuhet:

“Ky akt ka prapavijë dhe qëllime të caktura politike kundër trashëgimisë kulturore e historike të popullit shqiptar. Me këtë akt anticivilizues, kulturocid e antishqiptar, regjimi aktual serb mundohet të shlyej nga kujtesa gjurmët e luftërave çlirimtare të popullit shqiptar kundër pushtuesve të huaj.

Qëllimet e politikës antishqiptare të pushtetit serb, në vazhdimësi vërtetojnë përpjekjet për shlyerjen e kujtesës historike, si dhe për kolonizimin e trojeve etnike shqiptare. Këto veprime anticivilizuese dhe provokative të pushtetit serb, çojnë kah thellimi i tendosjes së gjendjes jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë.

Kërkojmë nga institucionet ndërkombëtare e posaçërisht nga UNESCO-ja që të ndërmarrë hapa konkret, mbëshetur në aktet ndërkombëtare mbi mbrojtjen e monumenteve kulturore-historike”, thuhet midis tjerash në reagimin e punëtorëve të Institutit të Historisë në Prishtinë.

 

 

13 shtator 1997

 

U varros Nëna Tereze

 

Sot, në Kalkutë të Indisë, me nderimet shtetërore dhe me praninë e qindra mijëra njerëzve e përfaqësuesve shtetërorë të shumë vendeve, u varros Nëna Tereze.

Në varrimin e Nënë Tereze morën pjesë edhe kryeministri i Republikës së Kosovës dr. Bujar Bukoshi dhe delegacioni i Shqipërisë, me në krye presidentin Rexhep Mejdani.

Për të marrë pjesë në varrimin e Nënës Tereze në Kalkutë shkuan edhe përfaqësuesi i Papa Gjon Palit II, presidenti i Rumanisë, Konstantinesku, presidenti italian Skalfaro, kryeministri i Kandasë, presidenti i Afrikës Jugore, Nelson Mendela, bashkëshortja e presidentit Klinton, Hilari, bashkëshortja e Zhak Shirakut, mbretëresha Nur e Jordanit, ministri Narajan, mandej Indar Kumar Gujaram, kryeminstër i Bangladeshit, presidenti i Rumanisë, Sonja Gandi me të bijën.

Për të marrë pjesë në varrim janë ftuar gjithsejt 3 mijë personalitete shtetërore, fetare, përfaqësues të organizatave bamirëse, ndërkaq, në vetë cermonialin e varrimit në stadiumin e qytetit morën pjesë 15. 000 veta.

Ceremonia e varrimit u transmetua nga të gjitha stacionet e rëndësishme televizive botërore, duke filluar nga kanali amerikan CNN që transmetoi drejtpërdrejtë tërë ceremoninë e varrimit, pastaj kanalet italiane, spanjolle e tjerë.

 

 

13 shtator 1998

 

U vra deputeti dhe lideri i lëvizjes demokratike në Shqipëri Azem Hajdari

 

Mbrëmë në orën 21.10 para selisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë në Tiranë u vra në një atentat kriminal deputeti i kësaj partie Azem Hajdari, kryetar i Komisionit të Mbrojtjes të parlamentit shqiptar.

Ky është atentati i katërt kriminal i armatosur i ndërmarrë kundër liderit të dhjetorit dhe një prej themeluesve të Partisë Demokratike të Shqiperisë, në një hark kohor prej një viti qysh nga ardhja e qeverisë socialiste në pushtet.

Sipas dëshmitarëve atentati është kryer nga oficerë policie, të cilët si gjithmonë, nuk janë kapur.

Gazeta “Albania”, në një njoftim me titull “Fatos Nano vret Azem Hajdarin” shkruan sot se deputeti Hajdari u vra duke dalë nga selia qendrore e PD-së në Tiranë. persona që dolën nga makina policie, rreth 30 metra larg selisë, kanë qëlluar me kalashnikov në drejtim të Azem Hajdarit, i cili ishte qëlluar me katër plumba. Me plagë vdekjeprurëse, Azem Hajdarit i rrahu pulsi deri në spitalin ushtarak.

Në vend është vrarë edhe truproja e tij Besim Çerja dhe është plagosur rëndë Zenel Neza (29).

Pasi u dha lajmi për atentatin, qindra qytetarë të Tiranës shkuan te selia e Partisë Demokratike. Gratë qanin me kuje, ndërsa burrat bërtisnin të zemëruar ndaj kriminelëve që vranë heroin e demokracisë shqiptare, shkruan sot “Albania”.

Partia Demokratike vlerëson se ky akt kriminal është vazhdimësi e qërimit të hesapeve ndërmjet administratës së Nanos dhe Partisë Demokratike, e cila shënon krahun më të fortë opozitar në Shqipëri. Partia Demokratike njofton se vrasës i deputetit Hajdari është Jaho Salihi, shef i rendit në policinë e Tropojës.

Qeveria e Republikës së Shqipërisë, shpalli mbrëmë një deklaratë lidhur me vrasjen e deputetit Hajdari.

Qeveria shqiptare i shpreh ngushëllimin e saj më të thellë familjes Hajdari, gruas dhe fëmijëve për atentatin e bashkëshortit dhe babait të tyre Azem Hajdari. Ajo dënon me forcë aktin tragjik, i cili i mori jetën deputetit Hajdari dhe shoqëruesit të tij në mbrëmjen e ditës së shtunë 12 shtator.

Atentati ndaj liderit të dhjetorit dhe deputetit të Partisë Demokratike përbën një humbje të madhe për demokracinë shqiptare.

Qeveria ka angazhuar të gjitha strukturat e rendit, policisë kriminale dhe SHIK-ut për të gjurmuar dhe zbuluar autorët e krimit.

Ajo i lutet të afërmve, partive politike, Partisë Demokratike në veçanti që të gjejnë forca, të përmbajnë pikëllimin dhe emocionin për humbjen e njeriut të tyre të zemrës. Qeveria i kërkon të gjithë personave apo dëshmimtarëve të ngjarjes që të bashkëpunojnë dhe t’i ofrojnë informacionin që kanë organeve shtetërore.

Gjendja gjatë natës dhe sot në Tiranë dhe në Shqipëri është e tensonuar.

 

Continue Reading

Vendi

Prishtina mbush sheshet në “Marshin për Liri” në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së vetëm katër ditë para verdiktit të Hagës

Published

on

By

Sot në kryeqytetin e Kosovës po mbahet një nga tubimet më të mëdha qytetare të periudhës së fundit, “Marshi për Liri”, i organizuar nga lëvizja qytetare “Liria ka Emër”. Ky mobilizim masiv po zhvillohet në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit — vetëm katër ditë para se Dhomat e Specializuara të Kosovës me sedër në Hagë të shpallin aktgjykimin e tyre përfundimtar.

Skena kryesore e ngjarjes, ku po zhvillohen fjalime politike, mesazhe sensibilizuese dhe performanca artistike, është ngritur në sheshin “Skënderbeu”.

Ky shesh, së bashku me arteriet kryesore që çojnë drejt tij, si sheshi “Nëna Terezë” dhe ai “Zahir Pajaziti”, po përballen me një fluks të jashtëzakonshëm njerëzish. Në turmën e mbledhur bien në sy përfaqësues të lartë të partive politike, veteranë e invalidë të luftës, si dhe familjarë të të akuzuarve dhe të dëshmorëve të rënë gjatë konfliktit.

Gjatë fjalimeve të mbajtura përpara mijëra pjesëmarrësve, përfaqësuesit e shoqatave të dalura nga lufta dhe udhëheqësit politikë përçuan mesazhe të qarta për drejtësi dhe paanësi. Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, potencoi se kërkesa e vetme e veteranëve dhe e familjeve të tyre është për një proces të drejtë.

Ai paralajmëroi se një “proces i padrejtë” nuk do t’i shërbente asgjëje tjetër përveçse interesave të Serbisë dhe Rusisë, duke shtuar me vendosmëri: “Liria e Kosovës u fitua me mund e sakrificë. Asnjë sallë e gjyqit nuk mund ta fshijë këtë të vërtetë”.

Në të njëjtën frymë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, theksoi se opinioni publik nuk do ta pranojë vendimin e caktuar për datën 16 shtator nëse ai do të analizohet si i padrejtë. Ai iu drejtua drejtpërdrejt trupit gjykues: “Prandaj atyre që marrin vendimet, nga ky shesh u themi ‘mendoni për pasojat para se të vendosni më 16 shtator’”. Ndërkohë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, përkujtoi se katër ish-krerët e UÇK-së kishin vënë jetën në rrezik për lirinë e Kosovës dhe se sot ishte momenti që populli t’u shprehte mirënjohjen e thellë, duke deklaruar: “Kush kurrë nuk do të arrijë ta ndotë tregimin tonë për liri”.

Kjo protestë masive nuk është e para e këtij lloji që organizohet në Kosovë kundër mënyrës se si po zhvillohen proceset në Gjykatën Speciale. Në prill të vitit 2023, sërish në Prishtinë, mijëra qytetarë marshuan një ditë para nisjes zyrtare të gjykimit ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, duke e cilësuar procesin që po niste si një goditje të padrejtë ndaj luftës çlirimtare. Blloqe të ngjashme mbështetjeje u përsëritën edhe më 17 shkurt 2026, gjatë shënimit të 18-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ku marshi me moton “Drejtësi, jo politikë” mblodhi mijëra njerëz në kohën kur procesi gjyqësor në Hagë po hynte në fazën e tij përfundimtare.

Procesi maratonë ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së ka zgjatur më shumë se tre vjet prej hapjes së tij më 3 prill 2023. Prokuroria e Përshtatur kishte përfunduar paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve të saj në prill të vitit 2025, derisa mbrojtja e mbylli rastin e saj në dhjetor të po atij viti. Pas deklaratave përmbyllëse të mbajtura në shkurt të vitit 2026, shpallja e aktgjykimit përfundimtar ishte paraparë të bëhej më herët gjatë vitit, mirëpo në korrik Dhomat e Specializuara njoftuan zyrtarisht shtyrjen e verdiktit për më 16 shtator, me arsyetimin e kompleksitetit ekstrem të çështjes dhe vëllimit masiv të provave të dorëzuara.

Të katër ish-krerët e UÇK-së u arrestuan nga Policia e EULEX-it në nëntor të vitit 2020 dhe u transferuan menjëharë në qendrën e paraburgimit në Hagë. Ndaj tyre rëndojnë akuza të rënda që përfshijnë gjashtë pika për krime kundër njerëzimit dhe katër pika për krime lufte, të cilat prokuroria pretendon se janë kryer në lokacione të ndryshme në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë gjatë periudhës së luftës. Prokuroria ka kërkuar një dënim prej 45 vjetësh burgim për secilin nga të akuzuarit, ndërkohë që Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi i kanë mohuar në mënyrë kategorike të gjitha pikat e aktakuzës. Vendimi që do të merret më 16 shtator pritet të jetë verdikti më përcaktues dhe më domethënës i Dhomave të Specializuara që nga themelimi i tyre nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015.

 

Foto: Koha

Continue Reading

Të kërkuara