Lajmet

Hipoglicemia – A mund të vuani nga sheqeri i ulët në gjak pa patur diabet?

Sheqeri i ulët në gjak është diçka serioze.

Published

on

Hipoglicemia ose sheqeri i ulët në gjak është diçka serioze, sepse truri dhe trupi juaj, varen nga sheqeri në gjak për të prodhuar energjinë që i duhet për të funksionuar rregullisht.

Injorimi i simptomave të hipoglicemisë për një kohë të gjatë gjithashtu mund të rezultojë në kriza, humbje të vetëdijes, lëndime dhe ndoshta vdekje.

Ju mund të keni hipoglicemi edhe nëse nuk keni diabet, kjo ndodh kur trupi juaj nuk mund të stabilizojë sheqerin në gjak.

Por hipoglicemia mund të lidhet gjithashtu edhe me prediabetin, një gjendje në të cilën sheqeri fillon të grumbullohet në qarkullimin tuaj të gjakut dhe prodhimi i insulinës bëhet më i dobët, duke luhatur dhe ulur nivelin e sheqerit në gjak.

Historia familjare, mungesa e ushtrimeve fizike dhe yndyra e tepërt në trupin tuaj, veçanërisht në zonën e barkut, mund të rrisin shanset tuaja për prediabet.

Simptomat e sheqerit të ulët në gjak, ndryshojnë nga personi në person.

Ato mund të jenë:

-dridhje

-uri

-dhimbje koke

-shikim i turbullt

-përgjumje

-marrje mendsh

-konfuzion ose çorientim

Episodet hipoglicemike mund të ndodhin edhe natën, duke ju dhënë makthe ose djersitje natën.

Çfarë mund të bëni:
Mbani Shënime

Nëse përjetoni episode të përsëritura të hipoglicemisë atëherë mund të jetë diçka më e madhe. Prandaj është mirë t’i regjistroni të gjitha këto raste.

Kur keni një episod hipoglicemik, regjistroni kohën kur ndodh, simptomat, çfarë keni ngrënë ose pirë, ilaçet që po merrni dhe nivelin e stresit.

Ndajini këto shënime me mjekun tuaj sepse ky informacion mund t’i ndihmojë ata të bëjnë një diagnozë më të shpejtë.

Bëni një vizitë tek mjeku

Për të parë nëse hipoglicemina juaj lidhet ose jo me diabetin, duhet të kryeni testet e nevojshme tek mjeku.

Mjeku juaj do të rishikojë simptomat tuaja, do të studiojë faktorët e rrezikut dhe më pas do të urdhërojë një test të glukozës për të kontrolluar nivelin e sheqerit në gjak.

Ky test përfshin marrjen e një mostre gjaku dhe mund të përfshijë një agjërim 8-orësh brenda natës ose një agjërim më të gjatë të mbikëqyrur (48 deri në 72 orë).

Ku do të kontrollohen nivelet e glukozës në gjak çdo disa orë.

Gjithashtu mjeku juaj mund të urdhërojë një tjetër test, i cili përfshin konsumimin e një vakti të përzier.

Gjatë këtij testi, ju do të konsumoni pije ose ushqime që përmbajnë proteina, yndyrna dhe sheqerna, të cilat rrisin sheqerin në gjak dhe, nga ana tjetër, bën që trupi juaj të prodhojë më shumë insulinë.

Në këtë mënyrë do të kontrollohen nivelet e sheqerit në gjak dhe mjeku do të mund të përcaktojë gjëndjen tuaj shëndetësore.

Kujdesuni të konsumoni ushqimet e duhura

Në rast se diagnostikoheni me hipoglikemi, atëherë duhet të merrni parasysh shpeshtimin e vakteve tuaja për të menaxhuar nivelet e sheqerit në gjak.

1- Ushqimet duhet të përfshijnë proteina (mish, bishtajore, arra dhe fara), karbohidrate komplekse (makarona gruri, drithëra dhe patate), ushqime me shumë fibra (bukë me drithëra, perime dhe fruta të freskëta) për të balancuar thithjen e sheqerit.

2- Reduktoni sasitë e sheqerit të përpunuar.

3- Mbani me vete diçka të ëmbël si rrush të thatë, arra ose edhe një portokall, në tast se përjetoni një krizë.

4- Konsumoni diçka të lehtë para dhe pas aktivitetit fizik.

5- Ju gjithashtu duhet të kufizoni alkoolin dhe ndoshta edhe kafeinën.

Por nëse vendosni t’i konsumoni këto pije shoqërojini me diçka të lehtë për të ekuilibruar sheqerin në gjak./AgroWeb.org

lajme

Kurti takon në Paris emisarin Sorensen: Diskutohet për normalizimin dhe dialogun me Serbinë

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron në Paris, është takuar me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, në margjinat e Forumit të Paqes.

Gjatë takimit u diskutua për perspektivat e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve me fokus njohjen reciproke, stabilitetin institucional të paszgjedhjeve në Kosovë, si dhe rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE.

“Diskutuam për stabilitetin e plotë institucional që gëzon tashmë Kosova pas zgjedhjes së presidentit, rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE, si dhe perspektivat për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, me fokus njohjen reciproke”, u shpreh kryeministri Kurti.

Edhe emisari evropian Sorensen konfirmoi takimin përmes një njoftimi, duke vlerësuar bisedën si të frytshme për përcaktimin e hapave të mëtejshëm në dialog dhe procesin e normalizimit në dobi të qytetarëve dhe rajonit. Gjatë qëndrimit në kryeqytetin francez, Kurti gjithashtu zhvilloi një bashkëbisedim me studentë, ku theksoi pritjet e tij që udhëheqja e re e Serbisë të njohë Republikën e Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kosova U19 mposhtet nga Belgjika në raundin e dytë kualifikues

Published

on

By

Përfaqësuesja U19 e Kosovës në futboll e ka nisur me humbje raundin e dytë kualifikues për Kampionatin Evropian Euro 2027, pasi u mposht nga Belgjika me rezultat 2:0.

Në ndeshjen e zhvilluar në Skoci, pjesa e parë përfundoi pa gola, mirëpo belgët zgjidhën sfidën me dy goditje të shpejta me të filluar pjesa e dytë. Naim Amengai realizoi për 1:0 në minutën e 47-të, ndërsa Jessie Da Silva dyfishoi epërsinë dy minuta më vonë.

Sfida e radhës për futbollistët e rinj të Kosovës në kuadër të Grupit A2 do të jetë të shtunën kundër nikoqires së turneut, Skocisë.

Në anën tjetër, edhe Përfaqësuesja U17 e Kosovës ka pësuar humbje në sfidën ndaj Bjellorusisë, ndërsa ndeshjen e ardhshme do ta zhvillojë më 17 nëntor përballë Kazakistanit. Tri ekipet e para të secilit grup do të sigurojnë kalimin në raundin e tretë, me shortin që pritet të tërhiqet më 10 dhjetor. /E.A/

Continue Reading

lajme

Murati prezanton buxhetin për 2027-ën, opozita kritikon investimet kapitale

Published

on

By

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar në shqyrtimin e parë para Komisionit për Buxhet Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2027, i cili parasheh shpenzime në vlerë prej 4 miliardë e 268.7 milionë eurosh, të mbështetura nga të hyra prej 4 miliardë e 2 milionë eurosh dhe një deficit fiskal prej 2 për qind.

Gjatë raportimit, ministri Murati theksoi se buxheti reflekton rritjen ekonomike dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së financave publike, ndërsa arsyetoi rritjen e kostos së jetesës me faktorë dhe tronditje të jashtme gjeopolitike.

“Sa i përket inflacionit, patjetër që është problem rritja e kostos së jetesës edhe në Kosovë, sikurse në të gjitha vendet tjera të botës. Kjo ka dy shkaktarë, fillimisht ishte lufta në Ukrainë, e cila ndikoi në tronditjen globale të çmimeve të energjisë, por edhe të ushqimeve, dhe tash së fundi kemi edhe valën e re që vjen si rezultat i konfliktit në Gjirin Persik”, deklaroi Murati.

Prezantimi u pasua me kritika të ashpra nga anëtarët e opozitës. Deputeti nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, ngriti shqetësimin për ngecjen e investimeve kapitale dhe ndikimin e inflacionit në mirëqenien e qytetarëve, duke iu referuar edhe raporteve që tregojnë se mbi një miliard euro investime të planifikuara kanë mbetur të pashpenzuara gjatë viteve të kaluara.

Seanca u karakterizua edhe nga debati i tensionuar mes ministrit Murati dhe deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili kritikoi mungesën e një orientimi të qartë strategjik në infrastrukturë, shëndetësi dhe energji, duke vënë në dyshim pasqyrimin e premtimeve qeverisëse në kornizën trevjeçare buxhetore.

“S’je i interesuar sepse je mashtruesi më i madh që ka pasur ky vend… Buxheti nuk është një plan kontabël, është një dokument strategjik”, u shpreh Hoti gjatë përplasjes direkte me ministrin e Financave.

Sipas planifikimit të ndarjeve buxhetore sipas kategorive ekonomike, për paga janë paraparë 1 miliard e 84.9 milionë euro, për subvencione dhe transfere 1 miliard e 446 milionë euro, ndërsa për investime kapitale është alokuar shuma prej 1 miliard e 70 milionë eurosh. Projektligji pritet të vazhdojë procedimin në komisionet e linjës për shqyrtim të mëtejshëm. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Foda rindërton mbrojtjen pas largimit të Dellovës

Published

on

By

Kombëtarja e Kosovës në futboll është përballur me ndryshime të papritura në repartin defensiv në prag të ndeshjeve ndaj Izraelit dhe Irlandës.

Mbrojtësi Lumbardh Dellova është larguar nga grumbullimi i “Dardanëve”, ndërsa përzgjedhësi Franco Foda ka ftuar në vend të tij Betim Fazlijin. Kjo mungesë e ndërlikon edhe më shumë situatën në prapavijë, meqë jashtë fushave vazhdon të jetë edhe Albian Hajdari për shkak të një lëndimi afatgjatë.

Në skemën e tij të zakonshme 3-4-3, tekniku gjerman do të duhet të rindërtojë treshen e mbrojtjes. Lajm pozitiv për skuadrën është rikthimi i Kreshnik Hajrizit pas lëndimit, i cili pritet të jetë nga minutat e para pranë Ilir Krasniqit dhe Ron Raçit. Si opsione të reja në dispozicion janë edhe dy debutuesit nga Zvicra dhe Suedia, Lindrit Kamberi e Bleon Kurtulus, si dhe Betim Fazliji i cili mbulon disa pozicione në mbrojtje e mesfushë.

“Është e rëndësishme të kemi disa mundësi, jo vetëm për ndeshjet e radhës, por edhe për të ardhmen. Është e rëndësishme ta kemi parasysh të ardhmen e Kombëtares dhe ta ruajmë cilësinë, në mënyrë që të përgatitemi edhe për kualifikimet e Kampionatit Evropian”, u shpreh përzgjedhësi Foda lidhur me zgjedhjet e reja në mbrojtje. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara