Lajmet

Hegseth: SHBA gati për çdo lloj lufte me Kinën

Published

on

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për çdo lloj lufte, ndërsa tensionet me Kinën vijojnë të përshkallëzohen. Pas vendosjes së tarifave kufizuese nga SHBA, Kina u hakmor me rritje të reja tarifore për produktet amerikane dhe kufizime mbi kompanitë amerikane.

Në një intervistë për Fox News, Hegseth theksoi rëndësinë e fuqisë ushtarake për të parandaluar konfliktet. Ai paralajmëroi se SHBA përballet me fuqi të tjera që po rrisin shpenzimet ushtarake dhe modernizojnë teknologjitë për të sfiduar dominimin amerikan. Duke vënë theksin tek rreziqet globale, ai deklaroi se “ata që dëshirojnë paqen duhet të përgatiten për luftë”.

Në përgjigje të tarifave amerikane, Kina njoftoi rritje nga 10% deri në 15% për produkte bujqësore dhe ushqimore amerikane. Gjithashtu, 25 kompani amerikane u vendosën nën kufizime të reja eksporti dhe investimesh, me arsyetimin e sigurisë kombëtare. Kjo përshkallëzim i tensioneve tregtare dhe politike mes dy fuqive të mëdha shton pasiguritë në arenën ndërkombëtare./UBTNews/

Lajmet

Mahmut Orhan ndez Prishtinën në debutimin e tij në Kosovë

Published

on

DJ-i dhe producenti turk Mahmut Orhan ka performuar për herë të parë në Prishtinë, duke dhuruar një natë plot energji dhe atmosferë elektrizuese për publikun kosovar.

Koncerti, i mbajtur më 4 korrik, mblodhi një numër të madh adhuruesish të muzikës elektronike, të cilët krijuan atmosferë të zjarrtë që nga minutat e para të performancës.

I njohur për ndërthurjen e ritmeve elektronike me elemente melodike, Orhan interpretoi disa nga hitet e tij më të njohura, duke e mbajtur publikun në këmbë gjatë gjithë mbrëmjes.

Një nga momentet më të veçanta ishte kur ai përfshiu në setin e tij këngën Si ai të artistes kosovare Tayna. Ky veprim u prit me entuziazëm të madh nga të pranishmit, të cilët kënduan dhe festuan njëzëri, duke e kthyer atë në një nga kulmet e natës.

Reagimi i publikut ishte i jashtëzakonshëm gjatë gjithë koncertit, ndërsa debutimi i Mahmut Orhan në Kosovë u mbyll me duartrokitje të gjata, duke e shndërruar mbrëmjen në një nga ngjarjet më të veçanta muzikore të kësaj vere në Prishtinë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Minatori” hap Festivalin “Rame Lahaj” me një mbrëmje nostalgjie dhe rocku

Published

on

Grupi legjendar “Minatori” ka hapur edicionin e gjashtë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Rame Lahaj”, duke sjellë një koncert që bashkoi nostalgjinë, rockun dhe emocionet e publikut.

Në frymën e motos së sivjetme, “Play Music, Not War”, festivali nisi në “Marigona Hill” me një performancë të veçantë të një prej grupeve më të rëndësishme të rockut kosovar, duke dëshmuar se muzika tejkalon zhanret dhe bashkon breza të ndryshëm.

Publiku këndoi pothuajse çdo këngë së bashku me bendin, ndërsa atmosfera u shoqërua me pamje arkivore të grupit dhe fotografi të Prishtinës së dikurshme, duke rikthyer kujtimet e një epoke të veçantë të kryeqytetit.

Ndër momentet më emocionuese ishte interpretimi i baladës “A thua ëndërr ishe ti”, e cila u këndua njëzëri nga të pranishmit. Energji tjetër sollën hitet “E di se s’do të shoh”, “Me dikon me t’pa”, “Krejt njëjtë”, “Mihanja”, si dhe këngët e njohura “Të dua sa Kosovën” dhe “Molla me sherbet”, që vazhdojnë të mbeten pjesë e identitetit të rockut në Kosovë.

Me Naser Gjinovcin në vokal, Mufail Limanin në kitarë, Dëfrim Behlulin në tastierë dhe Premton Maliqin në bateri, “Minatori” rikujtoi rrugëtimin e tij artistik që nga vitet ’80, duke sjellë këngë që flasin për dashurinë, jetën urbane dhe realitetin shoqëror.

Frontmeni i grupit, Naser Gjinovci, e cilësoi pjesëmarrjen në Festivalin “Rame Lahaj” si një privilegj të veçantë.

“Është një përjetim i llojit të vet dhe është privilegj për grupin dhe për mua personalisht. Na bën shumë të lumtur që këngët janë bartur nga gjenerata në gjeneratë dhe vazhdojnë të zgjojnë kujtime e emocione te publiku”, u shpreh ai./A.K/

Continue Reading

Lajmet

REL: Miliona nga Serbia për të akuzuarin për sulmin në Banjskë

Published

on

By

Kompania “Rad 028”, në pronësi të Radulle Steviqit, nuk gjendet në adresën në Kosovë, ku figuron e regjistruar në sistemin serb, konstatoi Radio Evropa e Lirë.

Por, kjo nuk i pengon institucionet e Serbisë që t’i ndajnë asaj kontrata milionëshe për punë ndërtimore.

Steviq dhe kompania e tij, tash e pesë vjet, janë nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara, për shkak të lidhjeve me Millan Radoiçiqin dhe Zvonko Vesellinoviqin, si dhe për akuza që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Në Kosovë, ai përballet gjithashtu me akuza për përfshirje në sulmin e armatosur në Banjskë.

Vetëm që nga fillimi i këtij viti, institucionet serbe kanë lidhur me kompaninë e Steviqit dhjetë kontrata me vlerë mbi një milion euro, edhe pse ajo nuk i ka përfunduar ende më shumë se njëzet punë të mëparshme, të cilat i janë besuar në mjediset me shumicë serbe në Kosovë.

Kjo dëshmohet nga dokumentacioni i tenderëve në bazën e prokurimeve publike të Serbisë, të cilin e analizoi Radio Evropa e Lirë.

Ndërsa në terren mungojnë makineritë dhe punëtorët, Radio Evropa e Lirë nuk mundi të konfirmonte nëse punimet që figurojnë zyrtarisht si të përfunduara, janë realizuar vërtet.

Sipas aktakuzës së Kosovës për sulmin në Banjskë, Steviq, përmes kompanive të tij, e ka ndihmuar udhëheqësin e grupit të armatosur, Millan Radoiçiq, në pastrimin e parave.

Beogradi zyrtar, i cili nuk e njeh Kosovën si shtet, i hedh poshtë këto akuza.

Derisa dy sistemet nuk e njohin njëri-tjetrin, kompania e Steviqit vazhdon të bëjë biznes me institucionet e Serbisë, edhe pse pronari i saj kërkohet me fletarrestim ndërkombëtar, me kërkesë të Kosovës.

Se ku ndodhet aktualisht Radulle Steviq, nuk dihet.

Policia dhe Prokuroria në Beograd nuk iu përgjigjën Radios Evropa e Lirë nëse ai ndodhet në Serbi dhe nëse është nën hetime.

Në pyetjet e REL-it nuk u përgjigjën as kompania e Steviqit dhe as institucionet serbe që vazhdojnë të lidhin kontrata me të.

Rinovimi i shkollave, spitaleve, kishave dhe manastireve në mjediset me shumicë serbe në Kosovë, si dhe ndërtimi i shtëpive për qytetarët në nevojë, janë vetëm disa nga projektet që i janë besuar kësaj kompanie.

 

Selia e kompanisë, prej kohësh, e zbrazët

Sipas regjistrit të bizneseve në Serbi, selia e kompanisë së Radulle Steviqit është e regjistruar në një ndërtesë në qendër të Zveçanit, në veri të Kosovës.

Por, në këtë adresë, Radio Evropa e Lirë gjeti një ndërtesë shumëkatëshe të zbrazët.

Dyert ishin të mbyllura dhe nuk kishte asnjë shenjë që tregonte se aty ushtron veprimtarinë kompania “Rad 028”.

“Prej kohësh nuk është askush aty. Është bosh”, tha për Radion Evropa e Lirë një banore e Zveçanit, e cila kërkoi të mbetet anonime.

Ndërtesa ku është e regjistruar selia e kompanisë “Rad 028” dhe e cila, sipas pretendimeve të qytetarëve me të cilët bisedoi REL-i, është “e zbrazët që një kohë të gjatë”. REL-i nuk e gjeti askënd në këtë ndërtesë.

Qytetarë të tjerë të Zveçanit, me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, thanë se kompania është zhvendosur në Rashkë, qytet në Serbi pranë kufirit me Kosovën.

Radio Evropa e Lirë nuk mundi ta konfirmonte në mënyrë të pavarur këtë pretendim.

Ndërtesa ku thuhet se është selia e “Rad 028” në Zveçan.

fdEkipi i Radios Evropa e Lirë vizitoi gjashtë lokacione në Kosovë, ku, sipas kontratave të lidhura me institucionet serbe gjatë një viti e gjysmë të fundit, kompania “Rad 028” duhej të kryente punime ndërtimore.

Në asnjërin prej këtyre lokacioneve nuk u panë punime në zhvillim.

Po ashtu, mungonin edhe tabelat informuese që zakonisht tregojnë për investitorin dhe kompaninë zbatuese të projektit.

Radio Evropa e Lirë nuk mundi të konfirmonte nëse punimet janë kryer gjatë muajve të kaluar dhe kush i ka realizuar ato, pasi kompania nuk iu përgjigj pyetjeve të saj.

 

Me kë punon “Rad 028”?

Numrin më të madh të kontratave, kompania e Radulle Steviqit e ka lidhur me organet e përkohshme komunale, të themeluara sipas ligjeve të Serbisë.

Këto institucione vepronin në komunat me shumicë serbe në Kosovë deri në vitin 2024, kur autoritetet e Kosovës i mbyllën, duke i cilësuar si të paligjshme.

Megjithatë, ato vazhduan punën nga lokacione alternative në qytete të Serbisë, pranë kufirit me Kosovën.

Radio Evropa e Lirë i pyeti këto organe se mbi çfarë kriteresh ia ndajnë kontratat kompanisë “Rad 028” dhe si mbikëqyren projektet që ajo zbaton, duke pasur parasysh se pronari i saj është nën aktakuzë në Kosovë dhe nën sanksione ndërkombëtare.

As organet e përkohshme komunale, as Qeveria e Serbisë dhe Zyra e saj për Kosovën nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it.

Në tre vjetët e fundit, autoritetet e Kosovës kanë ndaluar një sërë projektesh ndërtimore, të financuara nga Beogradi, me arsyetimin se ato nuk i kanë pasur lejet e nevojshme nga institucionet e Kosovës.

Nga dhjetë kontratat që “Rad 028” ka lidhur me institucionet serbe që nga fillimi i vitit 2026, vetëm dy figurojnë në regjistrin e prokurimit publik si të realizuara.

Njëra prej tyre ka të bëjë me furnizimin e nxënësve të shkollave fillore në Kosovë me pako për Vitin e Ri.

Gjatë vitit 2025, kompania lidhi më shumë se 30 kontrata me vlerë mbi 6.4 milionë euro.

Lista e tenderëve, sipas ueb-faqes së prokurimit, që u fituan nga “Rad 028” më 2026. Në këtë listë shihet se vetëm dy kontrata janë “ekzekutuar”.

Ato përfshijnë ndërtimin e shtëpive për familjet në nevojë, si dhe rinovimin e shkollave, çerdheve dhe spitaleve në disa komuna të Kosovës.

Institucionet arsimore dhe shëndetësore në zonat me shumicë serbe në Kosovë vazhdojnë të funksionojnë në kuadër të sistemit të Serbisë.

Lista e tenderëve të fituar nga kompania “Rad 028” më 2025. Në të mund të shihen se nga 30 kontrata, dhjetë thuhet se janë “zbatuar”, ndërsa puna për të tjerat nuk ka përfunduar.

Sipas të dhënave zyrtare, 20 nga kontratat e vitit 2025 nuk janë realizuar ende.

Ndërkaq, 11 të tjera figurojnë si të përfunduara, përfshirë ndërtimin e shtëpive dhe rinovimin e objekteve publike.

Radio Evropa e Lirë nuk mundi të verifikonte në terren nëse këto punime janë kryer vërtet, përkatësisht nëse shtëpitë janë ndërtuar dhe objektet janë rinovuar.

Pasqyrat financiare të kompanisë “Rad 028”, të publikuara në regjistrin e bizneseve në Serbi, tregojnë se gjatë vitit 2025 ajo ka pasur vetëm nëntë të punësuar, ndërsa ka realizuar të ardhura prej mbi 8.7 milionë eurosh.

Dokumentet nuk zbulojnë nëse kompania ka angazhuar nënkontraktorë apo bashkëpunëtorë të tjerë për të realizuar projektet e financuara nga institucionet shtetërore.

Dokumentacioni i tenderëve, i analizuar nga Radio Evropa e Lirë, tregon se “Rad 028” ka bashkëpunuar ndër vite me disa kompani që përmenden në aktakuzën e Kosovës për sulmin në Banjskë, si pjesë e një skeme të dyshuar të pastrimit të parave.

Qendra Klinike Spitalore, e cila funksionon në kuadër të sistemit shëndetësor të Serbisë, u zhvendos nga Prishtina në Graçanicë dhe Llapnasellë pas luftës në Kosovë, në vitin 1999.

Edhe sot, një pjesë e shërbimeve ofrohet në kontejnerë metalikë, ndërsa objekti është zgjeruar pjesë-pjesë ndër vite.

Qendra Klinike dhe Spitalore në Llapnasellë.

Gjatë vizitës në terren, Radio Evropa e Lirë nuk arriti të verifikonte nëse çatia është rinovuar dhe nëse krahu i majtë i objektit është lyer, siç parashihej në kontratë.

Deri në publikimin e këtij artikulli, konfirmimin për kryerjen e punimeve nuk e dha as Qendra Klinike Spitalore.

Qeveria e Serbisë ka paralajmëruar qysh në vitin 2018 se do të financojë ndërtimin e një spitali të ri në Graçanicë, por punimet për këtë projekt nuk kanë nisur ende.

 

Tri kontrata brenda një dite

Në korrik të vitit 2025, kompania “Rad 028” fitoi tre tenderë brenda një dite, me vlerë të përgjithshme prej rreth 250 mijë eurosh.

Të trija kontratat iu dhanë nga Qendra Studentore “Prishtina”, me seli në Mitrovicën e Veriut, për punime në objektet e saj – nga lyerja, suvatimi dhe rregullimi i fasadave, deri te ndërrimi i çative dhe dritareve.

Sipas sistemit të prokurimit publik të Serbisë, të analizuar nga Radio Evropa e Lirë, punimet figurojnë si të përfunduara në tetor dhe nëntor të vitit 2025.

Megjithatë, gjatë vizitës në terren, Radio Evropa e Lirë nuk arriti të verifikonte se cilat punime ishin kryer.

Ndërtesa e Qendrës Studentore në Mitrovicë të Veriut në qershor 2026.

Për këtë nuk dha përgjigje as Qendra Studentore, e cila funksionon në kuadër të sistemit arsimor të Serbisë.

Qendra menaxhon konvikte, mensën, poliklinikën dhe shërbime të tjera për studentët e Universitetit të Prishtinës, i cili, pas luftës së vitit 1999, u zhvendos në Mitrovicën e Veriut.

Një nga ndërtesat e Qendrës Studentore në Mitrovicë të Veriut. Qershor, 2026.

Përballë Qendrës Studentore ndodhet edhe objekti i papërfunduar i Universitetit.

Ndërtimi i tij financohet nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, por në korrik të vitit 2023 autoritetet e Kosovës i pezulluan punimet, me arsyetimin se projekti nuk kishte leje ndërtimi.

Edhe këtë objekt po e ndërtonte kompania e Radulle Steviqit.

Ndërtesa e papërfunduar e Universitetit në Mitrovicë të Veriut. Qershor, 2026.

Radio Evropa e Lirë pyeti Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë nëse ka njohuri për projektet që financohen dhe zbatohen nga institucionet serbe në Kosovë, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Përgjigje nuk kishte as në pyetjet nëse këto projekte mbikëqyren nga institucionet e Kosovës dhe nëse, pas ngritjes së aktakuzës ndaj Steviqit, janë pezulluar projektet e kompanisë së tij në mjediset me shumicë serbe.

 

Shkolla në Zveçan

Në Zveçan, kompanisë “Rad 028” i është besuar riparimi i një pjese të çatisë dhe rinovimi i tualeteve të një shkolle fillore.

Vlera e kontratës është rreth 40 mijë euro.

Sipas bazës së prokurimeve publike, projekti ende nuk figuron si i përfunduar.

Shkolla Fillore “Vuk Karaxhiq” në Zveçan e fotografuar në qershor të vitit 2026.

Kontrata, e nënshkruar në dhjetor të vitit 2025, parasheh afat njëvjeçar për realizimin e punimeve.

Megjithatë, gjatë vizitës në terren, Radio Evropa e Lirë nuk pa as punime dhe as tabelë që tregon se projekti është duke u zbatuar.

Shkolla Fillore “Vuk Karaxhiq” në Zveçan.

 

Punime edhe në objekte fetare

Në fshatin Zherovnicë, afër Zveçanit, kompanisë “Rad 028” iu besuan në janar të vitit 2026 punimet për rinovimin dhe zgjerimin e kishës së fshatit.

Kontrata, me vlerë 120 mijë euro, përfshin sanimin dhe zgjerimin e kishës, kapelës dhe një objekti ndihmës.

Punimet u kontraktuan nga organi i përkohshëm i komunës së Zveçanit, me afat realizimi prej një viti.

Gjatë vizitës në terren, Radio Evropa e Lirë nuk arriti të konfirmonte nëse punimet kishin nisur apo çfarë ishte realizuar deri në atë kohë.

Objekti përballë kishës dukej se ishte rinovuar ose zgjeruar së voni, por nuk kishte dëshmi se bëhej fjalë për projektin e kontraktuar.

Një nga ndërtesat në oborrin e kishës në Zherovnicë, afër Zveçanit. Qershor, 2026.

Radio Evropa e Lirë pyeti edhe Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë nëse punimet janë kryer dhe kush është duke i realizuar ato, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Përgjigje nuk kishte as në pyetjen nëse Dioqeza Rashkë-Prizren ishte në dijeni se punimet në objektet fetare, nën administrimin e saj, i ishin besuar një kompanie, pronari i së cilës në Kosovë akuzohet për pastrim parash.

Kisha në Zherovnicë nuk është i vetmi objekt fetar ku kompania “Rad 028” ka fituar kontrata.

Hyrja në kishën në Zhernovicë, afër Zveçanit. Qershor, 2026.

Asaj i është besuar edhe rikonstruktimi i një objekti brenda oborrit të një kishe tjetër afër Zveçanit, me vlerë rreth 60 mijë euro, si dhe ndërtimi i një etno-fshati pranë Manastirit të Dragancit, afër Gjilanit.

Për projektin e fundit, kompania pritet të përfitojë mbi 1.2 milion euro.

Kontrata është nënshkruar në qershor të vitit 2025, me afat realizimi një vit, por në regjistrin e prokurimeve publike ende nuk figuron si e përfunduar.

Në prill të vitit 2025, kompania e Radulle Steviqit fitoi edhe një kontratë me vlerë rreth 280 mijë euro për ndërtimin e rrugëve kundër zjarrit dhe një strehe për makineritë, pranë një depoje frigoriferike në Badovc, afër Graçanicës.

Kontrata, me afat realizimi prej gjashtë muajsh, u dha nga organi i përkohshëm i komunës së Prishtinës.

Po gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, kompania fitoi edhe dy tenderë të tjerë, me vlerë të përgjithshme rreth 300 mijë euro, për punime shtesë në të njëjtin kompleks, përfshirë ndërtimin e një nënstacioni elektrik dhe një rezervuari për mbetjet organike të fermës.

Ende nuk ka rrugë të shtruar që të çon deri te depoja frigoriferike. Qershor, 2026.

Depoja frigoriferike dhe objektet e tjera ndodhen në një pronë të Dioqezës Rashkë-Prizren të Kishës Ortodokse Serbe.

Në këtë kompleks, Manastiri i Graçanicës menaxhon një ekonomi bujqësore me ferma gjedhësh dhe shpezësh, si dhe objekte për përpunimin e qumështit, mishit, frutave dhe perimeve.

Sipas informacioneve të Radios Evropa e Lirë, ferma e shpezëve ende nuk është funksionale.

Vizita në terren tregoi gjithashtu se rruga që, sipas kontratave, duhej të çonte drejt depos frigoriferike dhe fermës së shpezëve, nuk ekziston.

Po ashtu, tri kontratat që parashihnin ndërtimin e kësaj rruge dhe të strehës për makineri ende nuk figurojnë si të përfunduara në regjistrin e prokurimeve publike, edhe pse afati për realizimin e tyre ka kaluar.

Një rrugë e pashtruar që gjendet në pronën e manastirit në Graçanicë.

Në nëntor të vitit të kaluar, kompania “Rad 028” fitoi edhe një kontratë tjetër, me vlerë rreth 187 mijë euro, për rikonstruktimin e një rruge me zhavorr në Badovc.

Kontrata ishte paraparë të realizohej brenda tre muajsh, por edhe kjo nuk figuron ende si e përfunduar.

Dragani, banor i Badovcit, tha për Radion Evropa e Lirë se nuk ka dijeni për këtë investim.

“Ajo që di është se, së fundmi, janë asfaltuar dy rrugë të shkurtra, rreth 200 metra secila. Nuk e di se kush i ka ndërtuar”, tha ai.

Një nga rrugët në Badovc. Qershor, 2026.

“Në sistemin e ujësjellësit është punuar gjithashtu, por as ai nuk ka përfunduar”, shtoi Dragani.

Radio Evropa e Lirë pyeti edhe udhëheqjen e Komunës së Graçanicës nëse është në dijeni për kontratat që kompania “Rad 028” ka fituar në këtë komunë dhe zonat përreth, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Një rrugë në Badovc e fotografuar në qershor të vitit 2026.

 

Kush është Radulle Steviq?

Radulle Steviq i ka regjistruar kompanitë e tij si në sistemin e Kosovës, ashtu edhe në atë të Serbisë.

Për vite me radhë, ai ka përfituar kontrata publike me vlerë prej miliona eurosh si nga institucionet në Beograd, ashtu edhe nga ato në Prishtinë.

Por, pasi Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj tij, institucionet e Kosovës ndaluan t’i jepnin kontrata, e ato të Serbisë vazhduan ta angazhojnë. /REL/ /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Rusia godet sërish Kievin: 9 të vrarë para Samitit të NATO-s në Turqi

Published

on

By

Kryeqyteti ukrainas është përballur me një tjetër valë të përgjakshme sulmesh, ku të paktën nëntë persona kanë humbur jetën. Ekipet e shpëtimit në Kiev po garojnë me kohën për të nxjerrë të mbijetuarit nën rrënojat e ndërtesave të banimit që u shkatërruan pjesërisht nga raketat balistike ruse.

Shefi i administratës ushtarake të Kievit, Timur Tkachenko, njoftoi se nga ky sulm — i dyti masiv brenda një jave — kanë mbetur të plagosur edhe 46 persona të tjerë, në mesin e të cilëve janë të paktën pesë fëmijë.

Kjo goditje e radhës nga Moska vjen në një moment tejet të ndjeshëm politik, pikërisht në prag të Samitit të NATO-s që po mbahet në Turqi. Në këtë samit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të zhvillojë bisedime të rëndësishme ballë për ballë me presidentin amerikan, Donald Trump.

Vetëm pak orë para se raketat të goditnin qytetin, Zelensky kishte paralajmëruar publikisht se inteligjenca ukrainase kishte sinjale për një “sulm masiv”, pas bombardimeve të përgjakshme të së enjtes që lanë 30 të vrarë.

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, bëri të ditur se raketat ruse shënjestruan lagje të banuara, duke shkaktuar zjarre të mëdha në disa komplekse apartamentesh, si dhe duke dëmtuar depo e punishte mekanike. Pamjet e publikuara nga vendngjarja tregojnë një situatë apokaliptike: rrënoja në flakë, makina të shkrumbuara dhe ekipe emergjente që po gërmojnë pa ndalur për të gjetur qytetarët e bllokuar. /Reuters/ /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara