Lajmet

​Haxhiu: Sfidë mbetet që t’i obligojmë të burgosurit të ndjekin programet rehabilituese

Published

on

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se nuk po arrijnë që të detyrojnë të burgosurit t’i ndjekin programet rehabilituese. Megjithatë, ajo theksoi se në kontekstin e kërcënimeve globale të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, Republika e Kosovës ka demonstruar një angazhim të jashtëzakonshëm për të parandaluar përhapjen e ideologjive ekstremiste.

Këto komente Haxhiu i bëri me rastin e publikimit të raportit “Sfidat Serioze të Programeve të Rehabilitimit, Riintegrimit dhe Shkëputja nga Terrorizmi në Kosovë” nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, BIRN, zyra në Kosovë.

Haxhiu potencoi se çështja për ta bërë të obligueshëm ndjekjen e programeve rehabilituese është diskutuar me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, sipas saj për të parë mundësinë e zgjidhjes së këtij problemi.

“Sfidën e kemi sepse nuk po mundemi që t’i detyrojmë të burgosurit që të ndjekin këtë program. Vijnë një herë, nuk vijnë herën e dytë. Nuk janë të rregullt dhe të disiplinuar në këtë drejtim pikërisht për shkak se nuk kanë ndonjë obligim. Kemi qenë në diskutim më Këshillin Gjyqësor të Kosovës për të parë mundësinë, jo vetëm për dhunë në familje, por tash po flasim edhe për veprat e terrorizmit sikurse edhe për veprat tjera, femicidin, korrupsionin, krimin e organizuar dhe kam parë gatishmërinë e tyre që ta zgjedhin këtë problem…Një nga qëllimet më të rëndësishme të sistemit tonë të drejtësisë është risocializimi dhe ri integrimi i individëve të dënuar, duke u siguruar që ata të kenë mundësinë të bëhen pjesë e shoqërisë sërish…Në kontekstin e kërcënimeve globale të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm vlerësoj që Republika e Kosovës ka demonstruar një angazhim të jashtëzakonshëm për të parandaluar përhapjen e ideologjive ekstremiste”, tha Haxhiu.

Ndërkaq, drejtori i Departamentit për Siguri Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Mensur Hoti tha se është kërkuar nga akterë të ndryshëm të shoqërisë civile që të bëjnë vlerësimin e aktiviteteve brenda strategjisë kundër terrorizmit.

Sipas tij, kjo është bërë me qëllim që të ketë vlerësim sa më real të aktiviteteve.

“Ka qenë një kërkesë e jona e kamotshëm që shoqëria civile të bëhet pjesë edhe e përgatitjes së dokumenteve strategjike. Por, kemi avancuar edhe një hap më tutje duke kërkuar nga akterë të ndryshme të shoqërisë civile që të bëjnë vlerësimin e aktiviteteve brenda strategjisë kundër terrorizmit. Kjo është bërë me qëllimin që të kemi një vlerësim sa më real të aktiviteteve duke pasur parasysh që nëse ne do të vetë vlerësoheshim në aktivitetet që i kryejmë ka të ngjarë që disa prej rekomandimeve ose sfidave nuk do të paraqiteshin siç janë paraqitur në këtë raport edhe në raportet paraprake. Është më rëndësi që ne t’i pranojmë rekomandimet ashtu siç janë”, potencoi Hoti.

Ai u zotua se do të angazhohet për përmbushjen e detyrimeve që kanë për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit.

Autori i kësaj analize, Labinot Leposhtica tha se ky hulumtim i dedikohet vlerësimit të zbatimit të aktiviteteve që derivojnë prej strategjisë për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit dhe planit të veprimit të kësaj strategjie.

Ai theksoi se ndër çështjet më të rëndësishme të evidentuara në këtë raport është përfshirja e ulët e subjekteve të dënuar për vepra që ndërlidhen me terrorizmin në programet e rehabilitimit dhe ri integrimit.

“Ky raport siç u evidentua edhe më parë në esencë i dedikohet vlerësimit të zbatimit të aktiviteteve që derivojnë prej strategjisë për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit dhe planit të veprimit të kësaj strategjie…Një prej çështjeve më të rëndësishme që u evidentua me të drejtë është përfshirja relativisht e ulët e subjekteve të dënuar për vepra që ndërlidhen me terrorizmin në programet e rehabilitimit dhe riintegrimit. Fokusi i raportit përveç vlerësimit të aktiviteteve të strategjisë më shumë është i përqendruar në trajtimin e këtyre subjekteve në kontekst të burgut, por gjithsesi nuk është indiferent dhe nuk lë anash edhe veprimet të tjera përcjellëse”, tha Leposhtica.

Ndër të tjera, Leposhtica potencoi se të dënuarit për vepra që ndërlidhen me terrorizmin përbëjnë një rrezik më serioz dhe se sipas tij vetë kodi penal evidenton se ndaj tyre duhet pasur vëmendje të shtuar.

“Fakti që Republika e Kosovës ka zgjedhur një qasje gjithëpërfshirëse, nuk është kufizuar vetëm tek ndjekja, hetimi , gjykimi i këtyre subjekteve dhe dërgimi i tyre në burg. Aktualisht pjesë më e madhe e të dënuarve për terrorizëm dhe vepra që ndërlidhen me terrorizmin e të gjitha formave veçse kanë përfunduar dënimin dhe janë rikthyer në shoqëri…Janë 29 subjekte të cilat kanë ndjekur programet rehabilituese dhe riintegrimit gjatë qëndrimit të tyre në institucionet korrektuese…Të dënuarit për vepra që ndërlidhen me terrorizmin pa i nënvlerësuar format e tjera të kriminaliteti, gjithsesi përbëjnë një rrezik më serioz dhe vetë kodi penal e evidenton që ndaj këtyre subjekte duhet pasur një vëmendje të shtuar”, shtoi Leposhtica.

Rajoni

Arrestohet në Zvicrë, ekstradohet në Kosovë i dyshuari për mashtrim

Published

on

By

Një person i kërkuar nga autoritetet e rendit në Kosovë është ekstraduar gjatë ditës së sotme nga Zvicra drejt Kosovës, pas një operacioni të suksesshëm të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me autoritetet zvicerane.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate zyrtare nga Policia e Kosovës, ku specifikohet se i ekstraduari është shtetasi me inicialet B.Z., i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar përmes letërrreshtimit të lëshuar nga Interpoli.

I dyshuari ishte arrestuar kohë më parë nga autoritetet zvicerane, pasi institucionet e drejtësisë në Kosovë kishin lëshuar urdhërarrest ndaj tij nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”.

Sipas Policisë, B.Z. i ishte shmangur drejtësisë për një kohë të gjatë, por koordinimi i Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor me njësitet relevante dhe institucionet zvicerane bëri të mundur lokalizimin dhe sjelljen e tij para organeve të rendit në vendlindje.

Ekstradimi i realizuar këtë të mërkurë, më 1 prill 2026, u mbështet plotësisht në ligjet në fuqi dhe në marrëdhëniet e ngushta diplomatike e policore mes Republikës së Kosovës dhe Zvicrës.

Policia e Kosovës ka deklaruar se ky aksion është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të luftuar krimin dhe për të parandaluar aktivitetet ilegale, duke theksuar se shkëmbimi i informacioneve me organizatat ndërkombëtare do të intensifikohet për të gjurmuar dhe kapur çdo person apo grup kriminal që tenton t’i shpëtojë përgjegjësisë penale, pavarësisht nëse veprojnë brenda apo jashtë kufijve të vendit.

Continue Reading

Lajmet

ZRRE: Do të korrigjohet çdo gabim në faturat e rrymës

Published

on

By

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), përmes një njoftimi për media, bën të ditur se është angazhuar maksimalisht në monitorimin e situatës lidhur me shqetësimet e konsumatorëve për devijimin e mundshëm të orëve tarifore.

ZRRE po grumbullon në vazhdimësi informata për të garantuar një matje të drejtë dhe të saktë, duke siguruar që faturimi të reflektojë vetëm konsumin real të energjisë elektrike.

Në këtë kuadër, ZRRE ka bërë të qartë se çdo rast i raportuar do të trajtohet me prioritet.

“ZRRE siguron konsumatorët se të gjitha rastet e raportuara për mos-përputhje të kohës tarifore do të analizohen dhe shqyrtohen me kujdes. Në rast se konstatohet se ekzistojnë gabime në funksionimin e njehsorit elektrik, do të ndërmerren masat e nevojshme, në përputhje me legjislacionin dhe rregullat në fuqi”, thuhet në njoftim.

Ky angazhim vjen si një garanci shtesë se asnjë gabim teknik nuk do të rëndojë mbi xhepat e qytetarëve, veçanërisht pasi kompanitë si KEDS dhe KESCO janë ndërmarrje të rregulluara dhe nuk mund të përfitojnë nga këto parregullsi.

Për të mbyllur çdo hapësirë dyshimi, rregullatori rikonfirmon se mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe garantimin e një sistemi të drejtë dhe transparent dhe të besueshëm në sektorin e energjisë.

 

Continue Reading

Vendi

27 vjet nga masakra në Lybeniq, Kurti: Serbia refuzon të ballafaqohet me të kaluarën

Published

on

By

Në 27-vjetorin e njërës prej krimeve më makabre të forcave serbe në Kosovë, Kryeministri Albin Kurti ka bërë homazhe te varrezat e të vrarëve në fshatin Lybeniq të Pejës.

Ky përvjetor kujton mëngjesin e përgjakshëm të 1 prillit të vitit 1999, kur njësitë famëkeqe serbe “Çakejt” dhe “Mbrojtja Territoriale” rrethuan fshatin dhe shkatërruan jetët e dhjetëra familjeve.

Sipas dëshmive, forcat serbe kishin nxjerrë banorët me dhunë nga shtëpitë e tyre, duke i mbledhur në qendër të fshatit, pranë xhamisë. Pasi ndanë gratë, fëmijët dhe të moshuarit për t’i dëbuar me forcë drejt Shqipërisë, ata ekzekutuan me breshëri armësh automatike 59 burra të pafajshëm nga familjet e shumta të këtij fshati.

Kryeministri Kurti theksoi se, edhe pse kjo masakër u dokumentua që në vitin 1999 nga organizatat ndërkombëtare si Human Rights Watch, drejtësia po mungon.

Ai akuzoi drejtpërdrejt shtetin serb për zvarritje dhe mjegullim të proceseve gjyqësore, duke e quajtur Serbinë një “shtet gjenocidal” që refuzon të ballafaqohet me të kaluarën.

Në fund të mesazhit të tij, Kurti nënvizoi se Serbia vazhdon të mbetet një tokë e varrezave masive dhe një strehë e sigurt për kriminelët e luftës, duke kërkuar llogaridhënie për krimet që lanë plagë të hapura në Lybeniq dhe mbarë Kosovën.

 

Continue Reading

Lajmet

MINT nis verifikimin e njehsorëve të rrymës pas dyshimeve për matje të gabuara

Published

on

By

Komisioni i posaçëm i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka nisur punën në terren për verifikimin e njehsorëve elektrikë, pas ankesave të shumta të konsumatorëve për çrregullime të kohës dhe matje të pasaktë të energjisë.

Drejtoresha e Agjencisë së Metrologjisë, Sebahate Bushrani, ka bërë të ditur se njehsorët e dyshimtë do të tërhiqen për verifikim dhe do të zëvendësohen me të tjerë deri në lëshimin e raportit zyrtar. Sipas saj, aktualisht janë rreth 70 ankesa, ndërsa raporti përfundimtar do t’u dërgohet Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe palëve të përfshira, raporton Koha.net.

Ky aksion vjen pas denoncimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila përmes një hulumtimi në Prishtinë dhe Ferizaj ka pretenduar se rreth 800 njehsorë llogarisin energjinë me tarifë të shtrenjtë për shkak të mosperputhjes së orës.

Ndonëse KEDS-i i ka mohuar këto pretendime, raportimet e mëhershme kanë treguar se qytetarët në Fushë-Kosovë janë përballur me probleme të ngjashme, ku orët në njehsorë figuronin jashtë kohës reale. Verifikimi mbetet një proces i ndjeshëm, veçanërisht pas kritikave të vitit 2023 se ky proces kryhej në laboratorët e KEDS-it, veprim ky që konsiderohej shkelje e Ligjit për Metrologji.

Saktësia e njehsorëve është jetike për xhepin e qytetarëve, pasi dallimi mes tarifave është i lartë. Gjatë dimrit, tarifa e lartë (9.05 centë deri në 15.43 centë për kW) aplikohet nga ora 07:00 deri në 22:00, ndërsa tarifa e ulët (3.88 centë deri në 7.28 centë për kW) vlen gjatë natës. Çdo mospërputhje e orës bën që konsumatorët të faturohen me çmime maksimale edhe kur ata tentojnë të kursejnë duke përdorur pajisjet shtëpiake gjatë orëve të vona. /Koha.net/

 

Continue Reading

Të kërkuara