Lajmet

​Haxhiu: Për asnjë rast të dhunës në familje nuk është shqiptuar dënimi maksimal

Published

on

Programi Kombëtar për Trajtimin e Kryerësve të Dhunës ndaj Grave duhet të bëhet pjesë e integruar e dënimeve për kryesit e këtyre veprave penale. Kështu u tha në tryezën diskutuese “Thyerja e ciklit të dhunës: Integrimi i programeve për trajtimin e kryerësve të dhunës në familje si pjesë e dënimit”, e cila u organizua nga Zyra e Këshillit të Evropës në kuadër të projektit “Përafrimi i ligjeve dhe politikave me Konventën e Stambollit”.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u shpreh optimiste se në të ardhmen gratë në Kosovë do të trajtohen në mënyrë të dinjitetshme, derisa theksoi se institucionet përgjegjëse duhet tu përgjigjen me profesionalizëm rasteve të dhunës në familje.

Haxhiu theksoi se deri më tani në asnjë rast të dhunës në familje nuk është shqiptuar dënimi maksimal që parashihet në Kodin Penal e që është 3 vite.

“Edhe sot më duhet me zë të lartë të thërras institucionet që të adresojnë përgjegjësitë që kanë, të mos i neglizhojnë rastet e dhunës në familje dhe që të marrin veprimet në përputhje me legjislacionin në fuqi në raport me këto raste.  Në të kaluarën asnjëherë në institucionet korrektuese nuk ka pasur programe me qëllim të rehabilitimit të dhunuesve dhe jo rrallë herë madje shumë herë kemi pasur raste të recidivizmit. Kodi Penal parasheh për rastet e dhunës në familje maksimumi i dënimit është me tri vite, pra me gjobë dhe burgim deri në 3 vite, jo me gjobë ose me burgim, por me gjobë dhe burgim deri në tri vite, por nuk kemi asnjë rast deri tani që është shqiptuar me dënim deri në 3 vite. Prandaj, është jashtëzakonisht e rëndësishme që si ministri së bashku me Këshillin e Evropës kemi punuar në adresimin e programit me qëllim të rehabilitimit të dhunuesve”, theksoi ajo.

E para e drejtësisë në vend, Albulena Haxhiu tha se Programi Kombëtar për Trajtimin e Kryerësve të Dhunës ndaj Grave synon të transformojë mendësinë dhe sjelljet abuzive të kryesve si dhe t’i vetëdijesojnë kryesit e dhunës për pasojat e rënda të veprimeve të tyre.

Ajo tha se për ofrimin e këtij programi janë trajnuar 15 profesionistë, derisa theksoi se pilot-projekti është implementuar në Qendrën Korrektuese në Dubravë dhe pjesë e trajnim kanë qenë 20 persona që kanë kryer veprën penale dhunë në familje.

“Që nga shkurti deri në fund të korrikut të këtij viti kemi pilotuar programin kombëtar në Qendrën Korrektuese në Dubravë i cili zgjati 6 muaj duke zbatuar 24 sesione javore aq sa parasheh programi. Pjesë e këtij udhëtimi ishin 20 kryes të dhunës të dënuar me veprën penale dhunë në familje që kanë qenë në qendrën korrektuese në Dubravë. Mangësi që është vërejtur gjatë pilotimit është kohëzgjatja e ulët e dënimeve pra dënimet e ulët kanë bërë që gjatë kohës sa të dënuarit kanë qenë duke e ndjekur këtë program kanë përfunduar dënimet e tyre dhe mendoj se kjo ka sjell situatën që ata është dashur ta ndërprejnë këtë program. Programi kombëtar për kryesit e dhunës ndaj grave nuk është përgjegjësi të zbatohet vetëm nga MD. Fillimi i zbatimit efektiv nis pikërisht atëherë kur prokurori ose gjyqtari e integrojnë programin si pjesë të dënimit dhe kryesve të dhunës duke e mbajtur përgjegjës për krimin e bërë dhe duke i dhënë dënimin e merituar”, tha ajo.

Ndërsa, zëvendësshefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Tankut Soykan është shprehur i kënaqur me punën që ministria e Drejtësisë ka bërë për hartimin e Programit Kombëtar për Trajtimin e Kryesve të Dhunës ndaj Grave.

Soykan u shpreh se kryesit e dhunës në Kosovë dalin nga burgu me të njëjtën mentalitet, prandaj ai e sheh të nevojshme që programe të tilla të jenë pjesë e integruar si pjesë e shqiptimit të dënimeve.

“Programi nuk duhet të shihet si tregues se të burgosurit do të marrin një dënim të reduktuar nëse marrin një program të tillë trajnues, është program psiko-social që i mban kryesit përgjegjës për krimet që kanë kryer dhe i mëson ata që t’i ndalin këto sjellje të dhunshme dhe të ndërtojnë raporte të respektit të ndërsjellët. Programi mbështetet tek viktimat dhe qëllimi të garantojë siguri dhe mbrojtje për viktimat…18’\11E shoh përkushtim tuaj për vlerat tona të përbashkëta dhe luftën kundër dhunës gjinore dhe grave dhe është privilegj të punojmë për ju. Gjyqtarët dhe prokurorët luajnë rol kyç për të integruar këtë si pjesë të shqiptimit të dënimeve për fat të keq shohim se kryesit hyjnë dhe dalin nga burgu me të njëjtën mentalitet dhe kryesit përsërisin veprat. Programi është treguar i dobishëm për ta ndryshuar këtë sjellje”, tha ai.

Në nëntor të vitit 2023, ministria e Drejtësisë ka lansuar “Programin Kombëtar për Trajtimin e Kryerësve të Dhunës ndaj Grave”, i cili u pilotua në Qendrën Korrektuese në Dubravë për 6 muaj.

Vendi

Raporti për Arlinda Zekajn: Gërvalla numëron shkeljet e gjykatës e prokurorisë dhe refuzon dorëheqjen

Published

on

By

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka paraqitur sot raportin zyrtar mbi vrasjen e Arlinda Zekajt, duke adresohet drejtpërdrejt përgjegjësinë te një sërë institucionesh të drejtësisë e sigurisë, ndërsa ka deklaruar se ekzekutivi nuk mban asnjë përgjegjësi lidhur me rastin. Gërvalla bëri të ditur se raporti është vetëm pjesërisht i plotë, me arsyetimin se nuk kanë marrë përgjigje nga të gjitha institucionet kompetente.

Pavarësisht shkeljeve të evidentuara, ministrja theksoi se dikasteri që ajo drejton nuk ka kompetenca ligjore për të ndërhyrë apo hetuar punën e gjykatave, prokurorive apo policisë, për shkak të parimit të ndarjes së pushteteve. Ajo shtoi se pret që komisioni hetimor i Kuvendit të ndihmojë në zbardhjen e plotë të mosveprimeve institucionale.

Gërvalla bëri me dije se institucionet kishin marrë paralajmërime të përsëritura për rrezikun që i kanosej viktimës, duke filluar nga 10 korriku kur ajo raportoi dhunën fizike e psikike, e deri te kërkesat e saj të njëpasnjëshme për urdhërmbrojtje urgjente. Sipas saj, nga dokumentacioni i shqyrtuar krijohet bindja se vrasja me shumë gjasë mund të parandalohej, ndërsa ngriti pyetje edhe për ndikime të mundshme nga “qarqe politike e kriminale” në vonesat dhe neglizhencën e treguar, ani pse pranoi se raporti nuk përmban prova direkte për këtë të fundit.

E pyetur për mundësinë e dorëheqjes, Gërvalla refuzoi një hap të tillë në këtë moment, duke deklaruar se tani është koha për të identifikuar e adresuar përgjegjësitë, dhe se dorëheqja e saj nuk do të ndihmonte në këtë proces

Gjetjet e raportit sipas institucioneve:

  • Gjykata Themelore në Pejë: Raporti konstaton vonesa tej afateve ligjore në trajtimin e kërkesës për urdhërmbrojtje, e cila mori mbi një muaj kohë për t’u nxjerrë. Viktima i kishte shkruar dy herë kryetarit të gjykatës duke paralajmëruar rrezikun për jetën, por përgjigja konstatoi se gjyqtari kishte vepruar brenda afateve. Po ashtu, vendimet për kthimin e saj në shtëpi dhe zbatimi i urdhrit mbrojtës nuk u jetësuan.
  • Prokuroria Themelore: Ishin të informuar vazhdimisht për kërcënimet. Raporti veçon se më 23 tetor kryeprokurorja Lumturije Vuqetaj u njoftua me shkrim për kërcënimin e drejtpërdrejtë me vrasje nga Albert Sylaj, por prokurorja përgjegjëse refuzoi të hapte rast për kanosje. Dy ditë më vonë ndodhi vrasja. Aktualisht, dy prokuroret e përfshira janë suspenduar.
  • Qendra për Punë Sociale (QPS): Nuk e konsideroi detyrim krijimin e kushteve për kthimin e viktimës në shtëpi, nuk dorëzoi raportin në kohë dhe mungoi në seancën gjyqësore të 5 tetorit. Vlerësimi psikologjik po ashtu përmbante të dhëna që kundërshtonin pretendimet se fëmija nuk dëshironte të qëndronte me nënën.
  • Komuna: Nga pushteti lokal është pranuar vetëm një përgjigje prej shtatë rreshtash, pa asnjë informacion për masa konkrete apo plane për ditët në vijim.

 

Continue Reading

Rajoni

Kryeministri Rama përsërit ftesën për dialog në ditën e 18-të të protestave

Published

on

By

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ripërsëritur sot ftesën e tij drejtuar protestuesve për të hyrë në dialog. Në ditën e 18-të të tubimeve para godinës së Kryeministrisë, ai ka publikuar një video në rrjetet sociale ku shfaqet tryeza e betonit e vendosur për përfaqësuesit e protestës.

Pavarësisht një rënieje në numrin e pjesëmarrësve gjatë ditëve të fundit, tubimet po vazhdojnë me kërkesën kryesore për dorëheqjen e kryeministrit. Nga ana e tij, Rama ka bërë të ditur se mbetet i hapur për të diskutuar kërkesat, por deri më tani nuk ka ndonjë përgjigje zyrtare nga organizatorët e protestës. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Arrestohet në Prishtinë i dënuari për keqpërdorim të besimit

Published

on

By

Njësitë e Stacionit Policor Veriu në Prishtinë kanë arrestuar një 36-vjeçar të kërkuar nga drejtësia.

Personi me inicialet V. R. kërkohej për veprën penale “Keqpërdorim i besimit”, për të cilën është dënuar me një vit burgim.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, i arrestuari është dërguar menjëherë në vuajtje të dënimit në përputhje me vendimin e gjykatës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Ndahet nga jeta në moshën 86-vjeçare aktori i njohur britanik Sir Patrick Stewart

Published

on

By

Aktori i njohur britanik Sir Patrick Stewart, i shquar për rolet e tij ikonike si Kapiten Jean-Luc Picard në “Star Trek” dhe Profesor Charles Xavier në sagën “X-Men”, ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare në shtëpinë e tij në Los Angeles. Njoftimi u bë i ditur përmes llogarisë së tij zyrtare në Instagram, ku u konfirmua se ai u ndaj nga jeta të mërkurën, më 28 tetor, pas një beteje të shkurtër me sëmundjen e Alzheimerit dhe demencën me trupat Lewy.

Në deklaratën zyrtare thuhet se Stewart u ndaj nga jeta i rrethuar nga bashkëshortja e tij, Sunny, si dhe familjarët e miqtë e ngushtë. Përveç karrierës së tij të bujshme në kinematografi dhe televizion, ai u vlerësua lart si një nga aktorët më të mëdhenj të skenës teatrale, fitues i dy çmimeve “Laurence Olivier” dhe një çmimi “Grammy”, ndërsa në vitin 2010 u dekorua me titullin “Kalorës” nga Mbretëresha Elizabeth II.

Karriera e tij e pasur përfshin dekada pune në teatër dhe film, ndërsa roli i tij i fundit i xhiruar do të shfaqet në filmin “Avengers: Doomsday”. Ndarja e tij nga jeta ka nxitur reagime të shumta dhe ngushëllime nga koleget, industria e artit dhe adhuruesit e tij në mbarë botën. /The Guardian/

 

Continue Reading

Të kërkuara