Lajmet

Haxhiu dhe Tahiri përplasen në Kuvend për reformat në drejtësi

Tahiri akuzoi ministren Haxhiu se nuk është e aftë për të drejtuar proceset e reformave në drejtësi.

Published

on

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është përplasur me shefin e grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri për reformat në drejtësi.

Ministrja Haxhiu në seancën e Kuvendit ku po debatohet për punën dyvjeçare të Qeverisë Kurti, tha se gjatë mandatit të saj do të përmbyllë reformat në drejtësi, përfshirë edhe finalizimin e vetingut. Pavarësisht se Ligjin për Këshillin Prokurorial e ka rrëzuar Gjykata Kushtetuese, ajo tha se pa humbur kohë do t’i procedojnë ndryshimet për ligjin e ri.

“Pa humbur kohë do t’i procedojmë ndryshimet në Këshillin Prokurorial të Kosovës sepse jemi të bindur e reforma në KPK është e domosdoshme, njësoj siç ka thënë edhe Komisioni i Venecias”, tha ajo.

Mirëpo shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, akuzoi ministren Haxhiu se nuk është e aftë për të drejtuar proceset e reformave në drejtësi.

“Me fol për drejtësi me juve është problem, pasi e ke dëshmuar shumë herë që nuk di. Me ty mundemi me fol për vajin në tepsi, për gruan e frizerit, për llukun atënd, për punësime dhe higjienën që na prezanton në Ministri të Drejtësisë, por për drejtësisë nuk mundemi me fol”, theksoi ai.

Por ministrja Haxhiu, tha se për reformat në drejtësi nuk ka të drejtë të flasë deputeti i PDK-së.

“Për atë revolen dhe plumbat që nuk dëgjohen, për kaq mbahesh mend Abelard Tahiri. Kështu që ti me mua në kuptim të reformave nuk mundesh me u shty kurrë”, tha ajo.

Në fjalën e saj, ministrja Haxhiu foli edhe për aktgjykimin e sotëm të Gjykatës Supreme, ku e liroi nga akuzat Naser Pajazitajn, i dyshuari kryesor për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, pavarësisht se ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga shkalla e parë dhe nga Apeli më 35 vite burgim.

“Personi i dënuar nga shkalla e parë me burgim të përjetshëm dhe nga shkalla e dytë me 35 vite dënim, është liruar nga akuza nga Gjykata Supreme. Sigurisht të tjerët do të thoni se nuk keni të drejtë të komentoni vendimet e Gjykatës Supreme, por ja që po i komentoj pasi për mua është e papranueshme që një personi që dënohet me burgim të përjetshëm lehtësisht të lirohet nga akuza. Prandaj reforma që kemi nisur si ministri janë jashtëzakonisht të rëndësishme”, tha ajo.

Vendi

MINT publikon çmimet e reja të derivateve për fundjavë dhe të hënën

Published

on

By

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka bërë të ditura çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës, të cilat do të vlejnë për datat 10 dhe 11 maj 2026.

Sipas njoftimit të ministrisë, çmimi maksimal i naftës është caktuar në 1.61 euro për litër, ndërsa benzina nuk mund të shitet më shtrenjtë se 1.50 euro për litër.

Ndërkaq, çmimi maksimal i gazit është përcaktuar në 0.79 euro për litër.

Rritja e shqetësimeve për tregun e naftës po lidhet edhe me tensionet e fundit në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.

Irani ka paralajmëruar vështirësi për anijet e vendeve që mbështesin sanksionet ndaj Teheranit, duke shtuar frikën për ndikim në furnizimin global me derivate. Këto zhvillime kanë nxitur lëvizje dhe pasiguri në tregjet ndërkombëtare të energjisë.

Continue Reading

Aktualitet

Kosova në Ditën e Evropës: Aspirata evropiane mes pengesave politike

Published

on

By

Kosova po e shënon 9 Majin – Ditën e Evropës – mes simbolikës së orientimit të saj pro-evropian dhe sfidave që vazhdojnë ta përcjellin në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Ndonëse konsiderohet një nga shoqëritë më pro-evropiane në Ballkanin Perëndimor, vendi ende nuk ka marrë statusin e kandidatit, edhe pse aplikimi për anëtarësim u dorëzua në fund të vitit 2022.

Për më shumë se dy vite, procesi integrues i Kosovës u rëndua nga masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian, të vendosura pas tensioneve në veri gjatë vitit 2023. Këto masa sollën pasoja edhe në aspektin financiar, duke bllokuar mbi 600 milionë euro projekte dhe mbështetje për Kosovën, deri në fillim të vitit 2026, kur Brukseli vendosi t’i largojë ato.

Situata nxiti reagime dhe kritika për qasjen e BE-së ndaj Kosovës, sidomos në raport me zhvillimet në rajon. Ndërkohë që Kosova u përball me masa kufizuese, Serbia nuk u sanksionua në mënyrë të ngjashme as pas sulmit të armatosur në Banjskë, ngjarje që tensionoi më tej raportet mes dy vendeve.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe shkencave politike, Dritëro Arifi, vlerëson se Kosova ka treguar vazhdimisht orientim të qartë drejt Bashkimit Evropian, sidomos përmes përafrimit të legjislacionit me standardet evropiane.

“Kosova është jashtëzakonisht shumë e përkushtuar drejt integrimit evropian. Të gjitha ligjet që janë miratuar që nga pavarësia janë në përputhje me ligjet e BE-së dhe në këtë aspekt Kosova është shumë e përgatitur”, thotë Arifi.

Sipas tij, megjithëse Kosova ka bërë progres në aspektin institucional dhe ligjor, pengesat politike vazhdojnë të mbeten vendimtare në procesin e integrimit.

“Procesi i integrimit nuk është vetëm teknik, por edhe politik. Problemi politik ka ndikuar që Kosova të stagnojë në këtë proces, edhe pse është ndër vendet më pro-evropiane jo vetëm në Ballkan, por edhe në shumë vende të Bashkimit Evropian”, deklaron ai.

Arifi thekson se një ndër vështirësitë kryesore mbetet fakti që pesë shtete të Bashkimit Evropian ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, gjë që, sipas tij, krijon pengesa të vazhdueshme në avancimin e vendit drejt strukturave evropiane.

“Kosova ende nuk e ka statusin e vendit kandidat dhe kjo realisht e dëmton rrugën drejt integrimit. Në një mënyrë të vetëdijshme apo jo, vetë BE-ja po e dëmton procesin e integrimit të Kosovës, por edhe të gjithë Ballkanit Perëndimor”, shprehet Arifi.

Ai kritikon edhe vendimin për masat ndëshkuese, duke i cilësuar ato si të padrejta dhe me ndikim negativ për zhvillimin e vendit.

“Masat ndëshkuese të BE-së kanë qenë jashtëzakonisht të dëmshme dhe jokorrekte dhe kanë ndikuar shumë në potencialin tonë si shtet”, thotë ai.

Profesori vlerëson se Kosova duhet të vazhdojë reformat dhe ndërtimin e standardeve evropiane, pavarësisht ritmit të integrimit formal në BE.

Ai shton se forcimi i institucioneve dhe funksionimi sipas standardeve evropiane duhet të mbetet prioritet i Kosovës, pavarësisht sfidave politike që e shoqërojnë procesin.

“BE-ja duhet ta bëjë një hap dhe ta pranojë Kosovën si vend kandidat. Kjo do ta ndryshonte edhe politikën e Serbisë, sepse do të kuptohej qartë se Bashkimi Evropian nuk ka më dykuptimësi për shtetësinë e Kosovës”, deklaron Arifi.

Pas heqjes së masave ndëshkuese, pritjet tashmë janë që institucionet e Kosovës të fokusohen në objektivat e ardhshme evropiane, përfshirë anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe avancimin drejt statusit të vendit kandidat.

Në Ditën e Evropës, Kosova vazhdon ta shohë integrimin evropian si synim strategjik, duke kërkuar njëkohësisht mbështetje dhe trajtim më të barabartë nga Bashkimi Evropian.

Continue Reading

Vendi

MINT gjobit KEDS-in edhe me 35 mijë euro pas parregullsive me njehsorët elektrikë

Published

on

By

Komisioni verifikues në kuadër të Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës (AMK) po vazhdon me verifikimin e njehsorëve elektrikë pas ankesave të shumta të qytetarëve, proces ky që ka rezultuar me masa ndëshkimore.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se pas kontrolleve laboratorike të 16 njehsorëve, janë gjetur shkelje të rënda, për çka Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka shqiptuar gjobë ndaj KEDS-it në vlerë prej 35 mijë eurosh.

Nga analizat e detajuara laboratorike, në gjashtë raste është vërtetuar se njehsorët elektrikë kishin afat të skaduar të verifikimit, ndërsa në gjashtë raste të tjera janë evidentuar devijime në orë dhe datë. Po ashtu, inspektorët kanë konstatuar një rast të heqjes së miratimit të tipit të njehsorit, ndërkohë që tre pajisje të tjera janë ende në proces të ekzaminimit të mëtutjeshëm.

MINTI dhe Agjencia e Metrologjisë kanë bërë të ditur se ky aksion nuk do të ndalet me aq. Verifikimet do të vazhdojnë intensivisht edhe në ditët në vijim për të garantuar që çdo pajisje matëse funksionon sipas standardeve ligjore, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve nga faturimet e pasakta dhe sigurimin e transparencës në tregun e energjisë.

 

Continue Reading

Lajmet

Shqipëria synon mbylljen e 10 kapitujve të parë me BE-në: Plotësohen 27 piketa kyçe

Published

on

By

Shqipëria ka hyrë në një etapë intensive teknike drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke u fokusuar tashmë në përmbushjen e detyrimeve konkrete ekonomike dhe shoqërore. Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, Kryenegociatorja Majlinda Dhuka bëri të ditur se vendi po punon për mbylljen teknike të 10 kapitujve të parë, të cilët mbulojnë 27 nga 101 piketat totale të përcaktuara nga Brukseli.

Sipas ministres Dhuka, Shqipëria ka bërë hapa domethënës në fusha si marrëdhëniet me jashtë, kërkimi shkencor dhe arsimi, për të cilat pritet vlerësimi përfundimtar nga Komisioni Evropian. Përparim është shënuar edhe në kapitujt që lidhen me pronësinë intelektuale, prokurimin publik dhe politikat monetare. Deri më tani, janë realizuar 92 nisma të rëndësishme që kanë mundësuar përmbushjen e 24 piketave të ndërmjetme, duke marrë vlerësime pozitive nga partnerët evropianë.

Një peshë të rëndësishme në këtë proces luan reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit. Dhuka vlerësoi rolin e Kuvendit në miratimin e ligjeve për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe nismat për lobimin dhe parandalimin e konfliktit të interesit. Paralelisht, vëmendje u është kushtuar të drejtave themelore, mbrojtjes nga diskriminimi dhe forcimit të lirisë së medias përmes ndryshimeve në Kodin Penal.

Në përfundim, Kryenegociatorja theksoi se Shqipëria po dëshmon seriozitet institucional në ndërtimin e një shteti që garanton rendin dhe drejtësinë sipas standardeve të BE-së. Sipas saj, kalimi nga faza e besimit politik në atë të rezultateve teknike është prova më e madhe e progresit të vendit në rrugën evropiane.

 

Continue Reading

Të kërkuara