Lajmet

Haradinaj-Stublla: SHBA duhet të ketë rol udhëheqës në procesin Kosovë-Serbi

Published

on

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla thotë për Zërin e Amerikës, se vendi i saj ka nevojë që Shtetet e Bashkuara të kenë një rol udhëheqës në dialogun me Serbinë dhe për një marrëveshje mes dy vendeve. Zonja Haradinaj-Stublla, u takua në Uashington me të dërguarin e posaçëm për Ballkanin në Departamentin e Shtetit, Matthew Palmer dhe me zyrtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë. Kolegia Keida Kostreci bisedoi me ministren Haradinaj – Stublla, e cila ishte në vizitën e saj të parë në SHBA.

Zëri i Amerikës: Zonja ministre, ju ndodheni këtu në Uashington disa ditë para takimit në Shtëpinë e Bardhë. Cilat janë pritshmëritë e Kosovës për këtë takim?

Meliza Haradinaj – Stublla: Është vizita e parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si Ministre e Punëvet ë Jashtme dhe erdha këtu që të riafirmojmë lidhjen e fortë që Kosova ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, partneritetin e fortë ndër dekada, prandaj edhe në këtë udhëkryq politik në të cilin gjindet Kosova aktualisht, është i rëndësisë së veçantë specifikisht sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë fokusin dhe vëmendjen në Ballkan, posaçërisht në Kosovë, në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë. Kjo është e rëndësisë së veçantë jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë por për gjithë rajonin sepse mbyllet një kapitull me mjaft paqartësi që ka qenë deri tani dhe ne shpresojmë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të jenë partneri ynë që këtë dialog ta orientojmë drejt qartësisë së re, drejt dinamikës së re, në mënyrë që Kosova dhe Serbia përfundimisht të arrijnë një marrëveshje reciproke e cila konsiston në një njohje të ndërsjellë në kufijtë ekzistues duke ruajtur karakterin unitar dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Zëri i Amerikës: A krijuat një ide nga qëndrimi këtu lidhur me pikëpamjet e organizatorëve, mikpritësve këtu në Uashington?

Meliza Haradinaj – Stublla: Ende janë në periudhën e parapërgatitjes. Ne kishim një takim edhe me përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar për Sigurinë, me të cilët edhe diskutuam për formatin dhe për temat që planifikojnë ata që t’i trajtojnë.

Zëri i Amerikës: Pas takimit këtu në Shtetet e Bashkuara, do të jetë një takim në Bruskel. Si bashkëjetojnë këto dy procese?

Meliza Haradinaj – Stublla: Në fakt ne e mirëpresim vëmendjen e shtuar të aleatëve tanë, mirëpo përfundimisht kemi nevojë si Kosovë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të kenë lidership në arritjen e marrëveshjes ndërkombëtare mes Kosovës dhe Serbisë. Ne kemi dialoguar me Serbinë për një kohë shumë të gjatë, kemi disa marrëveshje teknike që kanë tentuar t’i zgjidhin çështjet e hapura me Serbinë, por nuk e kemi marrëveshjen përfundimtare endedhe siç e dini me Serbinë jemi në një moment mjaft kritik sepse ata udhëheqin që fushatë agresive kundër Kosovës, udhëheqin një fushatë për shnjohje, që është fushatë ilegale, sepse ne kemi një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e legjitimon pavarësinë e Kosovës, ndërsa edhe Serbia duhet ta pranojë këtë vendim dhe ta pranojë realitetin politik dhe ligjor që është në Kosovë, andaj kjo fushatë duhet të ndalet dhe duhet të ulemi bashkë në dialog, ashtu siç Kosova është përkushtuar ta arrijë marrëveshjen finale, ashtu shpresojmë që edhe Serbia do duhej të tregojë një konstruktivitet përfundimisht tani, që të arrijmë marrëveshjen finale dhe të ecim përpara drejt orientimit euro-atlantik.

Zëri i Amerikës: Në fakt ishte thënë pikërisht që Serbia duhet ta ndalte këtë fushatë, si edhe Kosova të ndalte përpjekjet për njohje të mëtejshme dhe për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. A po thoni ju që Beogradi nuk i është përmbajtur kësaj?

Meliza Haradinaj – Stublla: Beogradi jo që nuk i është përmbajtur tani, por nuk i është përmbajtur asnjëherë. Ata gjithmonë kanë arritur marrëveshje të cilat nuk i kanë respektuar, kanë bërë zotime të cilave nuk u janë vënë prapa për t’i implementuar, andaj kjo nuk është hera e parë dhe ne nuk presim mirëbesim apo mirëkuptim nga ana e Serbisë sepse dialogojmë me ta për më shumë se dy dekada dhe nuk kanë treguar konstruktivitet asnjëherë. As për çështjen e të zhdukurve, e cila është çështje që preksecilën familje në Kosovë, nuk kanë kërkuar falje për krimet gjenocidale që kanë bërë. Ndërsa Kosova në vazhdimësi ka treguar një konstruktivitet, ka bërë kompromise dhe tani është koha e Serbisë për të bërë kompromisin e duhur, në mënyrë që t’ia sigurojë vetes orientimet dhe rrugën evropiane.

Zëri i Amerikës: Nga mënyra se si po e përshkruani ju atëherë a ka vend për optimizëm siç është shprehur qeveria e Kosovës, siç po shpreheni dhe ju për këtë fazë ku jemi, për sukses të këtyre bisedimeve nëqoftëse Serbia nuk ka ndryshuar qëndrim?

Meliza Haradinaj – Stublla: Përderisa e kemi një president serb që është nga radhët e ish-kasapit të Ballkanit, Millosheviçit, ne nuk do të presim shumë konstruktivitet. Do të ishte naivitet për ne nëse presim konstruktivitet të tillë nga pala që udhëheq Serbinë, nga autoritetet e Serbisë tani. Mirëpo ne kemi shpresë në palën amerikane, si udhëheqës, si facilitues i këtij dialogu, në mënyrë që të vërë drejtësinë e munguar në këtë raport, të udhëheqë dialogun në drejtimin e duhur dhe përfundimisht të kemi paqen e qëndrueshme dhe stabilitetin e nevojshëm politik në Ballkan, në mënyrë që edhe Ballkani të integrohet në strukturat euro-atlantike aty ku aspiron dhe Kosova specifikisht, sepse ne jemi një shtet me aspirata të paalternativë euro-atlantike.

Zëri i Amerikës: Po Kosova, çfarë lëshimi është a gatshme të bëjë në këtë proces. A është e gatshme të bëjë lëshim?

Meliza Haradinaj – Stublla: Ne si qeveri e Kosovës, kemi dakorduar parimet mbi të cilat do të dialogojmë dhe ato janë respektimi i integritetit territorial të Kosovës,respektimi i karakterit unitar të shtetit tonë dhe të rendit kushtetues të shpallur me 17 shkurt 2008. Ky është një projekt i përhershëm mbi të cilin Kosova nuk do të dialogojë dhe besoj se këtu kemi unitetin e plotë jo vetëm të partnerëve të koalicionit, por edhe të opozitës dhe të spektrit të gjerë politik, në mënyrë që Kosova të ecë përpara në këtë pikë dhe të arrijë marrëveshjen reciproke në kufijtë ekzistues, duke respektuar këto parime.

Zëri i Amerikës: Procesi i Brukselit, u kthye në një farë problemi, “mollë sherri” në koaliconin tuaj, sepse partia juaj ishte e pakënaqur me mënyrën se si i udhëhoqi kryeministri këto bisedime. Si qendron situata tani, është kapërcyer? Cilat ishin pakënaqësitë konkrete?

Meliza Haradinaj – Stublla: Ne e kemi një platformë dhe parimet e dakorduara qysh në kohën para formimit të qeverisë së re, andaj ne i kemi besuar kryeministrit Hoti në këto parime dhe në këtë platformë, andaj vazhdojmë t’i besojmë po të njejtës, po ashtu duke deleguar edhe personin tonë specifik, Ministrin e Drejtësisë Selim Selimi, që të jetë përfaqësues i partisë sonë, si partner i dytë i koalicionit në këtë ekip dialogues. Ky është një process shumë i rëndësishëm që nuk i takon një partie politike dhe duhet unitet dhe një konsensus më të gjerë në mënyrë që të ecim përpara. Jemi dëshmitarë që kjo në të kaluarën ka munguar dhe po ashtu e njëjta është reflektuar edhe në implementimin e këtyre marrëveshjeve, sepse nëse do të kemi potencialisht një marrëveshje finale, ajo do duhej të votohej në parlament dhe aty do të duhej një konsensus shumë më i gjerë sesa i ka numrat kjo qeveri në këtë koalicion. Prandaj do duhet edhe përkrahja e opozitës dhe e partnerëve të tjerë politikë, brenda spektrit të gjerë politik të Kosovës në mënyrë që të ecim përpara dhe të kemi legjitimitetin e duhur edhe parlamentar, në mënyrë që të ecim përpara me implementimin e kësaj marrëveshjeje.

Lajmet

PDK dhe AAK qëndrojnë në Kuvend, kërkojnë vazhdimin e seancës konstituive

Published

on

By

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës po qëndrojnë në sallën plenare të Kuvendit, duke kërkuar nga kryesuesi Avni Dehari që të ftojë pa vonesa vazhdimin e seancës për konstituimin e Kuvendit.

Nga foltorja e Kuvendit, deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, deklaroi se mandati u është dhënë nga populli dhe se prania e tyre bëhet për të mbrojtur kushtetushmërinë e për të funksionalizuar Kuvendin. Ai paralajmëroi vazhdim të aktiviteteve politike dhe hapa të tjerë nëse shteren mundësitë brenda këtij institucioni, si dhe kërkoi reagim nga qytetarët. Përmes një letre drejtuar kryesuesit, PDK-ja theksoi se edhe pse ka kaluar afati 30-ditor, detyrimi për të përfunduar procesin konstituiv mbetet i domosdoshëm.

Sjellja e opozitës vjen në një kohë tensoimesh politike, pasi në vazhdimin e seancës së fundit kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kërkoi më shumë kohë për negociata rreth çështjes së presidentit, çka nxiti edhe reagimin e deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj, e cila gjuajti me vezë në drejtim të tij.

PDK dhe AAK kanë refuzuar takimet me Kurtin. Më tej, negociatat mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës pas katër takimeve mbeten larg arritjes së një marrëveshjeje. Ndonëse Vetëvendosje ka numrat me pakicat për të formuar Qeverinë, Kurti ka deklaruar se pa zgjidhjen e çështjes së presidentit — që kërkon kuorum prej 80 deputetësh — vendi pashmangshëm do të shkojë në zgjedhje të reja. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 12 gusht 1993-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

Foto: Dr. Sali Berisha

 12 gusht 1993

 Sali Berisha kërkoi që Kosova të vihet nën protektorat të OKB-së

Në një deklaratë që lëshoi dje në Tiranë rreth incidenteve më të reja në kufirin midis Shqipërisë dhe Kosovës, që i shkaktoi ushtria serbe, presidenti i Shqipërisë, dr.Sali Berisha thotë:

Kohët e fundit autoritetet serbe kryen një akt provokativ kundër Republikës së Shqipërisë. Më 6 gusht 1993, ushtarakët serbë në kufirin e Shqipërisë me Kosovën, krejt të paprovokuar dhe pa asnjë paralajmërim, hapën zjarr dy herë brenda ditës mbi patrullat shqiptare të kufirit dhe mbi civilët shqiptarë, që ndodheshin në brendësi të territorit shqiptar, duke plagosur tre persona, dy ushtarë e një civil, dy prej tyre rëndë. Këto rrethana të incidentit u verifikuan e u konfirmuan nga Misioni vëzhgues i KE-së.

Kësaj ngjarjeje i parapriu paraqitja e një note Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Beogradit, ku paraqiteshin ankesa për tri incidente që gjoja ishin provokuar kohët e fundit nga pala shqiptare në kufirin e përbashkët. Asnjë nga rastet e paraqitura nuk kishte një bazë reale dhe kjo u konfirmua edhe nga Misioni vëzhgues i KE-së. Vlen të përmendet se vrajset në kufi të qytetarëve shqiptarë nga ana e forcave të armatosura serbe, janë një ngjarje e përsëritur. Rasti më mizor ishte pa dyshim ai fundit të prillit ’93, kur natën e vizitës së Papës në Shqipëri, tetë të rinj të paarmatosur nga Shqipëria u kapën në kufi dhe u ekzekutuan nga ushtarakët serbë. Gjithsej nga provokime të tilla qysh nga fillimi i vitit 1992, janë vrarë rreth 23 qytetarë shqiptarë dhe plagosur 4 të tjerë.

Gjithashtu, javën e fundit shënohet një rritje e konsiderueshme e terrorizmit shtetëror serb në Kosovë mbi popullsinë shqiptare, që është shprehur në një shumëfishim të numrit të zakonshëm të sulmeve policore ndaj banorëve. Nuk kanë munguar as provokimet e forcave ultranacionaliste të V.Sheshelit, që duke organizuar prita e sulme mbi policët serbë në Kosovë, janë munduar t’ua hedhin fajin shqiptarëve, tashmë të njohur për rezistencën e tyre civile e paqësore.

Këto provokacione të përsëritura e në rritje, si dhe valët e ultranacionalizmit që kanë shpërthyer edhe në vende të tjera, e që kërkojnë partneritet me regjimin serb, dëshmojnë për një strategji të Beogradit e të miqve të tij në rajon, që synojnë të rrisin tensionin e destabilizimin në Jug të Ballkanit e përhapjen e luftës.

Unë i bëj thirrje Këshillit të Sigurimit, NATO-s, si dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, që sa më shpejt të marrin masa për parandalimin e shpërthimit të konfliktit në Jug të Ballkanit, që pa dyshim do të përfshinte të gjithë Gadishullin. Ne përsërisim me këtë rast pikëpamjen tonë, se zgjidhja e çështjes së statusit të Kosovës mund të arrihet duke kushtëzuar me të heqjen e embargos ndaj Serbisë dhe duke vënë Kosovën nën kontrollin e NATO-s ose të OKB-së, tha presidenti i Shqipërisë, dr.Sali Berisha.

 

 

12 gusht 1994

Në territorin shqiptar u kapën tre ushtarë të Jugosllavisë së vetëshpallur

Në një zonë kufitare brenda territorit të Republikës së Shqipërisë njësitë kufitare shqiptare kapën dhe çarmatosën tre ushtarë të Jugosllavisë së vetëshpallur.

Televizioni Shqiptar transmetoi pamje të ushtarëve serbë dhe njoftoi se në sektorin ku ata u kapën, ka pasur edhe më parë tentativa nga ushtarët serbë për të kaluar brenda kufirit shqiptar.

 

 12 gusht 1995

 SHBA-të paralajmërojnë Serbinë që të mos sistemojë refugjatë serbë në Kosovë

SHBA-të po i paralajmërojnë zyrtarët serbë që të mos sistemojnë refugjatët serbë që janë duke u larguar nga Kraina, në rajonin e Kosovës, që banohet kryesisht me populllsi shqiptare.

Kosovë konsiderohet si një shkëndijë e mundshme për konfliktin ballkanik, thuhej në një korrespondencë të transmetuar në emisionet e “Zërit të Amerikës”.

Në emisionin shqip u transmetuan deklaratat e zëdhënësit të Stejt departamentit të shtetit amerikan lidhur me paralajëmimet serbe për vendosjen e disa refugjatëve serbë në Kosovë.

Në korrespondencë thuhej:

“Departamenti amerikan i shtetit është i shqetësuar nga njoftimet lidhur me planet e Serbisë për vendosjen e disa refugjatëve serbë nga Kroacia në Kosovë dhe u kanë kërkuar diplomatëve amerikanë që të sqarojnë qëllimet e qeverisë së Beogradit.

Rreth 150 mijë refugjatë serbë kanë ardhur në Serbi nga Kroacia, kur forcat e ushtrisë kroate pushtuan rajonin e Krainës që mbahej nga serbët e Kroacisë.

Sipas autioritetve të Beogradit, Kosova duhet të trajtohet si çdo rajon tjetër i Serbisë dhe do të marrë një pjesë të refugjatëve të sapoardhur.

90 përqind e popullsisë së Kosovës përbëhet nga shqiptarët. Presioni i egër serb ndaj popullsisë shqiptare të Kosovë ka ardhur duke u rritur që kur humbi autonominë pesë vjet më parë.

Zëdhenësi i departamantit të shtetit, Dejvid Xhonson thotë se çdo përpjekje e autoriteteve të Beogradit për të ndryshuar përbërjen e popullsisë së Kosovës, duke sjellë aty refugjatë serbë, vetëm do ta keqësonte gjendjen, që edhe kështu është karakterizuar me përleshje të ashpra.

Dejvid Xhonson tha: “Shumë kohë para se të fillonte kriza e tanishme e refugjatëve, Beogradi filloi një përpjekje tepër të pasuksesshme për të kolonizuar Kosovën me serbë etnikë, në mënyrë që të ndryshonte përbërjen demografike të rajonit.

Gjendja në Kosovë është e tendosur. Prej shumë kohësh ajo shihet si një fuqi baroti, shpërthimi i së cilës mund të çonte në zgjerimin e konfliktit ballkanik. Ne jemi të mendimit se çdo orvatje për të sistemuar një numër të madh të refugjatëve serbë nga Kroacia në Kosovë do të ishte një politikë jashtëzakonisht e padobishme”.

 

 12 gusht 1997

Në Mitrovicë një civil serb plagosi me armë zjarri një të ri shqiptar

Mbrëmë rreth orës 18:00, në afërsi të dispanzerit të fëmijëve në Mitrovicë, një civil serb plagosi me armë zjarri Blerat Gani Mikullovci (18) nga Mitrovica.

KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë njofton se civili serb, së pari kërcënoi disa të rinj shqiptarë që po luanin basketboll që të mos vazhdojnë lojën, dhe pastaj shkoi në banesën e tij prej nga me armë zjarri plagosi Bleratin.

Pas dhënies së ndihmës në spitalin e Mitrovicës, Blerati u lëshua në shtëpi. Jeta e tij nuk është në rrezik.

 

 12 gusht 1998

Vazhdon ofensiva serbe në komunën e Deçanit

– Supozohet se ka të vrarë, por deri tash dihen emrat e tre të vrarëve, ndërsa një i vrarë i paidentifikuar është në Shaptej. – Numër i madh i të plagosurve, dihet emrat e 45 prej tyre. – Forcat e UÇK-së u kanë shkaktuar humbje të mëdha forcave serbe. – Mbi 100 mijë banorë në qiell të hapur dhe të rrezikuar nga masakrat serbe

Ëdhe sot, ditën e katërt me radhë, forcat serbe po sulmojnë pandërprerë fshatrat e komunës së Deçanit. Në sulmin kundër fshatrave të kësaj komune, forcat serbe kanë angazhuar mbi 250 automjete ushtarake nga të gjitha llojet, njofton KI i Degës së LDK-së në Deçan.

Në këtë ofensivë të egër të forcave serbe janë përfshirë fshatrat Gllogjan, Gramaçel, Baballoç, Shaptej, Dubravë, Llukë e Epërme, Irzniq, Prejlep, Carrebreg i Ulët, Beleg, Kodrali, e fshatra të tjera. Kundër këtyre fshatrave, përveç këmbësorisë serbe, janë angazhuar edhe njësitet tankiste dhe njësitet tjera serbe, e në veçanti artileria e rëndë.

Bëhet e ditur se gjatë këtyre luftimeve, që konsiderohen nga më të ashprat që nga fillimi i luftës, janë vrarë disa shqiptarë: Nexhat Humaj, Xheladin Mushkolaj, një i paidentifikuar në fshatin Shaptej, Naim M. Nimanaj nga Gllogjani dhe disa të tjerë, emrat e të cilëve ende nuk dihen.

I njëjti burim njofton se gjatë këtyre luftimeve janë plagosur mbi mbi 40 shqiptarë: Bashkim Aliaj, Arian Malaj, Yll Morina, Elan Çeragjiu, Januz Rexhaj, Bashkim Sejfiaj, Genc Rexhaj, Sabit Kastrati, Ali Sylaj, Muhamet Haskaj, Fatos Salihaj, Jashar Zogaj, Haxhi Mustafaj, Ismet Haskaj, Gëzim Dërvishaj, Drilon Haskaj, Vaze Lokaj, Hajdar Demhasaj, Sami Lokaj, Jashar Zogaj, Idriz Rexhaj, Isuf Haskaj, Leonard Aliaj, Bekim Vishaj, Xhevat Zenuni, Shahe Bajramaj, Zade Bajramaj, Isuf Aliaj, Ismet Aliaj, Jeton Halilaj, Burhan Halilaj, Hajdar Demhasaj, Jeton Lushaj, Afërdita Hajdaraj, Arben Hajdaraj, Driton Mustafaj, Gani Ukaj, Luan Qerimaj, Astrit Ahmetaj, Zenun Mataj, Lulzim Mataj, Ismet Neziraj, Gani Beqaj, Nezir Lushaj, Demë Ramaj e të tjerë.

Në anën tjetër, njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcat e vetëmbrojtjes shqiptare i kanë shkaktuar armikut humbje të mëdha, si në njerëz ashtu edhe në teknikë ushtarake.

Njoftohet se në pozitë shumë të vështirë edhe në këto momente të rënda është popullata civile shqiptare e larguar nga fshatrat e tyre ku po zhvillohen luftimet. Bëhet e ditur se rreth 25 mijë civilë shqiptarë janë vendosur në fshatrat Isniq, Prapaqan, Broliq, Lumbardh, Dubovik dhe fshatra të tjera, ndërsa shumica e tyre po qëndrojnë nën qiellin e hapur, pa ushqime, ilaçe e gjësende të tjera më elementare.

Veç këtyre banorëve, në këtë hapësirë tash për tash po jetojnë edhe rreth 80 mijë banorë shqiptarë të komunës së Pejës, Deçanit dhe Gjakovës, tek të cilët ekziston frika e ndonjë masakri të forcave serbe.

Popullata civile shqiptare, apelon te bashkësia ndërkombëtare që të ndërhyjë urgjentisht te okupatori serb, në mënyrë që të ndalet një masakër e mundshme kundër popullatës së pambrojtur shqiptare.

 

Deçan: 7 shqiptarë të vrarë e 49 të plagosur

Forcat serbe ua kanë vënë zjarrin shumë fshatrave. Banorët e kësaj komune bëjnë apel për masa urgjente prevetive për të evituar masakrat e forcavse serbe ndaj tyre

Fshatrat: Glloxhan, Baballoq, Gramaqel, Shaptej, Dubravë, Prekollukë, Irzniq, Prejlep, Carrabreg, Drenoc, Kodrali e Pozhar janë përfshirë nga zjarri. Forca të mëdha të ushtrisë e policisë serbe, të shoqëruara me tankse autoblinda e mjete të tjera të motorizuara kanë hyrë në këto fshatra dhe ua kanë vënë zjarrin. Më se 25 banorë të këtyre dhe të fshatrave të tjera që ishin strehuar në fshatrat e përfshira në zjarr janë strehuar në fshatrat: Isniq, Prapaqan, Broliq, Lumbardh e Dubovik, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDKsë në Deçan.

I njëjti burim bën të ditur se deri tani dihet se janë vrarë 7 shqiptarë. Përveç katër të vrarëve që ishin identifikuar më heret, janë identifikuar edhe trupat pa jetë të Maxhun (Mujë) Çekajt nga Irzniqi, Gëzim Dervishajt e Orhan Halilajt nga Glloxhani. Ndërkaq, numri i të plagosurve ka arritur në 49 vetë.

Kryetari i këtij komisioni, Osman Cacaj, i deklaroi QIK-ut se banorët e komunës së Deçanit u bëjnë apel të gjithë faktorëve ndërkombëtarë që të ndërmarrin masa urgjente preventive për të penguar masakrat që u kanosen atyre nga forcat ushtarake e policore dhe nga paramilitarët serbë.

Continue Reading

Lajmet

Dështimi i afatit për Kuvendin: 14 organizata kërkojnë qartësi nga Kushtetuesja

Published

on

By

Katërmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile, të udhëhequra nga rrjeti AVONET, i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me kërkesë për të vlerësuar zbatimin e Aktgjykimit që përcakton afatin për konstituimin e Kuvendit.

Kjo kërkesë vjen pasi Kuvendi dështoi të përmbyllë procesin e konstituimit brenda afatit kushtetues. Zgjedhjet e 7 qershorit u certifikuan më 8 korrik, ndërsa afati 30-ditor për konstituim përfundoi më 7 gusht.

Më 6 gusht u hap seanca konstituive, mirëpo ajo nuk përfundoi me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve. Vazhdimi i saj u caktua për më 8 gusht, çka nënkupton kapërcimin e afatit të përcaktuar.

Përmes kësaj kërkese, organizatat kërkojnë nga Kushtetuesja të qartësojë nëse vendimi i saj është zbatuar në mënyrë të rregullt, me qëllim të garantimit të qartësisë juridike dhe respektimit të institucioneve në vend. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodríguez martohen në Portugali

Published

on

By

Ylli i futbollit botëror, Cristiano Ronaldo, i ka dhënë fund beqarisë duke u martuar me partneren e tij të shumëvjeçare, modelen dhe influencuesen Georgina Rodríguez, në një ceremoni civile të mbajtur në Portugali.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë sulmuesi portugez përmes një postimi në profilin e tij në Instagram, ku ka shpërndarë një fotografi të duarve të tyre me unazat e martesës. Postimi arriti më shumë se tre milionë pëlqime brenda vetëm 30 minutave të para.

Mediat portugeze, që e kanë cilësuar këtë si “martesën e vitit”, raportojnë se çifti i dha fund beqarisë më 11 gusht në qytetin bregdetar Cascais, afër Lisbonës, në një ceremoni ku morën pjesë edhe pesë fëmijët e tyre.

Ronaldo dhe Georgina janë bashkë prej 10 vitesh. Ata u njohën në një dyqan të brandit “Gucci” në Madrid ku Rodríguez punonte në atë kohë, kurse futbollisti luante për klubin spanjoll Real Madrid.

Ata kishin paralajmëruar fejesën e tyre saktësisht një vit më parë, më 11 gusht, kur Rodríguez publikoi foton e unazës me diamant me mbishkrimin në spanjollisht: “Po, pranoj. Në këtë jetë dhe në të gjitha jetët e mia”. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara