Lajmet

​Haradinaj kritikon qeverinë për ndarjen e buxhetit 2024

Haradinaj tha se asnjë nga projektet e infrastrukturës në shëndetësi dhe arsim nuk do të përfundojnë në vitin që vjen.

Published

on

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e quan zvogëlim real të pagave rritjen e koeficientit nga 105 në 110 euro. Ai e vlerëson si shqetësues, siç tha ai, nënçmimin që po u bëhet Policisë së Kosovës, shëndetësisë dhe drejtësisë me mohimin e pagesave shtesë për rrezikshmëri. Haradinaj kritikoi qeverinë edhe për mosinvestimin në Ministrinë e Mbrojtjes.

Në seancën e Kuvendit, Haradinaj potencoi se mbi 80 për qind e projekteve kapitale të listuara në buxhetin 2024 janë të parealizueshme në tri vitet e fundit, e të bartura për vitin 2024.

“Kjo është rritja më e vogël e një buxheti që nga çlirimi i vendit. Rritje e vlerës së koeficientit të pagave nga 105 më 110 euro nuk është rritje e as harmonizim, por është zvogëlim real i pagave. Indeksi i çmimeve të konsumit është 5.1 për qind ketë vit, dhe 2.7 për qind është i paraparë për vitin 2024. Pra, e argumenton këtë. Shqetësuese në veçanti është nënçmimi që iu bëhet disa kategorive si Policia e Kosovës, shëndetësia, drejtësia e të tjerë të dëmtuar nga qeveria, nga mohimi i pagesës së shtesave për rrezikshmëri dhe punë shtesë të garantuara me ligjin në fuqi. Investimet kapitale të shtuara vetëm për 48 milionë nuk mundësojnë ndonjë zhvillim ekonomik, praktikisht janë stagnim kur marrim parasysh se 90 për qind e projekteve të parapara për realizim për vitin 2023 nuk janë realizuar, por mbahen në vitin buxhetor 2024. Ndërsa, mbi 80 për qind e projekteve kapitale të listuara në buxhetin që e shqyrtojmë sot janë projekte të parealizuara në tri vitet e fundit, e të bartura për vitin 2024”, tha Haradinaj.

Ndërkaq Haradinaj tha se asnjë nga projektet e infrastrukturës në shëndetësi dhe arsim nuk do të përfundojnë në vitin që vjen. Haradinaj derisa bëri krahasimin se sa investojnë vendet e tjera në institucionet e mbrojtjes, tha se qeveria aktuale nuk ka implementuar 58 milionët e parapara për mbrotje, por i bartë në vitin tjetër. Shqetësuese Haradinaj e sheh edhe mosndarjen e ‘asnjë centi shtesë për Ministrinë e Punëve të Brendshme’.

“Tek infrastruktura rrugore për rehabilitimin e rrugëve vetëm 3 milionë euro për rrugën, ndërsa 59 milionë eurot e reja, qe janë bartë, janë kryesisht të bartura ndër vite dhe ato ju dedikohen projekteve, qe po ashtu nuk garanton përfundimin në vitin që vjen… Në shëndetësi janë vetëm 2 milionë të reja… ndërsa në arsim vetëm 4.5 milionë. Asnjë nga projektet e infrastrukturës në shëndetësi dhe arsim nuk do të kryhen në vitin që vjen, janë bart ndër vite dhe nuk do të përfundojnë as në vitin që vjen. Për Ministrinë e Punëve të Brendshme, nuk është paraparë asnjë cent shtesë… Qeveria e Kosovës në kohën e zhvillimeve të sigurisë të rendit dhe të ligjit bart 52 milionë eurot e këtij viti në vitin tjetër. Në Ministrinë e Mbrojtjes… Qeveria jonë nuk ka implementuar 58 milionët e parapara por i bartë në vitin tjetër. Fondi i subvencioneve dhe transfereve është zvogëluar për 35.6 milionë”, potencoi Haradinaj.

Si problem më vete, kryetari i AAK-së e konsideron ndarjen e padrejtë të investimeve kapitale për komunat e partisë, derisa e quan “të pafytyrë”, veprimin e qeverisë në këtë rast.

Lidhur me këtë tha se “kemi të bëjmë me një qeveri e cila nuk investon buxhetin qëllimshëm ndër vite”.

Lajmet

Sllovenia miraton ligjin që njeh pantentë shoferët e Kosovës

Published

on

By

Ministrja e Punëve të Jashtme në detyrë Donika Gërvalla, ka njoftuar se Asambleja Nacionale e Sllovenisë, ka miratuar ligjin me anë të së cilit njihen pantentë shoferët e Republikës së Kosovës.

Sot Asambleja Nacionale e Republikës së Sllovenisë miratoi ligjin që njeh patentë-shoferët e Republikës së Kosovës. Lajm i mirë për qytetarët tanë dhe mërgatën në Slloveni. Urime!”, ka shkruar Gërvalla në një postim në Facebook.

Continue Reading

Lajmet

​Besim Kelmendi padit Këshillin Prokurorial, kërkon anulimin e vendimit

Published

on

By

Besim Kelmendi i cili në mbledhjen e 20 nëntorit 2025 të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) u shkarkua nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ka ushtruar padi ndaj KPK-së, duke kërkuar anulimin e vendimit të Këshillit.

Po ashtu, Kelmendi ka propozuar edhe caktimin e masës së përkohshme të sigurisë- pezullimin e zbatimit vendimit të KPK-së dhe të vazhdojë ushtrimin e pozitës së U.D Kryeprokurorit të Shtetit deri në vendosjen meritore në këtë çështje administrative.

Shkarkimi i Kelmendit nga kjo pozitë, u bë me votat e pesë anëtarëve të zgjedhur të KPK-së të cilët ishin të pranishëm në takimin e 20 nëntorit, pasi fillimisht takimi u mbyll në mungesë kuorumi me largimin e Kelmendit dhe katër anëtarëve tjerë nga kjo mbledhje.

Sipas padisë për inicimin e konfliktit administrativ me propozimin për caktim të masës së përkohshme, përkundër se vendimi i të paditurës KPK është për shkarkimin e paditësit, meqë nuk është ndjekur procedurë disiplinore dhe vendimi si i tillë nuk paraqet Vendim për masë disiplinore për paditësin, paditësi nuk mund të ushtrojë të drejtën e mjetit juridik të ankesës në Gjykatën Supreme. siç e garanton neni 19 paragrafi 4 i Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, raporton Betimi për Drejtësi.

Në padi thuhet se KPK-ja në vendimin për shkarkimin e paditësit nuk e ka trajtuar rastin në kuptimin disiplinor, por nga vetëm 5 prej 10 anëtarëve e zgjedhur të KPK-së është marrë si kinse një nga vendimet e zakonshme të KPK-së, që përbëjnë akt administrativ.

Andaj, duke qenë se KPK është institucion i pavarur siç e garanton Kushtetuta dhe nuk ka organ epror për të shqyrtuar ankesën ndaj vendimeve të tij, paditësi paraqiti drejtpërdrejt këtë padi në këtë Gjykatë.

Ndërsa, sot në një konferencë për media, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Ardian Hajdaraj, tha se ish-ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, është shkarkuar nga kjo pozitë shkak i qëndrimeve të njëanshme dhe denigruese në takimet e KPK-së dhe prononcimet që kishte bërë në media pas vendimit për ta larguar nga pozita e ud Kryeprokurorit të Shtetit./KP

Continue Reading

Lajmet

Aktakuzë për vrasje të rëndë në tentativë

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit B.G., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, më datë 17.10.2025, rreth orës 00:10min, në banesën familjare në Prizren, pas një konflikti të çastit me motive xhelozie, i pandehuri B.G., e sulmon me thikë me gjatësi tehu prej 13 cm, bashkëshorten M.A., duke e goditur gjashtë herë dhe duke i shkaktuar dëmtime serioze të organeve të brendshme. Gjithashtu, i pandehuri e godet me thikë edhe vajzën e mitur të viktimës, e cila kishte tentuar të ndërhynte, duke i shkaktuar lëndime të rënda në zonën e krahërorit dhe barkut. Lëndimet e shkaktuara ndaj të dy viktimave janë konfirmuar nga ekspertiza mjeko-ligjore e datës 24.11.2025.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”, thuhet në njoftim./KP

Continue Reading

Lajmet

Gati 300 ushtarë të KFOR-it marshojnë 30 kilometra në Bondsteel në nderim të të rënëve

Published

on

By

KFOR ka njoftuar se gati 300 ushtarë nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Danimarka, Bullgaria, Mbretëria e Bashkuar, Turqia, Zvicra, Kroacia, Letonia, Sllovakia dhe Polonia, kanë marrë pjesë në Marshimin Norvegjez në Kampin Bondsteel.

Ky marshim që ka përfshirë 30 kilometra me një çantë shpine prej 11 kilogramësh dhe u zhvillua në nder të ushtarëve të rënë, duke pasqyruar përkushtimin, qëndrueshmërinë dhe profesionalizmin e ushtarëve të KFOR-it.

Gati 300 ushtarë nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Danimarka, Bullgaria, Mbretëria e Bashkuar, Turqia, Zvicra, Kroacia, Letonia, Sllovakia dhe Polonia, që shërbejnë nën Komandën Rajonale – Lindje brenda misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, morën pjesë në Marshimin Norvegjez me Pajisje në Kampin Bondsteel, Kosovë.

Marshimi përfshiu 30 kilometra me një çantë shpine prej 11 kilogramësh dhe u zhvillua në nder të ushtarëve të rënë, duke pasqyruar përkushtimin, qëndrueshmërinë dhe profesionalizmin e ushtarëve të KFOR-it.

KFOR vazhdon të zbatojë mandatin e tij – të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar për një ambient të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe për lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe paanshmërisht. KFOR punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), secili në rolin e vet si përgjegjës për sigurinë./EO

Continue Reading

Të kërkuara