Në kuadër të shënimit të 20-vjetorit të UBT-së, për nder të 1 qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, UBT për gjeneratën e së ardhmes ka hapur qendrën më të re dhe të parën të këtij lloji për fëmijë, “UBT Junior Hub”.
Në prani të nxënësve të shkollës “Ismail Qemali”, në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së në Lipjan, rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi ka bërë hapjen e kësaj qendre, e cila do të jetë pikëtakimi i fëmijëve dhe të rinjve, ku do të njihen mes vete dhe do të ndajnë të njëjtin vend për mësim dhe argëtim si asnjëherë më parë, e ku do krijojnë përvoja të të mësuarit që do t’i ndihmojnë ata të zhvillohen personalisht dhe profesionalisht, duke pasuruar mundësitë e tyre për të ardhmen.
Rektori Hajrizi njoftoi për së afërmi fëmijët e shkollës “Ismail Qemali” në Prishtinë me Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, robotin NAO, pjesën e sportit dhe pishinën, stomatologjinë, si dhe laboratorët e tjerë, përfshirë laboratorin e Fakultetit Shkencat e Ushqimit dhe Bioteknologji, teksa fëmijët patën edhe mundësi që të bëjnë vizatime në laboratorin e Fakultetit Art dhe Media Digjitale.
Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi të gjithë fëmijëve u ka uruar 1 qershorin, Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, duke thënë se ata janë e ardhmja e vendit, dhe se UBT është duke punuar vazhdimisht për të krijuar mundësi që ata të zhvillojnë aktivitetet e tyre.
AVR, programim, robotikë, web design, gjuhë angleze, gjuhë gjermane, powerpoint dhe animacione, pikturë dhe vizatim, muzikë, si dhe të menduarit në mënyrë kritike, janë disa prej fushave të cilat fëmijët dhe të rinjtë do të kenë mundësi t’i përvetësojnë në mënyrë unike në një ekosistem të mahnitshëm të dijes që vetëm UBT di të ofrojë.
Kjo qendër është njëra prej 20 inovacioneve që UBT po sjellë në 20-vjetorin e themelimit të saj e cila synon që të gjithë fëmijëve të moshës 6-11 vjeç dhe të rinjve të moshës 12-18 vjeç, t’u ofrojë programe dhe trajnime që përfshijnë aktivitete argëtuese, emocionuese dhe edukative, me të gjitha kushtet e nevojshme për të mësuar dhe zhvilluar vetën në bazë të moshës, në fusha të ndryshme të jetës, bazuar në programe moderne të mësimdhënies.
Edukimi, njohuritë e lindura, argëtimi dhe informimi do të jenë gërshetim i shkëlqyer i qendrës më të re për fëmijë, “UBT Junior Hub”, që do të jetë vendi i talentëve e miqve të rinj, që do të thurin kujtime të paharrueshme në parkun e shkencës, teknologjisë dhe inovacioneve të UBT-së.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur në një takim përshëndetës ambasadorin jorezident të Australisë për Kosovën, Richard Rodgers, me rastin e përfundimit të mandatit të tij.
Gjatë këtij takimi, Konjufca shprehu mirënjohjen e tij për punën e ambasadorit, duke e falënderuar për angazhimin e vazhdueshëm në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Australisë.
Të dy bashkëbiseduesit riafirmuan gatishmërinë e vendeve respektive për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë dhe për të forcuar më tej lidhjet diplomatike dhe miqësore në të ardhmen.
Zëvendësministri i Financave, Hysni Mehani, dhe aktivisti Bahri Zabeli kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin e Mitrovicës pas lëndimeve në kokë që morën gjatë një përleshjeje në një kafene në Skenderaj. Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, Mehani u sulmua nga kryetari i komunës, Sami Lushtaku, dhe truprojat e tij derisa po pinte kafe.
Në reagimin e tyre, Vetëvendosje tha se “Hysni Mehani është goditur me grusht, ndërsa më pas edhe me gotë në kokë. Ky sulm tregon se këta njerëz nuk e kanë vendin në udhëheqje.”
Ndërsa, Sami Lushtaku i ka mohuar akuzat, duke thënë se nuk i sulmoi ai, por se qytetarët reaguan të irrituar nga provokimet.
“Etiketat si ‘Sami Serbia’ qytetarët nuk i tolerojnë më, prandaj edhe reaguan!”, shkroi Lushtaku në Facebook.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e cila kërkoi nga organet e rendit që të veprohet menjëherë.
“Mandati publik nuk është mburojë për forcë fizike ndaj kundërshtarit politik. Ftoj organet e rendit të veprojnë menjëherë dhe pa asnjë hezitim”, shkruan Haxhiu.
Policia tashmë ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e sulmit.
Ka përfunduar me sukses operacioni i evakuimit në minierën e Trepçës në Stan Tërg, ku të gjithë minatorët që kishin mbetur të bllokuar tashmë kanë dalë mbi sipërfaqe. Lajmi është konfirmuar pas nxjerrjes së 18 punëtorëve të fundit, të cilët po qëndronin në zgafellë si pasojë e një defekti të rëndë elektrik.
Më herët, menaxhmenti i ndërmarrjes “Trepça” kishte sqaruar përmes një njoftimi zyrtar se nga rreth 50 punëtorë sa ishin bllokuar fillimisht, 29 prej tyre kishin arritur të dalin menjëherë, ndërsa 18 të tjerë pritën ndërhyrjen alternative për shkak të bllokimit të liftit, raporton Ekonomia online.
Sipas ndërmarrjes, ky incident erdhi si pasojë e një avarie në linjën 35 kilovolt në Stan Tërg, ku shkëputja e një përcjellësi në hyrje të trafostacionit dëmtoi izolatorët dhe shkaktoi djegie në trafon kryesore që furnizon flotacionin me energji elektrike. Ekipet teknike kanë qenë në teren për të sanuar dëmtimet e stabilimenteve, ndërsa gjendja e minatorëve të evakuuar raportohet të jetë stabile. /Ekonomia online/
Departamenti amerikan i Shtetit e ka njoftuar Kongresin amerikan për një leje të propozuar për eksportimin e artikujve të mbrojtjes, të dhënave teknike dhe shërbimeve të mbrojtjes drejt Kosovës, në vlerë prej 14 milionë dollarësh apo më shumë, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë disa burime brenda Kongresit.
Njoftimi është dërguar nga Byroja për Çështje Legjislative e Departamentit amerikan të Shtetit, në përputhje me nenin 36(c) të Ligjit për Kontrollin e Eksportit të Armëve.
Sipas dokumentit, njoftimi mban numrin e transmetimit DDTC 26–017, dhe i është përcjellë Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit.
Neni 36(c) kërkon që administrata amerikane ta njoftojë Kongresin për disa shitje apo leje të propozuara të artikujve dhe shërbimeve të mbrojtjes për shtete të huaja.
Në dokumentin e Kongresit nuk jepen hollësi publike për llojin e pajisjeve apo shërbimeve që përfshihen në këtë licencë. /REL/