“Libri hap botën” është motoja e edicionit të 26-të të Panairit të Librit në Prishtinë, i cili hapet sot në mesditë në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë.
Ky panair, i cili konsiderohet ngjarja më e madhe e librit në vend, synon të promovojë leximin dhe të sjellë më afër lexuesit botimet më të reja nga autorë dhe shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Sipas Shoqatës së Botuesve të Kosovës, këtë vit vërehet një rënie e numrit të botuesve pjesëmarrës, rreth 60 gjithsej, krahasuar me vitet e kaluara kur ky numër ishte më i lartë. Organizatorët theksojnë se kjo ka ndikuar edhe në uljen e numrit të vizitorëve, që këtë vit pritet të arrijë rreth 30 mijë.
Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, tha se panairi duhet parë si një festë e librit dhe jo si një librari e madhe, duke theksuar se qëllimi kryesor mbetet nxitja e leximit te të rinjtë.
Në këtë edicion do të mbahen rreth 20 aktivitete kulturore e letrare, përfshirë edhe përvjetorë të rëndësishëm të figurave të letërsisë shqipe si Ismail Kadare, Rexhep Qosja dhe Adem Demaçi.
Panairi sjell rreth 2,000 tituj të rinj, ndërsa në total janë të pranishme rreth 6,000 botime të viteve të fundit. Botimet “KOHA” prezantojnë 120 tituj, prej të cilëve gjashtë janë botime ekskluzive për këtë ngjarje, me zbritje që arrijnë deri në 90 për qind.
Panairi i Librit do të zgjasë pesë ditë dhe mbetet vendtakimi kryesor mes lexuesve, shkrimtarëve dhe botuesve, duke u konsideruar një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend.
/A.K/