Lajmet

Hapet ekspozita e refugjates ukrainase, Osmani: Duhet të luftojmë kundër padrejtësive

Ekspozita u hap në Ditën Botërore të Refugjatëve.

Published

on

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), organizoi ekspozitën “Lule kundër luftës”, me punimet e Liudmyla Makei e cila është refugjate ukrainase në Kosovë.

Ekspozita u hap në Ditën Botërore të Refugjatëve ku presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shprehu solidaritetin ndaj të gjithë refugjatëve në botë, në veçanti atyre ukrainas që po qëndrojnë në Kosovë.

Osmani tha se Kosova do të avokojë gjithmonë për të drejtat e refugjatëve, pasi qytetarët kosovarë kanë qenë të tillë në vitin 1999.

“Fati i popullit tim na bën të përjetojmë të qenit refugjat më 1999 kur ekzistenca jonë ishte në pikëpyetje. Sikurse gati si të gjithë të tjerët në Kosovë edhe vet kam qenë refugjate, ndaj në këtë ditë nuk ka sesi mos të solidarizohem me të gjithë refugjatët anë e kënd botës, por në veçanti me ata që sot e kanë strehë Republikën tonë. Populli i Kosovës e ndjen më së miri këtë, pasi 24 vjet më parë neve na janë hapur dyert në shumë shtete të botës… Në Ditën Botërore të Refugjatëve ne duhet të bashkohemi për të nderuar qëndrueshmërinë, forcën dhe guximin e refugjatëve anë e kënd botës. Është një ditë për të njohur gjendje e vështirë të atyre që janë detyruar nga shtëpitë e tyre për shkak të luftërave, persekutimeve apo fatkeqësive. Refugjatët nuk janë thjesht numra, por janë individ me ëndrra, aspirata dhe potencial. Ata mishërojnë shpirtin e paepur të mbijetesës njerëzore dhe shpirtin e palëkundur për një të ardhme më të mirë. Ekspozita e sotme nga Liudmyla është pikërisht një dëshmi e kësaj”, theksoi ajo.

E drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti, tha se ofrimi i ndihmës për refugjatë është obligim moral.

“Duke kujtuar këto përvoja të dhimbshme është detyra jonë morale të hapim zemrën dhe të ofrojmë ndihmën tonë refugjatëve aktual. Për këtë arsye, ndihemi krenar që sot po e organizojmë një ekspozitë pak më ndryshe, e cila pasqyron lulet si simbol i paqes dhe si simbol i shpresës”, tha Rushiti.

Ndërkaq, drejtori i UNHCR-së në Kosovë, Arjun Shrestha, tha se numri i madh i refugjatëve në botë është dëshmi për angazhim më të madh për zgjidhjet politike të konflikteve.

“Sot, po shënojmë Ditën Botërore të Refugjatëve në një botë që nuk ka zgjidhje për më shumë se 110 milionë njerëz të cilët janë detyruar të ikin, një botë që lë në harresë shumë nga 35 milionë refugjatët, në një botë që mbetet e paaftë për të zgjidhur konfliktin që lë miliona në mërgim dhe në një botë që shpesh i pengon refugjatët të kenë qasje në shërbime ose në punë që u nevojitet për të jetuar me dinjitet, por kjo nuk duhet të jetë kështu. Faleminderit që jeni këtu sot, për të treguar solidaritet me miliona njerëz në mbarë botën që janë detyruar të ikin nga lufta, dhuna apo përndjekjet. Ju po i njihni vështirësitë dhe lini përvojën e tyre duke nderuar guximin, shpresën dhe kontributin e tyre në komunitet. Duke qenë këtu sot, ne po e pranojmë që të gjithë mund të angazhohemi për të bërë më shumë për të ofruar më shumë shpresë, mundësi dhe zgjidhje për refugjatët ndërsa ata janë larg shtëpive të tyre”, theksoi ai.

Në anën tjetër, autorja e ekspozitës, refugjatja ukrainase, Liudmyla Makei, tha se pikturat paraqesin universin e saj ideal ku nuk ka luftë dhe dhimbje.

“Prishtina është shtëpia ime e dytë. Lulet janë universi im ideal. Aty nuk ka luftë dhe dhimbje. Unë dua që e gjithë bota të jetë kështu. Në të njëjtën kohë, unë dua të ndihmoj kolegët e mi ukrainas që janë aktualisht në robërinë ruse dhe të mbështes gazetarët që do të shkruajnë për viktimat e dhunës seksuale. Është shumë e rëndësishme për mua, për vendin tim, për të gjithë botën. Kjo është arsyeja pse vendosa ta shes pikturën time. Do të jem e lumtur nëse dëshironi ta blini pikturën time. Paratë e mbledhura do t’ia jap Unionit Kombëtar të Gazetarëve të Ukrainës dhe këtë ekspozitë ia kushtoj Ukrainës dhe falënderoj Kosovën për mbështetjen”, theksoi ajo.

Dita Botërore e Refugjatëve është themeluar nga Kombet e Bashkuara për të nderuar guximin, forcën dhe vendosmërinë e grave, burrave dhe fëmijëve të cilët janë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre nën kërcënimin e persekutimin, konfliktit dhe dhunës.

lajme

Kurti takon në Paris emisarin Sorensen: Diskutohet për normalizimin dhe dialogun me Serbinë

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron në Paris, është takuar me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, në margjinat e Forumit të Paqes.

Gjatë takimit u diskutua për perspektivat e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve me fokus njohjen reciproke, stabilitetin institucional të paszgjedhjeve në Kosovë, si dhe rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE.

“Diskutuam për stabilitetin e plotë institucional që gëzon tashmë Kosova pas zgjedhjes së presidentit, rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE, si dhe perspektivat për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, me fokus njohjen reciproke”, u shpreh kryeministri Kurti.

Edhe emisari evropian Sorensen konfirmoi takimin përmes një njoftimi, duke vlerësuar bisedën si të frytshme për përcaktimin e hapave të mëtejshëm në dialog dhe procesin e normalizimit në dobi të qytetarëve dhe rajonit. Gjatë qëndrimit në kryeqytetin francez, Kurti gjithashtu zhvilloi një bashkëbisedim me studentë, ku theksoi pritjet e tij që udhëheqja e re e Serbisë të njohë Republikën e Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kosova U19 mposhtet nga Belgjika në raundin e dytë kualifikues

Published

on

By

Përfaqësuesja U19 e Kosovës në futboll e ka nisur me humbje raundin e dytë kualifikues për Kampionatin Evropian Euro 2027, pasi u mposht nga Belgjika me rezultat 2:0.

Në ndeshjen e zhvilluar në Skoci, pjesa e parë përfundoi pa gola, mirëpo belgët zgjidhën sfidën me dy goditje të shpejta me të filluar pjesa e dytë. Naim Amengai realizoi për 1:0 në minutën e 47-të, ndërsa Jessie Da Silva dyfishoi epërsinë dy minuta më vonë.

Sfida e radhës për futbollistët e rinj të Kosovës në kuadër të Grupit A2 do të jetë të shtunën kundër nikoqires së turneut, Skocisë.

Në anën tjetër, edhe Përfaqësuesja U17 e Kosovës ka pësuar humbje në sfidën ndaj Bjellorusisë, ndërsa ndeshjen e ardhshme do ta zhvillojë më 17 nëntor përballë Kazakistanit. Tri ekipet e para të secilit grup do të sigurojnë kalimin në raundin e tretë, me shortin që pritet të tërhiqet më 10 dhjetor. /E.A/

Continue Reading

lajme

Murati prezanton buxhetin për 2027-ën, opozita kritikon investimet kapitale

Published

on

By

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar në shqyrtimin e parë para Komisionit për Buxhet Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2027, i cili parasheh shpenzime në vlerë prej 4 miliardë e 268.7 milionë eurosh, të mbështetura nga të hyra prej 4 miliardë e 2 milionë eurosh dhe një deficit fiskal prej 2 për qind.

Gjatë raportimit, ministri Murati theksoi se buxheti reflekton rritjen ekonomike dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së financave publike, ndërsa arsyetoi rritjen e kostos së jetesës me faktorë dhe tronditje të jashtme gjeopolitike.

“Sa i përket inflacionit, patjetër që është problem rritja e kostos së jetesës edhe në Kosovë, sikurse në të gjitha vendet tjera të botës. Kjo ka dy shkaktarë, fillimisht ishte lufta në Ukrainë, e cila ndikoi në tronditjen globale të çmimeve të energjisë, por edhe të ushqimeve, dhe tash së fundi kemi edhe valën e re që vjen si rezultat i konfliktit në Gjirin Persik”, deklaroi Murati.

Prezantimi u pasua me kritika të ashpra nga anëtarët e opozitës. Deputeti nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, ngriti shqetësimin për ngecjen e investimeve kapitale dhe ndikimin e inflacionit në mirëqenien e qytetarëve, duke iu referuar edhe raporteve që tregojnë se mbi një miliard euro investime të planifikuara kanë mbetur të pashpenzuara gjatë viteve të kaluara.

Seanca u karakterizua edhe nga debati i tensionuar mes ministrit Murati dhe deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili kritikoi mungesën e një orientimi të qartë strategjik në infrastrukturë, shëndetësi dhe energji, duke vënë në dyshim pasqyrimin e premtimeve qeverisëse në kornizën trevjeçare buxhetore.

“S’je i interesuar sepse je mashtruesi më i madh që ka pasur ky vend… Buxheti nuk është një plan kontabël, është një dokument strategjik”, u shpreh Hoti gjatë përplasjes direkte me ministrin e Financave.

Sipas planifikimit të ndarjeve buxhetore sipas kategorive ekonomike, për paga janë paraparë 1 miliard e 84.9 milionë euro, për subvencione dhe transfere 1 miliard e 446 milionë euro, ndërsa për investime kapitale është alokuar shuma prej 1 miliard e 70 milionë eurosh. Projektligji pritet të vazhdojë procedimin në komisionet e linjës për shqyrtim të mëtejshëm. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Foda rindërton mbrojtjen pas largimit të Dellovës

Published

on

By

Kombëtarja e Kosovës në futboll është përballur me ndryshime të papritura në repartin defensiv në prag të ndeshjeve ndaj Izraelit dhe Irlandës.

Mbrojtësi Lumbardh Dellova është larguar nga grumbullimi i “Dardanëve”, ndërsa përzgjedhësi Franco Foda ka ftuar në vend të tij Betim Fazlijin. Kjo mungesë e ndërlikon edhe më shumë situatën në prapavijë, meqë jashtë fushave vazhdon të jetë edhe Albian Hajdari për shkak të një lëndimi afatgjatë.

Në skemën e tij të zakonshme 3-4-3, tekniku gjerman do të duhet të rindërtojë treshen e mbrojtjes. Lajm pozitiv për skuadrën është rikthimi i Kreshnik Hajrizit pas lëndimit, i cili pritet të jetë nga minutat e para pranë Ilir Krasniqit dhe Ron Raçit. Si opsione të reja në dispozicion janë edhe dy debutuesit nga Zvicra dhe Suedia, Lindrit Kamberi e Bleon Kurtulus, si dhe Betim Fazliji i cili mbulon disa pozicione në mbrojtje e mesfushë.

“Është e rëndësishme të kemi disa mundësi, jo vetëm për ndeshjet e radhës, por edhe për të ardhmen. Është e rëndësishme ta kemi parasysh të ardhmen e Kombëtares dhe ta ruajmë cilësinë, në mënyrë që të përgatitemi edhe për kualifikimet e Kampionatit Evropian”, u shpreh përzgjedhësi Foda lidhur me zgjedhjet e reja në mbrojtje. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara