Bota për fëmijët sot duket shumë ndryshe nga ajo që ishte për prindërit e tyre. Ky ndryshim theksohet në një skenë të serialit të njohur të platformës transmetuese Netflix, “Adolescence”, ka shkruar CNN.
Në episodin II, Inspektori i Krimeve, Luke Bascombe (rolin e të cilit e luan Ashley Walters) shkon në shkollë të mesme për të hetuar pse 13-vjeçari Jamie Miller (rolin e të cilit e luan Owen Cooper), personazhi kryesor i serialit, dyshohet se ka vrarë shoqen e tij të klasës, Katie.
Bazuar në ndërveprimet në Instagram, mendon se ishin miq dhe të lidhur romantikisht. Djali i tij, nxënës në shkollë, i tregon se ka gabuar.
Emojit që Katie kishte përdorur nuk ishin “të pafajshme”. Ato ishin formë koduese e ngacmimit: emoji i dinamitit përfaqëson një pilulë të kuqe që shpërthen, një referencë për “manosferën” (grupet online të djemve që kanë ide ekstremiste për marrëdhëniet me gratë).
Emoji apo simboli “100” është një aludim për këtë grup, që sugjeron një teori që thotë se 80% e grave tërhiqen nga 20% e djemve.
Ky zbulim është tronditës për Bascombe dhe të tjerët të rritur, që nuk e dinë cilat ide të dëmshme e të rrezikshme ndikojnë te të rinjtë dhe si depërtojnë në jetën e tyre. Kjo ngjarje me papërputhshmëri është në qendër të “Adolescence”, serial britanik që ka ngjallur diskutime për qëndrimet e djemve të rinj ndaj grave, kulturën “incel” (djemtë që ndihen të margjinalizuar dhe kanë urrejtje ndaj grave), përdorimin e telefonave të mençur dhe shumë çështje të tjera.
Seriali fillon si dramë krimi, por gjatë katër episodeve, eksploron çfarë mund të ketë shtyrë një djalë që duket i pafajshëm të bëjë diçka kaq të tmerrshme. Dhe përgjigjet që ofron nuk janë aspak të thjeshta. Në një intervistë Jack Thorne, një nga krijuesit e serialit, flet për hulumtimet e tij në qoshet më të errëta të internetit, zemërimin e djemve të rinj dhe shpresat që ka për prindërit.
Pse e krijoi këtë histori?
“Filloi me mikun tim Stephen Graham. Ai më telefonoi e tha se duhet të shkruajmë një serial për djemtë që urrejnë vajzat dhe për krimin me thika, që është problem i madh këtu në Britani”, ka thënë Thorne.
Ata u nisën nga diskutimi për zemërimin e djemve, për mizorinë e tyre dhe për ndërtimin e një portreti të ndërlikuar të maskulinitetit.
“Si u bëmë ne e si po bëhen adoleshentët tani, në mënyra të ngjashme, por edhe të ndryshme?”, ka thënë tutje Thorne.
A ishin këto tema që i ka menduar gjatë kohës?
“Ka kohë që i mendoj, por diçka që kam tendencë ta kisha injoruar. Kur u futa më thellë, pashë shumë ide që më befasuan dhe që, nëse do t’i kisha dëgjuar në momentin e gabuar, do të më kishin çuar në rrugë që jam shumë i lumtur që nuk i kam ndjekur”, ka thënë skenaristi.
Tutje ai ka shpjeguar se si funksion kultura “incel”.
“Idetë e kulturës ‘incel’ janë tërheqëse se u japin kuptim shumë ndjenjave: izolimit, vetëvlerësimit të ulët, ndjenjës së padëshirueshmërisë. Ata të thonë se ka një arsye pse bota është kundër teje: sepse bota është ndërtuar nga një këndvështrim femëror, dhe gratë kanë gjithë fuqinë. Ata të japin udhëzime për t’u përmirësuar: të bëhesh më i fortë, të mësosh të manipulosh dhe të dëmtohesh”, ka thënë ai.
Cili iishte procesi i kërkimit për të shkruar karakterin e Jamie?
“Për të kuptuar këto ide, hulumtova në vende të errëta si platforma “Reddit” dhe “4chan”, duke ndryshuar algoritmin. Krijova llogari anonime e fillova të ndiqja njerëzit e dukshëm. Ata më çuan tek ata që ishin më pak të dukshëm, dhe këta ishin ata që më interesuan më shumë”, ka treguar Thorne.
Ka thënë se 13-vjeçari s’është duke e ndjekur personazhin e rrjeteve sociale, ish-kik-boksierin profesional, Andrew Tate, në mënyrë direkte.
“Ndoshta është duke ndjekur dikë që është i pasionuar pas lojërave ose muzikës, dhe që ka ndjekur Andrew Taten më parë dhe tani e përhap atë ide në një formë tjetër”, ka shpjeguar Thorne.
Cilat janë pyetjet që përpiqet t’u japë përgjigje seriali?
“Po pyesnim veten: Pse e bëri Jamie atë që bëri? Kjo nuk është pyetje se ‘kush e bëri?’ por ‘pse e bëri?’. Kjo është arsyeja pse shkojmë në shkollë në episodin e dytë, për të kuptuar sistemin arsimor dhe si funksionon ai. Në episodin e tretë, përpiqemi të kuptojmë se si mendon ai, çfarë ka përpunuar. Dhe në episodin e katërt, arrijmë në një vend shumë të ndërlikuar. Nuk do të thotë që mund të fajësojmë vetëm prindërit, por ata janë pjesërisht përgjegjës”, ka thënë Thorn.
Si mund të adresohet radikalizimi i djemve të rinj?
Regjisori ka thënë se duhet gjetur mënyra e duhur për përdorimin e rrjeteve duke cekur se problemet nuk vijnë direkt nga platformat.
“Duhet të gjejmë një mënyrë për të trajtuar përdorimin e mediave sociale. Ky është një problem i vështirë, sepse nuk do të vijë nga vetë platformat. Në Britani, po flasim për moshën kur duhet lejuar qasje në përdorim të rrjeteve sociale, ndërsa në Australi, ata që janë nën 16 vjeç ndalohen t’i përdorin rrjetet sociale. Kjo është përgjegjësia e kompanive që menaxhojnë këto platforma”, ka thënë tutje Thorne.
Çfarë mësimesh mund të nxjerrin prindërit nga ky serial?
Thorne ka thënë se është e nevojshme vëmendja e të rriturve ndaj adoleshentëve, pasi ata janë në krizë.
“Duhet të dëgjojmë fëmijët, janë të cenueshëm e kanë nevojë për ne. Kjo është për të gjithë, jo vetëm për prindërit. Dëgjoni fëmijët. Kjo është për mësuesit, dëgjoni nxënësit e studentët tuaj. Kjo është për politikanët, dëgjoni të rinjtë. Ata janë të përjashtuar tani dhe po kalojnë një dhimbje të madhe. Duhet t’i ndihmojmë”, ka thënë Thorne.
Ai ka thënë se ajo që duhet të bëjnë të rriturit është t’i dëgjojnë, të gjejnë mënyra për t’i bërë ata të flasin e të kuptojnë çfarë po i shqetëson.
“Përndryshe mund të jemi duke humbur mundësinë për t’i ndihmuar ata”, ka përfunduar skenaristi.