Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka përfunduar vizitën në Washington.
Hamza ka njoftuar për takimet e tija gjatë kësaj vizita, duke thënë se Kosova do të kthehet në Washington më e fortë se kurrë.
“Dje e përfundova vizitën time të shkurtër dyditore në Washington D.C. Agjenda ishte intensive dhe e konsiderova jetike të paraqes vizionin tim për zhvillimin e Republikës sonë dhe rindërtimin e partneritetit të thellë mes Kosovës dhe administratës amerikane. Pas takimeve me zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë, Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Departamentit të Shtetit, isha i ftuar edhe në një takim përmbajtësor nga James Carafano, i sapoemëruar Këshilltar i Lartë i Presidentit dhe E.w. Richardson Felloë pranë Fondacionit “Heritage”, institucion i njohur për afërsinë dhe angazhimin në programin qeverisës të Presidentit Trump. Në takim ishin edhe Anthony Kim, redaktor i Indeksit të Lirisë Ekonomike dhe menaxher i angazhimit global në Qendrën për Liri “Margaret Thatcher”, si dhe Max Primorack, ekspert i lartë i çështjeve të sigurisë në këtë fondacion”, ka njoftuar Hamza.
Ai po ashtu tha se nga këto vizita është pozitiv sa i përket mundësive të bashkëpunimit mes Kosovës dhe SHBA-ve.
“U ktheva jashtëzakonisht pozitiv për mundësitë e pashtershme të bashkëpunimit mes Kosovës dhe SHBA-së, pas një periudhe të vështirë të mungesës së komunikimit dhe pezullimit të dialogut strategjik. Kosova do të kthehet në Washington më e fortë se kurrë, me projekte konkrete, me investime të prekshme dhe me përfshirjen e SHBA-së në zhvillimin e hovshëm të Kosovës në diplomaci, ekonomi, sektorin e energjisë, ushtri dhe inteligjencës”, ka shkruar Hamza./EO