Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës kanë njoftuar zgjerimin e hetimeve lidhur me keqpërdorimet financiare në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS). Me veprimet e fundit të ndërmarra më 1 shtator 2026, numri i të pandehurve ka arritur në 69 persona, ndërsa dëmi i përgjithshëm i shkaktuar ndaj BKS-së tashmë llogaritet mbi 1.2 milionë euro.
Hetimet janë zgjeruar ndaj 21 zyrtarëve të rinj të BKS-së, të cilët dyshohen për veprën penale “Keqpërdorimi i besimit në ndihmë”. Këta punonjës dyshohet se kanë mundësuar ose marrë pjesë në transferimin e mjeteve financiare pa mbulesë, në vlera nga 2,000 deri në 53,000 euro për person. Ky aktivitet i kundërligjshëm i ka shkaktuar BKS-së një dëm shtesë prej rreth 200,000 eurosh, duke iu shtuar shumës fillestare prej 1,043,000 eurosh të identifikuar në janar.
Të pandehurit janë intervistuar në Stacionin Policor në Prishtinë nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në prani të drejtuesve të Prokurorisë Themelore të Prizrenit.
Paralelisht me procesin penal, me mbështetjen e Njësitit të Hetimeve të Integruara Financiare dhe Njësisë së Inteligjencës Financiare, janë ndërmarrë masa për ngrirjen e pasurisë së fituar nga kjo veprimtari:
35 prona të sekuestruara: Janë ngrirë parcela kadastrale, banesa dhe garazhe që lidhen me tre të pandehurit kryesorë.
21 llogari bankare të bllokuara: Është urdhëruar ngrirja e menjëhershme e llogarive bankare të personave të dyshuar.
Prokuroria dhe Policia e Kosovës konfirmuan se hetimet po vazhdojnë me intensitet për zbardhjen e plotë të kësaj skeme të keqpërdorimit dhe vënien e të gjithë përgjegjësve para drejtësisë. /E.A/