Lajmet

Hagë: Mbrojtja sërish kërkon lirimin e përkohshëm të ish-krerëve të UÇK-së

Published

on

Mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sërish kërkoi lirimin e përkohshëm të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në konferencën e pestë statusore pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, avokati i Thaçit, Pierre-Richard Prosper, tha se me mbajtjen në paraburgim të klientit të tij, pa e ditur saktë se për çka po akuzohet, ai po privohet nga prezumimi i pafajësisë.

Ky reagim i avokatit të Thaçit, erdhi pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se hetimet ende po vazhdojnë dhe parashikojnë të vazhdojnë “deri në një të ardhme të parashikueshme”, duke shtuar se disa materiale planifikon që t’i nxjerrë në muajin shtator.

Avokati i Veselit, Ben Emmerson tha se ishte pikërisht prokuroria që fillimisht kishte thënë se deri në shtator do të jetë gati që të nisë gjyqin.

Ai madje tha se Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk kanë juridiksion që të gjykojë veprat për të cilat akuzohen ish-krerët e UÇK-së.

Emmerson tha se me këtë ritëm mund të parashikohet që prokuroria të jetë gati për gjykim deri në mesin e vitit të ardhshëm.

Të pandehurit nuk po marrin pjesë fizikisht në këtë konferencë, por po e ndjekin atë përmes video-lidhjes.

Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se po vazhdon me nxjerrjen e materialeve, përfshirë edhe ato shfajësuese. Por, mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së u ankua se Prokuroria nuk po u jep informacione të plota për dokumentet që po ua dorëzon.

Konferencën statusore, apo konferencën mbi ecurinë e çështjes, e thërret gjykatësi i procedurës paraprake dhe ajo ka për qëllim organizimin e shkëmbimeve ndërmjet palëve. Në këtë konferencë, Prokuroria tregon çfarë lloji të provave disponon.

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që të katërtit janë deklaruar të pafajshëm dhe që nga nëntori i vitit 2020 gjenden në paraburgim në Hagë.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Continue Reading

Lajmet

Dua Lipa ndan momentet e veçanta nga dasma e familjarit të saj në Kosovë: “Po na rritet rrethi”

Published

on

By

Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ka kaluar disa ditë në Kosovë për të marrë pjesë në një aheng familjar. Artistja me origjinë nga Peja ishte e pranishme në dasmën e djalit të hallës, ku iu bashkua të afërmve në një festë me rite e tradita shqiptare.

Pas pamjeve të para të publikuara në rrjetet sociale ku shihej duke vallëzuar mes të ftuarve, vetë këngëtarja ka ndarë në profilin e saj në Instagram momente të veçanta nga dita e festës që nga marrja e nuses e deri te mbrëmja përmbyllëse.

“Kushëriri im u martua me gruan e ëndrrave të tij dhe patëm një dasmë të madhe shqiptare”, ka shkruar ajo krahas fotove e videove, duke e përmbyllur përshkrimin me fjalinë në shqip: “Po na rritet rrethi”.

Pavarësisht karrierës ndërkombëtare dhe jetës jashtë vendit, prania e saj në festa familjare dhe ruajtja e gjuhës e traditave vazhdojnë të dëshmojnë lidhjen e fortë të Dua Lipës me prejardhjen e saj. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Operacioni “Dosja 23”: Arrestohen 9 persona në Zubin Potok të dyshuar për krime lufte

Published

on

By

Në kuadër të një operacioni të koduar “Dosja 23”, Policia e Kosovës ka arrestuar të dielën nëntë persona në komunën e Zubin Potokut, të cilët dyshohen për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”. Me aktvendim të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të gjithë të arrestuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Të dyshuarit e ndaluar nga ky aksion janë personat me inicialet D.D., M.R., M.R., R.R., S.D., S.D., V.L., R.R. dhe D.D. Operacioni është realizuar nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, të mbështetur edhe nga njësi të tjera të Policisë së Kosovës, të cilat kanë ekzekutuar urdhër-kontrollet në disa lokacione të ndryshme në territorin e Zubin Potokut.

Gjatë realizimit të bastisjeve, zyrtarët policorë kanë sekuestruar si prova materiale rreth 23,000 euro dhe rreth 60,000 dinarë serbë para të gatshme, një armë të gjatë, një pushkë gjuetie, katër predha, si dhe fishekë të kalibrit 7.65 mm dhe të pushkës së gjuetisë. Po ashtu, janë konfiskuar dy libreza ushtarake, nëntë telefona celularë dhe prova e materiale të tjera relevante që ndërlidhen me rastin.

Përmes kësaj komunikate të përbashkët, Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë riafirmuar përkushtimin dhe angazhimin e tyre të plotë në ndjekjen penale dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të dyshuar për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Vuçiq jep dorëheqjen si president i Serbisë

Published

on

By

Presidenti i deritanishëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dha dorëheqjen nga posti i të parit të shtetit serb, në mbrëmjen e 27 shtatorit.

Ai dha dorëheqjen të dielën për të marrë pjesë në garën për postin e kryeministrit si kandidat i partisë së tij, Partisë Përparimtare Serbe (SNS).

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare ai i kishte shpallur më herët për 25 tetor.

Vuçiq u tërhoq nga posti i kreut të shtetit serb tetë muaj para përfundimit të mandatit të tij presidencial, i cili sipas ligjit do të përfundonte në maj të vitit 2027.

Vuçiq është zgjedhur dy herë president i Serbisë.

Meqë Kushtetuta e Serbisë nuk lejon një mandat të tretë, ai nuk do të mund të kandidonte sërish.

Pas dorëheqjes së Vuçiqit, Serbia do të ketë ushtrues detyre të presidentit të shtetit.

Këtë detyrë do ta marrë Ana Bërnabiq, kryetare e deritanishme e Kuvendit të Serbisë, i cili u shpërbë pas shpalljes së zgjedhjeve parlamentare.

Ajo mund të qëndrojë në këtë detyrë për më së shumti tre muaj.

Vuçiq tha në një adresim për publikun se rundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet deri në fund të dhjetorit.

Përveç kësaj, ai tha se kishte marrë vendim për amnisti dhe falje për 49 persona.

“Prej tyre, 23 persona janë të lidhur me të gjitha këto ngjarje të tmerrshme nëpër të cilat kemi kaluar gjatë një viti e gjysmë të fundit”, tha Vuçiq.

Kur do të mbahen zgjedhjet për presidentin ose presidenten e re të Serbisë?

Dorëheqja e Vuçiqit do të thotë se qytetarët e Serbisë, pas zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit, do të shkojnë sërish në qendrat e votimit.

Sipas ligjit, zgjedhjet presidenciale shpallen “në mënyrë që votimi të mbahet jo më vonë se tre muaj nga dita kur presidentit i përfundon mandati”.

Gjithashtu, nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në ditën e votimit nuk mund të kalojnë më pak se 30 dhe më shumë se 60 ditë.

Kjo do të thotë se zgjedhjet presidenciale do të mbahen më së voni në fund të dhjetorit, ndërsa më së hershmi në fillim të nëntorit të këtij viti.

Akuzat për fushatë nga funksionarët

Vuçiq dhe Partia e tij Përparimtare Serbe janë boshti i pushtetit në Serbi që nga viti 2012.

Në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, Vuçiq njoftoi se dëshiron të rikthehet në postin e kryeministrit, detyrë të cilën e ka mbajtur për dy mandate.

Në fushatën për këto zgjedhje ai hyri nga pozita e presidentit të shtetit – pranoi të jetë bartës i listës zgjedhore që SNS-ja, së bashku me partnerët e saj të koalicionit, e dorëzoi dy javë para dorëheqjes së Vuçiqit.

Debatin nëse është në kundërshtim me ligjin që presidenti i Serbisë të jetë njëkohësisht edhe kandidat në zgjedhjet parlamentare e hapi në publik organizata joqeveritare Byroja për Kërkime Shoqërore (BIRODI).

Ajo kërkoi nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit që të shprehej lidhur me këtë çështje.

Megjithatë, kjo kërkesë mbeti pa përgjigje.

BIRODI e paraqiti më 15 shtator edhe një ankesë ndaj pjesëmarrjes së Vuçiqit në fushatë pranë Komisionit Republikan të Zgjedhjeve (RIK), i cili është përgjegjës për mbikëqyrjen e procesit zgjedhor.

Një ditë më vonë, RIK-u e hodhi poshtë ankesën si “të pabazuar”.

Edhe para fillimit të aktiviteteve parazgjedhore, opozita dhe vëzhguesit e zgjedhjeve e kishin kritikuar disa herë presidentin se po e keqpërdorte funksionin shtetëror për promovimin e partisë së tij.

Përparimtarët i hodhën poshtë këto akuza, duke thënë se me partinë merren “jashtë orarit të punës”.

Për problemin e fushatës nga funksionarët në Serbi, përkatësisht përdorimin e pozitave shtetërore për promovimin e partisë gjatë procesit zgjedhor, prej vitesh kanë tërhequr vërejtjen vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë. /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

Tragjedi në Himalaje: Orteku godet kampin bazë në Nepal, dy të vdekur e dhjetëra të zhdukur

Published

on

By

Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe rreth 12 të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi një ortek masiv goditi kampin bazë të majës Himlung Himal në Nepal, një lartësi prej 7,126 metrash në distriktin Manang, pranë kufirit me Tibetin.

Sipas raportimeve të BBC-së, ngjarja ka ndodhur të dielën në mëngjes. Grupi i goditur nga orteku përbëhej nga shtetas nepalezë, përfshirë alpinistë lokalë dhe pjesëtarë të stafit mbështetës. Ata kishin dalë përpara alpinistëve të huaj me qëllim përgatitjen e kampit, menaxhimin e itinerarit dhe vendosjen e litarëve në mal.

Shkak për këtë katastrofë janë bërë reshjet e dendura të dëborës që përfshinë zonën ditët e fundit, duke rritur ndjeshëm rrezikun për shkëputjen e orteqeve. Kushtet e vështira atmosferike po pengojnë seriozisht operacionet e shpëtimit, ndërsa helikopterët dhe ekipet e emergjencës e kanë pasur të pamundur të mbërrijnë në vendngjarje gjatë orëve të para.Kjo tragjedi në Himlung Himal vjen më pak se dy muaj pas vdekjes së gjashtë alpinistëve në pikën Broad Peak në Pakistan, mes të cilëve humbi jetën edhe alpinisti i njohur britaniko-nepalez, Nirmal Purja.

Ndërkohë, rajoni i Himalajeve po përballet me një nga periudhat më të rënda nga fatkeqësitë

natyrore:

Mbi 6,000 të zhdukur: Vijojnë kërkimet në kufirin Nepal-Tibet pas përmbytjeve masive dhe rrëshqitjeve të dheut të muajit gusht.

Mbi 1,400 të vdekur: Shembja e një akullnaje shkaktoi vershimin e menjëhershëm të ujit dhe inerteve në luginën e lumit Trishuli, duke shkatërruar terësisht vendbanime të tëra.

/BBC/

Continue Reading

Të kërkuara