Lajmet

“Grurin tonë s’e duan”: Fermerët kosovarë thonë se Serbia mbush tregun me grurë të vjetër

Published

on

Dhjetëra fermerë kosovarë – prodhues të grurit – u nisën të mërkurën drejt Prishtinës, për të protestuar para Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Arsyeja? Çmimi i ulët – vetëm 17-18 centë për kilogram grurë – që, sipas tyre, u është caktuar nga mullisët vendorë, njëherësh blerësit kryesorë të prodhimeve të tyre.

Po protestojmë për çmimin dhe për pisllëqet që janë duke i bërë, kryesisht mullisët”, tha Genc Mazreku, fermer nga Malisheva, për Radion Evropa e Lirë.

Shumë prej kolegëve të tij, që u nisën drejt Prishtinës me traktorë, u ndaluan nga policia dhe nuk u lejuan të hyjnë në qytet, pasi protesta nuk ishte paralajmëruar zyrtarisht tek autoritetet, siç e kërkon ligji.

Mazreku tha se ka të mbjellë rreth 60 hektarë me grurë dhe se sivjet pret një rendiment prej afro 4 mijë kilogramësh për hektar.

Por, çmimi që po ofrohet nga mullisët, sipas tij, është tejet i ulët.

Ai e lidh këtë situatë me importin e “grurit të vjetër” nga Serbia, që, sipas tij, ndikon negativisht në tregun vendas dhe vlerën e prodhimit të fermerëve kosovarë.

Çdo vit, kur vjen qershori, këta mullisë shkojnë dhe i pastrojnë ‘mbeturinat’ (e grurit) në Serbi dhe i sjellin në Kosovë. Gruri i para pesë vjetëve, i rezervave të Serbisë, vjen në Kosovë dhe e hanë shqiptarët. Grurin që korret këtë vit (në Kosovë), nuk e merr askush… ose të thonë 17 centë, 16 centë, si të kenë qejf”, u shpreh Mazreku i revoltuar.

Të dhënat nga Dogana e Kosovës konfirmojnë se Serbia është një prej vendeve kryesore prej nga importohet gruri në Kosovë.

Në periudhën janar-maj të këtij viti u importua grurë në vlerë prej rreth 7.9 milionë eurosh.

Pjesa më e madhe – mbi 7.2 milionë euro – u importua nga Serbia, ndërsa të tjerat nga Hungaria dhe Kroacia.

Radio Evropa e Lirë pyeti Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës për vitin e prodhimit të grurit të importuar këtë vit, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Mazreku tha se mullisët e kanë rritur këtë vit edhe tarifën e ujemit – nga 18 për qind, sa ishte vitin e kaluar, në 24 për qind.

Ujemi është sasia e grurit që mullisi e mban për vete si kompensim për bluarjen.

Kjo do të thotë se për çdo 1.000 kilogramë grurë që fermeri sjell për bluarje, mullisi i merr 240 kilogramë.

Bujkun e shkelin ku të munden. Ne nuk kemi ku t’i lëmë rezervat”, tha Mazreku.

Të njëjtin shqetësim ndau edhe Sali Ilazi, fermer nga komuna e Ferizajt.

Ai ka të mbjellë 127 hektarë me grurë, të cilin e vlerëson si të cilësisë së lartë.

Vjet na e kanë paguar 20 centë. Tash është 18 centë. Me këtë çmim të grurit, ne nuk mund të mbulojmë (koston e prodhimit)… Çmimi real duhet të jetë 22 deri në 23 centë. Por, pse ta marrin grurin tonë, kur mund ta marrin nga Serbia… E, ai është i dorës së fundit”, sipas Ilazit.

Bashkëvendësi i tij, Aziz Halili, i cili ka të mbjellë rreth gjashtë hektarë me grurë, u shpreh gjithashtu i pakënaqur me çmimin që ofrohet nga mullisët.

Ai e konsideron atë të padrejtë, sidomos në raport me rritjen e çmimit të bukës.

Shoqatat e mullisëve dhe bukëpjekësit fitojnë, e prodhimi ynë, që është kryesori, shkelet”, sipas Halilit.

Në protestë ishte edhe Ferat Xhaka nga Podujeva.

Ai tha se në komunën e tij, mullisët as që pranojnë t’ia blejnë grurin.

Nuk e marrin fare. Kanë gjetur alternativa tjera, po e sjellin nga Serbia. Doganë ka pak për grurë dhe për këto produktet e bujqësisë. Neve na shkelin”, tha ai.

Si caktohet çmimi?

Kosova nuk ka një bursë për çmimin e grurit, prandaj mullisët bazohen në çmimet rajonale, thonë nga Shoqata e Mullisëve të Kosovës.

Udhëheqësi i kësaj shoqate, Bashkim Zejnullahu, thotë për Radion Evropa e Lirë se në raste të domosdoshme, mullisët nga Kosova importojnë grurë nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria.

Aktualisht, çmimi për 1 tonelatë grurë në rajon është më i ulët se në Kosovë.

Në rajon, për momentin, sillet prej 150 deri në 170 euro për tonelatë”, thotë Zejnullahu.

Kjo do të thotë se çmimi për një kilogram është 15 deri në 17 centë.

Zejnullahu tregon se në Kosovë, aktualisht, ka nisur korrja e grurit vetëm në disa pjesë të Suharekës, Prizrenit dhe Rahovecit, ndërkohë që në pjesët tjera, korrje-shirjet pritet të nisin nga java e ardhshme.

Ai thotë se mullisët kosovarë, të cilët grumbullojnë grurin, sapo kanë filluar këtë proces, por me çmime të ndryshme.

Nuk kanë çmime të njëjta. Krejt varet nga kualiteti i grurit. Prej 170 (euro) deri në 190 (euro) për një ton”, thotë Zejnullahu.

Ai shpjegon se çmimi i grurit përcaktohet kryesisht nga cilësia, që lidhet ngushtë me pastërtinë e tij.

Sipas Zejnullahut, ndodh shpesh që gruri që sjellin fermerët kosovarë, nuk është i pastër.

Ende kemi shumë kombajna, të cilat janë të vjetruara dhe hedhin shumë mbeturina në grurë. Mbeturinat nuk duhet të jenë më shumë se dy ose tre për qind, por në të shumtën e rasteve janë pesë deri në 10 për qind”, thotë Zejnullahu, duke shtuar se kjo ndikon drejtpërdrejt në uljen e çmimit për kilogram.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për t’u informuar për mundësinë e adresimit të shqetësimeve të fermerëve kosovarë lidhur me çmimin e grurit dhe politikat mbrojtëse për prodhimin vendor, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Ministria nuk iu përgjigj as pyetjeve për sipërfaqen e mbjellë me grurë në Kosovë, pritshmëritë për rendimentet, nevojat totale për grurë dhe në ç’masë plotësohen ato nga prodhuesit vendorë.

Nga raportimet e mëhershme, Kosova ka nevojë për rreth 400 mijë tonë grurë në vit, por prodhimi vendor mbulon pak më shumë se 60 për qind të kësaj sasie.

Në vitin 2022, cilësia e grurit të prodhuar në Kosovë ishte nën standardet e zakonshme, ndërsa furnizimi nga importi u rrezikua për shkak të ndalimit të përkohshëm të eksportit nga Serbia – një masë kjo që pasoi krizën globale të tregjeve, si rezultat i luftës në Ukrainë.

Gruri, si lëndë e parë për prodhimin e miellit, konsiderohet një produkt strategjik për sigurinë kombëtare të Kosovës./REL

Lajmet

Bëhu lider i komunikimit me Programin e Gjuhës Angleze

Published

on

By

Programi i Gjuhës AnglezeUBT po pozicionohet si një ndër platformat më të rëndësishme për përgatitjen e profesionistëve të ardhshëm në fushën e arsimit, përkthimit dhe komunikimit ndërkombëtar.

Ky program është ndërtuar mbi një kurrikulë moderne që përkon me standardet më të larta evropiane, duke u ofruar studentëve jo vetëm njohuri teorike mbi gjuhësinë dhe letërsinë, por edhe aftësi praktike që kërkohen sot në sektorin publik dhe privat.

Përmes një mjedisi stimulues që nxit mendimin kritik dhe krijimtarinë, studentët pajisen me kompetenca për të komunikuar me saktësi akademike dhe për të operuar me përgjegjësi etike në projekte komplekse.

Një element kyç që e bën këtë program unik është dimensionimi ndërkombëtar, ku përmes bashkëpunimeve me universitete prestigjioze në SHBA, Britani të Madhe, Gjermani, Itali dhe vende të tjera të BE-së, studentëve u mundësohet shkëmbimi semestral dhe përfitimi i bursave të plota përmes rrjeteve si Erasmus+ dhe CEEPUS.

Përveç përvojës ndërkombëtare, UBT ka krijuar lehtësi për të gjithë ata që synojnë të nisin rrugëtimin e tyre akademik në këtë drejtim, duke ofruar një bursë studimi prej 20% për të tri vitet e studimit për studentët e rinj që regjistrohen.

Ky investim në talentet e reja plotësohet nga resurset e pasura që UBT vë në dispozicion, si biblioteka e specializuar e gjuhës angleze, platformat e avancuara digjitale për mësimdhënie dhe mbështetja e vazhdueshme nga Qendra e Karrierës për punësim dhe praktika profesionale.

Duke pasur një staf akademik të kualifikuar në universitetet më të mira botërore dhe diploma që njihen gjerësisht në Kosovë dhe në Bashkimin Evropian, programi siguron që çdo i diplomuar të jetë një profesionist dhe i gatshëm për të kontribuar në zhvillimin arsimor dhe ekonomik të vendit.

Continue Reading

Lajmet

Botërori është afër: “The Guardian” i thur lavde rrugëtimit emocional të Kosovës

Published

on

By

Sytë e botës sonte janë në stadiumin “Fadil Vokrri”, aty ku Kosova luan një ndeshje historike kundër Turqisë për një biletë në Botëror, një sukses që ka zgjuar vëmendjen e mediave më prestigjioze globale.

Prestigjiozja britanike “The Guardian” ka botuar një artikull tejet prekës ku përshkruan rritjen e jashtëzakonshme të kombëtares sonë, duke e titulluar: “Besojmë te njëri-tjetri: Rruga e vështirë e Kosovës nga lufta drejt shpresës për Kupën e Botës”.

Gazeta sjell rrëfimin e Samir Ujkanit, i cili kujton kohën kur lojtarët nuk ia dinin as emrat njëri-tjetrit në ndeshjen e parë kundër Haitit dhe stërviteshin në fusha të rënduara nën tymin e termocentraleve të Obiliqit.

Artikulli vë në pah se për një shtet që dikur e kishte të ndaluar futbollin nga autoritetet serbe, ky moment përfaqëson kulmin e një diplomacie të gjatë sportive të nisur nga i ndjeri Fadil Vokrri dhe Eroll Salihu.

Sipas “The Guardian”, ajo që dikur dukej e pamendueshme – kualifikimi i Kosovës në finalet e një Botërori – sonte është vetëm një fitore larg, duke e shndërruar sportin në projektimin më të bukur të një shteti modern dhe të suksesshëm në skenën ndërkombëtare.

Continue Reading

Lajmet

Nga ‘Fadil Vokrri’ në Madrid: Një orë, dy sfida të mëdha

Published

on

By

Sot futbolli kosovar përjeton një moment unik pasi në të njëjtën kohë kur ekipi A zbret në fushën e “Fadil Vokrrit” për ndeshjen finale ndaj Turqisë, Kosova U21 do të sfidojë Spanjën në Madrid.

Të rinjtë tanë po luftojnë për një vend në “Europianin Shqipëri-Serbi 2027”, duke u përballur me liderin e grupit A që mban 18 pikë, ndërsa Kosova renditet në vendin e katërt me 8 pikë.

Pas humbjes 1-3 në ndeshjen e parë në Prishtinë, dardanët e rinj kërkojnë hakmarrjen ndaj spanjollëve, duke u mbështetur në formën e mirë që treguan me fitoret bindëse 4-0 ndaj Qipros dhe 7-0 ndaj San Marinos, si dhe barazimet pa gola kundër Rumanisë dhe Finlandës.

Kjo pasdite i gjen tifozët me vëmendje të ndarë mes Prishtinës dhe Madridit, në një përpjekje të dyfishtë për sukses ndërkombëtar.

Continue Reading

Lajmet

Kurti pret ekipin e OKB-së: Diskutohet Plani Strategjik 2026–2030 dhe forcimi i bashkëpunimit

Published

on

By

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në një takim Ekipin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT), të udhëhequr nga Koordinatori për Zhvillim, Stephen O’Malley. Gjatë këtij takimi, vëmendje kryesore iu kushtua prioriteteve të Planit Strategjik të UNKT-së për periudhën 2026–2030, si dhe zbatimit të Agjendës 2030 për zhvillim të qëndrueshëm.

Kryeministri Kurti vlerësoi lart faktin që prioritetet e këtij plani janë në përputhje të plotë me agjendën kombëtare të zhvillimit, duke mirëpritur vazhdimësinë e mbështetjes së OKB-së në vend. Gjatë diskutimit, ai vuri në dukje se ky partneritet është dëshmuar edhe përmes veprimeve konkrete financiare.

“Qeveria ka kontribuar edhe përmes bashkëfinancimit në programet e OKB-së në vend, duke nënvizuar përkushtimin e fortë të Kosovës ndaj bashkëpunimit me këtë organizatë,” ka thënë Kurti.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e UNKT-së prezantuan synimet për vitin 2026, duke shprehur gatishmërinë për të mbështetur institucionet e Kosovës si në aspektin zbatues, ashtu edhe në atë normativ. Fokus i veçantë në bisedë u vu mbi reformat dhe forcimin e kapaciteteve institucionale, ku agjencitë e OKB-së mund të japin kontributin e tyre profesional.

“Jemi të gatshëm të mbështesim Qeverinë në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e reformave, duke u fokusuar në fushat ku agjencitë tona mund të japin kontributin më të madh,” u theksua nga ana e përfaqësuesve të UNKT-së.

Takimi u përmbyll me dakordimin e të dyja palëve për të forcuar më tej mekanizmat e koordinimit dhe për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë në dobi të proceseve zhvillimore të vendit.

Continue Reading

Të kërkuara