Lajmet

Gruaja e goditur nga rrufeja pranë Shtëpisë së Bardhë flet për rrugën e saj drejt shërimit

“Nuk e di pse mbijetova”, tha ajo.

Published

on

Në një intervistë me “Good Morning America”, Amber Escudero-Kontostathis foli për herë të parë rreth të qenit e vetmja e mbijetuar nga goditja e rrufesë pranë Shtëpisë së Bardhë në fillim të këtij muaji në ditëlindjen e saj të 28-të.

“Nuk mbaj mend shumë nga ajo ditë”, tha Escudero-Kontostathis.

Më 4 gusht, 28 vjeçarja po kalonte jashtë Shtëpisë së Bardhë për Threshold Giving, një organizatë jofitimprurëse që ndihmon refugjatët, kur ajo dhe tre shkuan nën një pemë pasi kishte filluar shiu.

Gjashtë rrufe goditën grupin brenda gjysmë sekonde, duke vrarë tre të tjerë, përfshirë 76-vjeçarin James Mueller dhe 75-vjeçaren Donna Mueller, një çift i martuar që festonte përvjetorin e tyre, dhe Brooks Lambertson, një 29-vjeçar.

Escudero-Kontostathis tha se rrufeja e goditi atë në tokë dhe i përshkoi trupin, duke rezultuar në djegie të konsiderueshme në trupin e saj.

“Nuk e di pse mbijetova. Unë nuk ndihem mirë që jam e mbijetuara e vetme, kjo është e sigurt. Unë jam mirënjohës, por thjesht nuk ndihem mirë që jam e vetmja” u shpreh ajo.

Ajo nuk kujton shumë nga qëndrimi i saj në spital, por kujton se infermierët përpiqeshin ta mbanin të qetë dhe i thoshin se gjërat do të ishin në rregull.

Ajo tha se rruga e saj drejt rimëkëmbjes ka qenë frustruese si fizikisht ashtu edhe mendërisht. “Unë harroj se nuk mund të ngrihem dhe të bëj gjëra. Më duhet të përdor një shëtitës, për shembull”, përfundoi ajo./UBTNews/

Continue Reading

Lajmet

FSK merr pjesë në ushtrimin shumëkombësh “Saber Junction 26” në Gjermani

Published

on

Kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i përfaqësuar nga një kompani këmbësorie e Regjimentit të Tretë të Forcave Tokësore, ka marrë pjesë në ushtrimin shumëkombësh “Saber Junction 26”, të zhvilluar në Qendrën e Gatishmërisë Shumëkombëshe në Hohenfels të Gjermanisë.

Sipas FSK-së, kompania kosovare është integruar në Brigadën Ajrore 173 të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, përkatësisht në Batalionin 3-504 “Blue Devils”.

Pas fazës së planifikimit, koordinimit dhe trajnimit, pjesëtarët e FSK-së janë angazhuar në operacione të ndryshme në terren, përfshirë operacione sigurie në mbështetje të zbarkimit ajror, patrulla luftarake dhe operacione mbrojtëse.

Sipas njoftimit, pjesëmarrja në këtë ushtrim ka mundësuar zhvillimin e mëtejshëm të aftësive të komandimit dhe kontrollit, planifikimit dhe ekzekutimit të operacioneve, si dhe rritjen e ndërveprueshmërisë me Ushtrinë Amerikane dhe forcat e vendeve partnere.

Integrimi i kompanisë së FSK-së në një formacion shumëkombësh ka shërbyer edhe për testimin e aftësive të saj në një mjedis kompleks dhe dinamik trajnues, krahas njësive partnere.

Gjatë “Observation Day”, aktivitetet e kontingjentit të FSK-së janë përcjellë nga Komandanti i Komandës së Forcave Tokësore, gjeneral brigade Mehmet Lladrovci, dhe rreshter majori i KFT-së, Naim Smakolli.

Pjesëmarrja në ushtrime të tilla, sipas FSK-së, kontribuon në rritjen e gatishmërisë operacionale, profesionalizmit dhe kapaciteteve për të vepruar krah për krah me ushtritë partnere në operacione shumëkombëshe./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Gjashtë motoçikleta sekuestrohen në Pejë për kundërvajtje në trafik

Published

on

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot, më 10 shtator, në Pejë janë sekuestruar gjashtë motoçikleta për kundërvajtje në komunikacion.

Sekuestrimi është kryer nga Njësia e Trafikut për Qytet e Stacionit Policor në Pejë, në kuadër të planit operativ “Siguria në shkolla”, i cili do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Sipas Policisë, motoçikletat janë sekuestruar për kundërvajtje të ndryshme, përfshirë drejtimin pa patentë shoferi, pa regjistrim dhe pa helmetë.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka bërë të ditur se aktivitetet në terren do të vazhdojnë me qëllim të parandalimit të aksidenteve në komunikacion.

Policia ka paralajmëruar “zero tolerancë” ndaj të gjithë kundërvajtësve në trafik./A.K/

Continue Reading

Lajmet

UBT vazhdon të forcojë bashkëpunimet ndërkombëtare dhe lidhjet institucionale me partnerë evropianë

Published

on

By

UBT vazhdon të forcojë bashkëpunimet ndërkombëtare dhe lidhjet institucionale me partnerë evropianë. Në kuadër të këtyre përpjekjeve, Zëvendësdekani i Departamentit të Turizmit në UBT, Prof. Alban Fejza, zhvilloi një takim në Ambasadën e Italisë në Kosovë, së bashku me Prof. Raffaella Ritucci dhe Lirdion Blakaj.

Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e konkretizimit të bashkëpunimeve të ndërsjella me UNITO – University of Turin dhe UNITA – Universitas Montium, aleanca universitare evropiane e koordinuar nga UNITO.

Diskutimi u fokusua në mundësi konkrete për bashkëpunim akademik, mobilitet, ndërkombëtarizim dhe zhvillimin e iniciativave të përbashkëta, me synim që interesat e përbashkëta të shndërrohen në hapa konkretë.

Ky takim përbën një hap të rëndësishëm në drejtim të forcimit të lidhjeve akademike dhe institucionale ndërmjet UBT-së, partnerëve italianë dhe hapësirës evropiane të arsimit të lartë.

Continue Reading

Lajmet

Tenderi afro 400 mijë eurosh për kamionë në Ekoregjion, aktakuzë ndaj tre personave

Published

on

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, B.Sh., A.G. dhe R.Z., si dhe ndaj subjektit juridik SH.P.K. “D.C & E”, për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, më 7 qershor 2023 dhe gjatë periudhës 18 shtator 2023 deri më 16 nëntor 2023, në Prizren, B.Sh., në cilësinë e kryeshefit të KRM “Eko Regjioni”, në bashkëkryerje me zyrtarin e kësaj kompanie, A.G., kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe për subjektin juridik SH.P.K. “D.C & E”.

A.G. dhe B.Sh. akuzohen se, në kundërshtim me legjislacionin për prokurimin publik, kanë krijuar mundësi që tenderin “Furnizimi me kamiona kompaktor dhe autobusë për nevojat e KRM ‘Ekoregjioni’”, në vlerë prej 385 mijë e 500 eurosh, ta përfitojë SH.P.K. “D.C & E”.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime buxhetit të KRM “Ekoregjioni” i është shkaktuar dëm në shumën prej 233 mijë e 685.37 eurosh.

Ndërkaq, R.Z. akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik”. Sipas aktakuzës, ai u ka paguar B.Sh. dhe A.G. shpenzimet e një udhëtimi jashtë territorit të Kosovës, me qëllim të koordinimit të veprimeve inkriminuese dhe ndikimit në dhënien e tenderit.

Prokuroria pretendon se R.Z. paraprakisht kishte arritur marrëveshje të kundërligjshme me të pandehurit, përmes së cilës ishin përshtatur specifikat teknike të tenderit./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara