Lajmet

Greva në KEK, punëtorët kërkojnë rritje të pagave

Greva do të vazhdojë çdo ditë në të gjitha divizionet e KEK-ut deri të premten.

Published

on

Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) të hënën kanë mbajtur grevë njëorëshe për ngritjen e pagave për të gjithë punëmarrësit e kësaj ndërmarrje.

Greva do të vazhdojë çdo ditë në të gjitha divizionet e KEK-ut deri të premten prej orës 07:00 deri në orën 08:00. Përjashtim nga kjo protestë bëjnë vetëm punëtorët që janë të kyçur drejtpërdrejtë në prodhim të blloqeve në Termocentrale.

Punëtoret e kësaj korporate kanë thënë për KosovaPress, se nëse nuk përmbushën kërkesat e tyre, javën tjetër do të hynë në grevë tetë orëshe. Sipas tyre, derisa ka rritje të energjisë elektrike, duhet të ketë edhe rritje të pagave për këtë sektor.

Kryetari i Sindikatës së Re në KEK, Nexhat Llumnica, arsyetoi kërkesën për rritjen e pagave bazuar në inflacionin që po ndodhë në vend. Sipas tij, nuk është e arsyeshme që kur institucionet kanë nevojë për këta punëtorë t’i quajnë hero, por siç thotë ai e nevojshme është rritja e pagave.

“Greva e sotme është vazhdimësi e protestës së 16 marsit për ngritjen e pagave. E vetmja kërkesë e jona është ngritja e pagave, sepse këtu ka një performancë të jashtëzakonshme KEK-u, ka një prodhim maksimal, ka një angazhim të punëtorëve duke u bazuar që ka mungesë të madhe të tyre… Ka angazhim të jashtëzakonshëm dhe punëtorët normalisht se e kërkojnë edhe rritjen e pagave duke u bazuar në inflacionin…Në gjithë Kosovën ka ndodhë rritja e pagave, por nuk ka ndodhë edhe në KEK. Dhe kur kanë nevojë për këta punëtorë, gjithë Kosova ngrihen në këmbë t’i quajnë heronj, por nuk kemi nevojë për këtë, ne kemi nevojë për rritje të pagave”, tha Llumnica.

Llumnica tha se është e padrejtë të rritet vetëm çmimi i shërbimit të rrymës, por jo edhe i prodhimit.

“ZRRE ka vendosur të rrisë çmimin e energjisë elektrike, kurse jo edhe për prodhuesin. Ne e shesim 1 kËh të energjisë elektrike, 2.95 cent, kurse KEDS-i e shet prej 6.75 centë dhe i shtohet ai 15 përqindëshi tash. Kështu, këtu po ndihmohen kompanitë private, pra oligarkët, kurse prodhuesi që ka një kosto shtesë dhe nuk mund të mbulojë me këtë çmim koston e prodhimit, nuk ngritët çmimi për prodhimin por vetëm për shërbimin”, shtoi Llumnica.

Kryetari i Shoqatës Sindikale në “Kosova B”, Muharrem Gashi tha për Kosovapress se po punojnë si në perëndim, mirëpo po paguhen si në Afrikë, pasi që sipas tij punëtorët në KEK paguhen me pagat ta ulëta. Ai thotë se nëse nuk plotësohen kërkesat, greva vazhdon javën tjetër prej tetë orësh në ditë. Gashi ka thënë se përderisa po rritet çmimi i rrymës, duhet të rriten edhe pagat.

“E vetmja kërkese e jona është ngritja e pagave. Ne punojmë si në perëndim, prodhimin e rrymës dhe paguhemi si në Afrikë apo Indi… Nëse nuk plotësohen kërkesat ne do të vazhdojmë javën tjetër të shkojmë në greve edhe më shumë, jo një orësh, por tetë orësh… Është interesant se rryma po rritet për 15 për qind, mirëpo rroga nuk lëviz fare, kështu ne nuk kemi tjetër rrugëdalje”, tha Gashi.

Edhe Bekim Osmani që punon qe 24 vjet në KEK ka thënë se paga aktuale nuk përshtatet me inflacionin që po mbizotëron në vend.

“Për ne është më e mira me ndodh rritja e pagave, sepse është shumë e arsyeshme dhe e logjikshme të na rrisin pagat, pasi kanë ndodhë shumë gjëra që nuk po mjaftojnë më… Më herët i thash një shoku se pasi e mora pagën dhe shkova në dyqan i harxhova gjysmën e pagës pa e llogaritur atë që punojmë pas orarit”, tha Osmani.

Ndërkaq, punëtori i mbështetjes afariste tek Termo Centrali “Kosova B”, Mustafë Murseli tha se rrogat nuk janë solide, dhe sipas tij, greva duhet të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesës së tyre për ngritjen e pagave.

“Greva është e arsyeshme, sepse rrymën e kanë ngrit vetë… Kështu edhe pagat duhet të rriten. Greva ka qenë në nivel dhe ajo duhet të vazhdojë, duhet me pas një ngritje sado pak. Nuk janë rrogat solide”, tha Murseli.

Ndërkaq, Bordi i KEK-ut ka njoftuar se duke pasur tërë mirëkuptimin për kërkesat e punëtorëve, pas përfundimit të auditimit dhe certifikimit të pasqyrave financiare në fund të muajit prill të këtij viti, Bordi dhe Menaxhmenti i KEK-ut, do të shqyrtojë kërkesën e sindikatave se sa do të ketë mundësi që të përfitojnë punonjësit e KEK-ut.

Mirëpo, siç njofton Bordi i KEK-ut, paga mesatare në KEK Sh.a është mbi pagën mesatare në sektorin publik dhe privat në Kosovë. Po ashtu të gjithë punonjësit e KEK-ut, përfitojnë nga sigurimi shëndetësor, transporti, pagesa shtesë për përvojën e punës si dhe pagesa për shujta

“KEK në vazhdimësi ka shqyrtuar kërkesat dhe shqetësimet e punonjësve lidhur me pagat në ndërmarrje dhe gjithnjë do të jetë i hapur për dialog me punëtorët dhe sindikatat. Sidoqoftë, duhet theksuar se paga mesatare në KEK Sh.a është mbi pagën mesatare në sektorin publik dhe privat në Kosovë. Po ashtu të gjithë punonjësit e KEK-ut, përfitojnë nga sigurimi shëndetësor, transporti, pagesa shtesë për përvojën e punës si dhe pagesa për shujta”, thuhet në njoftim. 

lajme

Kurti takon në Paris emisarin Sorensen: Diskutohet për normalizimin dhe dialogun me Serbinë

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron në Paris, është takuar me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, në margjinat e Forumit të Paqes.

Gjatë takimit u diskutua për perspektivat e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve me fokus njohjen reciproke, stabilitetin institucional të paszgjedhjeve në Kosovë, si dhe rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE.

“Diskutuam për stabilitetin e plotë institucional që gëzon tashmë Kosova pas zgjedhjes së presidentit, rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE, si dhe perspektivat për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, me fokus njohjen reciproke”, u shpreh kryeministri Kurti.

Edhe emisari evropian Sorensen konfirmoi takimin përmes një njoftimi, duke vlerësuar bisedën si të frytshme për përcaktimin e hapave të mëtejshëm në dialog dhe procesin e normalizimit në dobi të qytetarëve dhe rajonit. Gjatë qëndrimit në kryeqytetin francez, Kurti gjithashtu zhvilloi një bashkëbisedim me studentë, ku theksoi pritjet e tij që udhëheqja e re e Serbisë të njohë Republikën e Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kosova U19 mposhtet nga Belgjika në raundin e dytë kualifikues

Published

on

By

Përfaqësuesja U19 e Kosovës në futboll e ka nisur me humbje raundin e dytë kualifikues për Kampionatin Evropian Euro 2027, pasi u mposht nga Belgjika me rezultat 2:0.

Në ndeshjen e zhvilluar në Skoci, pjesa e parë përfundoi pa gola, mirëpo belgët zgjidhën sfidën me dy goditje të shpejta me të filluar pjesa e dytë. Naim Amengai realizoi për 1:0 në minutën e 47-të, ndërsa Jessie Da Silva dyfishoi epërsinë dy minuta më vonë.

Sfida e radhës për futbollistët e rinj të Kosovës në kuadër të Grupit A2 do të jetë të shtunën kundër nikoqires së turneut, Skocisë.

Në anën tjetër, edhe Përfaqësuesja U17 e Kosovës ka pësuar humbje në sfidën ndaj Bjellorusisë, ndërsa ndeshjen e ardhshme do ta zhvillojë më 17 nëntor përballë Kazakistanit. Tri ekipet e para të secilit grup do të sigurojnë kalimin në raundin e tretë, me shortin që pritet të tërhiqet më 10 dhjetor. /E.A/

Continue Reading

lajme

Murati prezanton buxhetin për 2027-ën, opozita kritikon investimet kapitale

Published

on

By

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar në shqyrtimin e parë para Komisionit për Buxhet Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2027, i cili parasheh shpenzime në vlerë prej 4 miliardë e 268.7 milionë eurosh, të mbështetura nga të hyra prej 4 miliardë e 2 milionë eurosh dhe një deficit fiskal prej 2 për qind.

Gjatë raportimit, ministri Murati theksoi se buxheti reflekton rritjen ekonomike dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së financave publike, ndërsa arsyetoi rritjen e kostos së jetesës me faktorë dhe tronditje të jashtme gjeopolitike.

“Sa i përket inflacionit, patjetër që është problem rritja e kostos së jetesës edhe në Kosovë, sikurse në të gjitha vendet tjera të botës. Kjo ka dy shkaktarë, fillimisht ishte lufta në Ukrainë, e cila ndikoi në tronditjen globale të çmimeve të energjisë, por edhe të ushqimeve, dhe tash së fundi kemi edhe valën e re që vjen si rezultat i konfliktit në Gjirin Persik”, deklaroi Murati.

Prezantimi u pasua me kritika të ashpra nga anëtarët e opozitës. Deputeti nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, ngriti shqetësimin për ngecjen e investimeve kapitale dhe ndikimin e inflacionit në mirëqenien e qytetarëve, duke iu referuar edhe raporteve që tregojnë se mbi një miliard euro investime të planifikuara kanë mbetur të pashpenzuara gjatë viteve të kaluara.

Seanca u karakterizua edhe nga debati i tensionuar mes ministrit Murati dhe deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili kritikoi mungesën e një orientimi të qartë strategjik në infrastrukturë, shëndetësi dhe energji, duke vënë në dyshim pasqyrimin e premtimeve qeverisëse në kornizën trevjeçare buxhetore.

“S’je i interesuar sepse je mashtruesi më i madh që ka pasur ky vend… Buxheti nuk është një plan kontabël, është një dokument strategjik”, u shpreh Hoti gjatë përplasjes direkte me ministrin e Financave.

Sipas planifikimit të ndarjeve buxhetore sipas kategorive ekonomike, për paga janë paraparë 1 miliard e 84.9 milionë euro, për subvencione dhe transfere 1 miliard e 446 milionë euro, ndërsa për investime kapitale është alokuar shuma prej 1 miliard e 70 milionë eurosh. Projektligji pritet të vazhdojë procedimin në komisionet e linjës për shqyrtim të mëtejshëm. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Foda rindërton mbrojtjen pas largimit të Dellovës

Published

on

By

Kombëtarja e Kosovës në futboll është përballur me ndryshime të papritura në repartin defensiv në prag të ndeshjeve ndaj Izraelit dhe Irlandës.

Mbrojtësi Lumbardh Dellova është larguar nga grumbullimi i “Dardanëve”, ndërsa përzgjedhësi Franco Foda ka ftuar në vend të tij Betim Fazlijin. Kjo mungesë e ndërlikon edhe më shumë situatën në prapavijë, meqë jashtë fushave vazhdon të jetë edhe Albian Hajdari për shkak të një lëndimi afatgjatë.

Në skemën e tij të zakonshme 3-4-3, tekniku gjerman do të duhet të rindërtojë treshen e mbrojtjes. Lajm pozitiv për skuadrën është rikthimi i Kreshnik Hajrizit pas lëndimit, i cili pritet të jetë nga minutat e para pranë Ilir Krasniqit dhe Ron Raçit. Si opsione të reja në dispozicion janë edhe dy debutuesit nga Zvicra dhe Suedia, Lindrit Kamberi e Bleon Kurtulus, si dhe Betim Fazliji i cili mbulon disa pozicione në mbrojtje e mesfushë.

“Është e rëndësishme të kemi disa mundësi, jo vetëm për ndeshjet e radhës, por edhe për të ardhmen. Është e rëndësishme ta kemi parasysh të ardhmen e Kombëtares dhe ta ruajmë cilësinë, në mënyrë që të përgatitemi edhe për kualifikimet e Kampionatit Evropian”, u shpreh përzgjedhësi Foda lidhur me zgjedhjet e reja në mbrojtje. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara