Greqia është ankuar në UEFA për një shkurtesë të përdorur nga Maqedonia e Veriut në Kampionatin Evropian.
Logoja e federatës së futbollit të vendit (FFM) u shfaq në fanellat e vendit gjatë ndeshjes së hapjes së fazës së grupeve kundër Austrisë.
Por, ministrat grekë kanë deklaruar se Maqedonia e Veriut nuk mund të luajë me akronimin “MKD” dhe duhet të përdorë një term tjetër në përputhje me marrëveshjen e Prespës, e cila ndryshoi emrin kushtetues të ish-republikës Jugosllave.
Ministri i jashtëm, Nikos Dendias i dërgoi një letër të dielën homologut të tij në Maqedoninë e Veriut, duke kërkuar që ekipi të respektojë marrëveshjen.
Dendias nxiti Maqedoninë e Veriut të përdorë një akronim tjetër që i përgjigjet emrit të saj zyrtar si “NM” (Maqedonia e Veriut) ose “RNM” (Republika e Maqedonisë së Veriut).
Ministri gjithashtu kërkoi nga homologu i tij, Bukhar Osmani të ndryshojë zyrtarisht emrin e federatës së futbollit.
Ndërkohë, ministri grek i sportit, Lefteris Avgenakis i dërgoi një letër tjetër presidentit të UEFA-s Aleksander Ceferin të shtunën duke i kërkuar të ndërhynte në këtë çështje.
Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar në qershor të vitit 2018 pas negociatave të gjata, i dha fund mosmarrëveshjeve me vite midis Athinës dhe Shkupit.
Mosmarrëveshja midis dy vendeve fqinje rreth emrit çoi në një veto greke mbi pranimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe Bashkimin Evropian për gati 30 vjet.
Nacionalistët në Greqi e panë ndryshimin e emrit si një uzurpim të trashëgimisë kulturore të maqedonasve të lashtë.
Greqia ka insistuar që Maqedonia e Veriut të mbajë marrëdhënie bilaterale pozitive dhe të zbatojë plotësisht marrëveshjen e nënshkruar.
Sidoqoftë, Osmani ka thënë se inicialet e MKD-së nuk ishin në kundërshtim me marrëveshjen e Prespës.
“Federata e Futbollit e Maqedonisë është një organizatë e pavarur dhe jofitimprurëse që është regjistruar në regjistrin qendror si shoqatë dhe si e tillë nuk merr para shtetërore”, deklaroi ai.
“Marrëveshja e Prespës përfshin institucionet që marrin paratë e shtetit. Dhe për sa kohë që FFM nuk merr para shtetërore, ajo nuk ka asnjë detyrim të rregullojë emrin sipas Marrëveshjes së Prespës”.
Maqedonia e Veriut u mund 3-1 nga Austria në ndeshjen e tyre të hapjes në UEFA Euro 2020.
Përfaqësuesja e Kosovës në volejboll për meshkuj ka siguruar pikën e parë historike në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, në paraqitjen debutuese të volejbollit kosovar në këtë garë.
Dardanët zhvilluan një ndeshje të jashtëzakonshme ndaj Turqisë, njërës prej skuadrave favorite të turneut, duke fituar dy setet e para. Megjithatë, turqit arritën ta përmbysin rezultatin dhe triumfuan 3:2.
Turqi – Kosovë 3:2
21:25, 23:25, 25:15, 25:16, 15:10
Pavarësisht humbjes, Kosova fitoi një pikë të rëndësishme falë dy seteve të fituara dhe regjistroi një moment historik në debutimin e saj në Lojërat Mesdhetare.
Federata e Volejbollit të Kosovës e ka cilësuar këtë rezultat si dëshmi të rritjes së volejbollit kosovar në arenën ndërkombëtare.
Ndeshjen në “PalaMazzola” e ndoqën nga afër drejtues të Komitetit Olimpik të Kosovës dhe Federatës së Volejbollit të Kosovës, të cilët mbështetën nga afër Dardanët.
Kjo ishte një tjetër paraqitje pozitive e volejbollit kosovar në “Taranto 2026”, pas dy fitoreve të regjistruara më herët nga Kombëtarja e Kosovës për femra.
Interi po punon për të reduktuar numrin e lojtarëve në skuadër, ndërsa në mesin e futbollistëve që pritet të largohen është edhe mesfushori shqiptar Kristjan Asllani.
Asllani është rikthyer te Interi pas huazimeve te Torino dhe Besiktas, por nuk bën pjesë në planet e trajnerit Christian Chivu për sezonin e ri.
Sipas raportimeve nga mediat italiane, për 24-vjeçarin ka shfaqur interesim Al-Jazira nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Dy klubet tashmë po përpiqen të gjejnë gjuhën e përbashkët për një marrëveshje, ndërsa ende nuk është përcaktuar formula e transferimit.
Mbetet të shihet edhe nëse Asllani do të jetë i gatshëm për të vazhduar karrierën në Emiratet e Bashkuara Arabe. Për mesfushorin shqiptar interesim kishte shfaqur më herët edhe Monza.
Asllani iu bashkua Interit nga Empoli, por gjatë periudhës së tij në Milano e pati të vështirë të siguronte një vend të rregullt në formacion, fillimisht për shkak të konkurrencës me Marcelo Brozović dhe më pas me Hakan Çalhanoğlu.
Në huazimin e fundit te Besiktasi, Asllani zhvilloi 33 ndeshje, duke shënuar dy gola dhe dy asistime.
Sipas raportimeve, Al-Jazira është e gatshme t’i ofrojë një kontratë të leverdishme, ndërsa Interi po synon një transferim të përhershëm të mesfushorit. Zhvillime të reja rreth marrëveshjes priten në orët në vijim.
Tottenham Hotspuri ka arritur marrëveshje për transferimin e sulmuesit brazilian Savinho nga Manchester City.
Sipas raportimeve të mediave angleze, marrëveshja kap vlerën e 85 milionë funteve, apo rreth 100 milionë eurove.
Tottenhami do të paguajë fillimisht 75 milionë funte, ndërsa 10 milionë të tjera janë të parapara në formën e bonuseve.
Me këtë transferim, Tottenhamit i është rritur edhe më tej shpenzimi gjatë kësaj vere. Klubi londinez tashmë ka shpenzuar mbi 300 milionë funte, në përpjekje për t’u rikthyer në majat e futbollit anglez.
Sipas “Sky Sports”, 22-vjeçari brazilian te Tottenham do të prezantohet me emrin Savio.
Ndërkohë, për Manchester Cityn, shitja e Savinhos përbën transferimin më të shtrenjtë në dalje në historinë e klubit.
Notarët kosovarë kanë zhvilluar garat e radhës të martën në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, ndërsa paraqitjen më të mirë e pati Hana Beiqi.
Beiqi garoi në disiplinën 50 metra stil i lirë, ku u rendit e 13-ta në kualifikime nga gjithsej 22 notare. Ajo e përfundoi garën me kohën 26.72 sekonda, ndërsa për një vend në finale nevojitej koha 25.89 sekonda. Në finale u kualifikuan tetë notaret më të mira.
Në të njëjtën disiplinë garoi edhe Riga Shala, e cila e përfundoi garën në vendin e fundit, me kohën 28.11 sekonda.
Te meshkujt, në 50 metra stil i lirë garoi Dior Krasniqi. Ai u rendit i 18-ti dhe i fundit nga notarët që morën pjesë, me kohën 24.97 sekonda. Për krahasim, notari i parafundit regjistroi kohën 23.93 sekonda, ndërsa koha e fundit që siguronte kualifikimin në finale ishte 22.73 sekonda.
Ndërkohë, Erina Idrizaj garoi në disiplinën 100 metra shpinë dhe u rendit e nënta nga 11 notare. Ajo regjistroi kohën 1:08.56, ndërsa për finale nevojitej të ishte në mesin e tetë më të mirave. Notarja e fundit që siguroi finalen kishte kohën 1:04.33.
Megjithatë, Idrizaj arriti të lërë pas notare nga Libani dhe Shqipëria.
Paraqitjet e notarëve kosovarë vazhdojnë në ditët në vijim, me synimin për rezultate sa më të mira në “Taranto 2026”.