Lajmet

Gratë paguhen 18 për qind më pak se burrat në Gjermani

Këto dallime janë më të vogla në lindje sesa në perëndim.

Published

on

Gratë në Gjermani fitojnë pothuajse një të pestën më pak në orë se burrat. Në të njëjtën kohë, këto dallime janë më të vogla në lindje sesa në perëndim.

Gratë në Gjermani ende marrin rroga mesatarisht më të ulëta për një orë pune sesa burrat. Më 2022 gratë kanë fituar mesatarisht 20.05 euro në orë, që do të thotë 4,31 euro ose 18 % më pak se meshkujt (të cilët mesatarisht për një orë punë në Gjermani paguhen 24,36 euro). Në të njëjtën kohë, siç raportohet nga Enti Federal i Statistikave, diferenca në të ardhurat në pjesët lindore të Gjermanisë është aktualisht shtatë për qind, që është një dallim me pjesët perëndimore të vendit, ku gratë paguhen 19 për qind më pak se burrat për të njëjtën punë.

Për shkak të ndryshimit të metodologjisë së llogritjeve statistikore, këto të dhëna nuk mund të krahasohen drejtpërdrejt me ato të viteve të mëparshme. Megjithatë, në një krahasim afatgjatë është i mundur dhe ai dëshmon se dallimi i rrogave mes grave dhe burrave vitet e fundit është zvogëluar. Në fillim të këtyre matjeve, në vitin 2006, dallimi mesatar në rroga ka qenë 23 %.

Dallimet shfaqen kryesisht sepse gratë kanë më shumë gjasa se burrat të punojnë në profesione dhe në nivele ku pagat janë më të ulëta. Në të njëjtën kohë, ato punojnë më shpesh me orar të shkurtuar, gjë që shoqërohet me një pagë mesatare bruto më të ulët për orë pune. Këta faktorë shpjegojnë deri në 63 për qind të rasteve të diferencave në paga.

Pjesa e mbetur prej 37 për qind e diferencës në fitime, siç thuhet, “nuk mund të shpjegohet me karakteristikat e disponueshme në modelin e vlerësimit”. Shtatë për qind janë raste kur ka një ndryshim edhe nëse kualifikimet dhe përvoja e punës janë të ngjashme.

“Mund të supozohet se dallimet do të ishin më të vogla, sikur të kishte më shumë informacione mbi faktorët që ndikojnë në pagat, si informacioni për ndërprerjet e karrierës për shkak të shtatzënisë, lindjes ose kujdesit për të afërmit. Kjo do të jepte ndoshta një pjesë të shpjegimeve”, thonë përfaqësuesit e Zyrës Federale të Statistikave të Gjermanisë. Prandaj këto të dhëna duhet të kuptoihen si “kufiri i sipërm i diskriminimit në rroga”./DW

Lajmet

Klarinetisti amerikan Jeremy Reynolds zhvilloi masterklasë me studentët e muzikës në UBT

Published

on

Klarinetisti dhe profesori amerikan Jeremy Reynolds ka zhvilluar një masterklasë me studentët e drejtimit të klarinetës në programin Muzikë Moderne, Prodhim Digjital dhe Menaxhim Muzikor në UBT.

Aktiviteti u organizua me iniciativën e profesorit Blerim Emerllahu, ndërsa u përqendrua në teknikat bashkëkohore të interpretimit në klarinetë dhe zhvillimin teknik e artistik të instrumentistëve.

Gjatë punës së drejtpërdrejtë me studentët, Reynolds prezantoi qasje të ndryshme interpretimi, duke u ndalur te pasurimi i mjeteve shprehëse, kontrolli teknik dhe zgjerimi i potencialit artistik të instrumentit në muzikën bashkëkohore.

Ai prezantoi gjithashtu Lamont School of Music të Universitetit të Denverit, ku është profesor i klarinetës, duke i njoftuar studentët dhe stafin akademik të UBT-së me programet, veprimtarinë dhe mundësitë akademike e artistike të këtij institucioni.

Jeremy Reynolds është zëvendësklarinetist kryesor në Orkestrën Filarmonike të Colorado Springs dhe profesor në Lamont School of Music të Universitetit të Denverit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë karrierës së tij ka interpretuar në gjashtë kontinente si solist dhe muzikant i muzikës kamertale, ndërsa në vitin 2015 debutoi në Carnegie Hall me ansamblin Waldland.

Përvoja e tij pedagogjike përfshin institucione të njohura ndërkombëtare, përfshirë Akademinë e Muzikës dhe Teatrit në Estoni, Akademinë e Muzikës Grieg, Akademinë e Arteve Performuese në Pragë, Universitetin Kombëtar të Seulit, Konservatorin e Versajës dhe Konservatorin e Muzikës në Sidnei.

Sipas UBT-së, organizimi i këtij masterklasi synon të krijojë mundësi bashkëpunimi me artistë dhe pedagogë ndërkombëtarë, duke pasuruar përvojën akademike dhe profesionale të studentëve përmes shkëmbimit të njohurive dhe praktikave bashkëkohore në fushën e muzikës./A.K/

 

Continue Reading

Lajmet

Irani kërkon 290 miliardë dollarë dëmshpërblim nga SHBA-ja

Published

on

Gjykatat iraniane kanë vendosur që Shtetet e Bashkuara t’i paguajnë Iranit 290 miliardë dollarë dëmshpërblim, ka deklaruar të hënën një zyrtar i sistemit gjyqësor iranian.

“Kemi siguruar vendime nga gjykatat vendase, të cilat kanë caktuar një dëmshpërblim prej 290 miliardë dollarësh kundër amerikanëve”, ka thënë Hassan Abdolianpour, kreu i qendrës për avokatët pranë sistemit gjyqësor, sipas televizionit shtetëror.

Sipas këtij televizioni, kërkesa për dëmshpërblim lidhet me veprime të Shteteve të Bashkuara që datojnë disa dekada më parë, raportojnë mediat e huaja.

Ndërkohë, tensionet mes dy vendeve janë përshkallëzuar pas nisjes së luftës në Lindjen e Mesme më 28 shkurt, kur SHBA-ja dhe Izraeli ndërmorën një valë sulmesh ndaj Iranit, gjatë të cilave u vra udhëheqësi suprem i vendit, Ali Khamenei.

Irani u kundërpërgjigj me sulme me raketa dhe dronë drejt disa vendeve të rajonit, duke deklaruar se shënjestronte bazat dhe asetet amerikane e izraelite.

Në qershor, memorandumi i mirëkuptimit i nënshkruar në Islamabad mes SHBA-së dhe Iranit, i cili synonte hapjen e rrugës drejt një marrëveshjeje paqeje, përfshinte edhe një klauzolë për hartimin e një plani me vlerë të paktën 300 miliardë dollarë për rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik të Iranit.

Irani gjithashtu është përballur prej dekadash me sanksione të rënda amerikane, kryesisht për shkak të programit të tij bërthamor./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Babai i Endrit Azemit kërkon falje për mashtrimin: Familja nuk kishte dijeni për mbledhjen e parave

Published

on

Xhemajl Azemi, babai i Endrit Azemit, i cili dyshohet se mblodhi mbi 189 mijë euro duke pretenduar se vuante nga leukemia, ka deklaruar se familja nuk kishte dijeni për mashtrimet e të birit.

Në një deklaratë për Tëvë1, ai u ka kërkuar falje të gjithë qytetarëve që kanë dhënë para për shërimin e pretenduar të djalit të tij, duke thënë se familja nuk ishte në dijeni të asaj që po ndodhte.

Azemi ka shprehur dyshimin se i biri nuk mund ta ketë organizuar i vetëm këtë skemë, duke përmendur edhe përfshirjen e personave të tjerë që, sipas tij, janë shoqëruar me Endritin.

Ai ka deklaruar se paratë e mbledhura përmes platformës “GoFundMe” dhe në sheshin e qytetit ndodhen në bankë dhe se, sipas tij, Policia ka dijeni për to. Babai i të dyshuarit ka thënë gjithashtu se familja nuk ka përfituar asnjë shumë nga këto mjete.

Xhemajl Azemi ka treguar se për herë të fundit e kishte parë të birin në gjendje të dobët fizike, ndërsa më 31 të muajit ai ishte nisur për në Turqi. Sipas tij, familja kishte menduar se Endriti ishte i sëmurë.

Ndërkohë, Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore, duke i caktuar Endrit Azemit një muaj paraburgim, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të mashtrimit.

Sipas dosjes së prokurorisë, i dyshuari dyshohet se përmes platformës “GoFundMe” dhe thirrjeve për ndihmë të organizuara në qytet ka mashtruar qytetarët, duke pretenduar se vuante nga leukemia akute dhe duke përfituar 189 mijë e 208 euro e 80 centë.

Prokuroria dyshon se mashtrimi ishte organizuar për rreth dy javë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror./A.K/

 

Continue Reading

Lajmet

Hakeri shqiptar që vodhi 90 video nga GTA 6 dënohet me shtatë vjet burg

Published

on

Arion Kurtaj, 21-vjeçari shqiptar i përfshirë në vjedhjen e 90 videove nga loja “Grand Theft Auto VI” (GTA 6), është dënuar me shtatë vjet burg nga Gjykata e Woolwich në Londër.

Sipas vendimit, Kurtaj u lirua menjëherë, pasi koha e kaluar në paraburgim iu llogarit në dënim.

Ai ishte pjesëtar i grupit të njohur të krimit kibernetik Lapsus$ dhe kishte pranuar fajësinë për një seri sulmesh ndaj kompanive Rockstar Games, Uber, BT/EE dhe Revolut.

Sipas hetimeve, Kurtaj kishte kryer sulme kibernetike edhe gjatë kohës kur qëndronte në një hotel nën mbikëqyrje, duke përdorur një telefon, rrjetin Wi-Fi të televizorit dhe një pajisje Fire Stick.

Ai arriti të depërtonte në sistemet e Rockstar Games, prej nga vodhi kodin burimor dhe pamje nga GTA 6, përpara publikimit të lojës. Më pas, publikoi disa prej videove në internet dhe kërcënoi kompaninë se do të publikonte edhe kodin burimor nëse përfaqësuesit e saj nuk e kontaktonin.

Gjatë shpalljes së vendimit, gjykatësi Turner e cilësoi Kurtajn si një të ri me talent të veçantë, duke e paralajmëruar që të mos i shpërdorojë aftësitë e tij në aktivitete kriminale.

Në dhjetor të vitit 2023, Kurtaj ishte urdhëruar të mbahej për një periudhë të pacaktuar në një institucion spitalor, pasi ekspertët kishin vlerësuar se nuk ishte në gjendje të përballej me procesin gjyqësor. Megjithatë, një vlerësim i ri në vitin 2025 konstatoi se ai ishte i aftë të merrte pjesë në gjykim.

Hetimet ndaj tij u zhvilluan nga Policia e Londrës, me mbështetjen e autoriteteve amerikane./A.K/

 

Continue Reading

Të kërkuara