Ministrja në detyrë e Ministrisë së Industrisë Ndërrmarësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari sot është paraqitur në Prokurorinë Speciale në ora 10:00 të mëngjesit për intervistimin e çështjes së rezervave shtetërore.
Hajdari pas intervistimit nga Prokuroria Speciale konfirmoi se paraqitja e saj kishte të bënte për rastin e rezervave shtetërore, teksa hodhi akuza për mënyrën e bastisjes së ministrisë që ajo drejton për të marrë dokumentet e lëndës të klasifikuar si sekret shtetëror.
“Sot isha e ftuar nga Prokuroria Speciale për intervistë, bëhet fjalë për kontraktimin e rezervave shtetërore, proces jetik për të gjithë ne, proces i rëndësishëm për popullatën tonë ministria ka bërë blerjen e rezervave shtetërore në kohën kur ishim të pa mbrojtur, në shkurt 2022 dhe mars 2022. Për këtë proces jetik tani pyetem nga Prokuroria Speciale, por një pyetje vjen se a është ky proces i ligjshëm dhe si prokuroria hyri në MINT për të marrë dokumente të klasifikuara si sekret të rezervave shtetërore asnjë person nuk mund të ketë qasje në rezervën klasifikuar sekret pa një procedurë të qartë ligjore sipas udhëzime të AKI-së dhe agjensionit për mbrojteve të klasifikuara. Ne si MINT e kemi klasifikuar lëndën sekret sipas ligjit për mbrojtjen e informacione të klasifikuara sipas nenit të rezervave shtetërore, por në realitet Prokuroria Speciale bëri një gabim si një hap të pa menduar mirë duke dërguar dy policë hetues pa çertifikatë sigurie dhe duke marrë dokumentet brenda një orë në MINT, këtë e ka konstatuar edhe Inspektoriati Policor, me raportin informues që dy policët hetues shkuan në MINT pa çertifikatë sigurie të nivelit sekret. Ky raport nga Inspektoriati Policor, u dërgua edhe në Prokuririnë Speciale, për udhëzime dhe veprime të mëtejme ndaj këtyre dy policëve“, tha fillimisht ajo.
Tutje Hajdari thotë se mbi këtë rast nuk është raportuar në mënyrë të drejtë.
“Në realitet prokurori Gashi i cili po merret me këtë lëndë ka liruar nga përgjegjësia këta dy policë dhe vet prokuroria po shkel ligjin. Prokuori Gashi vet po autorizon dhe vet po liron nga përgjegjesia policët e pa çertifikuar me çertifikate sigurie të nivelit sekret. Për më shumë më vjen keq dhe turp se asnjëherë për këtë proces nuk është raportuar drejtë. Më vjen turp edhe për veprimet e Gashit për shkeljen e ligjit, për më shumë ne si ministri kemi inicuar një hetim të Agjensionit për Parandalimin e Korrupsionit, për të inciuar një hetim dhe për të ardhur në konstatim të kësaj shkelje të këtij konflikti të interesit sepse e kemi te dokumentiar në raportin e Inspektoriatit Policor në e-mailin të dokumentuar ku prokurori Gashi pranon konfliktin e interesit për të shqyrtuar këtë raport të IP-së, për më keq Prokuroria Speciale vet i njëjti prokuror mbyll rastin mbyllë lëndën e raportit informues të IP-së. Unë e di që pas këtij hetimi nga Agjensioni për Parandalimin e konfliktit ne do të përballemi në gjykatë“, përfundoi Hajdari.
Prokuroria Speciale për KosovaPress ka konfirmuar se ministrja në detyrë, Rozeta Hajdari është ftuar për intervistim në cilësinë e të pandehurës.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka thirrur znj. Rozeta Hajdari, që të paraqitet në prokurori për t’u deklaruar në cilësinë e të pandehurës, në kuadër të hetimeve për rastin “Rezervat shtetërore”, thuhet në përgjigjje.
Sipas përgjigjjes së Prokurorisë Speciale, Rozeta Hajdari ka zgjedhur që gjatë intervistimit të mbrohet në heshtje.
“Znj.Hajdari është ftuar me qëllim të konstatimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike, për të gjitha dyshimet që janë pjesë e hetimit të këtij rasti penal. Megjithatë, znj.Hajdari e ka shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje, sikurse herën e parë kur ishte ftuar në prokurori për këtë çështje. Rasti është duke u trajtuar në përputhje me rregullat dhe standardet e përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale“, thuhet në përgjigjjen e Prokurorisë Speciale për KosovaPress.
Kujtojmë se në vitin 2023 ishin arrestuar tre persona për rastin e rezervave shtetërore. Në mesin e të arrestuarve ishte Lipovica dhe zyrtari tjetër i MINT, Hafiz Gara.
Në Ministrinë e Industrisë Ndërrmarrësisë dhe Tregtisë të udhëhequr nga Rozeta Hajdari në vitin 2023 u kryen bastisje për keqpërdorimet me rezervat shtetërore të vajit dhe grurit.
Lidhur me këtë rast ftesë për intervistim ka pranuar kohë më parë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, megjithatë Kurti nuk është paraqitur në Prokurorinë Speciale për intervistim.