Teknologji

Goditje platformave amerikane: Rusia ndalon Snapchat, FaceTime dhe Roblox

Published

on

Mbikëqyrësi shtetëror i komunikimeve në Rusi ka intensifikuar presionin ndaj platformave të huaja të komunikimit, duke bllokuar të enjten aksesin në Snapchat, vetëm pak orë pasi vendosi kufizime për shërbimin FaceTime të Apple.

Sipas Roskomnadzor, Snapchat po përdorej “për organizimin dhe kryerjen e aktiviteteve terroriste në vend”, si dhe për mashtrime dhe vepra të tjera penale, sipas deklaratave të publikuara nga media shtetërore.

Aplikacioni, i njohur për mesazhet me foto e video që zhduken, kishte rreth 7.6 milionë përdorues në Rusi në vitin 2022.

Autoritetet dhanë arsyetim të ngjashëm edhe për kufizimet e vendosura ndaj thirrjeve zanore dhe video në FaceTime, një nga platformat e fundit të përhapura të komunikimit video që mbeteshin të qasshme në Rusi pas kufizimeve të mëparshme ndaj WhatsApp dhe Telegram.

Këto masa vijnë në një kohë kur Roskomnadzor po shton presionin edhe ndaj WhatsApp, i cili është aplikacioni më i përdorur në vend me gati 100 milionë përdorues.

Javën e kaluar, institucioni paralajmëroi se mund të bllokojë plotësisht shërbimin, duke e akuzuar kompaninë në pronësi të Meta-s se nuk po i përmbahet ligjeve ruse për lokalizimin e të dhënave dhe se ka kryer shkelje të përsëritura të lidhura me aktivitet të dyshuar terrorist.

Kufizimet ndaj FaceTime dhe Snapchat u ndërmorën një ditë pasi Roskomnadzor bllokoi aksesin në platformën amerikane të lojërave Roblox, duke e akuzuar për shpërndarje materialesh ekstremiste, “propagandë LGBT” dhe ndikim negativ në zhvillimin moral të fëmijëve.

Roblox ishte loja mobile më e shkarkuar në Rusi gjatë vitit 2023. /A.Z/UBT News/

Teknologji

Ky funksion u zhduk nga Netflix, përdoruesit mbeten të habitur

Published

on

Netflix ka hequr në heshtje opsionin “Cast” nga aplikacioni mobil për shumicën dërrmuese të televizorëve inteligjentë.

Tani, në vend që të transmetoni direkt nga telefoni, duhet të hapni aplikacionin Netflix në vetë televizorin dhe të përdorni telekomandën për të nisur shfaqjet dhe filmat.

Ndryshimi u bë pa asnjë njoftim zyrtar, dhe përdorues të shumtë kanë vënë re zhdukjen graduale të “Cast” gjatë javëve të fundit.

Një përdorues në Reddit raportoi se funksioni u zhduk më 10 nëntor, kjo përputhet me përvojën e shumë pajisjeve tjera.

Pas rritjes së ankesave dhe konfuzionit, Netflix përditësoi faqen e mbështetjes duke sqaruar se “Cast” nuk ofrohet më për shumicën e smart TV-ve dhe pajisjeve moderne të transmetimit.

Vetëm disa pajisje të vjetra ende e mbështesin “Cast” nga aplikacioni mobil.

Madje, një përfaqësues i shërbimit për klientë thuhet se i ka thënë një përdoruesi se nëse pajisja ka telekomandë, atëherë nuk mund të përdoret “Cast”.

Edhe pse Netflix pretendon se kjo do të përmirësojë përvojën e përdoruesve, shumë prej tyre janë të pakënaqur, pasi preferonin ta kontrollonin aplikacionin drejtpërdrejt nga telefoni. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Kuriozitete

E pabesueshme! Punoi 2 turne për AI, humbi punën dhe u zëvendësua nga makinat që i krijoi

Published

on

Donald King, 26 vjeç, është bërë simbol i mënyrës se si kompanitë e mëdha po përdorin inteligjencën artificiale, shpesh në dëm të punonjësve të tyre.

I diplomuar në Universitetin e Teksasit në Austin në vitin 2021, King u punësua në PëC në Nju Jork si bashkëpunëtor në konsulencën teknologjike, duke punuar me klientë të rëndësishëm si Oracle.

Pasi kompania njoftoi një investim prej 1 miliard dollarësh në IA, King u bashkua me një ekip kërkimi që punonte 60–80 orë në javë.

I talentuar dhe ambicioz, ai programonte dhe drejtonte ekipe brenda dhe jashtë SHBA-së, duke u përfshirë në zhvillimin e agjentëve AI që mund të automatizonin procese të tëra pune, madje edhe departamente të kompletuara.

“Na u desh të pyesnim: çfarë po ndërtojmë? Ishte si t’i trajtoje makinat si njerëz,” rrëfen ai për Fortune.

Tetë muaj pas marrjes së rolit të ri, King prezantoi projektin e tij fitues në “hackathon”-in e OpenAI: një flotë agjentësh AI që realizonin automatikisht punët më të lodhshme të njerëzve.

I bindur se ky sukses do t’i sillte ngrritje në detyrë, ai nuk e priste surprizën që do të vinte. Vetëm dy orë pas prezantimit, nga PëC e kontaktuan me një njoftim të papritur: “Je i pushuar!”

I tronditur, King regjistroi momentin dhe e publikoi në TikTok, ku videoja u bë virale me mbi 2 milionë shikime.

“Ishte e pamundur të besoja se do të humbisja punën pikërisht për teknologjinë që unë e krijova. Mendova se isha i sigurt, sidomos pasi fitova vendin e parë. Më kapi krejt papritur,” thotë ai. /A.Z/UBT News/

 

Continue Reading

Teknologji

YouTube ndalon përdoruesit australianë nën 16 vjeç!

Published

on

YouTube ka njoftuar një vendim të rëndësishëm që prek miliona përdorues dhe krijues përmbajtjesh australianë, duke ndaluar përdoruesit nën 16 vjeç nga llogaritë e tyre brenda disa ditësh.

Ky hap vjen pas një mosmarrëveshjeje me qeverinë australiane, e cila kërkonte masa më të rrepta për të mbrojtur adoleshentët nga përmbajtja e dëmshme.

Çfarë ndryshon?

Përdoruesit nën 16 vjeç do të çaktivizohen automatikisht nga llogaria e tyre nga 10 dhjetori.

Ata nuk do të mund të abonohen, të komentojnë ose të pëlqejnë postime, por mund të vazhdojnë të shikojnë përmbajtje pas çaktivizimit.

Përdoruesit tani duhet të jenë të paktën 16 vjeç për të regjistruar një llogari në YouTube.

Sipas Komisionerit të Sigurisë Elektronike në Australi, YouTube ka rreth 325,000 llogari të mbajtura nga australianë të moshës 13–15 vjeç, krahasuar me 440,000 në Snapchat dhe 350,000 në Instagram.

Studimet tregojnë se më shumë se një e treta e australianëve 10–15 vjeç kanë hasur përmbajtje të dëmshme në YouTube.

Ky vendim po vëzhgohet nga juridiksione të tjera, duke krijuar një precedent global për mbrojtjen e fëmijëve në platformat digjitale dhe balancimin e sigurisë me qasjen në shërbime online.

YouTube e përshkruan vendimin si hap të domosdoshëm për të mbrojtur përdoruesit më të rinj e përmbushur rregulloret e qeverisë. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Teknologji

Nga thirrjet te mesazhet, Rusia mund ta mbyllë plotësisht WhatsApp-in

Published

on

Rusia njoftoi se po shqyrton mundësinë e ndalimit të WhatsApp-it, duke e akuzuar shërbimin e mesazheve se nuk ka arritur të parandalojë aktivitetet kriminale.

Paralajmërimi vjen në një periudhë kur Moska po intensifikon përpjekjet për të shtyrë qytetarët drejt platformave të kontrolluara nga shteti.

Autoritetet ruse i hoqën përdoruesve mundësinë për të kryer thirrje në WhatsApp që në gusht, si pjesë e një fushate më të gjerë kundër rrjeteve sociale perëndimore. Sipas kritikëve, këto masa synojnë t’i detyrojnë rusët të kalojnë në shërbimet vendore.

Roskomnadzor, rregullatori shtetëror i komunikimeve, deklaroi se WhatsApp po përdoret për “organizimin dhe kryerjen e akteve terroriste, për rekrutimin e autorëve, si dhe për mashtrime dhe krime të tjera ndaj qytetarëve”.

Institucioni paralajmëroi se platforma  bllokohet nëse nuk përmbahet ligjeve ruse. Meta, kompania amerikane që zotëron WhatsApp-in, nuk ka dhënë ende një reagim, raporton REL.

WhatsApp është ndër aplikacionet më të popullarizuara për dërgimin e mesazheve në Rusi, përkrah Telegramit.

Moska u kërkon këtyre platformave të ofrojnë qasje në të dhënat e përdoruesve kur kërkohet nga organet e rendit, veçanërisht për hetime të lidhura me mashtrimet apo aktivitetet që autoritetet i cilësojnë si “terroriste”.

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut shprehin shqetësim se masat forcojnë mekanizmin e mbikëqyrjes shtetërore dhe të përdoren për të ndjekur kritikët e Kremlinit, presidentit Vladimir Putin dhe luftës në Ukrainë. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Të kërkuara