Lajmet

Gjysmë milioni të vdekur në Brazil nga Covid 19

Në Brazil nuk ekziston shtabi i krizës në luftën kundër virusit Corona.

Published

on

Presidenti Bolsonaro thotë se pandemia nuk është e rrezikshme, por kjo është në kundërshtim me shifrat. Në Brazil janë regjistruar më shumë se gjysmë milionë të vdekur nga virusi Corona.

Në Brazil nuk ekziston shtabi i krizës në luftën kundër virusit Corona. Ndaj ministrit të Shëndetësisë Marcelo Queiroga tani iu desh që vet të njoftojë opinionin publik se deri tani janë regjistruar më shumë se 500.000 viktima nga sëmundja COVID-19. Ministri e siguroi presidentin dhe opinionin përmes një mesazhi në Twitter se ai ishte duke punuar pa u lodhur për të siguruar që të gjithë brazilianët të vaksinoheshin në kohën më të shkurtër të mundshme.

Kombi me 210 milionë banorë raportoi se ditët e kaluara sërish është tejkaluar shifra e vdekjeve nga virusi Corona brenda ditës prej më shumë se 2.000 vetë. Nëse gjërat vazhdojnë me këtë ritëm,Brazili së shpejti do ta tejkalojë SHBA-në si vendi me numrin më të madh të vdekjeve nga virusi Corona, thonë ekspertët atje. Në Shtetet e Bashkuara kanë vdekur deri tani rreth 600.000 njerëz nga sëmundja COVID-19, apo si pasojë e virusit Corona.

Brasilien | Proteste gegen Präsident Jair Bolsonaro in Rio de Janeiro

Nga zemërimi me politikën ndaj virusit Corona të presidentit djathtist populist Jair Bolsonaro, dhjetëra mijëra njerëz dolën përsëri në rrugë në fundjavë. Në kryeqytetin Brazilia dhe në 14 kryeqytete provinciale, ata bënë thirrje që Bolsonaro të jepte dorëheqjen. Ata kërkuan më shumë vaksinime dhe mbështetje ekonomike në krizën e Coronës, si dhe përpjekje më të mëdha në luftën kundër urisë dhe respektimin e të drejtave të popujve indigjenë.

Ekspertët janë të shqetësuar me numrin e lartë të infektimeve të reja në Brazil: me 98.135 raste brenda 24 orëve, një rekord absolut ditor u vendos të premten. Mikrobiologia Natalia Pasternak thotë se për shkak të fushatës së ngadaltë të vaksinimit – deri më tani vetëm njëmbëdhjetë përqind e të rriturve janë vaksinuar plotësisht – është e vështirë të bëhet një parashikim për rrjedhën e mëtejshme të pandemisë.

Ekspertët thonë se përgjegjësinë e ka qeveria e Bolsonaros

Për shkencëtaren, përgjegjësia për vdekjet masive i takon qeverisë Bolsonaro. “Ajo që shkoi keq këtu në Brazil ishte mënyra se si menaxhoi pandeminë kjo qeveri, e cila mohon njohuritë rreth virusit Corona. Kjo qeveri është plotësisht e papërgatitur dhe po e ndihmon përhapjen e virusit.”

Irland | Proteste gegen Präsident Jair Bolsonaro in Dublin

Presidenti djathtist populist gjithmonë e ka minimizuar rrezikun nga virusi. Ai ka sabotuar masat nga kryetarët e bashkive dhe guvernatorët, e madje ka kërcënuar me përdorimin e ushtrisë për t’i dhënë fund masave kufizuese. Të enjten ai tha se infektimet me virusin Corona kanë rezultuar me një imunizim më efektiv sesa vaksinimet. Për të luftuar sëmundjen, ai ende rekomandon klorokinën që përdoren kundër malarias si dhe një mjet kundër krimbave.

Ndërkohë një komision paralamentar po heton sjelljen e qeverisë në kohën e pandemisë. Tanimë dihet, se Bolsonaro ka injoruar disa oferta nga BioNTech/Pfizer për miliona doza vaksinash në mes të vitit 2020. Qeveria ka filluar seriozisht të angazhohet për sigurimin e vaksinave në mars të këtij viti, pra një vit pas shpërthimit të pandemisë.

Lajmet

Kuvendi shkarkon katër anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës ka miratuar shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), raporton Ekonomia Online.

Gjatë votimit në seancën plenare, deputetët vendosën për lirimin nga detyra të anëtarëve si më poshtë:

Eshref Shabani dhe Arben Mehmeti u shkarkuan me nga 61 vota për, pa asnjë votë kundër apo abstenim;

Malsore Gashi-Bajraktari dhe Arlinda Demi u shkarkuan me nga 60 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim.

Propozimi për shkarkimin e tyre ishte proceduar nga Komisioni për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, i cili më 11 nëntor kishte miratuar me shumicë votash rekomandimin për lirimin e tyre nga funksioni.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës është institucion kushtetues që ka për mandat shqyrtimin e ankesave të nëpunësve civilë dhe kandidatëve për pranim në shërbimin civil, si dhe mbikëqyrjen e zbatimit të rregullave të shërbimit civil në institucionet publike. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Qeveria ndan mjete për paga dhe ndryshon programin legjislativ

Published

on

By

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar mbrëmë gjashtë vendime gjatë një mbledhjeje elektronike, të cilat prekin programin legjislativ, emërimet në pozita të larta drejtuese dhe ndarjen e mjeteve buxhetore.

Sipas njoftimit të ekzekutivit, në këtë mbledhje është miratuar ndryshimi dhe plotësimi i Programit të Projektligjeve për periudhën 2026–2028. Po ashtu, kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për korrigjimin e vendimit të Qeverisë Nr. 10/12, të datës 17 nëntor 2026.

Në kuadër të po kësaj mbledhjeje, Qeveria ka miratuar edhe tre vendime për emërimin e komisioneve të pranimit për kategorinë e lartë drejtuese, konkretisht për këto pozita institucionale:

  • Drejtor ekzekutiv në Inspektoratin Qendror të Punës;
  • Komisioner për Gjuhët në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës;
  • Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Digjitalizimit dhe Administratës Publike.

Ndërkaq, vendimi i gjashtë i miratuar lidhet me ndarjen e mjeteve buxhetore për mbulimin e mungesës së fondeve për muajin nëntor 2026, në kategorinë e shpenzimeve për paga dhe shtesa. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Dallime të thella në BE për buxhetin afatgjatë dhe kredinë prej 49 miliardë dollarësh për Ukrainën

Published

on

By

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian janë përballur me vështirësi të mëdha të enjten në Bruksel për të kapërcyer ndasitë rreth buxhetit afatgjatë të bllokut (2028–2034) dhe për të arritur marrëveshje mbi një kredi të re prej 49 miliardë dollarësh, e destinuar për mbulimin e nevojave ekonomike dhe ushtarake të Ukrainës gjatë vitit të ardhshëm.

Gjatë samitit, vendet anëtare u ndanë në dy blloqe kryesore: disa liderë kërkuan shkurtime të shpenzimeve dhe disiplinë fiskale, ndërsa të tjerë mbrojtën politikat tradicionale që zënë pjesën dërrmuese të buxhetit. Paralelisht, shumica e shteteve kërkojnë fonde shtesë për prioritetet e reja strategjike dhe për vazhdimin e ndihmës ndaj Ukrainës, gati pesë vjet pas nisjes së pushtimit rus.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, vuri në pah kundërthëniet e debatit, duke theksuar nevojën për financa të qëndrueshme dhe shmangien e borxheve të reja.

“Evropa ka nevojë për financa të qëndrueshme. Nuk mundemi dhe nuk duhet të marrim më shumë borxhe. Në të njëjtën kohë, kemi një sërë detyrash që duhet t’i përmbushim në mënyrë të besueshme… Përparësitë duhet të jenë një ekonomi e lulëzuar, tregu i brendshëm duhet të jetë në gjendje të zhvillojë plotësisht potencialin e tij dhe ne kemi nevojë për mbrojtje më të mirë”, deklaroi Merz para gazetarëve.

Plani buxhetor për periudhën 2028–2034, i cili financohet nga 27 vendet anëtare në bazë të fuqisë së tyre ekonomike, pritet të arrijë në 1 deri në 1.2 për qind të të ardhurave kombëtare bruto. Megjithatë, duket gjithnjë e më pak e mundshme që liderët të arrijnë objektivin për miratimin e tij deri në fund të këtij viti.

Në njërën anë të tryezës ndodhen vendet kontribuese neto — si Gjermania, Austria, Holanda dhe Suedia — të cilat derdhin më shumë fonde në arkën e BE-së sesa përfitojnë prej saj. Kryeministri holandez, Rob Jetten, kërkoi modernizim dhe zvogëlim të buxhetit, duke paralajmëruar bisedime të gjata.

“Buxheti duhet të modernizohet dhe të zvogëlohet nëse duam të arrijmë një marrëveshje. Jam gati për këtë maratonë, qoftë nëse përfundon sot, nesër apo diku në dhjetor”, u shpreh Jetten.

Në anën tjetër, një grup i gjerë shtetesh i udhëhequr nga Franca dhe Italia, i njohur si “Miqtë e Kohezionit”, po mbron me vendosmëri subvencionet për fermerët dhe fondet infrastrukturore për vendet anëtare relativisht më të varfra. Aktualisht, bujqësia dhe politika e kohezionit përbëjnë secila rreth një të tretën e buxhetit të përgjithshëm të Bashkimit Evropian.

 

Continue Reading

Lajmet

Hapet thirrja për bursën e mobilitetit, studentët mund të përfitojnë deri në 70 euro në muaj

Published

on

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka hapur thirrjen për aplikim për bursën e mobilitetit, përmes së cilës synon t’i mbështesë financiarisht studentët në mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit nga vendbanimi deri në institucionin e arsimit të lartë.

Sipas njoftimit të MASH-it, mbështetja financiare do të përcaktohet në bazë të distancës ndërmjet vendbanimit të studentit dhe institucionit ku ai studion.

Pagesa mujore do të jetë 30 euro për distancat deri në 20 kilometra, 50 euro për distancat nga 21 deri në 50 kilometra dhe 70 euro për distancat mbi 50 kilometra.

Të drejtë aplikimi kanë studentët e rregullt të nivelit Bachelor, që studiojnë në institucione publike dhe private të akredituara në Kosovë, në përputhje me kushtet dhe kriteret e përcaktuara në thirrje.

Aplikimi do të bëhet online përmes platformës e-Kosova, ndërsa afati për aplikim është i hapur deri më 10 dhjetor.

Sipas ministrisë, përfituesit do t’i marrin mjetet financiare në baza tremujore, përmes transferimit në llogaritë e tyre personale bankare./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara