Lajmet

Gjykimi për vrasjen në tregun e Mitrovicës, dëshmitari tregon si kishte nisur konflikti

Ai tregoi se si ka ardhur deri te vrasja.

Published

on

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të martën, dëshmitari Lulzim Rustemi, shoku i të akuzuarit Shefki Asllani ka treguar se si mosmarrëveshja blerës-shitës ka dërguar deri në vrasjen e tani të ndjerit V.L në tregun e Mitrovicës.

Asllani po akuzohet se pas një fjalosje verbale lidhur me rritjen e fidanit të fikut vije deri te konflikti fizik, ku së pari V.F. tani i ndjeri e godet me gërshërë të pandehurin në kokë dhe i shkakton plagë, ndërkaq i pandehuri Shefki Asllani nxjerr revolen dhe e godet viktimën i cili ndërron jetë si pasojë e lëndimeve të marra. Ndërsa, si pasojë e të shtënave të të akuzuarit Asllani janë plagosur edhe i dëmtuari, Lutfi Fazliu si dhe kalimtari i rastit Agim Abdullahu, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Rustemi ka treguar që të akuzuarin Asllani e ka shok dhe se me të njëjtin zakonisht të shtunave ka shkuar në tregun e Mitrovicës.

Ai ka treguar se ditën kritike së bashku kanë shkuar në treg për të blerë fidanë dhe se aty e kanë takuar të ndjerin V.L i cili kishte qenë duke shitur fidanë.

Sipas Rustemit, gjithçka kishte filluar kur i akuzuari Shefkiu kishte kërkuar që të blejë fidanë të fikut dhe diskutimit mes tyre dhe të ndjerit V.L. rreth çështjes se rritjes së fikut në Kosovë.

“Shefkiu tha qetu paska lajthi të egër nuk më kujtohet çmimi sa pare i ka thanë, edhe ndërkohë i ka vërejtur edhe fidanë të tjera limon edhe fiq, edhe u drejtu i tha paske edhe fiq. Ai u përgjigj tha, po kom, ky e pyeti tha a bëhet fiqi në Kosovë a, Shefkiu. Ai i tha bahet bahet qysh s’bahet, mu drejtu, edhe mua Shefkiu më tha a bëhet fiqi në Kosovë, a din si habitshëm kur nuk e din a bahet a s’bahet. Unë ju përgjigja në Shqipëri e di që bëhet, për Kosovë s’paskam ni”, ka thënë dëshmitari Rustemi.

Dëshmitari ka treguar se si situata ka nisur të tensionohet mes të akuzuarit dhe të ndjerit V.L., pasi i ndjeri i ishte drejtuar me fjalët “ti po lexojshe shumë”.

“Ai ju drejtu Shefkiut me fjalët “t’i po lexojshe shumë”, deri në atë moment gjithqka u kanë në suaza shitës- blerës, asgjë e pazakontë për mua, deri në momentin kur ju ka drejtu Shefkiut “ti po lexojshe shumë”, Shefkiu iu përgjegj “nuk të intereson a lexoj apo jo shumë, pazari është punë qejfi, në pëlqeftë e blej mos më pëlqeftë nuk e blej”. Në këtë moment u afrua shitësi në drejtim të Shefkis dy-tre hapa, ju afrua afër, shumë afër. Atëherë duke parë që nuk është diçka në rregull, edhe meqenëse jam zyrtar policor e kam nxjerr ID ju kam prezentu si polic dhe i kam thanë që ski nevoj mu ba nervoz pazari është punë qejfi, edhe shitësi më ka thënë nuk po më intereson kjo letër hiq”, ka thënë tutje Rustemi.

Tutje, dëshmitari Rustemi ka treguar se nga i ndjeri V.L. ishin kërcënuar në mënyrë verbale dhe se për këtë e kishte njoftuar policinë.

“Se pse u largu ai nuk e di, në atë moment tha “pritni qetash ju kallzoj juve” edhe ka vrapu në drejtim të daljes së tregut. Atëherë unë e kam nxjerr telefonin edhe kam thirr 192, policinë… Ai e bëri një kërcnim verbal “pritni se ju kallzoj juve”. Ai kur u largu tha “pritni qetash ju kallëzoj unë juve”. Unë e kam përfundu telefonatën, u kthy shitësi me gjithë një person tjetër rreth 30-40 vjeçar, s’ mund e përcaktoj sa”, ka thënë Rustemi.

Dëshmitari ka treguar se i ndjeri V.L. pasi ishte larguar dhe përsëri ishte kthyer me një person rreth moshës 30-40 vjeç dhe se në dorë kishte parë se kishte gërshërë dhe duke tentuar që të shmangej kishte parë të akuzuarin Shefkiu të gjakosur në anën e majtë të kokës dhe se këto momente i kishte dëgjuar dy krisma të kishte gjuajtur me armë personi i moshës 30-40 vjeç.

“Kam arritur 4-5 hapa me ik prapa mu shmang, në momentin kur e kam kthy kokën e kam parë Shefkin të gjakosur në anën e majtë në kokë. Edhe i kam dëgjuar 2 krisma. Masanej, e kam parë kur ju ka gjujt me armë ai personi 35-40 vjeç Shefkiut edhe në atë moment si të them e bojshin luftë me armë cili me marrë armën Shefkiut”, ka thënë dëshmitari Rustemi.

Rustemi tha se ka kuptuar që Shefkiu kishte armë në dorë momentin kur i kishte dëgjuar dy krisma, derisa për të ndjerin V.L tha se ka rënë në tokë.

Ndryshe, në këtë seancë është dëgjuar në cilësi të dëshmitarit Rasim Imeri, i cili ka treguar se nuk ka parë kur i akuzuari Shefkiu ka gjuajtur me armë në drejtim të të ndjerit, por se kishte vërejtur se të akuzuarit Shefkiu po i rridhte gjak nga koka.

Imeri ka thënë se i ndjeri kishte poseduar gërshërë në dorë pasi të njëjtat i kishte mjet të punës.

Po ashtu, ai ka treguar nga i akuzuari Shefkiu dhe personit që e shoqëronte iu kishte kërkuar që të largoheshin, por se të njëjtit nuk e kishin dëgjuar.

Seanca e sotme është ndërprerë, kurse ajo e radhës do të mbahet më 4 tetor 2023.

Ndryshe, kjo çështje penale, me vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), më 19 nëntor 2022, është transferuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë në Gjykatën Themelore në Prizren.

Përveç rastit të të akuzuarit Asllani, kjo gjykatë ka pranuar edhe 8 raste të tjera të natyrës penale në Departamentin e Krimeve të Rënda.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 28 tetor 2021, kishte ngritur aktakuzë kundër Shefki Asllanit, me arsyetimin se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.5 të Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Asllani, më 17 prill 2021, rreth orës 12:40, në Mitrovicë, në rrugën “Adem Voca”, në brendi të Tregut të Gjelbër, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerin V.F., në atë mënyrë që pas një fjalosje verbale lidhur me rritjen e fidanit të fikut, vije deri te konflikti fizik, ku së pari tani i ndjeri e godet me gërshërë të pandehurin në kokë dhe i shkakton plagë shqyese në regjionin e kokës, me ç‘rast i pandehuri nxjerr revolen nga brezi të markës “XDM” dhe shtie në viktimën, duke e goditur në pjesën e përparme të trupit, si pasojë e të cilave vdes.

Në aktakuzë, po ashtu thuhet se si pasojë e të shtënave të të pandehurit janë plagosur edhe i dëmtuari, Lutfi Fazliu si dhe kalimtari i rastit Agim Abdullahu.

Continue Reading

Vendi

Nesër mbahet seanca konstituive e Kuvendit

Published

on

By

Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit është caktuar zyrtarisht për ditën e shtunë, më 8 gusht, në orën 11:00. 

Vendimi vjen përmes një njoftimi nga institucioni i Kuvendit, pas ndërprerjes së seancës së djeshme, e cila u ndërpre me kërkesë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për t’i dhënë hapësirë negociatave politike.  

Edhe pse afati kushtetues për përmbylljen e konstituimit përfundon sonte, përpjekjet për gjetjen e një konsensusi nuk kanë dhënë rezultat. Takimi i zhvilluar mes Albin Kurtit dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka përfunduar pa ndonjë dakordësi.  

Pika kryesore e bllokadës mbetet çështja e zgjedhjes së Presidentit të ri. Pas takimit, të dyja palët deklaruan se mbeten ende larg një marrëveshjeje politike, duke konfirmuar se mes tyre ekzistojnë dallime drastike sa i përket qëndrimeve për pozitat shtetrore. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Identifikohen mbetje mortore edhe në lokacionin e tretë në Zubin Potok

Published

on

By

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka njoftuar sot se është konfirmuar prania e mbetjeve mortore edhe në një lokacion të tretë të dyshuar në komunën e Zubin Potokut. Kjo gjetje vjen si rezultat i veprimeve të vazhdueshme hetimore që po zhvillohen në terren.

Nëpërmjet një komunikate të përbashkët për media, institucionet kanë bërë të ditur detajet e operacionit.

“Në kuadër të veprimeve hetimore që janë duke u zhvilluar lidhur me rastin në Zubin Potok, njoftojmë se gjatë vazhdimit të veprimeve në terren është identifikuar dhe është konfirmuar prania e mbetjeve mortore edhe në lokacionin e tretë të dyshuar”.

Aktualisht, autoritetet kompetente janë duke kryer ekzaminimet e nevojshme në këtë zonë.

“Në këtë lokacion janë duke u zhvilluar ekzaminimet dhe procedurat e nevojshme hetimore, në koordinim të plotë ndërmjet Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, dhe institucioneve të tjera kompetente, me qëllim zbardhjes së të gjitha rrethanave”.

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kanë rikonfirmuar përkushtimin e tyre për këtë çështje.

“Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës mbeten të përkushtuara për zbardhjen e plotë të këtij rasti, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me ligjin dhe në koordinim të ngushtë ndërinstitucional”. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Kurti: Ka një dallim drastik mes rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të LDK-së për poste

Published

on

By

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se ende nuk është arritur një marrëveshje politike pas takimit të zhvilluar me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, raporton Ekonomia Online.

Ai theksoi se, pavarësisht betimit të 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, mbetet e domosdoshme arritja e një marrëveshjeje politike për të shmangur zgjedhjet e reja parlamentare dhe për të siguruar funksionimin e institucioneve.

“Meqenëse dje u bë betimi i 120 deputetëve që përfaqësojnë vullnetin e popullit të shprehur në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, nuk kemi ende marrëveshje politike. Unë jam i bindur që për qëndrueshmëri përpara, që nënkupton edhe shmangien e zgjedhjeve të reja parlamentare, që padyshim sikurse ato të mëhershmet do të ishin të panevojshme, të paarsyeshme e madje edhe të dëmshme për buxhetin e shtetit dhe për ekonominë e vendit, nuk është e mundur ndryshe përveçse pa marrëveshje për çështjen e zgjedhjes së presidentit apo presidentes së re”, tha ai.

Kurti sqaroi se mosarritja e një dakordësie për zgjedhjen e kryetarit të shtetit çon pashmangshëm drejt shpërndarjes së Kuvendit, duke nënvizuar se ekziston një mospërputhje e madhe mes vullnetit të votuesve dhe kushteve të vendosura nga LDK-ja.

“Pra, në kushtet kur ne zgjedhim kryetarin dhe kryesinë e Kuvendit, zgjedhim qeverinë e re të Republikës së Kosovës, mirëpo vijmë sërish tek problemi i zgjedhjes së presidentit, kjo është një formulë tashmë e sprovuar dhe me metoda të njëjta nuk mund të kemi rezultate të tjera. Andaj kjo do të shpjerë të pashmangshëm drejt shpërndarjes së Kuvendit. Marrëveshjen politike nuk e kemi ende. Pritjet janë të ndryshme, qëndrimet nuk përputhen dhe është bindja ime që ka një dallim drastik midis rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, deklaroi Kurti pas takimit me Abdixhikun. /Ekonomia Online/

Continue Reading

Lajmet

Abdixhiku pas takimit me Kurtin: Jemi shumë larg një marrëveshjeje eventuale

Published

on

By

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se janë shumë larg arritjes së një marrëveshjeje me Lëvizjen Vetëvendosje.

Pas takimit të zhvilluar me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kreu i LDK-së bëri të ditur se pa ndryshuar pozicionet politike të partive nuk pret ndonjë përparim.

“Jemi shumë, shumë, shumë larg ndonjë marrëveshje eventuale, nuk pres që të ndryshoj pa ndryshuar pozicionet politike të partive. Për LDK-në balanca institucionale është e domosdoshme dhe derisa nuk ka balancë, nuk mund të ketë as marrëveshje. Nëse qëndrojnë pozicionet e njëjta si të dhjetorit përfundimi është i njëjtë si tani”, ka thënë Abdixhiku.

Ai theksoi se qëllimi i LDK-së ka qenë gjithmonë gjetja e një zgjidhjeje, ndërsa shprehu keqardhje se procesi po shkon drejt një rruge pa zgjidhje afatgjatë.

“Qëllimi i LDK ka qenë të gjendet zgjidhja, jo të merremi kush kë po e mund, po e mashtron, po e vonon. Në këtë pikë me keqardhje them se jemi në rrugë që nuk jep zgjidhje afatgjate”, u shpreh ai.

Lideri i LDK-së bëri me dije se partia e tij ka kërkuar që ta propozojë emrin për postin e presidentit.

“Është çështja e presidentit. LDK ka kërkuar që presidenti të propozohet nga LDK, natyrisht që emrat të diskutohen me partnerët dhe në këtë pikë nuk kemi pasur dakordancë. Oferta e dhjetorit që LDK të merr jo kryetarit e Kuvendit, por zvkryeministrin dhe disa ministri nuk është e mjaftueshme, nuk është e dinjitetshme as për të dhënë zgjidhje për krizën që jemi. Nuk mund ta pranojmë si të tillë, nëse e doni LDK-në në qeverisje atëherë LDK duhet të jetë e përfaqësuar”, deklaroi Abdixhiku. /Ekonomia Online/

 

Continue Reading

Të kërkuara