Lajmet

Gjykata urdhëron rikthimin e 1,000 punonjësve të “Zërit të Amerikës” në punë

Published

on

Gjyqtari federal Royce C. Lamberth ka marrë një vendim historik duke urdhëruar rikthimin e menjëhershëm në punë të mbi 1,000 punonjësve të “Zërit të Amerikës” (VOA), pasi e cilësoi përpjekjen për shkrirjen e këtij mediumi si të paligjshme.

Punonjësit e këtij transmetuesi ndërkombëtar kishin kaluar një vit të plotë në leje të paguar administrative, ndërkohë që administrata e presidentit Donald Trump po përpiqej ta zvogëlonte agjencinë në “minimumin e saj ligjor”.

Gjyqtari Lamberth ishte mjaft i ashpër në vendimin e tij, duke e quajtur mungesën e bashkëpunimit të zyrtares Kari Lake si një veprim të qëllimshëm dhe me mirëbesim të keq.

Në vendimin e shpallur të martën, gjykata konstatoi se procesi i mbylljes së operacioneve në Agjencinë e SHBA-së për Mediat Globale (USAGM), që është institucioni mëmë i VOA-s, binte ndesh me ligjin administrativ federal. Për këtë arsye, agjencia është urdhëruar që t’i kthejë të gjithë punonjësit me orar të plotë në vendet e tyre të punës më së largu deri më 23 mars.

Gjithashtu, institucionit i kërkohet të rifillojë transmetimet ndërkombëtare, të cilat ishin ndërprerë pothuajse tërësisht gjatë vitit të fundit, me përjashtim të disa programeve të kufizuara në gjuhë të huaja si farsi.

Gjyqtari Lamberth, i cili njihet si i emëruar i kohës së Ronald Reagan-it, kritikoi ashpër refuzimin flagrant të qeverisë për të zbatuar rregullat e përcaktuara nga Kongresi.

Ai drejtoi akuza të drejtpërdrejta ndaj Kari Lake, zyrtares që mbikëqyri çmontimin e agjencisë, duke thënë se ajo e ka drejtuar institucionin në mënyrë të paligjshme. Sipas gjyqtarit, fshehja e informacioneve kyçe nga ana e zyrtarëve gjatë këtij procesi gjyqësor ishte një përpjekje e qartë për të manipuluar të vërtetën.

Ky vendim erdhi pas dy padive të ndërlidhura, njëra prej të cilave u ngrit nga drejtori i VOA-s, Michael Abramowitz, dhe tjetra nga një grup punonjësish të agjencisë.

Gazetaret Patsy Widakuswara, Jessica Jerreat dhe Kate Neeper e mirëpritën vendimin duke e quajtur atë “monumental” dhe shprehën gatishmërinë për të nisur menjëherë punën për riparimin e dëmeve që i janë shkaktuar institucionit. Ato theksuan se synimi i tyre i parë është rindërtimi i besimit te audienca globale, të cilës nuk kanë mundur t’i shërbejnë gjatë vitit të kaluar.

Në anën tjetër, drejtori Abramowitz u shpreh i lumtur me këtë fitore ligjore, duke vlerësuar qëndrueshmërinë e stafit dhe duke thënë se nevoja për “Zërin e Amerikës” nuk ka qenë kurrë më e madhe se tani.

Vendimi i gjykatës shfuqizon zyrtarisht një dokument të nënshkruar vitin e kaluar, i cili parashihte mbajtjen e vetëm 68 pozicioneve dhe shkarkimin e të gjithë të tjerëve. Deri më tani, as Agjencia për Mediat Globale dhe as Departamenti i Drejtësisë nuk kanë dhënë komente rreth këtij vendimi të ri. /Washington Post/

Continue Reading

Rajoni

Ka nisur protesta në Shkup, studentë nga Kosova në mbështetje të kolegëve

Published

on

Ka nisur grumbullimi i qytetarëve dhe studentëve në Shkup për protestën e paralajmëruar nga studentët e universiteteve në gjuhën shqipe, të cilët kërkojnë mbrojtjen e të drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet profesionale.

Protesta, e organizuar me moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë një zëri”, pjesëmarrësit kanë filluar të mblidhen në Urën e Gurit.

Në mbështetje të kolegëve të tyre kanë ardhur edhe studentë nga Kosova, të cilët thanë se përkrahja e tyre nuk do të mungojë dhe se protestat do të zhvillohen në mënyrë të qytetëruar.

“Studentët në Maqedoninë e Veriut nuk janë vetë, ne jemi këtu për t’i ndihmuar. Duam të tregojmë se mbështetja jonë është e vazhdueshme dhe nuk do të ndalemi këtu”, tha një student nga Kosova. Ai shtoi se në protestë po marrin pjesë të rinj nga të gjitha qytetet e Kosovës.

“Ne kemi ardhur si grup me autobus dhe këtë protestë po e bëjmë në mënyrë të qytetëruar. Jemi prej të gjitha qyteteve të Kosovës”, u shpreh ai.

Organizatorët u kanë bërë thirrje edhe sportistëve, artistëve dhe figurave publike që t’i bashkohen protestës dhe të mbështesin kërkesat e studentëve.

Kjo është protesta e dytë e organizuar nga studentët, pas asaj të mbajtur më 6 prill të këtij viti.

Continue Reading

Aktualitet

Gjendet i vdekur një burrë në “Ulpianë”

Published

on

Një burrë është gjetur i vdekur sot pas mesditës në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, i cili bëri të ditur se rasti është raportuar rreth orës 14:30.

Pas marrjes së informatës, ekipet e urgjencës dhe policia kanë dalë menjëherë në vendngjarje, ku ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës.

“Rreth orës 14:30 kemi pranuar informatën se një person pa shenja jete gjendet në lagjen Ulpiana në Prishtinë. Vdekjen e viktimës (mashkull) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, ka deklaruar Pllana.

Policia, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ka nisur menjëherë hetimet dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për të ndriçuar dhe sqaruar rrethanat e këtij rasti. Për momentin, autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë rreth identitetit të viktimës apo shkaqeve të vdekjes.

Continue Reading

Vendi

Ka nisur Java e 17-të e Albanologjisë në Prishtinë

Published

on

Instituti Albanologjik ka hapur sot edicionin e 17-të të Javës së Albanologjisë, një nga ngjarjet më të rëndësishme shkencore në fushën e studimeve shqiptare, e cila do të zgjasë deri më 22 maj.

Përgjatë katër ditëve, studiues nga Kosova, rajoni dhe më gjerë do të prezantojnë tema që lidhen me gjuhën, letërsinë, historinë, folklorin dhe etnologjinë shqiptare, duke trajtuar edhe zhvillime bashkëkohore si inteligjenca artificiale, digjitalizimi i shqipes dhe ndikimi i komunikimit virtual në gjuhë.

Programi përfshin sesione të veçanta për letërsinë shqipe, historiografinë, trashëgiminë kulturore dhe antropologjinë e ushqimit, me fokus në identitetin kulturor dhe zhvillimet moderne të shoqërisë shqiptare.

Organizatorët theksojnë se konferenca synon të promovojë kërkimin shkencor dhe të krijojë hapësirë për shkëmbim akademik mbi gjuhën, kulturën dhe historinë shqiptare.

Continue Reading

Lajmet

Aksident fatal në Koshare të Ferizajt, humb jetën një person

Published

on

Një aksident komunikacioni ka ndodhur sot në fshatin Koshare të Ferizajt, ku si pasojë ka mbetur i vdekur një person i moshës 60-vjeçare.

Sipas njoftimit zyrtar nga Policia e Kosovës, në aksident janë përfshirë dy vetura me targa vendore, ndërsa rasti ka ndodhur rreth orës 12:15. Për shkak të lëndimeve të rënda, viktima ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka konfirmuar detajet e kësaj ngjarjeje tragjike.

“Sot rreth orës 12:15 kemi pranuar informatën se në fshatin Koshare të Ferizajt ka ndodhur një aksident trafiku ku janë përfshirë dy vetura me targa vendore. Si pasojë e këtij aksidenti ka humbur jetën një person, mashkull, i moshës 60 vjeç, vdekja e të cilit është konfirmuar në vendin e ngjarjes nga ekipi mjekësor”, ka thënë Veseli.

Njësitet policore të trafikut kanë dalë menjëherë në vendngjarje dhe po hetojnë shkaqet që çuan deri te ky aksident fatal.

Continue Reading

Të kërkuara