Lajmet

Gjykata Supreme e Serbisë “legalizon” termin “šiptari”, Mustafi paralajmëron padi në Kushtetuese dhe në Strazburg

Published

on

Gjykata Supreme e Serbisë ka refuzuar të rishikojë vendimin e Gjykatës së Apelit në Beograd të vitit 2021, e cila hodhi poshtë padinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) ndaj Aleksandar Vulinit, ish-ministër i mbrojtjes. Ky vendim lejon që termin “šiptar” të vazhdojë të përdoret pa pasoja ligjore, duke e konsideruar një fitore për Vulinin, i cili është akuzuar për përdorimin e gjuhës denigruese ndaj shqiptarëve.

Ragmi Mustafi, ish-kryetar i KKSH-së dhe aktualisht këshilltar politik në Qeverinë e Albin Kurtit, ka shprehur keqardhje për vendimin e gjykatës, duke e cilësuar atë si një hap të dëmshëm që legalizon një gjuhë fyese. Ai thekson se kjo vendim nxjerr në pah realitetin e hidhur të sistemit të drejtësisë në Serbi, i cili vazhdon të jetë nën ndikimin e politikës dhe nuk mbrojt të drejtat e minoriteteve.

Mustafi thekson se ky term është denigruese dhe qëllon dinjitetin e shqiptarëve, duke e konsideruar vendimin si një provë të dështimit të sistemit të drejtësisë serbe për të mbrojtur të drejtat e njeriut. Ai shprehet se lufta për dinjitetin dhe të drejtat e shqiptarëve do të vazhdojë në instancat ndërkombëtare.

“Kur Gjykata Supreme e Serbisë, me firmën e gjyqtares Dragana Marinkoviq, zgjedh të mbyllë sytë ndaj diskriminimit flagrant dhe gjuhës denigruese të Aleksandar Vulinit, ajo nuk bën tjetër veçse mbështet ata që promovojnë përçarje dhe urrejtje kundër shqiptarëve,” deklaroi Mustafi në një postim në rrjetet sociale.

Ai paralajmëroi se, përmes këtij vendimi, rruga për një padi në Gjykatën Kushtetuese të Serbisë është e hapur, si dhe për një apel në Gjykatën Evropiane për Drejtat e Njeriut në Strasburg. “Padia e ngritur më 25 gusht 2019 për diskriminim, kriminalizim dhe nxitje dhune tani merr një dimension të ri. Kjo është një provë për një drejtësi që refuzon të mbrojë të drejtat themelore të njeriut,” shtoi ai.

Mustafi e përfundoi postimin e tij me një thirrje për vazhdimësi në luftën për dinjitetin dhe të drejtat e shqiptarëve: “Kjo nuk është vetëm betejë ligjore; është një betejë për dinjitetin, për të drejtat e shqiptarëve dhe për respektin e tyre. Strasburgu do të jetë arenë ku do të kërkojmë me ngulm atë që na mohohet sot në Serbi.”

Ky vendim i Gjykatës Supreme shkakton shqetësim për përfaqësimin e minoriteteve në sistemin ligjor të Serbisë dhe sjell në vëmendje nevojën për reforma në drejtësi që të garantojnë mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve./FOLonline/

 

Lajmet

Trashëgimia kulturore e Kosovës pasurohet me 13 asete të reja nën mbrojtje të përkohshme

Published

on

By

Lista e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme në Kosovë është pasuruar me 13 asete të reja, pas një njoftimi të bërë nga Ministria e Kulturës dhe Turizimit. Kjo listë përfshin një gamë të gjerë lokacionesh, nga lokalitetet arkeologjike dhe kalatë, deri te kullat, shtëpitë historike si dhe komplekset industriale e familjare që dëshmojnë periudha të ndryshme historike në vend.

Në mesin e objekteve dhe lokaliteteve të reja të përfshira në mbrojtje janë kompleksi industrial i Tulltores në Prishtinë, Gjyteti i Gjyrgjedellit në Kaçanik, Kalaja e Dafinës në Rahovec, Kulla e Asllanit në Tërdec të Drenasit, shtëpia muze e Latif Berishës në Mitrovicë të Veriut, si dhe kompleksi i familjes Çollaku në Zym të Prizrenit.

Sipas Ministrisë së Kulturës, ky proces do të vazhdojë me identifikimin dhe vlerësimin e mëtutjeshëm të aseteve që bartin vlera të rëndësishme historike e kulturore, me synim përfshirjen e tyre në mekanizmat përkatës të mbrojtjes shtetërore. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Vrasja e Tupac Shakur: Duane “Keffe D” Davis pritet të dëgjojë sot dënimin

Published

on

Duane “Keffe D” Davis pritet të dëgjojë sot në Las Vegas dënimin për vrasjen e reperit të njohur Tupac Shakur, i cili u qëllua për vdekje në vitin 1996, në moshën 25-vjeçare.

Davis, 63 vjeç, u shpall fajtor për vrasje të shkallës së parë në gusht dhe përballet me mundësinë e burgimit të përjetshëm pa të drejtë lirimi me kusht.

Tupac u qëllua më 7 shtator 1996, teksa ndodhej në një veturë BMW të zezë së bashku me producentin muzikor Marion “Suge” Knight. Një Cadillac i bardhë u ndal pranë tyre në një semafor, nga i cili u hap zjarr. Reperi ndërroi jetë gjashtë ditë më vonë, ndërsa Knight mbijetoi.

Vrasja mbeti e pazbardhur për shumë vite, derisa Davis, ish-udhëheqës i grupit South Side Compton Crips, foli publikisht për përfshirjen e tij në ngjarje.

Ai pretendoi se gjithçka kishte nisur pas një përleshjeje në Las Vegas, ku Tupac dhe shoqëruesit e tij kishin sulmuar nipin e tij. Davis pranoi se kishte qenë në sediljen e pasagjerit të Cadillac-ut dhe se kishte siguruar armën e përdorur në sulm.

Prokuroria u mbështet në deklaratat e tij të mëparshme, duke argumentuar se ai kishte organizuar vrasjen dhe kishte siguruar armën. Ndërkaq, mbrojtja kundërshtoi akuzat, duke vënë në pah mungesën e provave fizike dhe duke pretenduar se Davis kishte dhënë deklarata të rreme për përfitime financiare.

Pas shpalljes fajtor, Davis deklaroi se do ta apelonte vendimin.

Ai mbetet personi i vetëm i akuzuar dhe i dënuar për vrasjen e reperit. Në seancën e dënimit pritet të flasin edhe anëtarë të familjes së Tupac-ut, duke kujtuar reperin jo vetëm si artist me famë botërore, por edhe si djalë, vëlla dhe familjar të dashur./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Etiketat “shkruar nga njeriu”, nisma për të dalluar librat e krijuar pa inteligjencë artificiale

Published

on

Nismat për certifikimin e librave të shkruar nga njerëzit, pa përdorimin e inteligjencës artificiale (IA), po fitojnë gjithnjë e më shumë mbështetje, pas disa rasteve të bujshme ku autorë janë dyshuar se kanë përdorur këtë teknologji pa e deklaruar.

Disa sisteme certifikimi nga Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania u prezantuan këtë javë në Panairin e Librit në Frankfurt, një nga ngjarjet më të mëdha të industrisë botërore të librit, ku ndikimi i inteligjencës artificiale ishte ndër temat kryesore të diskutimit.

Një nga rastet që ka nxitur debat është ai i shkrimtarit haitiano-kanadez Thelyson Orelien, i akuzuar se kishte përdorur inteligjencën artificiale për të shkruar romanin e tij të parë, “It Was Either That or Die”. Ai i ka mohuar këto pretendime.

Charlotte Allibert, bashkëthemeluese e kompanisë franceze “Librinova”, e cila ofron shërbime për vetëbotimin e librave, e ka cilësuar rastin si një tronditje të madhe për industrinë franceze të librit.

“Librinova” u mundëson autorëve të paraqesin veprat e tyre për vlerësim dhe, kundrejt një tarife, të marrin etiketën “krijim njerëzor”. Deri më tani, rreth 200 vepra kanë marrë këtë certifikim. Procesi përfshin përdorimin e programeve për zbulimin e përmbajtjeve të krijuara nga IA-ja, si dhe një intervistë me auditorin, i cili e shqyrton veprën.

Në Britaninë e Madhe, kompania “Books By People” ka prezantuar certifikimin “letërsi organike”. Ky standard kërkon që teksti të jetë shkruar nga vetë autori, duke lejuar përdorim të kufizuar të inteligjencës artificiale për kontrolle drejtshkrimore dhe gramatikore.

Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara, organizata “Authors Guild” ka krijuar një sistem vetëcertifikimi me etiketën “shkruar nga njeriu”, të cilën deri më tani e kanë marrë rreth 6 mijë e 500 tituj.

Shqetësimet për përdorimin e IA-së në letërsi janë shtuar edhe pas rastit të romanit horror “Shy Girl”, të autores Mia Ballard. Shtëpia botuese “Hachette” anuloi publikimin e tij në Shtetet e Bashkuara dhe e tërhoqi nga shitja në Britaninë e Madhe. Ballard mohoi se e kishte përdorur vetë këtë teknologji, por pranoi se një person i angazhuar për redaktimin e librit kishte përdorur inteligjencën artificiale.

Raste të tilla kanë shtuar shqetësimet në mesin e autorëve, veçanërisht të atyre që i botojnë vetë veprat, se mund të përballen me dyshime të padrejta për përdorimin e IA-së. Nismat e certifikimit synojnë të rrisin transparencën dhe të krijojnë standarde më të qarta për autorët, botuesit dhe lexuesit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Imazhe Migruese”, ekspozita personale e Bora Baboçit hapet në Prishtinë

Published

on

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës QAFA është hapur ekspozita personale e artistes Bora Baboçi, me titull “Imazhe Migruese”, e kuruar nga Erëmirë Krasniqi.

Përmes veprave të saj, ekspozita trajton mënyrën se si imazhet kalojnë nga një material në tjetrin, duke ndryshuar formën, kuptimin dhe mënyrën se si perceptohen. Ajo sjell në vëmendje rrugëtimin e motiveve ikonografike dhe kompozimeve artistike mes periudhave dhe konteksteve të ndryshme kulturore.

Ekspozita synon të nxisë reflektimin mbi transformimin e imazheve dhe kuptimet e reja që ato marrin gjatë këtij procesi.

“Imazhe Migruese” mund të vizitohet në Galerinë Kombëtare të Kosovës QAFA deri më 11 dhjetor 2026./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara