Pjesa më e madhe e provave të prezantuara nga mbrojtja e Jakup Krasniqit, që dëshmojnë për krimet serbe të kryera në Kosovë, nuk janë pranuar në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë.
Kështu kanë vendosur gjyqtarët e rastit, duke theksuar se përgjithësisht këto dëshmi, janë komplet të parëndësishme për procesin ndaj Thaçit, Krasniqit, Veselit e Selimit, që po zhvillohet në Hagë.
Cilat prova u rrëzuan dhe pse?
Mbrojtja e Jakup Krasniqit kishte dorëzuar materiale të shumta, dëshmi të shkruara, video-incizime të cilat sipas tyre, dëshmojnë se në Kosovë ka qenë gjendje kaosi, dhe shumë krime janë kryer në shenjë hakmarrjeje nga individë pas krimeve të Serbisë në zona të ndryshme.
Pas kërkesës së Jakup Krasniqit, Prokuroria e Hagës kërkoi që këto prova të krimeve serbe të refuzohen, dhe realisht pjesa më e madhe e tyre u refuzuan.
Prova me numrin 11 përmbante një material të BBC, ku kishte video-incizime të ndryshme që dëshmonin për krimet e Serbisë në Kosovë. Megjithatë, kjo për gjyqtarët e Speciales është e parëndësishme. Ata vendosën ta pranojnë një pjesë krejt të shkurtër të materialit, aty ku UÇK-ja iu ndihmonte hetimeve të mundshme, por jo edhe dëshmive për krimet e Serbisë.
“Duke iu kthyer Provës së Propozuar 11, Paneli vëren pretendimin e Mbrojtjes së Krasniqit se videoja lidhet, ndër të tjera, me pasojat e krimeve serbe të kryera kundër popullsisë shqiptare, natyrën mbrojtëse të organizatës së UÇK-së, pretendimet për përfshirjen e UÇK-së në zhdukjen dhe vdekjen e individëve, trupat e të cilëve u gjetën në rrethana të pashpjegueshme dhe aktet e mundshme të hakmarrjes nga popullsia civile. Pasi shqyrtoi Provën e Propozuar 11, Paneli vëren se pjesa e parë e videos lidhet kryesisht me krimet që dyshohet se janë kryer nga forcat serbe në Rahovec dhe përreth. Paneli kujton qëndrimin e tij se provat e krimeve të dyshuara të kryera nga forcat serbe janë përgjithësisht të parëndësishme për akuzat kundër të Akuzuarit. Paneli konsideron se Mbrojtja e Krasniqit nuk ka arritur të vërtetojë se pjesa e parë e videos është relevante për këtë çështje”, thuhet në këtë vendim.
Gjyqtarët e Hagës e refuzuan një tjetër prove të propozuar nga Jakup Krasniqi, e që lidhej me raportet mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sipas gjyqtarëve, këto nuk janë relevante, ngjashëm siç konstatoi edhe për dëshmitë e krimeve serbe.
“Lidhur me Provën e Propozuar 15, Trupi Gjykues vëren parashtrimin e Mbrojtjes së Krasniqit se ajo lidhet me marrëdhënien midis LDK-së dhe UÇK-së, dhe sugjerimin se ato nuk ishin opozitë dhe kishin qëllime të përbashkëta. Pasi shqyrtoi Provën e Propozuar 15, Trupi Gjykues nuk e konsideron përmbajtjen e saj, siç përshkruhet aty, të jetë relevante për qëllimet e përbashkëta të pretenduara të UÇK-së dhe LDK-së në asnjë mënyrë relevante për këtë çështje. Trupi Gjykues vëren se, ndërsa një pjesë e Provës së Propozuar 15 përmend denoncimin e LDK-së për krimet e kryera nga forcat serbe, kjo pikë është kryesisht relevante për krimet e kryera nga forcat serbe, të cilat janë të parëndësishme përveç nëse lidhen ndryshe me akuzat kundër të Akuzuarit. Prandaj, Trupi Gjykues konstaton se Mbrojtja e Krasniqit nuk ka arritur të vërtetojë se Prova e Propozuar 15 është relevante për këtë çështje”, thuhet më tutje në këtë vendim.
Për këto prova, ditë më parë Prokuroria Speciale e Hagës kërkoi që të mos pranohen. Në anën tjetër, muaj më parë, Gjykata Speciale kishte pranuar prova që zyrtarisht iu takonin institucioneve të Beogradit zyrtar./S.K/EO/Nacionale/
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar që sot, më 3 tetor, të mbahet seancë e Kuvendit të Kosovës për të votuar në dy lexime ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë për të përcjellë në Kuvend plotësim-ndryshimin e këtij ligji është një hap i rëndësishëm dhe se procedurat parlamentare duhet të nisin pa vonesë.
“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve“, ka thënë Musliu.
Ajo ka theksuar se Kosovës i nevojitet edhe një strategji e koordinuar juridike e diplomatike me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe mbrojtjen e luftës së UÇK-së. Sipas saj, çështja është mbi kalkulimet politike dhe përfaqëson interes shtetëror, posaçërisht para se vendi të shkojë në zgjedhje./E.A/
Qeveria e Kosovës ka konstatuar se nuk ka asnjë shkelje apo pengesë ligjore në nismën legjislative të ndërmarrë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Përmes një mbledhjeje elektronike të mbajtur të premten në mbrëmje, Ekzekutivi ka miratuar vendimin me të cilin i ka përcjellë Kuvendit të Kosovës vlerësimin dhe përgjigjet e nevojshme zyrtare lidhur me këtë nismë.
Sipas njoftimit zyrtar, përgjigja e Qeverisë përfshin opinionin ligjor të përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së , vlerësimin e ndikimit buxhetor, si dhe opinionin ligjor mbi përmbajtjen e projektligjit.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Nismën legjislative për ‘Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializua”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Me këtë vendim, procedura i kalon tashmë Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe procedim tëmëtejshëm ligjvënës. /E.A/
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.
Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.
Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.
Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.
Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.
Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.
Ka nisur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.
Në takim pritet të diskutohen çështja e zgjedhjes së presidentit të ri dhe ndryshimet e mundshme në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Hamza është parë duke hyrë në objektin e Qeverisë i shoqëruar nga deputeti i PDK-së, Rrahman Rama.
Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja.