Konkursi i njohur muzikor Eurovision Song Contest po hyn në një fazë të re, duke shënuar për herë të parë zgjerimin e tij në Azi. Deri tani, transmetues nga 10 vende të rajonit, përfshirë Korenë e Jugut, Tajlandën dhe Filipinet, kanë konfirmuar pjesëmarrjen, ndërsa organizatorët paralajmërojnë se lista mund të zgjerohet.
Sipas planit, secili shtet do të organizojë përzgjedhjen kombëtare, ndërsa finalja e madhe do të zhvillohet në Bangkok dhe do të transmetohet drejtpërdrejt më 14 nëntor.
I themeluar në vitin 1956, Eurovisioni mbetet konkursi muzikor ndërkombëtar më jetëgjatë në botë. Me vitin 2026 që shënon 70-vjetorin e tij, drejtori i konkursit në Unionin Evropian të Transmetuesve, Martin Green, e ka cilësuar këtë zgjerim si një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit.
“Është veçanërisht domethënëse të hapim këtë kapitull të ri me Azinë, një rajon i pasur me kulturë, kreativitet dhe talent”, ka deklaruar ai.
Kjo nuk është përpjekja e parë për zgjerim jashtë Evropës. Në vitin 2022 u organizua American Song Contest në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por projekti nuk pati sukses të qëndrueshëm dhe nuk u rikthye me një sezon të dytë.Organizatorët shpresojnë që edicioni aziatik të ketë më shumë sukses, duke marrë parasysh popullaritetin e madh të muzikës në rajon, ndikimin global të K-pop dhe kulturën e fortë të argëtimit si karaoke.
Deri tani, pjesëmarrjen e kanë konfirmuar Bangladeshi, Butani, Kamboxhia, Laosi, Malajzia, Nepali, Filipinet, Koreja e Jugut, Tajlanda dhe Vietnami.Ashtu si në formatin evropian, performancat do të bazohen në këngë origjinale dhe interpretim live, ndërsa votimi pritet të përfshijë si juritë profesionale ashtu edhe publikun. Megjithatë, rregullat përfundimtare për edicionin aziatik ende nuk janë bërë publike.
Ky zgjerim synon ta shndërrojë Eurovisionin në një platformë globale që bashkon kultura dhe tregje muzikore nga e gjithë bota.