Lajmet

Gjykata e Apelit i jep Trump-it një fitore të pjesshme duke lejuar vazhdimin e ndalimit të refugjatëve

Published

on

Më 26 mars 2025, një gjykatë federale e apelit në Shtetet e Bashkuara e pezulloi një vendim të një gjykate më të ulët që bllokonte administratën Trump nga refuzimi i refugjatëve të rinj. Ky është një sukses i pjesshëm për administratën e ish-presidentit Trump në përpjekjet e tij për të riformësuar politikën e emigracionit në SHBA.

Një panel i tre gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit të Qarkut të Nëntë, i përbërë nga dy gjyqtarë të emëruar nga republikanët dhe një demokrat, vendosi se çdo person që ishte pranuar si refugjat nga qeveria amerikane para marrjes së detyrës nga Donald Trump duhet të ruante statusin e tij dhe të lejohej të hynte në SHBA. Megjithatë, paneli u shpreh se Trump kishte autoritetin për të ndaluar pranimin e të gjithë refugjatëve të rinj.

Ky vendim është një pezullim i përkohshëm i një urdhri të mëparshëm të gjykatës më të ulët që kishte ndaluar administratën e Trump-it të bënte këtë, dhe do të mbetet në fuqi deri në fund të prillit, kur çështja do të vazhdojë të shqyrtohet në gjykatën e apelit.

Çështja ka të bëjë me një padi të ngritur nga grupe jofitimprurëse fetare dhe një numër refugjatësh, si dhe anëtarë të familjeve të tyre, të cilët kundërshtojnë urdhrin ekzekutiv të Trump-it të titulluar “Riorganizimi i Programit të Pranimit të Refugjatëve në Shtetet e Bashkuara.” Urdhri, që ka për qëllim kufizimin e pranimit të refugjatëve të rinj, ka shqetësuar organizatat dhe individët që punojnë për integrimin dhe mbrojtjen e refugjatëve.

Sipas paditësve, ky urdhër ekzekutiv, duke e pezulluar pranimin e refugjatëve të rinj dhe duke ndaluar financimin e grupeve jofitimprurëse që ndihmojnë në sistemimin e refugjatëve, shkel Ligjin e Refugjatëve të vitit 1980. Ata gjithashtu theksuan ndikimin negativ që ka pasur ky urdhër në jetët e shumë individëve dhe familjeve që kanë pasur kërkesa të papërfunduara për refugjatë, duke përfshirë një nënë nga Idaho që po priste ribashkimin me vajzën e saj, një refugjate nga Afrika e Jugut që kishte aplikuar për azil në SHBA.

Ndërkohë, avokatët e Departamentit të Drejtësisë mbrojtën veprimet e administratës Trump, duke argumentuar se presidenti ka autoritetin për të kufizuar pranimin e refugjatëve në bazë të legjislacionit të vlefshëm dhe se ky kufizim është më i justifikuar në kontekstin e menaxhimit të emigracionit./UBTNews/

 

Continue Reading

Lajmet

QKUK përfundon verifikimin e pronësisë, paralajmëron rrënimin e objekteve pa leje në oborr

Published

on

By

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka përfunduar verifikimin e pronësisë së oborrit të saj dhe ka paralajmëruar se së shpejti do të nisë lirimin e hapësirave të uzurpuara prej shumë vitesh, duke rrënuar objektet e ndërtuara pa leje.

Ky hap vjen pas punës së një komisioni të posaçëm të formuar në mars të këtij viti, i cili në bashkëpunim me Drejtorinë e Kadastrit të Komunës së Prishtinës, përmes ortofotove dhe planeve kadastrale, ka vërtetuar gjendjen pronësore. “Sipas të dhënave kadastrale, brenda oborrit të QKUK-së nuk figuron asnjë pronë private”, thuhet në njoftimin zyrtar të këtij institucioni.

Para marrjes së vendimit për ndërhyrje, institucioni u ka dërguar dy njoftime zyrtare shfrytëzuesve të lokaleve afariste dhe kioskave që veprojnë brenda këtij perimetri, duke kërkuar dëshmi mbi bazën ligjore të shfrytëzimit të hapësirave.

Megjithatë, nga QKUK-ja bëhet e ditur se asnjëri prej shfrytëzuesve nuk ka paraqitur certifikatë pronësie apo dëshmi se objekti është në proces legalizimi, ndërsa dokumentet e dorëzuara kanë rezultuar të jenë kontrata të skaduara dhe aktvendime të paregjistruara në kadastër.

Procesi i lirimit të këtyre hapësirave ka marrë mbështetje edhe në terren nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), i cili gjatë inspektimeve të ditëve të fundit i ka vërtetuar të njëjtat gjetje.

“Me konfirmimet kadastrale dhe rekomandimet zyrtare si nga Inspektorati Komunal, ashtu edhe nga ai i MMPHI-së, menaxhmenti i QKUK-së tashmë ka në dorë të gjitha instrumentet ligjore dhe do t’i përdorë për t’ua kthyer pacientëve e qytetarëve pronën publike”, ka theksuar ky institucion. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

KEDS: Rikthehet energjia elektrike për rreth 80 për qind të konsumatorëve të prekur nga erërat e forta

Published

on

By

Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS) ka njoftuar se, përkundër erërave të fuqishme që shkaktuan dëmtime në rrjetin shpërndarës, furnizimi me energji elektrike është normalizuar për rreth 80 për qind të konsumatorëve të prekur brenda tri orëve të para pas qetësimit të motit.

Ndër zonat më të prekura nga moti i ligë kanë qenë Prishtina, Gjakova, Dragashi, Prizreni, Suhareka, Kamenica, Gjilani, Kaçaniku, Lipjani, Shtimja, Drenasi, Obiliqi, Fushë Kosova, Podujeva dhe Ferizaj.

Sipas KEDS-it, paralelisht me rikthimin e energjisë për shumicën e konsumatorëve, janë lokalizuar defektet në shtylla dhe përçues në pothuajse të gjitha pikat e rrjetit ku janë evidentuar dëmtime.

Ekipet në terren po vazhdojnë punën intensive për sanimin e plotë të problemeve dhe rikthimin e rregullt të furnizimit për të gjithë konsumatorët./E.A/

Continue Reading

Lajmet

Nga 18 vjet burgim për Ilir dhe Rrahim Abdullahun për vrasjen e policit Triumf Riza

Published

on

By

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur të premten aktgjykimin dënues ndaj Ilir dhe Rrahim Abdullahut, duke i dënuar me nga 18 vjet burgim secilin për vrasjen e zyrtarit policor, Triumf Riza. Kryetari i trupit gjykues, Avni Syla, bëri të ditur se gjykata i shpalli të akuzuarit fajtorë për kryerjen në bashkëkryerje të veprës penale “Vrasje e rëndë”, bazuar në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Sipas vendimit të gjykatës, Ilir Abdullahut i është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, ndërsa e njëjta masë e paraburgimit i është caktuar edhe Rrahim Abdullahut. Gjatë seancës së shpalljes së vendimit, në sallë ishte i pranishëm vetëm i akuzuari Ilir Abdullahu i shoqëruar nga avokati i tij, Ramë Dreshaj, ndërsa Rrahim Abdullahu mungoi dhe u përfaqësua nga avokatja Agnesa Salihu. Në seancë mungoi po ashtu edhe prokurorja e rastit, Arbëresha Shala.

Zyrtari policor Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007 në lagjen “Dardania” në Prishtinë. /Ekonomia Online/

Continue Reading

Lajmet

AKB: Nga 7.16 miliardë euro remitanca në pesë vjet e gjysmë

Published

on

By

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësimin për mënyrën se si po shfrytëzohet kapitali i diasporës në vend, duke vlerësuar se dërgesat e mërgimtarëve po mbeten kryesisht të orientuara drejt shpenzimeve të përditshme dhe sektorit të ndërtimit, në vend se të kanalizohen në zhvillimin e industrisë dhe prodhimit vendor.

Sipas një vlerësimi të kësaj organizate, gjatë periudhës nga viti 2021 deri në qershor të vitit 2026, Kosova ka pranuar gjithsej rreth 7.16 miliardë euro remitanca, prej të cilave rreth 80 për qind ose afro 5.73 miliardë euro janë shpenzuar në konsum, patundshmëri dhe ndërtim. Ndërkohë, vetëm 2 për qind e këtij kapitali, që përkthehet në rreth 143 milionë euro, është investuar në biznes, industri dhe prodhim, kurse 18 për qind e mbetur ka shkuar në destinime të tjera.

Të dhënat e prezantuara nga AKB-ja tregojnë një trend të vazhdueshëm të rritjes së dërgesave të diasporës ndër vite, duke filluar nga 1.15 miliardë euro në vitin 2021, 1.22 miliardë euro në vitin 2022, 1.33 miliardë euro në vitin 2023 dhe 1.35 miliardë euro në vitin 2024.

Kjo rritje ka vazhduar edhe në vitin 2025, kur remitancat arritën në 1.4 miliardë euro, ndërsa vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 në vend kanë hyrë rreth 690.7 milionë euro. Pavarësisht këtij potenciali të lartë financiar, AKB-ja vlerëson se këto mjete nuk po arrijnë të shndërrohen në motor të zhvillimit ekonomik përmes hapjes së fabrikave të reja apo rritjes së eksporteve.

Për ta ndryshuar këtë gjendje, AKB-ja i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të hartojë një strategji të posaçme për orientimin e kapitalit të mërgatës drejt sektorëve prodhues, teknologjisë dhe eksportit.

Kryetari i kësaj organizate, Agim Shahini, ka kërkuar nga institucionet që të krijojnë një klimë më të favorshme investuese përmes garantimit të sigurisë juridike, ofrimit të lehtësirave fiskale dhe zbatimit të politikave konkrete mbështetëse, duke theksuar se vendi ka nevojë për investime që gjenerojnë fabrika dhe vende të reja pune, e jo vetëm mjete për konsum. /E.A/

 

 

 

Continue Reading

Të kërkuara