Qytetarët e Prishtinës nga sot kanë mbetur pa transport publik, pasi ndërmarrja “Trafiku Urban” ka ndërprerë qarkullimin në të gjitha linjat për shkak të vështirësive financiare të krijuara nga bllokimi i buxhetit të Komunës së Prishtinës.
Ndërprerjen e operimit e kanë paralajmëruar edhe disa nga linjat private të transportit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se situata ka arritur në nivel kritik dhe se qytetarët janë vënë në rrezik si asnjëherë më parë.
“Në historinë e shtetit të Kosovës, rrallëherë kemi parë të rrezikohen qytetarët deri në këtë shkallë. Për më shumë se një vit, kanë alokuar buxhetin që i duhet kryeqytetit, por buxheti i Prishtinës është bllokuar për çështje politike. Ne kemi dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrit Murati për shkelje të ligjit; jemi drejtuar te kryeministri, te presidentja dhe te Gjykata Kushtetuese. Qytetarët e Prishtinës kanë mbetur pa paga”, tha Rama dje gjatë konferencës për media.
Ai konfirmoi zyrtarisht se nga dita e sotme transporti publik ndalon operimin.
“Sapo e përfundova takimin me ndërmarrjen e transportit publik dhe, që nga nesër, transporti publik fatkeqësisht do të ndalet. Me keqardhje të thellë e them se nuk e kam besuar se qytetarët e këtij vendi do të viheshin në rrezik për shkak të çështjeve të biznesit”, u shpreh kryetari i Prishtinës.
Ndërkohë, edhe ndërmarrja “Trafiku Urban” ka njoftuar zyrtarisht ndërprerjen e qarkullimit, duke e lidhur atë me vështirësitë financiare dhe mungesën e karburanteve.
“Gjatë ditëve të fundit jeni njoftuar për vështirësitë financiare me të cilat po përballet ndërmarrja. Si pasojë e këtyre vështirësive dhe mungesës së karburanteve, përkundër vullnetit tonë, jemi të detyruar të ndërpresim qarkullimin e të gjitha linjave të Trafikut Urban, duke filluar nga e hëna, 24.11.2025. Shprehim keqardhjen tonë të sinqertë për pasojat që kjo ndërprerje do t’ju shkaktojë. Qarkullimi do të rifillojë menjëherë pas lëshimit e mjeteve nga Ministria e Financave, të cilat i mundësojnë Komunës së Prishtinës të shlyejë obligimet e saj financiare ndaj ndërmarrjes.”
Ndërmarrja thekson se kriza nuk lidhet me gjendjen e saj financiare të brendshme, por me vonesat e komunës.
“Dëshirojmë të sqarojmë se ndërmarrja ka bilanc pozitiv dhe stabilitet financiar; megjithatë, vonesat e Komunës së Prishtinës në shlyerjen e obligimeve ndaj nesh kanë krijuar këtë situatë të paqëndrueshme. Edhe një herë, u kërkojmë ndjesë qytetarëve për ndërprerjen e shërbimit të transportit publik, i cili do të mbetet i pezulluar deri në lëshimin e mjeteve”, thuhet në njoftim./EO